Voal – Kisha katolike në një qytezë të vogël 5 kilometra nga Bazeli, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Ati i Shenjtë ka hapur një Ekspozitë të titulluar: Nënë Tereza dhe Varfëria në Perëndim, në kuptimin e varfërisë shpirtërore që është në shpërpjestim të zhdrejtë me pasurinë materiale.
Përjashta kishës në oborr është vendosur një poster që i fton të gjithë kalimtarët, pa dallim religjioni ta vizitojnë ekspozitën dedikuar Nënës të gjithë Njerëzimit, shqiptares Gonxhe Bojaxhi.
Është muaji i dytë që kjo ekspozitë qendron e hapur në një nga kthinat e kishës dhe të bën përshtypje kujdesi me të cilën është përgatitur.
Aty gjendet jetëshkrimi i Nënë Terezës, ku shkruhet për prejardhjen e saj shqiptare dhe fotot e saj duke nisur nga rinia të përziera me portrete të njerëzve të vuajtur nga varfëria dhe të sëmurë me leprozë për të cilët ajo u kujdes pa dallim dhe ua kushtoi jetën.
Ekpozita kushtuar Nënë Terezës ka një theks kritik në adresë të Perëndimit që Nënë Tereza e ka artikuluar sa ishte gjallë dhe tani ky theks kritik merr një jehonë të veçantë sepse tani zëri i saj është i një Shenjtoreje me qëllim kthimin në vlerat njerëzore, që janë mëshira dhe humanizmi si tipare kryesore të Perëndimit.
Në ekopzitë është një foto e rrallë ku Nënë Tereza shfaqet në një tren në Indi duke lexuar librin e Charles de Foucauld: Një zë i shketëtirës. Charles de Foucauld ishte një fisnik francez që në moshën 28 vjeçare e braktis karierën ushtarake për t’u bërë Nomad i Zoti. Zëri i tij në shkretëtirë ishin lutjet e tij që ai i dërgonte Qiellit. Edhe Nënë Tereza i jepte shumë rëndësi lutjeve dhe besonte se veshi Zoti i dëgjonte lutjet njerëzore.
Fotot janë gërshetuar po ashtu me citate të Nënë Terezës, ku ajo e krahason vetminë e shkaktuar prej egoizimit të Perëndimit me leprozët për të cilët ajo është kujdesur në Kalkuta. “Vetminë e qytetërimit perëndimor”, shkruan Nënë Tereza, “unë e quaj lepra e Perëndimit. Nga shumë kënde e parë, ajo është shumë më e keqe se varfëria jonë në Kalkuta”.
Por ajo që më bën përshtypje është se ndërsa Nënë Tereza i jep leksione Perëndimit si Shenjtore dhe qytetarët zviceranë i mirëpresin këto leksione, shqiptarët si komunitet në vendet ku jetojnë por edhe këtu në Zvicër, bëjnë të kundërtën nga ajo që ishte rruga e jetës e Nënë Terezës, dmth shqiptarët kthehen në objektin e kritikave dhe ironive të Shenjtores shqiptare, sepse ky komunitet është i përçarë dhe bën luftë të llojit duke u kthyer në lojë dhe kukull të partive faqezeza në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nga e kanë prejardhjen.
Ndërsa Ekpozitën e Nënë Terezës e vizitojnë zviceranët, komuniteti shqiptar që jeton në këtë qytezë as që nuk do t’ja dijë. Por kjo është e trishtueshme sidomos për brezin e ri, fëmijët dhe të rinjtë shqiptaro-zviceranë, që nga ekspozita të tilla veç do të fitojnë njohuri dhe kranari për rrënjët e tyre. Ata mbeten të dizorientuar, nuk i orienton kush, sepse prindërit e tyre janë indiferentë dhe të orientuar shumë dëmshëm, por do të mjaftonte indiferenca e tyre që unë do ta krahasoja po aq të zezë sa varfëria dhe lepra e Indisë. / Elida Buçpapaj









Komentet