Senad Guraziu – Ars Poetica, Prill 2023
(…me ndihmën e shkencës “fiksionale”, duke shitur imagjinatë, “vibracione” imagjinare të Vibraniumit, “Black Panther” qe pajisur me 7 nominime dhe me 3 fitime të Oscar – ndoshta “pjesa më e vështirë rreth ndërtimit të një makine perpetuale është fshehja e baterive”…)
***
Në Janar (2023) një video e çuditshme desh e mahniti botën internetike, njerëzia qenë mrekulluar me lajmin se një mineral çudibërës, një lloj “gura-ziu” magjik : ) i ashtuquajtur Vibranium qenka zbuluar në RD të Kongos. Fillimisht qe postuar në Twitter. Në videot shihen persona tek demonstrojnë me ca gurë që kanë “ngarkesë elektrike”, nëse gurët fërkohen me njëri-tjetrin ia fillojnë me xixa e me shkrepje, thuase elektriciteti i tyre na qenkësh i pashtershëm. Në një video tjetër dikush e përdorte “gurin” madje dhe për të salduar. Mësova se dhe “Nairobi News” paskësh raportuar rreth gjetjes së Vibraniumit, diku në rajonin Katanga të Kongos.
Në disa nga fletoret vizatimore të Marvel (psh. ato rreth Black Panther) minerali Vibranium është një element imagjinar i cili posedon cilësi jo vetëm “mbinjerëzore” por dhe të tilla si aftësia e absorbimit dhe e ruajtjes së energjisë, i të gjitha formave energjitike. Megjithatë ky mineral, ose më mirë element, nuk është real, është vetëm trillim, s’ka thënë kush se është real. Sipas Marvel, në Wakanda të Afrikës (miliona vjet më parë) pati rënë një meteor, jo aso i “dinosaurëve” por një meteor special, i cili do ndikonte në natyrën rrotull me vetitë e veta të mistershme.
Pastaj njerëzit e studionin natyrën dhe i shfrytëzonin sekretet meteorike të Vibraniumit për ta bërë botën një vend më të mirë. Gjithçka do avancohej, teknologjia patjetër por bie fjala dhe mjekësia, plagët në Wakanda mund të shëroheshin “magjikisht”. Afërmendsh, shërimi ashtu nuk ishte magji, por sipas qasjes së Marvel, gjithçka ishte teknologji dhe shkencë. Dmth. ne sot duhet të “mendojmë” se fjala është për diç si fanta-tekno-shkencë, 100% simpatike dhe me vizëllimat e paskajshme hollivudeske.
Marvel thotë se nga ky material prodhohen armët më të avancuara, të gjithë super-heronjtë pajisen me ndonjë diç bërë nga Vibraniumi. Psh. madje dhe vetë mburoja e “Captain America”, i cili e përfaqëson krenarinë e super-heroizmit amerikan, qe punuar nga ky mineral. Ja pse mburoja e tij mund t’i rezistojë çekanit fluturues të perëndisë Thor. Marvel madje e lavdëron dhe vetë prapan* e “Captain America”, sepse sipas fansave, super-heroi e përfaqëson prapan* e Amerikës. Fare në rregull, dhe me vend, tekefundit gjithkush e lavdëron të “veten”.
Por dhe shumë heronj të tjerë, mbase të “panumërt”, do kenë veglurinash nga Vibraniumi. Tjetër që ne s’i dimë saktë, me emra e me detaje. Sidoqoftë, nëse sot ia themi se çelësat e auto-mekanikut të lagjes janë nga Kadmiumi (sepse dhe janë, lëgura me kadmium etj.), pse t’mos jetë dhe mburoja e heroit “Captain America” nga Vibraniumi… Dhe atë, pikërisht nga Vibraniumi i Wakanda-s.
Falë imagjinatës dmth. teknologjitë e llojit “Black Panther” (siç na i shpalos Hollivudi dhe imagjinata e Marvel) janë diç si tekno-shkencash imagjinare. Nga ana tjetër, idetë e shpalosura rreth tekno-avancimeve të tilla s’janë të pakuptimta, nuk janë diç si “nonsens” filmik. Nëse të thoshim se teknologjitë që shfaqen në Wakanda ose në “Black Panther” janë të bazuara një “çerek” në shkencën reale, një të tretën në mrekullitë fanta-shkencore dhe gjysma tjetër e ngelur në fantazi dhe efekte të lezetshme “a la houdini” – pohimi ynë s’do ishte aspak larg vërtetësisë.
Sepse “ndihma” e shkencës fiksionale nuk është ndihmë vetëm për “entertainment-in” real (për argëtimin tonë), është ndihmë e mirëfilltë dhe për shkencën reale. Ndoshta hapi i parë i shkencës është imagjinata. Dhe vetë Ajnshtajni e pati lavdëruar imagjinatën. Dmth. është ndihmë zinxhirore, Hollivudi me anë të shkencës imagjinare e ndihmon shkencën reale, dhe anasjelltas – së bashku e “ndihmojnë” ekonominë, e cila me atë hujin e reciprocitetit i “ushqen” të dyja, dhe gjithçka që graviton rretherrotull. Pa ekonominë as shkenca e mirëfilltë s’ka si financohet. Në përgjithësi Hollivudi e ndihmon ekonominë e ShBA me mbi 500 miliardë secilin vit – gjysmë trilioni nuk është pak, përkundrazi.
Sipas Byrosë për Analizat Ekonomike (BEA), në v. 2021 Artet dhe Aktiviteti Kulturor (ku hyn dhe industria e Hollivudit) përbënin 4.4% të BPV-së amerikane. Sa për pakëz krahasim, sektori i Ndërtimtarisë përbënte 4.2% të BPV-së, Transporti 2.8% të BPV-së. Ndërsa, Aerospace & Defense (e cila industri në media bën “bujë” ndoshta po aq sa Hollivudi) në v. 2020 përbënte 1.8 % të BPV-së.
Pra “ndihma” e shkencës fiksionale, kahdo që rrotullohet, do ishte mëkat të “harrohet”.
***
Elementi “Vibranium” pretendohet kryesisht si diç e trilluar (Marvel s’ka pretenduar kurrë se na qenka element real), mirëpo përbërja e “gurëve elektrikë” (paraqitur në videot e Internetit), ngeli ende e panjohur për shkencën reale. Ende e paqartë nëse këta gurë vërtet prodhojnë ose e deponuakan energjinë elektrike. Se nuk janë “vibranium”, dhe as ndonjë material çudibërës, se gjeneruakan elektricitet nga hiçasgjëja, rreth kësaj i lehtë akordimi. Ndokush mund të supozojë se ky lloj “guri” i çuditshëm afrikan mund t’jetë i pasur me mineral hekuri (ka plot gurë të tillë, të pasur me hekur). Nëse të lidheshin me ndonjë burim “fantomik” energjie dhe nëse t’i fërkonim së bashku, mbase do krijonin shkëndija.
Sidoqoftë, video të tilla janë mjaft intriguese, sidomos nëse filluan të shfaqen pas filmit “Black Panther”, pas Wakandas imagjinare. Ca shkëndija dhe efekte elektrike mund t’i animojmë dhe vetë (pa qenë as ekspertë as marvel-istë) me ndihmën e After Effects. Edhe llambëzat LED bëjnë “dritë” me ndihmën e animacionit, pikërisht siç dhe në videot e Vibraniumit të Kongos. Në fakt, i gjithë filmi “Black Panther” (dhe panumër filma të ngjashëm) krijohen me After Effects, dhe me veglash të ndryshme softuerike.
Ndërsa ekspertët e vërtetë të mineralogjisë thonë se një mineral i tillë (që prodhon elektricitet) sipas njohurive shkencore të derisotshme, do ishte diç e pamundur. Ata besojnë se gurët e shfaqur në videot janë ose mund të jenë minerali i njohur si Pirit. Deri sot shkenca s’njeh ndonjë “mekanizëm” që e mbështet atë lloj “fenomeni” elektrik (siç shfaqet në videot). Mineralet që i njeh shkenca deri sot nuk posedojnë përbërjen e nevojshme molekulare për ta ruajtur elektricitetin (diç si bateri natyrale). Por mund ta kalojnë tutje, dmth. ta përçojnë, keq a mirë me aq sa “munden”, në vartësi të specifikave të tyre.
Sipas shkencës, për të qenë e mundur një “bateri natyrale” minerali do të duhej ta kishte një anodë dhe një katodë që mund të ndërveprojnë. Litiumi që e njohim, për bateritë e së sotmes është aq i rëndësishëm, lum e lum litium – sikur ia themi, më i miri që të kemi, por as litiumi nuk “prodhon” energji elektrike (si gurët në videot). Mineraleve u mungon përbërja kimike për ta ruajtur ngarkesën elektrike (siç e ruajnë bateritë.) Por as bateritë, në fakt nuk e ruajnë energjinë elektrike, bateritë e ruajnë energjinë në një formë tjetër (shpesh kimike). Kjo energji më pastaj konvertohet në energji elektrike (sapo të ndodhin reaksionet kimike midis anodës, katodës dhe elektrolitit mes tyre). Në rastin e Vibraniumit si mineral “video-magjik”, dallimi do ishte se, minerali s’do i lëshonte apo lironte elektronet e nevojshme për ruajtjen e elektro-ngarkesës (siç ia bëjnë bateritë reale).
Apo mbase “Vibraniumi” është vërtet vetëm aq sa duhej të ishte, as më shumë dhe as më pak, thjesht një emër metaforik për mineralin Koltan, minerali i çmuar që përdoret për t’i fuqizuar telefonat e shek. XXI. Rreth 80% e këtij minerali nxirret në RD të Kongos. Kur rafinohet, bëhet një metal i quajtur Tantal (pikërisht si ai Tantali i mit.), një pluhur rezistent ndaj nxehtësisë dhe që mund të mbajë ngarkesë të lartë elektrike.
“Vibraniumi” metaforik, nëse t’ishte realistik mund ta kishte ndihmuar Afrikën të bëhej superfuqi e vërtetë (pikërisht si në filmin “Black Panther”, duke qenë Wakanda ai shembulli imagjinar). Nëse nafta dhe gazi si burime natyrore i transformuan ekonomitë e disa vendeve të Lindjes së Mesme, atëherë vallë ç’ndodhi me Afrikën, pse zhvillimi nuk ndodhi!? Resurset natyrore të Afrikës mund t’kishin qenë (ose dmth. janë) “Vibranium” i vërtetë. Do mund ta transformonin gjithë kontinentin e bukur, ta mëkëmbnin denjësisht gjithë ekonominë kontinenatale, por nuk ndodhi. Nëse Dubai e Doha pësojnë metamorfozash arkitekturale të llojit “manhatanization”, atëherë ç’ndodhi, ç’ngjet vallë me ekonominë afrikane!
S’është vetëm minerali Koltan, Afrika kishte dhe ka sa të duash minerale. Bie fjala kishte dhe ka diamante, aq shumë jetë do jenë humbur rretherrotull diamanteve dhe paratë në njëfarë mënyre nuk i shërbyen zhvillimit të Afrikës. Sot, kur prodhohen filmat e llojit Black Panther, dhe kur audienca “patriotike” afrikane së bashku me atë afro-amerikane do i gjenerojnë me miliarda për Hollivudin, paralelisht disa nga korporatat që e përdorin mineralin Koltan, që shesin produkte elektronike në mbarë botën janë Apple, Dell, Microsoft, Advanced Micro Devices (AMD), Acer, Motorola, Nokia, Panasonic, Research In Motion (RIM) etj.
Dmth. të gjithë të mëdhenjtë, gjigantët e së sotmes, një industri masive në shkallë globale varet prej mineralit Koltan. I njëjti Koltan (shkurtesë për Kolumbitin-Tantalitin) përdoret gjithashtu për prodhimin e legurave rezistuese ndaj temperaturave të larta, për motorët e avionëve, për jet-turbinat e të ngjashme. Dhe dihet, të gjitha fluturaket e avancuara të së sotmes janë “jets”, të gjitha kanë nevojë për turbinash rezistente. E megjithatë Afrika sikur prapë asgjë, sikur e humb mundësinë, “oportunizmin” historik, njësoj si me Diamantin, njësoj si me Tanzanitin etj.
A do shërbejë “Vibraniumi” metaforik si shkëndijë për ta ndezur ndonjë “llambë” të Afrikës, s’e kemi idenë.
***
Sidoqoftë, u muar vesh se Vibraniumi filmik është një element fiksional, mineral i shkencës imagjinare. Në universin e imagjinatës së Marvel shfaqet si zotërues i cilësive të ndryshme, psh. aftësia për ta absorbuar dhe ruajtur energjinë, i absorbon të gjitha format energjitike. Këtu në shkrimin tonë na intereson vetëm nëse mund të shpjegohen cilësitë e tilla sadopak, në termat sa më të thjeshtë shkencorë, sa më “afër” shkencës reale. Ndoshta na ndihmon qasja “krahasimtare”…
Psh. shkenca reale e së sotmes thotë se gjithçka e ka energjinë e vet potenciale. Edhe një lavjerës ka energji – ashtu varur, ne mund ta tërheqim në një anë, me qëllimin për ta lëshuar. Pastaj lavjerësi do ia fillojë me luhatjen, herë andej e herë këndej, herë largohet e herë afrohet, tani duke patur dhe energjinë kinetike. Fizika me “ligjet” e veta e ka caktuar se lavjerësi ynë do “ketë” energji kinetike aq sa i kemi “dhënë” (me shtyrjen psh), apo dhe vetëm sa ishte energjia potenciale e tij. Mirëpo kaq, meqë nuk është prej Vibraniumi, ngelet me aq, asgjë magjike, gjithçka e caktuar me “ligjet”…
Thamë se Vibraniumi imagjinar, siç supozohet, e ka aftësinë për ta absorbuar dhe ruajtur energjinë. Edhe shkenca e vërtetë thotë se energjinë kinetike (energjinë e lëvizjes) mund ta kthejmë në energji të ruajtur (potenciale). Ndonjëherë na nevojitet ta shpërndajmë energjinë kinetike të diçkaje dhe ta “absorbojmë”. Bie fjala, i kemi ato plastikat me rërë për “absorbimin” e energjisë kinetike të veturave, sidomos në ato pistat e shpejtësive (nëse eventualisht dalin jashtë “trakës”).
Ose fabrikantët e jelekëve ballistikë i përdorin fibrat e fuqishme të kevlarit për t’i ngadalësuar dhe ndalur plumbat. Energjia kinetike e plumbit… s’e kemi idenë, padyshim marramendëse, pasi plumbi aq i “fokusuar”, mirëpo jeleku i kevlarizuar ia del dhe e ndalë.
Ose psh. gurët e brezit të asteroidëve ndeshen mes vete dhe thërmohen, lloj-lloj mbeturinash të “natyrshme” vërtiten. Për grimcat e për mikro-meteoroidet ia themi se janë mbeturina natyrore. Mirëpo përveç tyre dihet se në orbitë ka dhe mbeturina artificiale, fort të rrezikshme për satelitët sepse lëvizin me shpejtësi të madhe, energjia kinetike e tyre është masive. Thuhet se një predhë e plumbit ordiner “udhëton” me shpejtësi 1200-1700 m/s, mirëpo një pjese e mbeturinave orbitale vërtitet me shpejtësi deri 28 km/s. Ku është metri e ku kilometri, pra tmerrësisht shpejtë!
Njerëzia s’kanë si i “numërojnë”, por NASA, ESA e këso organizatash janë marrë dhe me këtë, ata thonë se aktualisht ka më shumë se 17.000 copëza të identifikuara artificiale dhe më shumë se 170 milionë mbeturina të paidentifuara. Andaj, pakashumë njësoj siç policët e ushtarët e përdorin jelekun ballistik (apo anti-plumb), edhe ISS e ka një diç si “jelek-batanije” nga fibrash të kevlar dhe “nextel”. Gjithashtu dhe një pancir metalik të ashtquajtur “whipple shield” (sipas ideatorit, shpikësit). Kjo mburojë i ka disa shtresa me boshllëqe mes tyre, për ta shpërndarë energjinë kinetike dhe për ta siguruar një “shteg” për energjinë (dmth. për absorbimin sa më efikas). Pra “jeleku” dhe mburoja e mbrojnë ISS-n nga përplasjet e mikro-meteoroideve dhe nga mbeturinat e tjera të vogla, e edhe aso artificiale.
Vibraniumi imagjinar i Marvel (ose i Vakandas), duke qenë i mahnitshëm, sakaq do t’i zëvendësonte të gjitha shpikjet e NASA dhe të ESA, të gjitha “mundimet” e shkencëtarëve, do e absorbonte secilin mikro-meteorid, madje do ia “vidhte” energjinë dhe do e shfrytëzonte për vete. Vizatuesit e Marvel patën menduar për shumçka, se Vibraniumi mundet këtë, ose atë, edhe këtë, edhe atë, cilësitë imagjinare thjesht të pakufizueshme. As Marvel ndoshta s’e di saktë çfarë s’mundet Vibraniumi. Sikur më e lehtë do ishte të dihet çfarë mundet, paçka se dhe mundësitë të pafundme : )
Shkenca e vërtetë thotë se energjia (potenciale + kinetike së bashku) “deformon” gjithçka që i del përpara. Nëse duam ta kthejmë këtë energji (deformuese) në energji elektrike, është e mundur, e dimë dhe si bëhet. Vetitë e disa llojeve të kuarcit ishin të njohura për qindra vjet. Dihet për efektin piezoelektrik të kuarcit, nëse të ushtronim stres mekanik në materialet piezoelektrike, ngarkesat e tyre pozitive dhe negative zhvendosen, duke gjeneruar një fushë elektrike. Dhe Hollivudit i nevojiten pikërisht këso gjërash që përputhen me shkencën, që s’bien në “kundërshti” me ideatikat shkencore.
Problemi është se efekti piezoelektrik gjeneron aq pak, tepër pak, një sasi të vockël të energjisë elektrike. S’mund të ushqehet kostumi i heroit Black Panther, ndoshta as dhe një fibër e vetme. Prandaj efekti piezoelektrik s’është aq i “dobishëm” për filmat, ndoshta s’i takon as besueshmëria e denjë fanta-shkencore. Anise materialet piezoelektrike e kanë dhe një efekt të kundërt, efekt mjaft “cool”, nëse aplikohet në to me një fushë elektrike, këto materiale kanë vetinë të deformohen. Nëse ndonjëherë gjërat filmike janë në varësi të kësaj ideje, atëherë patjetër se mund të përdoret. Sepse s’ka asgjë në kundërshti me shkencën. Të paktën në “Black Panther” qe përdorur kjo ide, s’dimë për ndokund tjetër.
Mundësitë e Vibraniumit mund t’jenë të pafundme, sepse gjëra të trilluara, mundësi të imagjinatës. Por dhe shkenca e vërtetë thotë se me induksion mund ta kthejmë energjinë e lëvizjes (kinetike) në energji elektrike. Duke e lëvizur një magnet brenda një përçuesi rrethor, mund të prodhohet elektricitet. Ose, meqë kjo metodë nuk është aq “praktike”, ka dhe më mirë, duke e përdorur energjinë kinetike për ta “vërtitur” një fushë magnetike, krijohet energji elektrike. Pikërisht kështu, në v. 1893 funksionuan dhe ende sot e kësaj dite funksionojnë gjeneratorët e hidro-elektranave në Niagara. Tesla e dinte fort mirë, s’ia pati “qëlluar” rastësisht, por thjesht e dinte. Tani, ka mbi një shekull tashmë, pikërisht kështu funksionojnë të gjitha hidro-centralet e botës.
Mirëpo, përkundër faktit se dhe shkenca reale na ofron panumër mundësi, na ofron lloj-lloj zgjidhjesh, ja që ballafaqohemi me maksiaturën, me problemin e teknologjisë “maksi”, s’ka si e fsheh njeriu një hidro-central a termo-central brenda kostumit të Black Panther. Marvel dhe fansat kanë nevojë për mikro-teknologji, për nano-mekanikash, për tekno-çudirash të padukshme. Kështu që njeriu i drejtohet imagjinatës për ndihmë, imagjinata s’kufizohet me asgjë. Pse jo një meteor e viziton Afrikën miliona vjet më parë, meteor i pasur me Vibranium etj etj. Universi i Marvel funksionon në mënyrë perfekte, gjenerohen me miliarda verdhushka. Miliarda $$$, duke shitur imagjinatë, duke shitur “vibracione” imagjinare të Vibraniumit : )
Për pothuaj një shekull tashmë, që nga vitet 1930, Marvel me “fletoret vizatimore” e ka pushtuar imagjinatën e brezave, të panumër fansave të rinj. Mirëpo Marvel ka arritur të ketë efekt të qëndrueshëm tek fansat e vet, del kjo në pah meqë dihet se sot mbi 60% janë të rritur, fansa të moshës 18-44 vjeç (sipas Statista). Universi kinematik i Marvel ia filloi në v. 2008 me filmin “Iron Man”, duke i tejkaluar shpejtë filmat e “mëdhenj” si Star Wars, Lord of the Rings etj., për t’u bërë ekskluzivitet filmash me fitimprurjen më të madhe në historinë kinematografike. Të ardhurat totale të filmave nga Marvel në v. 2020 ishin 26.6 miliardë $. “Black Panther” qe pajisur me 7 nominime dhe me 3 fitime të Oscar, në Academy Awards 2019.
Nëse “gurët e Kongos” t’jenë Vibranium, dhe nëse vërtet kanë cilësi të tilla “elektrike”, vetë s’e kam idenë, S’jam as shkencëtar as ekspert i mineralogjisë, për çështje të tilla preferoj “përsiatje” sadopak më afër tokës, më afër shkencës tokësore. Ashtu-kështu etika s’ma lejon “diskriminimin” mendor të vetvetes dhe të askujt, nga arsyeja na imponohet respekti, integriteti i mendjes dhe i intelektit. Një dikush si shaka pati thënë “pjesa më e vështirë rreth ndërtimit të një makine perpetuale është fshehja e baterive”. Sipas meje mrekullisht e shkurton “përmbylljen”. Me këtë citat sikur përshkruhet i gjithë universi i Marvel, pa patur njeriu frikë se do ketë harruar diç : )
referencat:
– usatoday,
– Bureau of Economic Analysis (BEA),
– statista,
– Marvel Cinematic Universe (MCU),
– vanguardngr,
– economictimes,
– youtube