Ekipi që realizoi fluturimin e parë me energji diellore do të përpiqet të sfidojë planet globale për të nisur prodhimin e dronit me energji diellore brenda dy vitesh
Të pakënaqur vetëm me prodhimin e avionit revolucionar me energji diellore, i cili theu rekordin për fluturimin më të gjatë me energji diellore, shpikësit e Solar Impulse 2 kanë kthyer vëmendjen për prodhimin e dronit me enegji diellore.
Në më pak se dy vjet, ekipi i Solar Impulse mund të prodhojë një dron që mund të fluturojë pandërprerë me energji diellore për gjashtë muaj dhe ndoshta kjo mund të jetë si paralajmërim për fundin e satelitëve tradicionalë siç i njohim ne.
Duke folur ekskluzivisht për Anadolu Agency, André Borschberg, bashkë-shpikës dhe piloti i Solar Impulse 2, tha se droni që punon tërësisht me energji diellore mund të përdoret në bujqësi dhe komunikim.
“Droni ofron më shumë përparësi nga satelitët”, tha Borschberg.
“Satellitët nuk mund të qëndrojnë në një pikë, ata duhet të lëvizin vazhdimisht rreth botës. Dronët mund të qëndrojnë stabil. Përveç kësaj, ju mund të sillni dronin poshtë kur të doni dhe të ndryshoni strukturën e tij”, tha ai.
Borschberg tha se droni do të jetë në gjendje të fluturojë në 20 kilometra lartësi, në stratosferë, dhe mund të përdoret në fushat e kërkim-vëzhgimit dhe matjes si dhe në parashikimin e uraganeve, vlerësimin e thatësirave apo për shpërndarjen e burimeve në mënyrë më efikase.
Ato mund të përdoren edhe për monitorime ushtarake
Gjigantët e teknologjisë si Facebook dhe Google si dhe kompanitë globale të aviacionit të tilla si Airbus dhe Boeing gjithashtu janë duke punuar në prodhimin e një droni me energji diellore, tha Borschberg.
Facebook dhe Google synojnë të arrijnë lidhjet e internetit me shpejtësi të lartë dhe të komunikimit në distancë të gjatë duke krijuar një rrjet të dronëve diellorë të cilët fluturojnë në vende të ndryshme.
Boeing dhe Airbus, të cilat gjithashtu ndërtojnë satelitë, duan të jenë pjesë e tregut të ri, për shkak të mundësisë që në të ardhmen dronët të zëvendësojnë satelitët.
Ekipi Solar Impulse mund të ketë përparësi konkurruese
Kompanitë e mëdha të cilat përpiqen të jenë pjesë e këtij tregu të ri, është një hap pozitiv në drejtim të zgjidhjes së çështjeve legjislative, të cilat mund të lindin në të ardhmen, thekson Borschberg.
“Këta avionë autonomë mund të fluturojnë në hapësirë ajrore e cila përdoret edhe nga helikopterë dhe avionë të drejtuara nga njeriu. Kështu që këtu do ti shtrohen shumë pyetje legjislacionit që duhet zgjidhur”, tha Borschberg.
Sipas tij, sa më shumë njerëz që punojnë rreth kësaj ideje është edhe më mirë. “Konkurrenca na jep motivim që të punojë më shumë”, thotë ai.
Borschberg tha se kompania e tyre Solar Impulse, në të cilën ai është bashkëthemelues së bashku me Bertrand Piccard, do të ketë avantazh mbi kompanitë e mëdha në ndërtimin, projektimin dhe funksionimin e këtyre avionëve për shkak të fleksibilitetit të tyre.
“Kompanitë e vogla janë shumë të shkathta; ato mund të lëvizin shpejt”, tha ai. “Të jesh i vogël nuk do të thotë se ne jemi të dobët”, tha ai.
NASA do të ndërtojë avionë elektrikë
Borschberg tha se gjithashtu janë duke punuar në ndërtimin e avionëve elektrikë që shfrytëzojnë bateri të cilat mund të mbushen në mënyra të ndryshme.
“Ndoshta do të ketë avionë të vegjël elektrik që do të fluturojnë në pesë vitet e ardhshme”, tha ai. “Dhe ka gjasa që ne të shohim edhe avionë të mesëm elektrik në 10 vitet e ardhshme. Industria e aviacionit atëherë do të përqendrohet në avionët e mëdha elektrik transportues”.
Efikasiteti i motorit elektrik të Solar Impulse 2 ishte aq i lartë që arrinte deri në 97 përqind, krahasuar me motorët me djegie të një automjeti i cili mesatarisht do të regjistronte një humbje të energjisë nga 30 deri në 40 përqind, tha Borschberg.
“Prandaj disa kompani të mëdha do të hidhen në prodhimin e këtyre avionëve pasi ato përdorin energjinë në mënyrë shumë më efikase dhe janë më pak të zhurmshme”, tha Borschberg.
NASA ka njoftuar planet për prodhimin e avionit elektrik, si dhe së fundmi Airbus paralajmëroi fillimin e një projekt të ri për prodhimin e një avioni elektrik me 19-ulëse, hibrid për transport, tha ai.
Kostoja totale arrin 170 milionë franga zvicerane
Borschberg, një ish-pilot ushtarak zviceran, së bashku me Piccard iu kthyen fluturimit me Solar Impulse 2, i cili nuk përdori karburant gjatë gjithë udhëtimit të tij. Avioni nisi fluturimin e tij në Abu Dhabi në nëntor të vitit të kaluar dhe e përfundoi në korrik të këtij viti në të njëjtin vend, duke përshkuar një rrugë me mbi 43.000 kilometra.
I tërë projekti, i cili përfshinte ndërtimin e dy avionëve – Solar Impulse 1, versionin e parë, dhe Solar Impulse 2, si dhe pagat e ekipit prej rreth 120 njerëzve, kanë kushtuar rreth 170 milionë franga zvicerane gjatë 13 viteve, tha Borschberg.
Projekti u financua nga portofoli i partneriteteve private dhe donacione, me partnerin turk të prodhimit të gomave-Brisa, ndërmarrje e përbashkët midis Sabancı Holding të Turqisë dhe korporatës Japoneze Bridgestone.
“Partneriteti me Brisa ka thelluar lidhjen tonë me Turqinë”, tha Borschberg, gruaja e të cilit është turke dhe e cila gjithashtu posedon një shtëpi në Bodrum, të një pike atraktive pushimore në Turqinë perëndimore. “Kjo nuk ndodhi me Solar Impulse, por unë patjetër do të sjellë një prej avionëve të mia në Turqi në të ardhmen”, tha ai.
Komiteti do të japë udhëzime të qarta në fund të vitit
Borschberg dhe Piccard janë duke punuar në vazhdimin e shtytjeve të energjisë së riparueshme, me planet për krijimin e Komitetit Ndërkombëtar të Teknologjisë së Pastër (ICCT). Komiteti ka për qëllim të ofrojë udhëzime të pavarura për politikat e energjisë për qeveritë dhe korporatat, kryesisht për teknologjitë e pastra dhe të riparueshme të energjisë.
“Qëllimi është që të tubojmë së bashku të gjithë ata që beson në rëndësinë e promovimit të energjisë së pastër”, tha Borschberg. “Rreth kësaj mendojmë të vendosim ndoshta deri në fund të këtij viti”.
Teknologjitë e reja janë fitimprurëse, krijojnë vende të raja pune, hapin tregje të reja industriale dhe reduktojnë emetimet e emisioneve të dioksid karbonit, tha ai, duke shtuar se kjo do të jetë mënyra e vetme, me të cilën bota mund të zgjidhë problemet e ndryshimeve klimatike.
“Kur ne filluam projektin Solar Impulse, ata na thanë se është e pamundur që të ndërtoni një avion të tillë”, thotë Borschberg.
“Por mos i besoni njerëzit që ju thonë se nuk është e mundur që teknologjia e rinovueshme të shkon më tej. Shpresoj se Solar Impulse do të ngrit vetëdijen dhe besimin se këto teknologji mund të funksionojnë”, përfundon Borschberg.
Komentet