Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka mbajtur konferencë për media ku ka shpalosur detaje rreth funksionimit të deritanishëm të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetarja Trendafilova, e cila tha se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri më tani po merret me katër raste të ndara të gjykimit, e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ajo tha se mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të cilën janë të fokusuar me seriozitet dhe prioritet, ngase theksoi se ndryshe gjykimi nuk do të vlente.
Duke folur për funksionin e Dhomave të Specializuara e njohur si Gjykata Speciale, Trendafilova tha se nga vitit 2017, Gjykata Speciale u bë funksionale me buxhet të ndarë nga Bashkimi Evropian (BE). Por, sipas saj, nuk mund të parashihet se kur do të përfundojë puna e kësaj gjykate.
“Më 5 korrik 2017, Gjykata u bë plotësisht funksionale. Pra, Dhomat e Specializuara të Kosovës financohen krejtësisht nga Bashkimi Evropian me pesë vende kontribuuese. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe Turqia. Dhe, Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat qoftë hetimore apo të tjera kanë përfunduar”, tha ajo.
Administratorja e Gjykatës, Fidelma Donlontha, deklaroi se deri më tani Gjykata Speciale ka pranuar tre mijë parashtresa apo lëndë të cilat janë dorëzuar qoftë nga Prokuroria, mbrojtja apo viktimat.
Po ashtu, gjatë kësaj konference u dhanë detaje edhe lidhur me kushtet e qëndrimin e të paraburgosurve të cilët po qëndrojnë në mbajtje në Hagë.
Gjatë fillimit të konferencës nga Trendafilova dhe përfaqësues të tjerë nga kjo gjykatë janë penguar me fishkëllima nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të cilët kanë thënë se “nuk mund ta lejojnë atë të raportojë në heshtje”. Më pas, pjesëtarë të Policisë së Kosovës pranë objektit ku u mbajt konferenca arrestuan pesë pjesëtarë të PSD-së.
Aktualisht në këtë gjykatë po mbahen në paraburgim tetë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë dhe ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga pozita e presidentit pas ngritjes së aktakuzës duke u vetëdorëzuar.
Procesi i gjykimit nuk ka filluar ende për asnjë nga të akuzuarit, ndërsa pritet që ai së shpejti të nisë me të arrestuarin e parë Salih Mustafa, më 15 shtator të këtij viti.
Trendafilova do të mbajë të mërkurën edhe një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut. Ajo u pyet se cili është mesazhi i mbajtjes së dy konferencave të ndara ndërsa përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës thanë se po e bëjnë këtë për shkak të “zgjerimit të komunikimit të tyre me qytetarë”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Komentet