Benzi la pas fushën e Dropullit, djathtas dy Labovat me emër të madh dhe mori të përpjetën thikë me harkoret e kthesave në shpatull të malit.
-Stacioni i parë orientues është Selcka,- tha njeriu i moshuar me një borselinë të zezë ala vintage homburg që qëndronte si një murg i menduar në sediljen e parë.
Marsi kish ardhur i ftohtë dhe bora e fundit ende kishte lënë gjurmët e saj të bardha tek-tuk në ledhe dhe poshtë gardhiqeve të arishteve pothuaj të shtrira nga mungesa e dorës së njeriut.
-Ja ku po hyjmë në fshat. Duket se kjo djathtas ka qene ndonjë vatër kulture e kohës së shkuar se shoh ende parrulla të regjimit të kaluar .-tha i riu, ai që ishte në timon.
I moshuari tundi kokën në shenjë pohimi dhe shikonte kureshtar nga të dy krahët e rrugës hyrëse të fshatit.
Pothuaj asgjë s’pipëtinte. Por befas në një shteg u shfaq silueta e nje banori të moshuar, veshur me një xhup meshini.
-Përshëndetje xhaxha, -thirri ai në timon që kishte ulur qelqin e portës.
I moshuari u afrua, i përshëndeti dhe sakaq donte të ushqente kureshtjen e fshatit:
-Nga u kemi dhe nga shkoni?
-Nga jugu jemi,- tha i riu.
-Si jeni? Si i keni nga shtëpia?- u hodh i moshuari me borselinë.
-Duam të shkojmë në Poliçan dhe pastaj në Skore… Mirë jemi si rrugë?.
-Mirë jeni. Vazhdoni udhën drejt dhe ju shpie ku doni. Pastaj para se të mbërrini në Poliçan do të merrni djathtas. Nuk u jap dot kafe se këtu në këto kohë, nuk ka as klub dhe pothuaj, as njerëz.
Një herë e një kohë në kooperativë ishin pothuaj dyqind konakë, me kallaballëk.
-Po ku janë? -pyeti për ta ushqyer muhabetin njeriu me borselinë.
-Tutje! Tutje! Si të gjithë. -bëri vendaliu duke treguar me dorë drejtimin e kufirit. -Këtu jemi a s’jemi tetë të moshuar që ndezim oxhakët.
Ardhësit e përshëndetën dhe u nisën. Por tjeri nxitoi t’i qasej përsëdyti veturës.
-Kujdes se, udha është e keqe dhe nga gungat do u takoje makina nga poshtë!
-Të faleminderit shumë, or mik,! -tha ai me borselinë dhe e përshëndeti me dorë nga xhami i hapur.
-Sa njerëz të mirë, por të vetmuar!…-foli me tepër me vete i moshuari.
-Urdhëro, profesor?
-Hiç. Flas me vete,-bëri i moshuari dhe e përsëriti fjalinë për ta dëgjuar bashkudhëtari.
Gjatë hepimit të makinës, përqëndronte vështrimin në krahun e djathtë, në një përrua të thellë shkëmbor në fund të të cilit dalloheshin rrëketë e kaltra të ujërave malore. Ujërat që ushqenin honin. Përfund, në humbellën shkëmbore herë pas here shfaqej gjarpërimi blu i rrëkesë si një lumë alpin që të kujtonte relievet e veriut të Shqipërisë. Pastaj e fshihte, diku nëpër guva, shpella karstike e kanione të thikta dramatike.
Vetura rrëshqiste ngadalë në rrugën e pashtruar midis dy maleve të larta. Befas, diku poshtë shkurreve ndanë rrugës, në një muranë të bardhë, ngelur prej dëborës së fundit të fillimarsit, i moshuari diçka pa.
-E mban pak, Tani?.
-Po profesor, menjëherë,- dhe makina frenoni ngadalë.
Djaloshi kujtoi se i moshuari do të kryente ndonje nevojë personale dhe nisi të hapë magnetofonin e makinës.
Në luginën alpine u përhapën tingujt e këngës së njohur “Bella Ciao” kolonë zanore e filmit “La Casa De Papel.”.
-Artan, eja, eja pak këtu dhe shiko sa bukur ka mbirë ky zambak në mes të borës. Shiko sesi poshtë petaleve lejla, nuk ka borë rreth e rrotull. Sikur është shkrirë me frymëzën e shpirtit të lules. Si një qënie e gjallë.
Tjetri doli nga makina dhe iu afrua profesorit.
-Bëji një foto, Tani, ta kem si kujtim.
I riu bëri disa foto me fokus. Pastaj rrugëtimi rinisi.
– E di ç’mendoja sa i pashë këta zambakë në mes të borës?
-Çfarë?
-Po mendoja, po përsiasja me vete. Njeriu dhe profesori, ish pedagogu im siç kemi folur, për të cilin po shkojmë në këtë fshat, për të parë mjedisin e origjinës së tij, më kujtoi si një metaforë këta zambakë në mes të dëborës, -dhe ngriti dorën me dy zambakët në gishta mbi kroskotin e makinës. Zambakë të vetmuar në mes akullimës së dëborës.
Heshtoi një grimë.
-Si ka mundësi mes këtij terreni malor të lindë dhe të dalë një profesor i shquar i shkencës?
-Ja që ndodh.-tha tjetri.
E dinte nga leximet se pas një cope rruge, djathas i binte të shtriheshin fshatra të minoritetit etnim grek, ato të Pogonit dhe majtas, ato shqiptare të Zagorisë së Çajupit.
Iu kujtua në çast një përsiatje e një autori të këtyre anëve me emrin Petro që diku e pati lexuar së fundi:“Se ena psillopigadho/Fitrose hortari /Mia kacika lemarji/Pije na to pari.”
Artani, ose Tani, siç i thërriste profesor Gimi, e kishte ulur në minimum volumin e muzikës që dilte nga bokset e kasetofonit të makinës. I moshuari, studjues i njohur i veterinarisë, autor i disa librave shkencorë, një temperament i toneve të ulëta, nisi të thotë me zë në shqip atë kujtoi greqisht nga ai autor pak më parë:
-“…Në një burim të lartë /
Mbiu një fije bar.
Një dhi e pangopur
U ngjit për ta marrë …”
-Interesant, të kujt jane këto vargje?
-Janë nga u gurra e këtyre anëve,-tha i menduar profesori.
Në moshë, Artani ishte pothuaj sa nipi i studjuesit, por duket se një kimi shpirtërore dhe pasioni i përbashkët për profesionin, i kish afruar prej disa vitesh. Profesori e merrte shpesh ne operacione me lopë dhe kafshë të tjera dhe ndjente një gëzim të veçantë kur shihte se i riu e ndiqte me pasion dhe i përqëndruar. Pastaj, si një mentor i pashpallur i Artanit, profesori ndjente gëzim kur ky bënte vetë operacione para tij po edhe në mungesë.
Përtej në rrugë, në një pjerrinë ku do kalonin. u shfaq nje godinë e vogël. Pranë saj edhe nje stan me dhi.
-Është kafene mesa shoh-tha i riu.
-Ndalojmë, paska edhe nje stan të madh me dhi ngjitur.
Makina ndaloi.
-Bëni kafe?-
-Po. Edhe mëngjes po të doni.-tha një burrë thatim që u shfaq te porta e godinës.-Kemi prodhimet tona blegtorale. Bio, siç thoni ju të qytetit.-Dhe shtoi:
-Të njihemi: Shpëtimi, shef i lokalit që e mbaj familjarisht dhe bariu ose shefi i katërqind dhive, që i mbajmë po familjarisht.
-Ashtu?-buzëqeshi i moshuari që nisin ta pyesë për racën, e të imtave, për sëmundshmërinë, pjelljet, prodhimin, përpunimin e qumështit.
-Me keto pyetje ti sikur je veterener, more zotëri i nderuar-u habit burri që quhej Shpëtim.
-Fiks fare, Shpëtim-u hodh i riu.-Ky është doktor Agimi, doktor dhe profesor veteriner.
-Ndërsa ky është doktor Tani, veteriner gjithshtu, -plotësoi i profesori që tani ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit.
-Po ju, sikur keni ardhut me porosi,-
-Rastëri., -tha profesor Gimi.-Skorea mban larg?
-Pak kilometra.Do merrni djathtas te kryqëzimi për Poliçan. Pastaj vijnë varg: Skore, Sopik, Çatistë, Mavrojer, Hllomo. Më tej ngjitur është sinori me Greqinë.
***
-Më në fund., mbërritëm në destinacion, profesor.
Njeriu me borselinë të zezë zbriti dhe po shihte i përqëndruar shtëpitë e fshatit, ndërtuar me gurët gri dhe çatitë e kuqe e tek-tuk me dërrasa guri. Shihte kalldrëme dhe kishën impresionuese. I binin në sy tek-tuk edhe banesa të stilit arhondika. Fshat me emigrime dhe qytetërim, mendonte.

-Edhe këtu besoj ka shumë pak njerëz. Të kërkojmë kreplakun.
I riu doli nga makina dhe u nis me hap të shpejtë nga shtëpitë ku shquhej kisha. Profesori e ndoqi pas.
-Kryeplaku nuk ndodhet këtu, por gjeta priftin,-tha i riu.
-Shume mirë,-ta takojmë.
Njeriu i perëndisë i priti te sheshi i fshatit që këtu i thoshin platia.
-Τι καλό σε έφερε εδώ? (Ti kallo se efere edho?)– pyeti në gjuhën amtare.
-Papa, unë di pak greqisht kurse ky kolegu im, nuk kupton.
Prifti e ktheu sakaq gjuhën.
-Më falni. Ç’e mirë ju ka sjellë ketej?
-Papa, ne jemi dy veterinerë, unë, më i moçmi dhe ky djali më i riu. Interesohemi për figuren e një shkencëtari që është nga ky fshat. Unë e kam patur profesor. Ai kishte kryer studimet në Torino të Italisë. Mbaroi shkëlqyeshëm universitetin. I propozuan të qëndronte atje si asistent pedagog, por preferoi të vinte ne vendin e tij të varfër, të ushtronte profesionin e veterinerit. Kjo ka ndodhur në kohë të monarkisë, në kohën të mbretit Zog.

Prifti e ndiqte i përqëndruar duke tundur kokën herë pas here.
-Ulemi te kafeneja,-i ftoi të dy të panjohurit.-Kam dëgjuar diçka, po për kë e keni fjalën?
-Ai është profesor doktor Dhimitër Vavako, njeriu që në bankat e shkollës kishte tërhequr vëmëndjen e pedagogëve. Themeluesi i veterinarisë shqiptare dhe i laboratorit të parë diagnostik në vendin tonë Bilal Golemi, në vitin 1928, kërkoi nga mbretëria ta dërgonin menjëherë për specializim në Itali në Milano. Dhe ai e dinte mirë se Vavako ishte nga njerëzit më me prespektivë dhe me aftësi të rralla.
-Bravo, njeriu i perëndisë!- tha një grimëherë prifti që e ndiqte gjithë sy e veshë të huajin rishtar në fshat.
-Ç’u bë më tej?
-Më tej në vitin 1962, nga shteti i asaj kohe u cilësua si një ndër nëntë shkencëtarët e parë të Shqipërisë.
-Bravo, njeriu i perëndisë!
-Pamë këtu në fshatin e origjinës së tij por nuk vumë re ndonjë shenjë që të kujtohet ai njeri, ai shkencëtar i shquar i vendit me rrënjë nga këto troje.
Njeriu i perëndisë e ndiqte me vëmendje duke tundur kokën mendueshëm.
-Shkollën fillore e mbaroi në Gjirokastër.Të mesmen në Korfuz. Universitetin në Itali, në Torino.
Dy të moshuar, të vetmit në atë kafene fshati, e kishin lënë kaherë bisedën dhe mbanin vesh njerëzit që flisnin shqip në fshatin e tyre.
-T’u ftoh kafja Papa!- tha Artani.
Papai buzëqeshi po nuk e preku filxhanin.
-Ku punoi në Shqipëri?
-Pasi nuk e pranoi propozimin të punonte në Itali, Vavako, u kthye në Shqipëri, ku u emërua mjek veteriner në Kukës. Mos të harrojmë, -shtoi i ardhuri me borselinë,- se blektoria në atë kohë, megjithëse vendi ynë, me kullota të mira për zhvillimin e bagëtisë, ishte mjaft e prapambetur.
Mbas kthimit nga specializimi në fushën e bakteriologjisë, profesor Vavako u emërua menjëherë si zëvendësdrejtor i laboratori veterinar dhe me largimin e dr. Bilalit, migrim i detyruar në Turqi, profesor Vavako u emërua drejtor i këtij Laboratorit.
-Ju falënderoj, profesor. Nga unë doni kryeplakun. Ta takoni normalisht.
– Por as ai dhe pothuaj asnjë nga kryesia nuk janë këtu. Janë me familje e punë në kurbet, në Greqi.
-Po si mund të flas me atë?
-Telefonin ta jap punë po ka numër grek, kosmote. Ja, ta gjej.
Pas një grimëhere si gjeti numnrin e tij, Papai foli greqisht me të. Dhe pas frazave të para për shëndetin, familjet dhe fshatin Papai, e ngriti zërin në greqisht.
-Jiasou Dhimojeronde!Pos iste? *) Këtu kam dy njerëz që kanë ardhur të të takojnë ty dhe të flasin për një gjë të mirë që lidhet me fshatin tonë. Nuk dinë greqisht. Po urdhëro e fol vetë më mirë, o njeri i perëndisë., zoti Dhimojeronde,-dhe i zgjati telefonin bashkëbiseduesit.
-Ai di shqip?-pyeti studiuesi.
-Mos u bëj merak, di si ne të dy. Ja, foli.
Njeriu me borselinë, pasi iu prezantua se ishte nje ish student i profesorit të shquar me origjinë nga ky fshat, nisi t’i flasë shkurtazi për Vavakon, si një nga shkencëtarët e shquar të vendit që në fshatin e tij ende nuk ka një shenjë përkujtimi, por që do të ishte mirë që në nje të ardhme të bëhej diçka.
-Edhe unë si i moshuar do të kontribuoj po të jetë nevoja, për shkencëtarin e shquar dhe profesorin tim. -sqaronte ne telefon i huaji në sheshin pranë kishës së fshatit.
-Zoti kryeplak, dua t’ju them se për këtë përpjekje, kam folur edhe me kryetarin e bashkisë suaj, zotin….
***
Rrugës së kthimit në sytë e kolegut të ri profeori dukej disi më i i gjallëruar.
I përsëriti me fjali të thukëta bisedën me kryeplakun.
-Cila ishte gadishmëria e tij? Kjo ka rëndësi.- tha kolegu i ri.
-Më tha vetëm kaq. Të falënderoj për të dyja rrugët që ke bërë deri më sot. Dhe kishte parasysh jo vetë këtë rrugë sot po edhe atë kërkimore mbi Vavakon.
-Dhe fjala e fundit e tij?
-Ejani në gusht. Ju ftojmë në fshat më 15 gusht. Kjo ishte fjala dhe fjalia e fundit e tij që ma përsëriti. Ndoshta do të bisedojmë për idetë tona konkrete. Le të presim edhe pak muaj.
-Të shohim.-tha tjetri mosbesues duke i dhënë gaz makinës në monopatin gjithë lakore e pluhur.
***
Në atë ditë të mesgushti makina me dy miqtë që flisnin shqip dhe që kërkonin një shenjë të profesor Vavakos, u shfaq për herë të dytë në dyert e fshatit.
Ishte një ditë me diell të fortë. Nga qelqet e ulura të dyerve të benzit përveç tingëllimës ritmike dhe të gëzuar të kambanës nga kambanorja, vinin edhe tinguj të sazeve popullore dhe melodive të njohura epirote.fetive
Parkuan diku makinën në një rruginë me kalldrëm guri të vjetër dhe u qasën me këmbë drejt qendrës së fhatit pranë kishës. Qindra njerëz, një pjesël me kostume popullore festive., zhurmonin ose hidhnin valle.
-Profesor Gimi, ç’bëhet këtu? Mos kemi ngatërruar fshatin!
-Jo, jo. Jemi tamam. Por është festa e Shën Panajasë dhe tani e kuptoj ftesën që na bëri kryeplaku atë ditë.
Këtë të fundit e takuan pak çaste pas mbërritjes së tyre.
Ai ishte një burrë i moshës së tretë, i buzëqeshur dhe i përzemërt, nga ata që ke përshtypjen se i ke takuar diku edhe më parë.
-Profesor, mirë se erdhe në fshatin tonë! Ju lumshin këmbët!- dhe e përqafoi si të ishin miq të hershëm.
-E di që herën e kaluar ke takuar shumë pak njerëz se atëherë aq mbeten këtu. Funddimri. Por tani, shihni ç’bëhet këtu. Kanë ardhur jo vetëm nga Greqia po edhe nga Australia dhe Amerika. Nga gjithë bota. Dhe zemra na është beharuar.
-Përgëzime dhe urime!-tha i sapombërrituri kryeplakut pasi e prezantuan edhe me disa banorë dhe të ftuar.
-Zoti kryeplak, -të flasim pak edhe për temën tonë…
-Patjetër por kam për ju që, tani mbeteni miq të shpallur të fshatit tonë, një haber, apo surprizë siç thoni ju ,- dhe pasi i hodhi krahun e shoqëroi në nje ecje të shkurtër brenda brenda perimetrit të klimes festive.
Veterineri i ri, i ndiqte përbri. Kur nuk kishin bërë as pesëdhjetë hapa, ky befas thirri duke parë një bust në bronx që qëndronte mbi një pod guri të gdhendur nga daltat e ustallarëve. Ishte një fasadë prej gruri të gdhendur nga brumi i gurit të njohur dekorativ të Dropullit .Ishte një si mur kujtese.
-.Profesor Gimi, shiko, shiko atje!-Ishte zëri i Tanit.
I moshuari, i gjendur para një pandehme të beftë, u afrua dhe qëndroi para bustit ku shkruhej: Prof.dr.Dhimitër Vavako.
U afrua edhe më dhe nisi ta përkëdhelë podin horizontal. Pastaj u afrua edhe më për të prekur bustin. Ndjeu se duart i dridheshin, më tepër se nga mosha, nga emocioni i takimit me profesorin e tij të dikurshëm që e adhuronte.
Kreplakut nuk i shpëtoi të vërente as duart që iu drodhën mysafirit tek përkëdheli një çast bustin dhe as një lëngëzim prej loti në sytë e tij jeshil.
-Qoftë i përjetshëm profesori dhe shkencëtari!-iu drejtua ai minoritarit mikpritës.
-Ju falënderoj veçanërisht, profesor!-ia ktheu ky.
-Nuk ka asnjë çudi. Shoqata vëllazëria e fshatit në emigrim, është zemra e vërtetë që pulson edhe larg. Ajo, si bleta nektarin, gjeti çdo kontribut të banorëve për ta risjellë në fshat, profesor Vavakon.
Heshtoi një çast dhe u kthye nga miku i largët.
-Tani, or mik, përveç ikonave tona në kishë, kemi edhe një ikonë të re.
Nga sheshi i fshatit vinin tingujt e një kënge përmallimi kurbeti.///
—-o0o—-