Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë
Dhe viktimës i kërkon shpagim.
Ku të përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj, nga prostitutat,
Ku të marrë e t’urtë përgojohen
Dhe servilët, porsi minj nga skutat,
Dalin rrahin gjokset dhe mburren,
Se luftuan vrimash si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u turren,
Për t’u hequr me tërbim patkonjtë.
Ku gjithkush klith e shfryn paprerë,
Me një duf që, mëshirona, o Zot!
Eja këngë e dashur! Kaq poterë,
Unë e ti nuk e durojmë dot,
Se jo pakëz jeta na ka vrarë…
Ndaj, le t’ikim, ku s’na sheh njeri:
Ndoshta larg, në pyjet magjistarë,
Do të gjejmë prehje, qetësi!
Komentet