Pikërisht në Lozanë është varrosur Coco Chanel, e cila u largua nga kjo botë më 10 janar 1971.
Ajo, revolucionarja e modës, por shumë konservatore politikisht, Gabrielle Chanel jetoi për dhjetë vjet në brigjet e liqenit të Gjenevës për t’i shpëtuar pasojave të mundshme të bashkëpunimit të saj me nazistët.
“Coco Chanel pinte vetëm shampanjë”, tha për televizionin zviceran (RTS) një banakiere nga hoteli Beau-Rivage Palace, ku stilistja kishte një suitë.
Hoteli luksoz i Lozanës ishte rezidenca më e vogël për stilisten që kishte pasur sukses të jashtëzakonshëm pas Luftës së Parë Botërore. Një luks një mijë liga larg nga bujtina e Saumur ku lindi Gabrielle Chasnel (emri i saj i vërtetë) në 1883 dhe nga jetimorja ku u rrit dhe mësoi të qepte.
Falë vizionit të saj avangardë dhe feminist, punës së saj të palodhur dhe lidhjeve që krijoi në “Café Society”, jet-set-et e viteve të njëzeta të zhurmshme, sipërmarrësja e guximshme punësoi në vitin 1935 rreth 4000 vetë dhe zotëronte pesë dyqane në qendër të Parisit. Për të mos përmendur linjën e parfumeve që ajo lançoi në vitin 1921 me mitikun Chanel N° 5.
Por në fund të Luftës së Dytë Botërore, kontaktet e saj me armikun u bënë problematike. Ajo gjithashtu kishte mbyllur shtëpinë e saj të modës sapo u shpall lufta në vitin 1939 dhe kishte pushuar nga puna të gjithë 4000 punonjësit e saj që kishin marrë pjesë në grevat e vitit 1936.
Në vitin 1945, ajo mori një biletë me një drejtim për në Zvicrën frankofone si bashkëpunëtorët e tjerë francezë, në veçanti shkrimtari dhe diplomati Paul Morand, libri i fundit i të cilit – L’Allure de Chanel (1976) – ushqehet nga diskutimet e tij me stilisten e famshme.
Pasi u vendos në Lozanë, ajo frekuentonte hotelet më të mira, mes dy qëndrimeve në Clinique Valmont Montreux dhe Lausanne. Mund të kryqëzoheshit me të në dhomën e çajit Steffen mbi Montreux, një vend takimi për të më të famshmit e kohës dhe në Auberge du Chalet-des-Enfants në lartësitë e Lozanës.
Disa nga këto vende e kanë si ikonë dhe përmendin Chanel në prezantimin e faqeve të tyre të internetit. Chalet-des-Enfants tregon foto ku Coco Chanel ka “shijuar një tas me qumësht dhe një fetë flan atje” dhe Lausanne Palace madje ka një suitë me emrin Coco Chanel “të frymëzuar kryesisht ” nga stilistja.
Coco ka kaluar shumë kohë në Beau-Rivage Palace, në ballkonin e dhomës së saj me pamje nga liqeni dhe malet. Madje thuhet se një nga qentë e saj është varrosur në varrezat e kafshëve shtëpiake të rezervuara për mysafirët e hotelit.
Kur ajo ecte buzë liqenit, shoferi i saj e ndiqte me një Cadillac. Nuk ka dyshim për të mbajtur një profil të ulët.
Por nuk ishin vetëm ngjarje dhe shëtitje sociale. Chanel po përgatiste gjithashtu rikthimin e saj në botën e modës.
Në vitin 1954, në moshën 71-vjeçare, ajo u kthye në Paris, rihapi shtëpinë e saj të modës dhe lavdia nuk pushoi së qëni në vitet në vijim dhe asnjëherë.
Varrimi në Zvicër
Mbretëresha e elegancës franceze nuk i harroi hijeshitë e brigjeve të liqenit të Gjenevës.
Në vitin 1966, ajo bleu vilën Le Signal në Sauvabelin, në kodrat e pyllëzuara mbi Lozanë. Në këtë ish-konvikt të arkitekturës, ajo priti disa nga miqtë e saj, si balerinin francez Serge Lifar, për të cilin kishte dizajnuar kostume. “Gjithmonë kam pasur nevojë për siguri. Në Zvicër mund ta kesh këtë siguri”, tha ajo një herë.
Coco Chanel vdiq më 10 janar 1971 në moshën 87 vjeçare, në suitën e saj në hotelin Ritz në Place 15 Vendôme në Paris.
Sipas amaneteve të saj, ajo u varros në Lozanë në varrezat Bois-de-Vaux jo shumë larg varreve të Pierre de Coubertin, themeluesit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Paul Robert, autorit të fjalorit të famshëm homonim.
Varri që ajo projektoi vetë është i mbuluar me begonia të bardha. Kufizohet nga një si basoreliev prej mermeri të bardhë, si guri i varrit, me pesë luanë (numri i saj i fatit dhe shenja e saj astrologjike). Guri i varrit është në këmbë jo i shtrirë. “Unë nuk dua një gur mbi në kokën time – në rast se dua të kthehem ose nëse kam dëshirë të shkoj në parajsë për të veshur engjëjt”, tha ajo./Swissinfo.ch/rts.ch/ Shqipëroi Elida Buçpapaj
Funerali i Chanel në Lozanë në janar 1971. Keystone / Rr
Komentet