Më 23 gusht 2022 Qytetari i Parë Bajram Begaj, 30 ditë pasi zgjidhet President i Republikës shkarkoi nga detyra qytetarin Edvin Shvarc, pas 20 vitesh në pozitën e përkthyesit në Institucionin e Presidencës.
Le të rindërtojmë përafërsisht dhe të ndjekim ecurinë e karrierës së këtij mjeku dhe këtij përkthyesi në Shqipërinë postkomuniste për të kuptuar se pse dhe si mjeku përfundoi si President dhe pse dhe si përkthyesi përfundoi i shkarkuar.
Bajram Begaj u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1989, Mjekësi e Përgjithshme. Në këtë kohë, Edvin Shvarc ishte student i gjuhës dhe letërsisë. Në këto vite, për publikun shqiptar, i sapodiplomuari Bajram Begaj ishte i panjohur, kurse Edvin Shvarc hyri në historinë e dhjetorit 1990 si studenti që çoi në Qytetin Studenti një flamur kuq e zi, pa yll që Shvarcët e mbanin në shtëpi. Studentët e dhjetorit e njihnin dhe e shihnin me respekt dhe admirim këtë djalosh student, jo se ai ishte lider, orator që printe turmën për rrëzimin e regjimit, por sepse ishte biri i emërndriturit Robert Shvarc.
Robert Shvarc, i lindur në në Sarajevë, me baba hebre nga Austria dhe nënën nga Elbasani, u rrit dhe jetoi në Shkodër, ku në moshën gjashtë vjeçare nisi të mësonte gjuhën shqipe, dhe të bëhej përkthyesi më i mirë i shekullit 21 nga gjuha gjermane në shqip. Breza të tërë shqiptarësh kishin admiruar personazhet e Remarkut, krejt të pangjashmë me personazhet e Realizmit Socialist, vepra që i kishin dhënë oksigjen dhe aromë lirie letërsisë shqipe gati të asfiksuar nga ideologjia mbytëse ndërkohë që kishte sjellë mjeshtërisht në shqipe dhe vepra të Gëtes, Hajnes, Brehtit, Shilerit të cilat u bë në pjesë e kujtesës kolektive kulturore në Shqipëri.
Prej vitit 1989 deri në vitin 2002, mjeku Begaj ka punuar si shef shëndetësie Brigade, Divizioni 5650 Tropojë, Shef shëndetësie, Batalioni i Sigurimit, Tiranë, Mjek gastrohepatolog, Shërbimi i Gastrohepatologjisë, QSUT, Mjek gastroenterohepatolog, Spitali Ushtarak, Shef i shërbimit Ambulator, Spitali Ushtarak, Zëvendësdrejtor në Spitalin Ushtarak, Zëvendësdrejtor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Zëvendësdrejtor në Spitalin Universitar të Traumës, pedagog i jashtëm, Fakulteti i Mjekësisë, lënda Gastrohepatologji. (Burimi gazeta Bota Sot, 12 gusht 2017). Prej vitit 1989 deri në vitin 2002 Edvin Shvarc ndoqi studimet në gjuhën angleze, u diplomua, punoi dhe jetoi në New York, SHBA. Për këdo që studion gjuhën dhe letërsinë angleze, është një ëndërr të jetoj në SHBA. Edvin Shvarc u kthye në atdhe në vitin 2001, dhe në vitin 2002 nisi të punojë si përkthyes në Presidencën e ish-ushtarakut të lartë Alfred Moisiu.
I titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998, afërsisht në këtë kohë, mjeku Bajram Begaj mori gradën shkencore “Doktor” me anë të disertacionit me titull: “Roli i helikobakterit të pilorit në sëmundjet gastro-duodenale” (Tiranë 2004), disertacion prej 91 faqesh. Po në këtë kohë, Shvarc botoi përkthimin e romanit historik, “Eksodi” me autor shkrimtarin amerikan Leo Uris, të përkthyer së bashku me të atin, Robert Shvarc, një vepër voluminoze prej 772 faqesh dhe përkthimin e vëllimit “Tregime të zgjedhura”, një përmbledhje antologjike.
Ndërsa gjatë periudhës 2003-2007 Edvin Shvarc ishte përkthyes në Presidencën e Shqipërisë gjatë periudhës 2003-2007 Bajram Begaj ishte Drejtor i Spitalit Qendror Universitar. Në periudhën korrik 2007-korrik 2012 Presidencën e Shqipërisë e drejtoi Bamir Topi, dhe Edvin Shvarc vijoi të punonte si përkthyes profesionist tashmë me një përvojë 5 vjeçare. Gjatë periudhës 2007-2009 mjeku Bajram Begaj, punoi si Zëvendës/Drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe gjatë periudhës 2009-2013 si Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor.
Në periudhën korrik 2012 –korrik 2017, Presidencën e Shqipërisë e drejtoi Bujar Nishani, Edvin Shvarc vijoi të punonte në këtë institucion të lartë tashmë me një përvojë 15 vjeçare. Mjeku Bajram Begaj, ushtronte profesionin si mjek gastrohepatolog dhe drejtues i lartë i institucioneve të shëndetësisë në Forcat e Armatosura, pjese e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 2016, Doktor Bajram Begaj merr titullin “Profesor i Asociuar” në mjekësi por pa asnjë libër të botuar. Duke ecur në gjurmët e të atit, deri në vitin 2016, përkthyesi Evdin Shvarc kishte sjellë në gjuhën shqipe, romanin “I penduari” të shkrimtarit Nobelist Isaac Bashevis Singer, Tiranë 2005, dhe “Natë” (2007) dhe “Agim” (2011), të Elie Wiesel, si dhe përmbledhjen me poezi të zgjedhura “Strehë nga stuhia” Bob Dylan, Tiranë 2011, i cili do të vlerësohej me Nobel në Letërsi në 2016.
Në periudhën korrik 2017 – korrik 2022 Presidencën e Shqipërisë e drejtoi Ilir Meta; Edvin Shvarc vijoi punë e tij në Presidencë si Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median, me një përvojë tashmë 20 vjeçare në institucionin e Presidencës së Shqipërisë. Deri në këtë kohë, Bajram Begaj, kishte punuar 28 vjet si mjek ushtarak, duke arritur në pozitën e zëvendësdrejtorit të Spitalit Universitar të Traumës dhe Zëvendës/Kryetarit të një shoqate, asaj të Gastrohepalogjisë. Shkapërcimi anormal në karrierën e mjekut Begaj ndodhi në gusht të vitit 2017, kur i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”. Po në këtë vit e merr gradën “Gjeneral Brigade” edhe një ushtarak tjetër, me të cilën karriera e Begaj përplaset, Bardhyl Kollçaku. Në jetën e të dyve, si të Begajt edhe Kollçakut ka tre përkime shumë domethënëse: i pari, kanë lindur në të njëjtin vit, në vitin 1967; i dyti marrin në të njëtin vit, 2017, gradën madhore “Gjeneral Brigade”; i treti, Begaj ia ndërpret Kollçakut mandatin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm 30 ditë para kohe, para se të bënte 3 vjet në këtë detyrë dhe ai nxirret në lirim. Të mendoje në vitin 2017 që mjeku ushtarak Bajram Begaj, pas 3 vjetësh do të bëhej Shef i Shtabit të Përgjithshëm, nuk do ta besonte as edhe një nga burrat e gratë në uniformë që shërbenin në Forcat e Armatosura, ishte një çmenduri e vërtetë vetëm ta mendoje. Kjo, sepse karrierat e të dyve, mjekut ushtarak Begaj dhe ushtarakut Kollçakut, ishin të pakrahasueshme. Po të krahasojmë ARSIMIMIN, Bardhyl Kollçaku kishte nisur studimet ushtarake pasi kishte mbaruar shkollën tetëvjeçare, pra 12 vjeç, duke zgjedhur Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, (1982-1986), kishte vijuar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve (1986-1990), kishte kryer Kolegjin e Shtabit të Forcës së Bashkuar në SHBA (2000) dhe po aty edhe Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Bashkuar, (2002-2003).
Pas këtij specializimi 3 vjeçar në SHBA ai kishte përfunduar Masterin Administrim Publik, UT dhe në Universitetin e Nebraskës, SHBA. Ai kishte përfunduar doktoraturën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në vitin 2009, në Akademinë e Mbrojtjes, në Tiranë. Pasi përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë (1984-1989) dega “Mjekësi e Përgjishme, Begaj ka kryer specializim pasuniversitar për Gastrohepalogji, në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë (1991-1995), “Studime të Avancuara” në Fakultetin e Mjekësisë, (1997-1998) si dhe dy specializime pasuniversitare në Gastrohepatologji në Athinë, 1996, 1998. Gastrohepatologjia studion sëmundjet ulçeroze të stomakut, sëmundjet e mëlçisë, kancerin e pankreasit, hepatitet kronike, diaretë kronike, tumoret e mëlçisë etj, pa asnjë lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen. Kollçaku kishte kryer studimet e doktoraturës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në Akademinë e Mbrojtjes, Begaj kishte një doktoraturë mbi rolin e helikobakterit të pilorit në sëmundjet gastro-duodenale (2004) dhe titullin “Profesor i Asociuar” po në mjekësi (2016). Të krahasosh përvojën e punës, përsëri janë të pakrahasueshme: Kur Gastrohepatologu Begaj ishte titulluar oficer aktiv në vitin 1998 në specialitetin “Mjekësi”, Kollçaku kishte tashmë 16 vjet jetë ushtarake, dhe 8 vjet që ishte titulluar oficer aktiv. Kur Begaj titullohet oficer aktiv në vitin 1998, Kollçaku sapo ishte kthyer nga një mision në Gali, Abkhazia, Gjeorgji, ku kishte shërbyer për tetë muaj. Pas pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kishte qenë ndër oficerët e parë që kishte punuar si oficer shtabi në strukturat e Aleancës; kur Begaj ishte Zëvendës/Drejtor në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Kollçaku ishte Shefi i Kabinetit të Shtabit të Përgjithshëm. Kur në vitin 2017, të dy marrin gradat madhore “Gjeneral Brigade”, kolonel Begaj punonte me uniformën e bardhë të mjekut dhe jepte një intervistë për median vizive për transplantin e mëlçisë. Video mund të shikohet në adresën” https://www.youtube.com/watch?v=HPUgXIJHdeQ].
Postimi nga televizioni, gazetarja e të cilit e ka intervistuar Begajn është bërë në vitin 2020, por unë nuk e besoj dot se kjo intervistë është dhënë në vitin 2020, kohë kur Begaj ishte Komandant. Thjesht nuk ka kuptim, ashtu si shumë gjëra në karrierën e tij. E megjithatë, në Shqipërinë Surreale gjithçka kthehet kokëposhtë, piramida e hierarkisë së meritave në Forcat e Armatosura shkërmoqet, dhe në vitin 2020, Begaj, me karrierë të cungët hibride ia ndërpret dhunshëm karrierën e ushtarakut të mirëfillë Kollçaku, nuk e lë ta mbaroj mandatin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, duke ia marrë këtë detyrë, 30 ditë para kohe. Prej vitit 2017, kur mjeku Begaj, ishte zëvendës drejtor në Spitalin Ushtarak të Traumës dhe kishte gradën “Kolonel”, ai mori brenda 3 vjetëve gradën “Gjeneral Brigade” (2017), emërimin “Komandant i Doktrinës së Stërvitjes” (2018) gradën “Gjeneral major” (2020) dhe pa kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm, emërimin “Shef i Shtabit të Përgjithshëm” (2020) si në një skenar fantastiko-shkencorë, të denjë për filmat e Hollivudit, një shkapërcim jologjik që ai s’e kishte parë as në ëndrrën e vet më të çmendur.
Këto shkapërcime kishin qenë aq të shpejta sa Begaj kishte mundur të mbaronte vetëm Kursin e Lartë të Menaxhimit të Mbrojtjes, SHBA 2018 të cilin ia bashkëngjiti Kursit për Menaxhimin Spitalor 2001, Seminarit të Drejtuesve të Lartë të Sigurisë, Gjermani 2003, dhe Kursit të Lartë për Sigurinë e Mbrojtjen në vitin 2015. Me kualifikim prej 3 kursesh dhe një seminar, Begaj sërish është para një hendku të pakapërcyeshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së që ai do të zëvendësoh në ka kryer 10 kurse kualifikimi: Kursin e Forcave Speciale, Tiranë 1994, Kursi i Zbulimit Special, Ankara 1995, Kursin i Zbulimit Special Tiranë 1997, Kursi i Zbulimit Strategjik dhe Gjuhës Angleze, SHBA, (1997-1998), Kursin Themelor i Oficerit të Shtabit, Akademia “Spiro Moisiu”, (1999), Kursin Ekzekutiv për Studime Straegjike, Gjermani, (2006), Kursin e Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, SHBA, 2009, Kursi i Lartë i Sigurisë së NATO-s, Gjermani, 2011, Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, Tiranë 2015, Kursi Ekzekutiv i Menaxhimit të Mbrojtjes, SHBA 2016.
Megjithëse Kollçaku ishte kualifikuar në 11 kurse me natyrë të mirëfilltë ushtarake, madje kishte raste kur një kurs e kishte kryer dy herë, siç ndodh me Kursin e Zbulimit Special, të cilin e kishte kryer edhe në Tiranë, edhe në Ankara; dhe kishte gati 3 vjet si Shef i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Begaj i merr të gjitha, merr gradën “Gjeneral Major” me vetëm 2 vjet përvojë si drejtues i një Komande, asaj të Doktrinës dhe Stërvitjes, dhe emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku ia dorëzoi me ceremoni Flamurin, bashkëmoshatarit të tij, Bajram Begajt që ishte titulluar oficer 8 vjet pas tij, dhe 16 vjet pasi Kollçaku kishte nisur studimet ushtarake, dhe kur kishte marrë gradën “Gjeneral Brigade” kishte qenë Drejtor i një Njësie Mjekësore Ushtarake, dhe zëvendës/kryetar i një shoqate mjekësore, asaj të Gastrohepalogjisë. Më pas, Gjenerali në lirim ngriti padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Presidentit duke kërkuar shfuqizimin e dekretit që e kishte liruar nga detyra e Shefit të Shtabit, shfuqizimin e refuzimit të dhënies së Gradës Gjeneral Major, si dhe të nxjerrjes në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura. Gjyqi u fitua dhe shkarkimi i tij u cilësua nga Gjykata Administrative si i paligjshëm, por nuk kishte më kthim pas. Kur Begaj u bë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm (2020) ai ishte i pangjashëm me shefat e shtabeve të vendeve të NATOs. Admirali Robert Hranj, kishte marrë pjesë në luftën për çlirmin e Kroacisë (1990), Gjenerali Steve Thull, i Luksemburgut, kishte shërbyer në operacionin IFOR të NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në operacionin EUFOR në Çad; Gjeneral Major Karel Řehka kishte qenë Zëvendës Komandant i Kontingjentit të Forcave Speciale Çeke, gjatë Operacionit luftarak “Liria e Irakut”, Afganistan 2011; Gjenerali kanadez Wayne Eyre kishte qenë Gjeneral komandues i Misionit Trajnues të NATO-s, Afganistan; Gjenerallejtënanti estonez Martin Herem, kishte qenë në Irak si Oficer i Mbrojtjes së Forcave të Brigadës (Ushtrisë Amerikane), në Operacionin Liria e Irakut II; Admirali italian Giuseppe Cavo Dragone kishte shërbyer në operacionet në ish Jugosllavi. Liban dhe Irak; etj etj.
Të gjithë kishin marrë pjesë në operacione ndërkombëtare luftarake dhe paqeruajtëse kryesisht në Ish Jugosllavi, Irak, Afganistan, Kosovë, Chad, – Begaj, sipas curriculum vita-es së tij, nuk kishte shërbyer në asnjë mision luftarak apo misione paqeruajtës. Të gjithë ishin ushtarakë të mirëfilltë, dhe kishin mbaruar Kolegje Lufte në vendet e tyre ose në SHBA, Begaj, nuk kishte kryer as Kursin e Shtabit të Përgjithshëm, në Tiranë. Vetëm njëri prej tyre kishte karrierë akademike, – Admirali António Silva Ribeiro, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Portugeze, një akademik i specializuar në Strategji, Shkenca Politike dhe Histori. Ai jepte mësim dhe mbikëqyrte punë kërkimore në disa nga universitetet dhe qendrat kërkimore kryesore të Portugalisë; kishte botuar mbi 16 libra, tre prej tyre jashtë vendit, jepte leksione në më shumë se 130 konferenca dhe ka mbi 300 artikuj të botuar në gazeta dhe revista kombëtare dhe të huaja. Bajram Begaj, e kishte marrë titullin Pofesor i Asociuar në mjekësi, dhe në Bibliotekën Kombëtare nuk del të jetë autor i asnjë libri, por edhe as i një artikulli të vetëm.
Punimet e tij shkencore që i kanë dhënë titullin Profesor i Asociuar nuk përmenden në asnjë nga curriculum vitaet e tij zyrtare. Zero botime. Përfytyroni të ulur afër njëri-tjetrit Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Rumanisë Daniel Petrescu i cili kishte shërbyer në misione stabilizuese të NATOs në Afganistan, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Irak, dhe në vitin 1997, pas rënies së skemave piramidale dhe trazirave në të gjtithë vendin, kishte qenë në Shqipëri si pjesë e operacionit ALBA dhe Shefin e Ushtrisë Shqiptare i cili në vitin 1997 kishte qenë mjek Gastrohepatolog dhe nuk ishte titulluar ende oficer. Më pas, kur kishte bërë vetëm dy vjet si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, mjeku Begaj e lë edhe këtë detyrë në mes të mandatit, por kësaj radhe pa ia dorëzuar një pasardhësi Flamurin: ai dha dorëheqjen me një shkresë drejtuar Presidentit sepse i kishin bërë një ofertë më të mirë, postin e atij të cilit i drejtohej shkresa e dorëheqjes, atë të Kryetarit të Shtetit.
Tani për të ngutja është edhe më e ethshme; dekreti për lirimin nga ushtria në gjysmë të mandatit firmoset live në Stamboll dhe ai brenda të njëjtës ditë, më 4 qershor 2022, në mëngjes ishte ushtarak me dy grada madhore dhe Shefi i Ushtrisë, kurse në darkë ishte civil, pas asnjë gradë madhore por Komandanti i Përgjithshëm dhe President i Shqipërisë.
30 ditë më pas, më 23 gusht 2022, 30 ditë pasi zgjidhet President, ndërpirtet karriera 20 vjeçare e përkthyesit Edvin Shvarc me motivimin “për shkak të pavlefshmërisë së aktit të emërimit” para 20 vjetësh! afërsisht në kohën kur ai mbronte doktoraturën me një disertacion prej 91 faqesh. 20 vjet më parë, Edvin Shvarc mund të shkonte të jetonte në Izrael sepse ishte me origjinë hebreje, mund të rrinte të jetonte në SHBA sepse kishte dokumente amerikane, ishte diplomuar dhe punonte në Nju Jork, por zgjodhi të kthehej në Shqipëri, i ati ishte rritur në Shkodër dhe e donte shumë atë qytet, kurse ai ishte rritur në Tiranë dhe ishte bërë pjesë e historisë së këtij qyteti: të dy dashurues të flaktë të Gjuhës Shqipe, i ati tashmë me titullin “Nderi i Kombit” pas vdekjes. Pas 20 vjetësh, ish mjeku ushtarak me të gjitha vulat, u bë president, kurse intelektuali dhe përkthyesi, e gjen veten pa punë.
Kjo i komunikohet me anë të një shkrese. Në Shqipërinë Surreale, ky ishte fati i pashmangshëm i të dyve, i mjekut me tituj shkencor dhe akademike, me grada madhore ushtarake por me ASGJË tjetër, dhe i intelektualit dhe përkthyesit, pa grada shkencore dhe as ushtarake, por me VEPRA.
Një shenjë modeste nderimi për të, është kjo apologji, kurse përkujtesa për shkarkuesin e tij është kjo poezi.
SHQIPËRI SURREALE
Shqipëri o nënë, çudite planet
T’u gdhi Gjeneral, t’u ngrys President
Bënte në spital transplant të mëlçisë
I bëre transplant në krye të Ushtrisë
Uniformë të bardhë ia bëre të gjelbër
Ia dhe spaletat me një copë letër
Si nuk t’u drodh dora, e bëre kaq lehtë
Kish doktoraturën 91 fletë
Ishte me dy tuje, Gjeneral Major
Ia hoqi të dyja fermani në Stamboll
E zbritën nga kali pa shkrehur një plumb
I hoqën uniformën, i veshën me kostum
Çfarë është kjo hata, Shqipëri mos më çmend
Gastrohepatologu bëhet President
Pa sosur një muaj lojti prej fiqirit
Ta zboi Edvin Shvarcin, atë më të mirin
Kur në mes të Berlinit po e shembnin murin
Edvin Robert Shvarci shpaloste flamurin
A s’di historinë? A nuk të panë sytë?
Ish i Skënderbeut, mbi të nuk kish yll
Nuk pi ujë një letër mbushur shkarrashkrim
Është bir i Robertit, Nder i Kombit tim
Është fis i Kutelit, me dorë mos e prek
Zjarr i Gjuhës Shqipe flakëron e djeg.
Granit Zela, 4 shtator 2022
Komentet