Partia Demokratike ka nisur procesin e primareve për të vendosur në lidhje me kandidatët që do të dalin përballë socialistëve në zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm.
Procesi i nisur me parrullën ‘Vendos ti, nuk vendos kryetari’, të paktën për Tiranën nuk do të zbatohet. Belind Këlliçi shpalli kandidaturën me një fjalim që e bënte fakt të kryer se përballë Erion Veliajt do të ishte ai, duke mos pritur as formalisht procesin e votimit të primareve.
Këlliçi është emri që gëzon si mbështetjen e Sali Berishës, ashtu edhe të Ilir Metës, si i besuar i tyre. Me Berishën e tregoi besnikërinë kur iu bashkua foltores në ditët e para të saj, ndërsa me Metën kur ky i fundit i publikoi mesazhin që i kishte dërguar deputeti i PD-së më 8 janar, gjatë përleshjes për marrjen e selisë së PD-së.
Por, Berisha e Meta janë mbështetësit e tij te opozita. Këlliçi, në mos mbështetje ka disa fije që e lidhin me socialistët. Njëra prej tyre është lidhja e tërthortë që ka pasur me pushtetin, përmes ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Me ministren Balluku e ka lidhur puna si konsulent e vëllait të tij, Reshard Këlliçi te kompania AlbGaz, në pronësi 100 për qind të Ministrisë së Energjisë. Rrjedhja e pagave në prill të vitit të kaluar tregoi se vëllai i Belind Këlliçit ka pasur një bashkëpunim kundrejt një page prej 1.9 mln lekësh.
Në media u përfol se mes Belind Këlliçit dhe Belinda Ballukut pati edhe koordinim gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, ku deputeti i PD-së i la zonë të lirë ministres në Kombinat, ndërsa ministrja i la terren të lirë në Yzberish, zonën e Astirit dhe fshatrat e Kasharit.
Belinda Balluku mori 15 mijë e 361 vota nga këto zgjedhje, ndërsa Belind Këlliçi 11 mijë 601 vota dhe që të dy thyen herësin prej 10 mijë votash.
Tashmë në rolin e opozitarit dhe mandatin e deputetit në Kuvend, Belind Këlliçi ka nisur betejën politike kundër Qeverisë. Në akuzat e shqiptuara prej tij në këto muaj i ka marrë me radhë të gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë të mazhorancës socialiste, me përjashtim të emrit të Belinda Ballukut.
Megjithatë, pa mbushur dy vite nga marrja e mandatit të deputetit, Belind Këlliçi është i gatshëm që të heqë dorë dhe të kandidojë përballë Erion Veliajt, që në deklaratën e shpalljes së kandidaturës e cilësoi si modelin më të keq të rilindjes.
Sot, është një sekret i hapur tashmë që mes socialistëve që nuk kanë simpati për Erion Veliajn është edhe Belinda Balluku. Arsyet thuhet se janë ambiciet e brendshme të zv.Kryeministres, që Veliajn e sheh si pengesë për realizimin e tyre.
Kjo mund të jetë arsyeja se përse emri i Belind Këlliçit si kandidat mund të shfrytëzohet nga Balluku, në mos ta mbështesë, të paktën të sabotojë fushatën e ‘Lali Erit’.
©Copyright Vox News