E kaluara qëndron mbi kohën e tij të ndarë në dy pjesë si shpatë Demokleu, por nuk ia thërmon dot ëndrrat, të cilat nisën udhëtimin e tyre në atë kohë zezonë, siç mund të thoshte Kadareja i madh dhe erdhën deri në kohën tonë të çilruara dhe të ridimensionuara. Të kaluarën dhe të ardhmen nuk i zgjedhim dot, por të tashmen, në një farë mënyre, po, kemi mundësi që ta zgjedhim. Dhe ai ka zgjedhur të mos heshtë për atë se çfarë ka ndodhur në kohën e kalvarit, çfarë potencialesh të befta të mendjes dhe shpirtit njerëzor, çfarë talentesh suprizuese janë mbytur që në embrion nga duhma e luftës së mallkuar të klasave, viktimë e të cilave qe dhe ai vetë.
Eduard.M.Dilo nuk pati mundësi që në një kohë të pakohë të ngrihej në nivelin e artit të tij, të talentit që i kishte dhuruar natyra, të leximeve të shumta që bënte, edhe pse koha qe e vështirë dhe gati e pamundur për hapësirat e një shpirti të lirë.
Atij i thanë të heshtëtë, kur kishte shumë për të thënë, kur në shpirtin rinor gëlonte një botë plot iluzione, kur kauzat bridhnin të lira në një shpirt të tejndezur nga pasioni, që më kot çensorët dhe dogmatikët rrekeshin ta bënin që të çonte ujë në mullirin e uniformitetit dhe mediokritetit.
Eduard.M.Dilo është poet dhe publicist i njohur, por për ndonjë nga lexuesit që nuk ka njohur ende veprimtarinë e tij, po japim disa fjalë për biografinë e tij:
Eduard M. Dilo, poet dhe publicist. Edhe pse ju privua gjithçka nën diktaturën më të egër në rruzull që kaloi Atdheu ynë, Shqipëria, prapë falë talentit, ka nisur të shkruaj qysh fëmijë, e ka bërë provë për të botuar në revistat e gazetat e asaj kohe, por nuk ka mundur. Veç në një shkrim te shkruar në gazetën “Drita”-Tiranë, Prof. Vehbi Bala e rreshton ndër poetët e rinj të talentuar, që premton në të ardhmen. Eduard .M.Dilo është edhe bashkautorë i disa antologjive të ndritshme poetike.
Në vitet e tanishme ka botuar shkrime e poezi t2 ndryshme sa në gazetën “ILLYRIA” dhe “Dielli”- NY, gazeta “Rrënjët” -Itali , revista “Dituria”, Suedi aq dhe në gazeta të ndryshme në Shqiperi e Kosove. Bashkepunon me revistat elektronike: “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare” etj.
Ai ndjek gjurmët e vëllezërve Dilo, gjurmët e Lekë Tasit dhe të atyre që rrnojnë për të rrëfyer të kaluarën dhe, teksa kërkon në labirinthet e ferr-purgatorit shqiptar, ku trusnia dhe shtypja deri në mizerabilitet në Myzeqe kulmonte në nivele të epërme të delirit sindromik komunist, zbulon realitete të stiviosura dhimbjeje dhe klithme. Eduardi e vuan pamundësinë e rikthimit të kohës, pamundësinë e verifikimit të ëndrrës, e cila pasi u nis në shtegtimin e saj, i zunë pusi vrasësit e ëndrrave, ia paragjykuan, ia gjymtuan, ia maskruan, por nuk ia dolën dot t’ia shkulnin nga shpirti i bukur estetik.
Kur flasim për një poet, shkrimtar, kritik letrar, një njeri të letrave në përgjithësi, fjala kyçe ose siç quhet në literaturën kritike “çelsi” i depërtimit në lëndën e përcjellë është vetë fjala “fjalë”, si një raport i brendshëm, gjithëpërfshirës i krijuesit me lëndën e tij të parë.
Këtë përjetim të zgjon depërtimi në materien shkrimore të Eduardit, ku
struktura dhe lënda e parë jo vetëm e studimeve të tij, por edhe e trajtave poetike,
është thellësia; thellësia është caku i tij, gjuha e nëndheshme, gjuha “nën mutaf” siç thonë malësorët e Alpeve tona, gjuhë kjo e kodifikuar, alergorike, simbolike; është materia estetike, figurative, nëntekstuale, që nën mbulesën e saj fsheh thesaret e një shpirti të pasur dhe një letrari me botë të tejndezur shpirtërore.
Kur shfleton shkrimet e tij, poezitë e tij, gjëja e parë që të bije në sy ajo është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës poetike të letrave tona, me pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë shqipe. Tek Eduardi kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit e tij poetë, është përfaqësuese dhe dinjitoze, pasi me ta ndryshon për faktin se ai nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.
Eduardi duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…
Në poezitë e tij poeti tenton të bëjë një eksplorim në botën e ndjenjave “delikate” dhe emocionit “delikat”, që konturohen në një reliev të thyer rrëfimtar. Janë udhëtime mbresëlënëse në kohën e shpirtit dhe na sjellin sjell copëra kujtese, malli, idili, marrëdhëniesh njerëzore, pa filtra paragjykimi dhe pa maska, derdhur në një lirizëm të ngjeshur e mjeshtëror, ku sundon metafora, psikoanaliza e gjendjes, përmes labirintheve dhe “sekreteve” të një temporitmi të beftë. Zënë vend në këto poezi aspekte të përditshmërisë sonë, me ballafaqimin e njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që duhet thënë se e bëjnë prozën e Eduartit të lexohet me endje dhe kureshtje, duke u pasprirë ky lexim me një kohë tjetër shqyrtimi dhe reflektimi. Por shumë vend dhe me një pasion unik zë në krijimtarinë e Eduardit, veçanërisht në poezinë e tij e kaluara diktatoriale, pamundësia e individit për të shijuar frutet e punës së tij, pamundësitë për të shfaqur vetveten, dhuntitë, talentet, potencialet e mendjes dhe shpirtit njerëzor.
Eduardi është autor I librave:”Shpirti i Trazuar”, “Diloiada”- bashkeautor me shkrimtarin e mirenjohur Jorgo Telo, antologjite poetike:”Keshtjella e Endrrave”, “Vargu ne Perjetesi”, si dhe pjesmarres ne antologjite:” Zemra Prinderore”, “Shpirti i Fjalës” etj. I detyruar është larguar nga Atdheu prej shumë vitesh dhe jeton tani familjarisht në USA.
Urtësia dhe kthjelltësia mesazhuese e aktit të tij poetike është kuptimplote dhe vlen për sot dhe për nesër:
Jemi një fis e një farë
Edhe pse në tri Fe’ jemi
Kemi një gjak në damarë
Shqipëtarë – që rreh një zemër
Në librin e tij me poezi “Shpirt i trazuar”, Bukuresht, 2010, Eduard.M.Dilo, me vargje të bukura, të frymëzuara dhe interesante, me një lirikë atdhetare dhe meditative që buron nga zjarri i zemrës së një shpirti të trazuar, përcjell realitete të befta estetike. Vargjet e tij ta përkujtojnë atmosferën e zymtë që mbretëronte në Shqipërinë e ngrirë dhe të bunkerizuar, në Shqipërinë shpellare dhe të izoluar, ku siç thotë kritiku dhe letrari B. Ymeri, “në një kohë të krisur kur në vend të Zotit dhe Shën Marisë mbretëronte kulti ndaj Enverit dhe Partisë”.
Ëndrra e poetetit është Shqipëria historike, Shqipëria Natyrale, me Çamërinë në jug, me trungun e atdheut në zemër, dhe me Kosovën në veri, pasi ky shpirti i trazuar i një atdhedashurie të shenjtë, digjet për nënën dhe atdheun e tij.
Shqipëria Natyrale, me bjerrjet, humbjet dhe madhështinë njëherësh, gjeneza dhe trashëgimia e mishëruar tek malli për prindërit dhe mërgimi si kategori filozofike mungese deri në përjetësi janë tri nga motivet esenciale të botës lirike të Eduard Dilos, pas të cilit vjen dashuria me flladin pranveror dhe me lëngun e buzëve të saj: “Gjithëçka ish’ e jona/ Nuk kishim të ngopur/ Ato buzë mjalti/ Kur ne i shijuam/ U dehëm, u mpimë”, madje edhe Zotin e harruam”.
Poezitë dhe shkrimet e Eduardit burojnë nga një botë spontane dhe plot mbresa jetësore; ato lexohen me një frymë, pasi përcjellin intensitet të lartë ndjenje dhe mesazhi, kanë sharm gjuhësor dhe thjeshtësi në komunikim. Pasi ilexon një herë, seç ke një dëshirë tu rikthehesh dhe pas leximit të pare, nis rishtas një lexim tjetër, më i thellë e më reflektiv, duke zbuluar kështu pas çdo vargu e strofe, rreshti e pasazhi një botë lirike e dramatike plot emocion, që përcjell mesazhin e dashurisë, si kryemesazhi, për të cilin kishte dhe ka më shumë nevojë se kurrë bota, veçanërisht shqiptaria jonë, për dje, për sot dhe për nesër
Komentet