(Votimi që ka të bëjë me inisiativën e « zbatimit për dëbim » do të mbahet në 28 shkurt 2016. Kjo nismë propozon të përfshijë në Kushtetutën zvicerane një katalog të tërë masash konkrete legjislative në lidhje me kthimin e të huajve të cilët kanë kryer një krim.)
Radio ONE FM GE – Edlira Dedja, ju jeni në Zvicër prej më shumë se 15 vitesh, antare e Parlamentit të Neuchâtelit, presidente e Komisionit të Politikës Kulturore ashtu si dhe antare e Komisionit të Natyralizimeve dhe Agregimeve.
Edlira Dedja: Po, jam unë. Jetoj në Zvicër që prej 15 vitesh, duke u ndjerë e integruar shumë mirë në jetën e këtij vendi. Jam pianiste dhe pedagoge e pianos, anëtare e Parlamentit të qytetit të Neuchâtel-it, kryetare e Komisionit për Politikë Kulturore si dhe anëtare e Komisionit për natyralizim dhe agregim, të formuar nga parlamenti i këtij qyteti.
Radio ONE FM GE – Përse kjo nismë e pamëshirshme përbën një rrezik të madh për komunitetin tuaj?
Edlira Dedja – Unë mendoj se kjo nismë përbën një rrezik të madh jo vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjitha komunitetet e tjera të huaja në Zvicër. Zvicra bën pjesë në ato vënde të Evropës që kanë më shumë të huaj në raport me popullsinë e përgjithshme të tyre dhe prania e komuniteteve të huaja në Zvicër është një burim pasurie jo vetëm në planin ekonomik dhe kulturor; kjo prani ka krijuar më shumë transparencë me botën e sotme, njohuri më të mira si dhe një dimension tjetër pasurimi shpirtëror. Emigrantët në Zvicër kanë kontribuar dhe kontribuojnë vazhdimisht në zhvillimin e këtij vendi dhe shumica e tyre jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ndershme për dekada të tëra. Ata janë integruar më së miri dhe kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore e familiare me zviceranët.
Për këtë arsye, votimi popullor i një nisme të tillë është një provokim i rëndë i cili krijon një hendek të thellë dhe që godet thelbin e kësaj bashkëjetese, ashtu si edhe dinjitetin e mijëra njerëzve. Them “ajo prek dinjitetin e mijëra njerëzve”, pasi të huajt që nuk kanë të bëjnë aspak me krimin dhe që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri në Zvicër, mund të ndjehen nga kjo inisiativë si njerëz të një rangu më të ulët, të pabarabartë, të fyer, të përbuzur, të keqkuptuar dhe të izoluar nga shoqëri dhe jeta e këtij vendi. Iniciativa e « Zbatimit për dëbim » mohon të drejtat themelore që janë mishëruar në Kushtetutën zvicerane si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ajo kërcënon të drejtën e qëndrimit të më shumë se 2 milionë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër dhe është jashtëzakonisht e rende dhe e egër për brezin e dytë të atyre që kanë lindur dhe janë rritur në këtë vënd, por që nuk kanë ende shtetësinë zvicerane: ata mund të dëbohen automatikisht, pavarësisht nga rrethanat, qoftë edhe për një kundravajtje të vogël!
Së dyti, kjo iniciativë do të rrezikojë po ashtu edhe mardhëniet e Zvicrës me Bashkimin Europian, pasi sipas Parlamentit Federal, në rast të ripranimit të kësaj nisme, më tepër se 10 000 persona do të dëbohen automatikisht nga Zvicra – pa marrë parasysh kushtet dhe rrethanat e tyre. Me këtë akt, Zvicra do të shkelte me mijëra herë Marrëveshjen për Qarkullimin e lirë të personave
Aprovimi i saj do shtonte një artikull të ri në Kushtetutën zvicerane, i cili do të shkatërronte mardhëniet e mira me Bashkimin Europian.
6.01.2016
Komentet