Qytetarët e Kosovës, shqiptarët në tërësi, duan të shohin sot një opozitë që është e gatshme të vijë në pushtet, që është e denjë të vijë në pushtet
VOAL – Protestoni dhe festoni. Festoni dhe protestoni. Kjo do të ishte porosia që do të donim t’iu jepnim sot shqiptarëve në Kosovë. Është 17 Shkurti, tetëvjetori i zyrtarizimit të pavarësisë së Kosovës, një festë e madhe, një kremte e madhe, e cila me të drejtë barasvlerësohet me 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë sonë Kombëtare. Nga një vit në tjetrin, kremtimi i 17 Shkurtit do të ketë ngjyrimet e tij origjinale. Sivjet ai kremtohet me protestë dhe me festë. Shumë shqiptarë kanë zgjedhur që ta festojnë duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar në sheshet qendrore të kryeqyteti kundër qeverisë Mustafa, dështimeve të saj, veprimeve dhe sjelljeve të saj të papërgjegjshme në dëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Qeveritarët e Kosovës do të mbajnë sot manifestime zyrtare për 17 Shkurtin. E rëndësishme është që të festojnë të gjithë, edhe ata që janë me opozitën, edhe të tjerët. Askush të mos ia prishë festën tjetrit. Të mos përsëritet ajo që ndodhi më 28 Nëntorin e vitit të shkuar. Më e rëndësishmja është sot që qytetarët e Kosovës, shqiptarët në tërësi, të shohin një opozitë që është e gatshme të vijë në pushtet, që është e denjë të vijë në pushtet, sapo t’i jepet shansi për të shkuar në votimet e reja për parlamentin e ri dhe institucionet e reja të Kosovës.
Gjithë shqiptarët, në Shqipërinë londineze, trojet shqiptare dhe diasporën mbarë janë duke e festuar këtë Ditë të Bekuar dhe ju lënë porosi: Protestoni dhe festoni, sepse 17 shkurti 2008, ju krijoi këtë shans sot, por mos guxoni t’ja prishni festën Kosovës dhe shqiptarëve!
Komentet