Nga Bordi Editorial i ‘Financial Times’
Vetëm në ditët në vijim u zbulua horrori i vërtetë i sulmit të së shtunës së kaluar nga Hamasi ndaj Izraelit. Gra, fëmijë dhe të moshuar mes të vdekurve; 260 pjesëmarrës në një festival muzikor janë masakruar; një grua 85-vjeçare në mesin e më shumë se 100 izraelitëve u rrëmbye për të përfunduar në tunelet e Gazës. Numri i të vdekurve, prej të paktën 1200, ishte numri më i madh i hebrenjve të vrarë në një ditë të vetme që nga Holokausti. Sulmi është krahasuar, në koston e tij njerëzore dhe traumën ndaj psikikës kombëtare të Izraelit, me ‘një 9/11 dhe një Pearl Harbor të mbështjella në një’. Pasojat, pasi Izraeli u dha të premten 1.1 milionë palestinezëve 24 orë për t’u larguar nga Gaza përpëra pushtimit të rripit të sunduar nga Hamasi, kërcënojnë të jenë shkatërrimtare. Kjo po shndërrohet në një luftë, që Lindja e Mesme nuk e ka parë në dekada.
Shteti i Izraelit ka të drejtë të mbrohet nga një sulm vrastar, të lirojë pengjet e tij dhe të rivendosë besimin e popullit të tij në sigurinë e tyre. Impulsi për të shtypur Hamasin dhe për të nxjerrë një çmim për vuajtjet e izraelitëve është i fuqishëm dhe i kuptueshëm. Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili ka ushqyer një imazh si garantues i sigurisë së kombit të tij, është nën presion për t’u përgjigjur me forcën maksimale.
Megjithatë, urdhërimi i gysmës së popullatës së Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre të kujton shpërnguljet e detyruara, nga të cilat kanë vuajtur palestinezët që nga viti 1948. Një rrethim që u mohon ujin, ushqimin dhe energjinë një territori të varfër- e pasuar nga një ofensivë tokësore- duket si një ndëshkim kolektiv i civilëve, shumica e të cilëve kanë pak simpati për Hamasin dhe krimet e këtij grupi ekstremist. Të paktën 1800 palestinezë kanë vdekur tashmë nga bombardimet e Izraelit. Fakti që Hamasi shkeli rregullat e luftës me barbaritë e tij, nuk do të bënte të drejtë atë që po bën Izraeli.
Aleatët ndërkombëtarë me të drejtë kanë dënuar tërbimin e fundjavës së kaluar dhe janë zotuar të qëndrojnë në krah të shtetit hebre. SHBA dhe Britania e Madhe po dërgojnë anije në Mesdheun lindor për të ndihmuar dhe për të penguar përshkallëzimin. Megjithatë, ndër ndihmat më të mëdha që miqtë e Izraelit mund të japin, është të paralajmërojnë për rreziqet, për veten dhe për Lindjen e Mesme më gjerë, nga një përgjigje që shkakton viktima masive civile mes palestinezëve. Siç deklaroi në Tel Aviv, Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit: “Ne, demokracitë, dallojmë nga terroristët duke u përpjekur për një standard tjetër, edhe kur është e vështirë”.
Edhe pse lufton për të çrrënjosur Hamasin, Izraeli duhet të bëjë gjithçka që mundet për të ndjekur parimet e së drejtës humanitare të pas-Luftës së Dytë Botërore: të bëjë dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve, të minimizojë dëmtimin e popullatës dhe të marrë vetëm veprime të nevojshme ushtarakisht. Në Gaza, 2.3 milionë njerëz, gati gjysma e tyre fëmijë, kanë pak mjete shpëtimi, kjo do të ishte jashtëzakonisht e vështirë.
Duke vepruar ndryshe, kjo do të rrezikonte mbështetjen dhe simpatinë ndërkombëtare për Izraelin dhe mund të nxiste një konflikt rajonal katastrofik. Kjo rrezikon të shkaktojë një kryengritje në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke hapur një front të ri verior mes Hezbollahut dhe Izraelit dhe duke tërhequr shtete të tjera rajonale.
Kryeqytetet perëndimore duhet të maksimizojnë përpjekjet diplomatike, me fqinjët rajonalë, për të siguruar lirimin e pengjeve izraelite dhe për të siguruar de-përshkallëzimin. Ata gjithashtu duhet të përpiqen të krijojnë korridore humanitare jashtë Gazës.
Izraeli meriton simpatinë e botës. Kjo duhet të shërbejë gjithashtu për të kujtuar mësimet nga luftërat e shkuara me Hamasin dhe Hezbollahun- dhe nga përgjigjja e Amerikës ndaj 11 Shtatorit. Pushtimet e SHBA në Afganistan dhe Irak patën pasoja shkatërruese, duke dështuar në eliminimin e grupeve ekstremiste dhe duke lindur grupe të reja. Në një vend me dy popuj të bllokuar në konflikte të vazhdueshme, përfundimi i ciklit të dhunës kërkon gjetjen e një mënyre praktike që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krah për krah, me dinjitet. Mënyra e vetme për të siguruar që izraelitët të mos përballen kurrë me një përsëritje të mizorive të javës së kaluar është të adresohen shkaqet e konfliktit.syri.net