VOAL – Në zhvillimet e para pak ditëve pati shumë shqiptarë të vrarë dhe të arrestuar nga ana e forcave speciale të Maqedonisë. Politika jonë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e ka për detyrë që të bëjë të mundur ndriçimin e plotë të zhvillimeve të atyre ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe të dalë sa më shpejt me versionin e saj zyrtar, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura dhe të merren masat e duhura. Ne si komb e kemi për detyrë të tregojmë se jeta dhe integriteti i bijve tanë është i çmuar dhe i shenjtë. Prandaj atyre që dhanë jetën nga plumbat e Maqedonisë t’iu bëhen të gjitha nderimet dhe shërbesat e lamtumirës në vendlindjet e tyre. Për të arrestuarit të sigurojmë një proces absolutisht të drejtë, dhe transparent duke përfshirë avokatë sa më të zotë, mundësisht edhe ndërkombëtarë, dhe duke sensibilizuar të gjitha organizmat shqiptare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është koha e fundit që ne ta mbrojmë të vërtetën shqiptare të shkelur, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar nga një Maqedoni, e cila në këtë çerek shekulli është dëshmuar e pabesë dhe armiqësore ndaj qytetarëve të saj shqiptarë dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Seriozitetin tonë në këtë përkushtim kemi rastin dhe mundësinë tashmë ta shpalosim pikërisht në rastin e zhvillimeve në Lagjen e Trimave të qytetit të Kumanovës, duke i përmbushur një për një detyrimet tona ndaj bashkëkombësve tanë që e humbën jetën dhe ndaj atyre që ndodhen të arrestuar. Nëse i neglizhojmë, nëse nuk i përmbushim me dinjitet këto detyrime, ashtu si do të bënte çdo komb i vërtetë evropian, atëherë nuk kemi pse të ankohemi kurrë më për papërgjegjësitë, për vrazhdësitë dhe për barbaritë e Maqedonisë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, nuk kemi pse ta deklarojmë më kurrë shqiptarinë tonë, atdhetarinë tonë.
Komentet