Zonja Viola von Cramon ka mbajtur një qëndrim tjetër ndaj situatës në veriun e Kosovës, qëndrim i cili pasqyron drejtpërdrejt mungesën e koherencës së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Gjatë një konference për mediat në Prishtinë dje ajo ka deklaruar: “Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave.” Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian e ka harruar qëllimisht, me dashje të plotë historinë e freskët të zhvillimeve që çuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore në katër komunat në veri të Kosovës, zgjedhje të imponuara nga largimi i të gjithë zyrtarëve serbë në këto komuna me urdhër të Vuçiçit. Po me urdhër të Vuçiçit, serbët e këtyre komunave nuk votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore. Bashkësia ndërkombëtare, Perëndimi, ku përfshihet edhe Bashkimi Evropian, u pajtuan plotësisht me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, u pajtuan të gjithë se këto zgjedhje janë të ligjshme, ndër ta edhe vetë zonja von Cramon. Është një alogjizëm i pafalshëm të thuash se zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore nga dolën kryetarët e rinj dhe këshilltarët e rinj bashkiakë të katër komunave të veriut të Kosovës ishin të ligjshme, por produkti i këtyre zgjedhjeve, i cili dihej qysh më parë, të cilësohet tani i paligjshëm. Zyrtarja e Bashkimit Evropian është treguar edhe më e papërgjegjshme kur ka përgjithësuar në mënyrë haptas tendencioze qëndrimet e institucioneve të Kosovës, të cilët, sipas zonjës në fjalë, e paskan portretizuar komunitetin serb në veri të Kosovës “kriminelë” dhe “kukulla të Beogradit”, kur dihet nga të gjithë se këto cilësime janë përdorur vetëm për ata që kanë përdorur dhunë ndaj policisë së Kosovës, ndaj KFOR-it, ata që pengojnë të zgjedhurit e rinj në kryerjen e detyrës për të cilën janë zgjedhur. Si raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian është më mirë t’iu bëjë thirrje serbëve në veriun e Kosovës të distancohen nga protestat e dhunshme, të mos pajtohen me elementët në radhët e tyre që përdorin dhunë gjatë protestave. Është më mirë t’iu bëhet thirrje atyre që ta gjejnë gjuhën e përbashkët me Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj që edhe veriu i Kosovës të përfitojë nga kushtet që ka krijuar ardhja e lirisë dhe vendosja e demokracisë në Kosovë. Në konferencën e djeshme për shtyp të mbajtur në Prishtinë, zonja Cramon pati tone kërcënuese ndaj qeverisë së Kosovës, duke e quajtur përpjekjen e kësaj qeverie për funksionalizimin e pushtetit vendor në veri të vendit si manovër të rrezikshme. Qëndrime të tilla subjektive për të ngjallur simpatinë e dikujt në dëm të dikujt tjetër bien ndesh me detyrën e zonjës Cramon dhe me parimet e shpallura nga Bashkimi Evropian.