VOAL – Republika e Kosovës në Ligjin për të Huajt i ka përfshirë edhe shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit nuk e kishte bërë këtë për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë jashtë Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë mediat në Prishtinë i bëjnë jehonë ndryshimit tëpritshëm të Ligjit nr. 108/2013 për të huajt në Republikën e Shqipërisë, ku me termin “të huaj” janë emërtuar edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi apo të Luginës së Preshevës.
Mediat në Prishtinë gjithashtu veçojnë faktin se me projektligjin e ri të propozuar nga Qeveria e Shqipërisë, të huajt pa vizë apo pa leje qëndrimi do të dënohen deri në 2150 euro gjobë nëse gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë pa dokumentin e kërkuar të udhëtimit, vizën apo lejen e qëndrimit apo nuk përmbushin detyrimin për t’u regjistruar apo për të aplikuar për leje qëndrimi.
I njëjti dënim me gjobë vlen edhe për ata persona që punësohen me pagesë ose praktikon një zanat, pa të drejtë për punësim fitimprurës, apo nuk përmbush, nëse i kërkohet, detyrimin për të raportuar ose kërkesën për t’u paraqitur para autoriteteve për të dhënë informacion.
Republika e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin e saj për të Huajt, ka dëbuar shtetas të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ua ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës për periudha disamujore ose disavjeçare.
Mediat në Prishtinë ndërkohë vlerësojnë që, krahas masave shtrënguese, ndryshimi i Ligjit parashikon lehtësira për studentët nga trojet shqiptare që studiojnë në Republikën e Shqipërisë.
Komentet