Editorët e Voal.ch janë njohur me ekzistencën dhe veprimtarinë e Vatrës dhe Diellit që në bangat e shkollës, kur Shqipëria vuante nën diktaturën mizore staliniste, ndërsa SHBA anatemoheshin nga shteti totalitar si armik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Megjithë propagandën që ushqente urrejten e regjimit ndaj Amerikës, prania e Vatrës dhe Diellit kishte efekt të kundërt në psikën e shqiptarëve.
Dhe vargu i Nolit përdorej si refren “Mbaju Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!”
Në raport me hapësirat e pafundme të Amerikës, hiperbolizohej edhe Vatra, merrte përmasa gjigande, sikur të ishte Vatra e të gjithë komunitetit nëpër 51 shtetet e SHBA.
Largimi nga jeta shpejt e Faik Konicës, pastaj e Fan Nolit dhe me rradhë etërve themeltarë të Vatrës, u reflektua edhe tek Vatra.
Vatra u krijua nga koka të kombit dhe nga zemrat patriote të kombit!
Një tipar i Vatrës i trashëguar brez pas brezi, me devijime të vogla, ishte qendrimi opozitar ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.
Prandaj regjimi komunist e kishte halë në sy duke u përpjekur që ta zhdukë nga faqja e dheut, siç pushkatoi plot e plot Vatranë që lanë Amerikën dhe u kthyen në Shqipëri
Por megjithatë Vatra mbijetoi dhe sot e kësaj dite vijon aktivitetin e saj.
Në thelb Vatra është një monument me sytë nga Perëndimi i trashëgimisë kulturore-politike.
Pra kur Shqipëria komuniste kishte si model stalinizmin, Shqipëria e Vatrës ishte me SHBA dhe Perëndimin.
Me hapjen e Shqipërisë, Vatra nuk ishte më një vizion abstrakt, por menjëherë i doli në krah SHBA në mbështetjen për të përmbysur regjimin diktatorial.
Bashkë me Amerikën në Tiranë dhe Shqipëri erdhën edhe Vatranë të shquar, si Agim Karagjozi, Anthony Athanas, At Arthur Liolin e plot e plot, ndërkohë Vatra u bë qendra për të pritur liderët që prisnin të sillnin lirinë, demokracinë, e çlirimin e të drejtat njerëzore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj.
Vatra ka patur zigzage, por ka patur edhe plot suksese dhe jeta e saj është varur nga atdhedashuria për ta parë Shqipërinë dhe trojet shqiptare të integruara në Perëndim.
Njohja jonë konkrete me Vatrën filloi pikërisht në prag të rrëzimit të diktaturës, në fillim në Shqipëri e pastaj në SHBA dhe nuk është ndalur kurrë.
Lidhja jonë me Vatrën është shpirtërore, institucionale, bashkëpunuese dhe luajale, që në themel ka idealet e përbashkëta për një Shqipëri demokratike dhe të integruar në Perëndim
Kemi mbështetur gjithmonë Vatrën pa ndërhyrë kurrë në politikat e saj, sepse aty gjallon një komunitet i madh me burime të pashterëshme njerëzore dhe intelektuale.
Por gjithmonë jemi të mendimit se pavarësia e diasporës nga politika në shtetin amë apo Kosovë është domosdoshmëri.
Kopracia e biznesit me prejardhje shqiptare në SHBA dhe jo vetëm për gjallërimin e Komunitetit dhe diasporës në përgjithësi është thikë pas shpine!
E njëjta gjë, kur biznesi në diasporë, SHBA, Europë etj përdor paranë për të përfituar nga politika!
Profiterët e të gjitha ngjyrave brënda diasporës janë faqja e shëmtuar e saj.
Patriotët japin pa marrë! Patriotët nuk janë personazhe Galash!
Me kryetarët e Vatrës, z.Karagjozi, Dr.Gjon Buçaj kemi patur një komunikim të respektit të ndërsjelltë që është forcuar me kohë.
Të njëjtin respekt kemi treguar edhe ndaj kryetarit të ri të Vatrës Dritan Mishtos, megjithëse nuk jemi njohur më parë.
Po ashtu kemi një komunikim shumë miqësor me plot e plot Vatranë të tjerë të cilët i vlerësojmë dhe çmojmë.
Nuk jemi marrë kurrë me thashetheme dhe nuk u kemi bërë jehonë fjalëve të kuluareve, megjithëse edhe në SHBA midis komunitetit shqiptar lulëzon me bollëk edhe kjo kategori fjalënajash.
Nuk jemi gjthashtu as njerëz me dy fytyra, apo të passhpinës, që në sy të themi mik dhe të shajmë pas shpine.
Në integritetin tonë njëfytyrësia dallon. Ne mbajmë qendrimet tona, të cilat i shprehim qartë, pa ekuivoke dhe shqip.
Nuk kemi interesa personale, nuk kemi interes pasurinë, interesi ynë është që shqiptarët të bëhen!
Sa për Vatrën dhe Vatranët urojmë që ata të jetojnë në shekuj.
Ndërkohë si editorë të një medium të mendimit të lirë, voal.ch e respekton pluralizmin e mendimit dhe ndërkohë vlerëson personin që e shpreh mendimin e tij.
Le të kujtojmë “ndeshjet” dhe paqtimin e Luanëve të Vatrës!
Ne si editorë të Voice of Albanans – voal.ch – do t’i mbetemi besnikë Vatrës dhe vatranëve duke uruar dhe shpresuar që të fuqizohet dhe të faktorizohet në të mirë edhe të komunitetit Shqiptaro-Amerikan por edhe për të rritur ndikimin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj
Komentet