U zhgënjeva nga harrikani në filxhanin e kafesë i Edison Ypit titulluar “Ornela Vorpsi”.
Ypi që është dalluar për dalldinë e tij berishiane, kishte ndryshuar 180 gradë qendrim. Ypi aktual, Ypi update në antitezë dhe opozitë me Ypin dje, Ypin e djeshëm. Ypi update i ngre piedestal babait skulptor nga nomenklatura komuniste dhe të birit, piktor e pedagog që 30 vjet më pas u bë kryeministër që, ndërsa pi çaj dhe ha hasude me Erdoganin, e udhëheq Shqipërinë drejt Europës. Lum si ne për liderin tonë, ndihet ovacioni implicit i Edison Ypit. Rroftë sa malet udhëheqësi ynë i dashur, ish shenjestra e dashurive platonike të kohës së kolerës.
Troç, shkrimi i Ypit nuk ishte në mbrojtje të Ornela Vorpsit, por një panagjirik Edi Ramës. Nga berishist i betuar me shata e lopata në edramist të tërbuar me kosa e drapërinj kundër portaleve, rrjeteve sociale ecetera ecetera.
Opinioni shqiptar do të rrinte i shtangur prej Ornela Vorpsit, një personazh i njohur në Europë dhe i panjohur në Shqipëri, sikur ajo të mos linte gjë pa thënë, por veç të frenohej për atë që kishte vendosur ta thosh patjetër, edhe sikur të heshtëte përballë auditoriumit shqiptar si ka heshtur prej kur është larguar.
Edison Ypi të paktën të mos bënte mishmash magjepsjet reale, Ornelën, Parisin me magjepsjen fake Edi Rama, që prej 5 vitesh e drejton vendin si kryeministër ndërsa largimi i shqiptarëve është rritur po aq ethshëm dhe etshëm si në kohën kur iku Ornela.
Këtu konsistonte thelbi i revoltës i opinionit. Jo me Ornela Vorpsin, por me Edi Ramën. Tani mileti është revoltuar me Edison Ypin që i bën furça Edi Ramës. Ypi i kthyer në gramafon i prishur e ka kthyer totalisht pllakën e gramafonit. Si është e mundur?
Edi Rama pedagog në Akademinë e Arteve, ku i jati përveçse deputet dhe anetar i presidiumit të Kuvendit Popullor, ishte edhe dekan i Arteve Figurative, dmth ishte edhe prindi edhe shefi i Edi Ramës, një shfaqje tipike tribale e nepotizmit në një habitat mizor dhe persekutues si diktatura.
Nuk kam lexuar sulme kunder Ornela Vorpsit përveç kam hasur një përsiatje pakënaqësie ndaj një vajze të persekutuar që bie ne dashuri me të bijtë ose trashëgimtarët e persekutorëve. Sindromi i Stokholmit e përcaktonte Ilir Demaliaj në një intervistë që ishte shumë korrekte dhe vinte pika mbi “i”.
Me Ornelën, Iliri dhe unë ndajmë një klishe të përbashkët. Si puna jonë janë dhjetra mijë. Jemi bij etërish të dënuar si armiq nga partia e punës. Tim atë nuk e burgosën, por nuk i lanë torturë pa ia provuar. Të njëjtat tortura i vuanin edhe familjarët, gratë dhe fëmijët. Unë isha vajzë e vetme dhe kam përjetuar tmerrin e regjimit. Edhe nënës sime të ndjerë i thanë, sikur nënës të Ilirit dhe Ornelës që ta ndante tim atë, por ajo nuk pranoi, përkundrazi u lidhën edhe më fort. Im atë gjesh u çmend, tentoi të bënte vetvrasje, sepse tmerrohej për fatin që më priste mua fëmijën. Shumë familje të tjera u shkatërruan, të tjera u ndanë me qëllim që të shpëtonin të ardhmen e fëmijëve, por prapë se prapë bijtë e armiqve mbeteshin të tillë dhe e ardhmja e tyre ishte vetëm tokë e djegur. Edhe Edison Ypi e ka provuar grushtin e hekurt të diktaturës. Vëllain e tij e kanë burgosur kur ishte djalë i ri, prandaj njerëzit pyesin edhe ky me sindromë Stokholmi?!
Unë sapo mbarova gjimnazin, jo vetëm që më mohuan të drejtën e studimeve, por më çuan të punoj në Kombinatin Josif Pashko, në fabrikën e pllakave, ku punësonin të deklasuar, njerëz të dalë nga burgjet ose familjarë të burgosurish e të internuarish politik. Ishte ferri vetë. Prej fabrikës së pllakave, vajzë 20 vjeçare, kalova si punëtore mirëmbajtje në varrezat e Sharrës.
Me vdekjen e diktatorit, më jepet e drejta e studimit vetëm me korrespondence, megjithëse kisha çuar liber me poezi në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri që, natyrisht, nuk u botua kurrë dhe, po ashtu, Dritero Agolli kishte lëshuar një vërtetim për mua si e re e talentuar. Pasi mbarova per 2 vjet e gjysëm fakultetin, dhashë gjuhën angleze dhe tema ime e diplomës për figuracionin në Ciklin e Kreshnikëve u botua në dy numra në Revisten e Akademise te Shkencave Kultura Popullore, por regjimi nuk më pranoi kurrë të më punësonte në ndonjë një institucion të superstrukturës. Megjithëse këto kanë ndodhur shekullin dhe milenarin e shkuar, jetojnë plot dëshmitarë që i vërtetojnë këto që them unë.
Nëna e Ornelës u nda nga i jati dhe kjo i krijoi shans vajzës të ndiqte rrugën e artit në Institutin e Lartë të Arteve, ku të drejtat e studimit në fakt ishin shumë të pakta dhe ishte gati mision i pamundur të studioje aty. Por megjithatë asaj nuk iu nda vula si e bija e të burgosurit politik. Po ashtu edhe përjetimi i moshës 7 vjeçare që nuk i shqitet, kur ajo bashkë me të jëmën e vizituan të jatin në burg dhe ajo me sytë dhe zemrën e zogut prej fëmije u tremb prej një burri që nuk e njohu, aq i shpërfytyruar nga torturat ish i jati. Dhe ky imazh nuk i ndahet. Prandaj ndofta ka qëndruar larg dhe ka shkruar në gjuhë tjetër si e huaj për vendin ku lindi por që i shkaktoi kaq vuajtje.
Merret me mend frika e një gruaje të re, e vetme me një fëmijë, kur regjimi i burgos bashkëshortin dhe shoqëria është e gatëshme ta izolojë e ta gjuajë me gurë.
E kam provuar atë lloj frike. Edhe familja ime e ka provuar thellë. E kam parë tim atë se si u plak brenda disa ditësh, e kujtoj kur dilnim të dy në rrugët e Tiranës dhe ata që e njihnin refuzonin që t’i jepnin të njohur dhe i qëndronin larg sikur të ishim të dy, ai im atë dhe unë fëmija e tij, me leprozë. E kam provuar izolimin edhe gurët që hidhte barbarisht shoqëria shqiptare për të dënuar edhe fëmijët e armiqve të partisë. I ka provuar edhe Edison Ypi. Edi Rama jo. Edi Rama, një dandy i qylit prej partisë së diktaturës të proletariatit që i dha privilegje të jatit dhe atij.
Tmerrin e regjimit diktatorial, siç e përmenda më sipër, e ka provuar në lëkurën e vet Edison Ypi, që bëri gjithë botën hara kiri gjoja për Ornela Vorpsin, por në fakt u bë lëpirësi i Edi Ramës, ish pedagogut piktor, të birit te dekanit të arteve dhe anetarit të presidiumit te Kuvendit Popullor të regjimit totalitar dhe sidomos kryeministrit aktual që pi çaj e ha dyrym e qebap me Erdoganin, duke e udhëhequr vendin e shqiponjave drejt Europes.
Është ëndërr a zhgjëndërr kjo. Faik Konica hyri në shërbim të Zogut, ndërsa Edison Ypi u ngrys me Sali Berishën dhe u gdhi me Edi Ramën, duke ndryshuar veç shtratin, ndryshe krejt nga Ornela Vorpsi që ka shumë të drejtë kur thotë se s’ka asnjë lloj atraksioni për politikën dhe ka interes veç për kulturën dhe edukimin.
Prandaj them se ky Edison Ypi një plesht na e shtypi.
Komentet