Xhepat plot gura të politikës
Ngritja e kampit të refugjatëve është “guri” i rradhës që politika po hedh në lumë. Përditë nga një hyner, së fundi “spidermani” mureve të Kuvëndit, hapa-dollapat me drejtësinë, “borxhi” që po i kthejmë Italisë etj!
Qëndrat e azilit kanë humanizmin brënda dhe historia e jonë e largët dhe e freskët, na mundëson t’a mirëkuptojmë hallin e atyre në nevojë dhe vëndeve ku përfundojnë ata. Italia mike sot po asfiksohet sepse vetë solidariteti brënda BE është në krizë ndaj nëse ndodh (mund të sfidohet në gjykatë), ashtu qoftë, Shqipëria ndaj Italisë nuk bën dot sehir duke dëshmuar sërisht se virtyti dhe vlerat tona humane tejkalojnë edhe ca në BE.
Në këtë kontekst, Rama bëri atë që do të bënte çdo kryeministër shqiptar. Solidarizimi me kauzat humane dhe Italinë mike është gjest mes miqsh, njëlloj si ndihmesa modeste gjatë krizës së koronavirusit atje.
Punët e mira ditën për diell
Ajo që stonon është mënyra si u veprua deri tani. Fshehtësia mbjell dyshim, qoftë edhe marrëveshje humane, sepse e mira bëhet ditën për diell, ai diell i plazheve të jugut që vërtet pandehëm se Meloni e kishte debolesë dhe buja mediatike pas. Marrja e stafetës nga Kuvëndi është rrjedha normale e gjërave por ideja, sidomos pas qëndrimeve të prera dikur rreth kësaj teme, nuk duhej mbajtur kaq gjatë nën rrogoz.
Ajo që stonon janë dhe broçkullat e borxhit e pozat e kavalierit ndaj Italisë mike. Jo se pritet kompensim por sepse Rama e të tjerët para tij, vendosin sikur t’a kenë me tapi këtë vënd. Rama u zgjodh mbi një program e nëse dalin të reja rrugës, modestia e mirëkuptimi me publikun është virtyt e kusht për të bërë më tej.
Miqësia me Italinë është e vyer por mes miqsh nderet nuk mbajnë rradhë për të shlyer borxhe. Ofrohen sa herë lind nevoja e ka mundësi, pa mëdyshje dhe me zëmër, sikurse Rama bëri por jo për t’u llogaritur si borxh apo shlyerje borxhi më pas.
Nuk jemi komb borxhli ndaj askujt. Historia ishte njerkë për ne dhe Europa ka kusuret e saj. Shumë atje nuk na janë gjëndur sa e si duhet kur kishim nevojë dhe të tjerë e panë si plaçkë lufte këtë vënd. Na izoluan 50 vjet në emër të luftës së ftohtë e na mbajnë prej 30 vjetësh larg në emër të demokracisë! Një sagë e drithëruese por që lartëson virtytet tona që ndonse nuk harrojmë padrejtësinë historike besojmë tek ardhmja duke shtrirë dorën e paqes e miqësisë.
Italia nuk ka ardhur gjithmonë me ushtri për të shpërndarë ndihma këtej. Pushtimi solli kosto të madhe njerëzore, ekonomike e gjeopolitike por ai nuk zhbëri zëmërgjërësinë historike ndaj fatit të mijra ushtarëve kur Italia kapitulloi. Ishte ajo, që kur sulmoi Greqinë, futi sherrin historik mes nesh me ligjin e luftës, ende alibi, për të marrë peng çështjen çame.
Ferri “demokratik” që shtyn shqiptarët jashtë
Ajo që step e revolton nuk është kërkesa e mikut në nevojë dhe as gadishmëria e dëshira si me “sustë” për të ndihmuar me një “patate” të nxehtë për vetë BE por mënyra se si trumbetohet dhe shitet si punë e mbaruar në publik.
Të paprekshmit e tranzicionit dolën edhe të “pagabueshëm” në gjithshka që thonë e bëjnë nga Konferenca Islamike, armët kimike, afganët, azilantët afrikanë sot etj. Pompozitet premtimesh e dakortësish pa pyetur “hanxhinë”, madje as pa atë marifetin e “Këshillimit Kombëtar” se për referendum apo votëbesim zgjedhor, as që bëhet fjalë!
U duket vetja “masonikë” që dinë e vulosin për gjithshka me turmat “amin” poshtë! Krekosen e bëjnë snobin, hokatarin e servilin me botën, këpusin mufka e përgojojnë në gjuhë të huaj të shkuarën tonë, ndërkohë që me popullin bëjnë “again” e sevap sipas humorit.
Askush, Rama i pari, nuk ka të drejtë të etiketojë, veçanërisht në gjuhë të huaj, 50 vjet të kombit si “ferr”. Është vëndi që i bëri këta që janë dhe përfolja e kontributit të prindërve, mijra komunistëve të ndershëm që vetëm dhanë, nuk lë mbresa të mira, as tek të huajt që ata duan t’i çudisin, sepse vetë të huajt nuk e përflasin vëndin nga vijnë.
Paradat e muzeve ku ironizohet dhe anatemohet puna e vetmohimi patriotik i asaj kohe, klisheja “Korea e Veriut”, gjepurat bardhë e zi etj llogje bombastike që zënë vënd mediave botërore, shprehin një çoroditje psikologjike në raport me të shkuarën që as Frojdi mbase nuk do e rrokte dot sepse vetëm autokrati, mitomani apo ai që ka mizën nën kësulë zeron me mllef të mëparshmen për të rënë në sy.
Nëse në 90 shqiptarët u larguan nga “ferri” socialist, atëhere Rama i pari e parardhësit e tij, duhet të bëjnë “mea culpa” për “ferrin” e tyre “demokratik” se shqiptarët po largohen edhe sot po njëlloj!
Ka borxhe e borxhe!
Pas viteve 90 jo vetëm Italia por edhe Gjermania, Greqia, Turqia etj na janë gjëndur pranë. E mbi të gjitha SHBA, që së bashku me Britaninë e Madhe, boll çlirimi i Kosovës, për të na bërë borxhli për jetë (ndërkohë SHBA ndihmon përditë për demokracinë e shtetin ligjor). Për të mos shkuar deri tek BS e Kinë dikur dhe të vërtetën që mirënjohja meriton!
Por kur vjen puna tek “nderet”, qëndrimi personal nuk ka punë me atë institucional. Qëndra azilantësh kërkoi edhe Britania e Madhe por u shpërfill me bujë, me SHBA bëmë “demokratin” e servirëm alibinë e shesheve për të refuzuar armët kimike etj, ndaj ka borxhe e borxhe dhe mirënjohja ka rradhën e saj.
Problem nuk është një qëndër refugjatësh por preçedenti kur dihet se emigracioni është problem në BE. Nuk ka të bëjë me racizmin sepse emigracioni është vetë historia e njerëzimit por me anarkinë që mund të pllakosë e nuk ndihmon kërkënd.
Të merremi me gurin apo dorën që e hedh!
Kjo inisiativë nuk është as e para, as e fundit nga politika që ka marrë kot duke futur vëndin në “xhep” e futur e lëshuar dorën më pas. Kjo politikë që i merr për dudum qytetarët e trajton pasurinë e tyre si mall belik, që llap për borxhe ndaj të huajit kur është e zhytur në borxhe tek qytetari i saj etj, njëlloj si bari i “keq”, nuk ikën kollaj. SPAK është fillimi i mbarë por i vetëm nuk e bitis dot.
Por përtej SPAK e qytetarit që nuk i shkon më si dele pas “baballarëve” të kombit, të paprekshmit sot po katandisen si “qëntë në kasaphanë” duke i nxjerrë përditë të palara njëri-tjetrit në panikun para drejtësisë. Deliri i paprekshmërisë i bën të “pagabueshëm” dhe aspak tolerant edhe ndaj njëri-tjetrit kur vjen puna tek fati personal dhe sot po kacafyten (pa “bileta” e tifozë si dikur) për kusure që i shpunë bashkë në “varkën” e abuzimit që sot fut ujë.
Politika e ditës është e tejpërfolur për të pretenduar të kundërtën, shitur moral e marrë pishtarin e së nesërmes. Ende abuzojnë pa teklif me lirinë që u ka falur qytetari si kur bllokojnë komisionet kuvëndore, bëjnë “gavroshin” dritareve të tij, përbetohen se refuzojnë non-gratat por ulen bashkë për rezoluta etj paudhësi që serviren si parime e vyrtyt në publik.
Politika është autore e tranzicionit e nuk e mohon dot krijesën e saj. Përfaqëson të shkuarën e është e “infektuar” me virusin e tranzicionit ndaj çdo meritë në daljen nga tuneli i tij, nuk mund të jetë apriori meritë për të drejtuar më tej.
Sa merremi me “gurët” e politikës, bëjmë mirë të merremi me atë vetë dhe rrethanat që na e mbinë në derë. “Brirët e demit” janë sot drejtësia e vota e lirë përmes sistemit mazhoritar që i jep hakun kujtdo. Ndryshe, lumë është, nuk i dihet dhe bashkë me gurët mund të zhytet e mbetet atje gjatë edhe shpresa për më mirë në këtë vënd.
09.11.2023