Në prag të Samitit të tretë të Diasporës, që është ide direkte e kryeministrit të Shqipërisë për ta transformuar edhe diasporën një copy paste nën thundrën e qeverisjes së tij, pikërisht më 21 Nëntor në një konferencë për shtyp, imzot Angelo Massafra, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, paraqiti një kërkesë në emrin e Kishës Katolike Shqiptare drejtuar tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit përkatësisht kryeministrit, presidentit dhe kryetares së parlamentit të Shqipërisë për të dënuar ligjërisht si një krim apologjinë e komunizmit.
Megjithëse Shqipëria ka përjetuar një nga diktaturat më të egra staliniste, deri sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor që të dënojë krimet e diktaturës komuniste dhe përgjegjësit e tyre. Trashëgimtarët biologjikë dhe politikë të sistemit komunist vijojnë rrugën e etërve, ata kanë uzurpuar pushtetin politik, ekonomik dhe të gjitha frenat e shtetit, ndërsa viktimat mbetën pa drejtësi, një pjesë e madhe e tyre pa varre. Kurse populli shqiptar ka marrë ikën.
Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, udhëhiqet prej një autokrati lunatik, që ka krijuar një Shqipëri vetëm për superstrukturën me rrënjë nga diktatura, për rrjetin klientelist e nepotik të paguar shumë mirë, për militantët dhe administratën. Shteti i tij i ngjan një Famiglia allargata kur bëhet bilanci i pjesës më të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, të dënuar apo në kërkim për korrupsion apo lidhje me malavitën.
Përse ka ndodhur ky degradim? Përse Shqipëria po shkon drejt një sistemi mafioz?
Edi Rama tashmë ka shumë miq në Perëndim që i favorizon, ndërsa fondet, projektet dhe miliona Eurot se si shpërndahen në Shqipëri e jashtë saj nuk guxon asnjë gazetar t’i hulumtojë apo investigojë, me të cilat Edi Rama paguan me kusht klientët dhe tentakulat. Për gazetarët që tentojnë të hulumtojnë ngrihen padi për shpifje.
Sot kur problemi i refugjatëve është kthyer një mollë sherri për shtetet kryesore me të cilat identifikohet Perëndimi, Edi Rama është gati ta kthejë Shqipërinë një kamp refugjatësh të rrethuar me tela me gjemba, mjafton që Perëndimi të mbylli sytë e veshët përpara shkeljeve dhe abuzimeve që autokrati përdor për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, sikur në diktaturë, kur Perëndimi e kishte hequr nga harta dhe kishte harruar fare ekzistencën e Shqipërisë. Nga njëra anë Edi Rama do ta bëjë Shqipërinë kamp refugjatësh të rrethuar me tela me gjemba, ndërsa nga ana tjetër po e shpopullon drastikisht duke e bërë vendin të pabanueshme për shqiptarët që nuk mendojnë si ai dhe që nuk pranojnë t’i nënshtrohen rregullave të kastës.
Por një nga shkaqet kryesore përse Shqipëria po shkon veç tatëpjetë është se klasa politike nuk e kreu dekomunistizimin, sikur në Gjermani ndodhi denazifikimi. Nuk u hapën dosjet, sikur u hapën dosjet e Stasi-it, nuk u rehabilituan viktimat, nuk u denoncuan moralisht eksponentët që i shërbyen regjimit kriminal, jo vetëm kaq por postdiktatora i ka bërë apologji komunizmit.
Prandaj ka reaguar edhe Kisha Katolike Shqiptare përmes Imzot Massafrës, me prejardhje arbëreshe. Kulmi i hipokrizisë së Edi Ramës është se i dedikon një ditë të tërë Samitit të tretë Arbëreshëve dhe nuk e merr aspak në konsideratë letrën e një arbëreshi. Sepse pikërisht më 22 Nëntor, një ditë pas letrës së Imzot Massafrës, ne pamë të gjithë se si Edi Rama kishte zgjedhur Diana Çulin, si përfaqësuese të elitës së tij për t’i dorëzuar Shqiponjën e Artë Dritan Abazoviçit. Diana Çuli dihet se gjatë diktaturës në rolin e ekspertes me akt-ekspertizen e saj çoi përpara skuadrës së pushkatimit poetin Genc Leka.
Ta kthesh Diana Çulin një ikonë të TV, të komisioneve të çmimeve elitare të kulturës a nuk është shprehje e hapur e apologjisë së komunizmit?!
Duke e mbajtur Diana Çulin në epiqendër, si një personalitet të nderuar të shtetit shqiptar dhe duke e ngjitur dje në skenën e Samitit të tretë të Diasporës, kur publikisht dihet se firma e saj ka bërë që të vritet një njeri i pafajshëm , Edi Rama e sfidon jo vetëm diasporën e vërtetë, por e sfidon edhe Klerin Katolik Shqiptar kundër të cilit diktatura ka kryer krime monstruoze.
Edi Rama, pasi mori më 21 Nëntor letrën e firmosur nga imzot Angelo Massafra si kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, letër e cila u botua edhe në gjithë shtypin shqiptar, ku kërkohej nga Ipeshkvijtë e Shqipërisë një ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit, kishte kohë të mjaftueshme që të bënte një korigjim në skenarin e programit të datës 22 Nëntor të Samitit të Diasporës dhe Shqiponjën e Artë Dritan Abazoviçit t’ia dorëzonte dikush tjetër në vendin e Diana Çulit. Por Edi Rama nuk pyeti fare për kërkesën në fjalë dhe vijoi me stilin e njohur, ku arroganca, cinizmi, sadizmi i shoqëruar me egërsi të fytyrës dhe të xhesteve i dominon arsyen.
Edi Rama nuk njeh arsyen, Edi Rama njeh veç pushtetin e tij. Për pushtet ai është i gatshëm t’i bëjë të nëntëdhjetë e nëntat popullit të tij dhe kundërshtarëve që i sheh si pengesë në rrugë. Nuk njeh Zot Edi Rama, zot ai e konsideron veten, prandaj e hypi Diana Çulin në podium për të na sfiduar të gjithëve, diasporën e vërtetë dhe Ipeshkvijtë e Shqipërisë që kërkojnë ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit.
“”Mos harroni”, kujtoi Radio Vatikani, duke komentuar letrën e nëshkruar nga imzot Angelo Massafra, apelin e vitit 1993 të Papa Vojtilës gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, kur ne si popull sapo kishim dalë nga tmerret e komunizmit dhe kujtesa ishte ende e gjallë dhe e fuqishme, ndërsa tani vazhdon më tutje Radio Vatikani, pas 30 vitesh, dëshmitarët e asaj periudhe shuhen ngadalë, ndërsa brezi i ri, përveç dëshmisë së prindërve, ka pak mjete në dispozicion për të “mos harruar”. Nga kjo premisë niset edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë që e ndien për detyrë t’u drejtohet institucioneve të Shqipërisë me kërkesën e qartë për të ndaluar apologjinë e komunizmit.”
Në fakt, kërkesa e Papa Vojtilës “Mos harroni, që të mos përsëritet më” është zëvendësuar me zhdukjen e kujtesës, në shërbim të rehabilitimit të persekutorëve si dhe duke hapur rrugën e karierës në nivelet më të larta të shtetit trashëgimtarëve gjenetikë dhe politikë të nomenklaturës komuniste.
Janë ndërmarrë inisiativa nga Vaclav Havel dhe ish Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck, janë nëshkruar deklarata e dokumenta ku krimet e komunizmit dënohen si krime kundër njerëzimit njëjtas me krimet e naziste, por Shqipëria ka mbetur jashtë. Shqipëria nuk ka Shoah-un e saj, nuk ka kujtesë, përkundrazi ka amnezi kolektive ndaj krimeve të komunizmit dhe apologji ndaj komunizmit.
Me stilin e tij arrogant i përgjigjet Edi Rama edhe kërkesës së Kishës Katolike Shqiptare, duke e sfiduar, si një shpërdorues i pushtetit e duke ngjitur në skenën e Samitit të tretë të Diasporës Diana Çulin, me firmën e së cilës diktatura vrau një poet. Të çosh në tribunën e Samitit të tretë të Diasporës Diana, Çulin Edi Rama në mënyrë të hapur, të pakamufluar i bën apologji sistemit diktatorial.
Si gazetare kam patur rastin dhe nderin të takohem me Papa Vojtilën, një nga figurat më të shquara që dha kontribut të jashtëzakonshëm për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe me këtë rast i lutem Kishës Katolike Shqiptare t’i bëjë apel popullit shqiptar, që të mos e lëshojë më Atdheun, as të mos e lejojë që të kthehet një kamp refugjatësh me tela me gjëmba por me mjete demokratike ta kthejë Shqipërinë një vend me sistem demokratik.
———————
RV: Ipeshkvijtë e Shqipërisë kërkojnë ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit