TIRANE – Kryeministri Edi Rama ftoi sot të gjithë qytetarët, mbështetës të kombëtares shqiptare, që ta ndjekin ndeshjen Shqipëri-Danimarkë, nga fusha e blertë e parkut të Kryeministrisë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kryeministri e cilësoi ndeshjen Shqipëri-Danimarkë, e cila do të luhet në Kopenhagen në 4 shtator, “një moment historik për Kombëtaren që është me afër se kurrë në realizimin e një misioni gjithnjë të pamundur deri më sot”.
“Kuqezinjtë në fushën e Parkut të Kryeministrisë mbrëmjen e 4 shtatorit me synimin për të hedhur një hap vendimtar drejt Francës 2016; një moment historik për Kombëtaren që është me afër se kurrë në realizimin e një misioni gjithnjë të pamundur deri më sot. Dhe kjo me Danimarkën është sprova e parë e katër ndeshjeve vendimtare për ta kurorëzuar me sukses këtë moment të jashtëzakonshëm. Prandaj kush dëshiron t’ia japë mbështetjen e vet Kuqezinjve nga fusha e blertë e Parkut të Kryeministrisë është i mirëseardhur #ForcaShqiperia”, shkruan kryeministri Rama.
Komentet