Mirëmbrëma! Si Kryeministër i Shqipërisë dua të ndaj sot me ju krenarinë time për zgjedhjet më të qeta, më të lira dhe më të ndershme që kemi zhvilluar ndonjëherë.
Në 21 qershor, Shqipëria ishte një vend normal, që kaloi krejt normalisht një proces zgjedhor pa probleme serioze, që nga Tropoja deri në Konispol.
Ndërsa Qeveria bëri që për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri;
Të mos mbyllej asnjë shkollë, për të çuar nxënësit dhe mësuesit në mitingun e Kryeministrit apo të Kryetarit të Kuvendit, siç ndodhte deri në 2013-n;
Të mos detyrohej asnjë punonjës i administratës që të futej në kuadratet e shesheve të mitingjeve me listë, me apel dhe me firmë, siç ndodhte deri në 2103-n;
Të mos ushtrohej presion mbi asnjë punonjës të shtetit, për të dorëzuar kartën e identitetit, apo për të sjellë votën e fotografuar ditën e hënë, për të vazhduar punën, siç ndodhte deri në 2013-n;
Të mos implikohej asnjë forcë xheniere e ushtrisë, për të hedhur çakëll elektoral për vota për kandidatët e shumicës, siç ndodhte deri në 2013-n;
Të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të “fortët e fshatit” në funksion të ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit për llogari të pushtetit, siç ndodhte deri në 2013-n;
Të mos hapeshin dyert e burgjeve me lejedalje për kriminelë me damkë, që të turreshin natën nëpër dyert e votuesve të kundërshtarit, siç ndodhte deri në 2013-n;
Dhe shumë e rëndësishme, të mos deformoheshin shpenzimet e buxhetit të shtetit për investime elektorale, siç ndodhte deri në 2013-n. Një praktikë e keqe qeverisëse, që ishte bërë makthi i institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kosto e imponuar për shqiptarët për llogari të interesave partiake të qeveritarëve.
Nuk është e tepërt të kujtoj këtu se deri në 2013-n, vjedhja e energjisë për qëllime elektorale ishte pjesë e strategjisë së fitores së pushtetit. Kompania e Shpërndarjes jo vetëm lejonte, por edhe asistonte dynjanë për të lidhur energjinë në mënyrë të paligjshme në këmbim të votës. Kulmi arriti, pikërisht, në 2013-n, kur borxhi i kompanisë për qëllime elektorale u rrit me 220 milionë dollarë në kurriz të publikut shqiptar. Asgjë e tillë këtë herë nuk ka ndodhur dhe pavarësisht kostos së mundshme politike, kostoja financiare e kompanisë, pra, e publikut shqiptar, ka qenë Zero.
Po ashtu, nuk ka ndodhur as prekja tradicionale e rezervave të shtetit, për të blerë varfërinë me fasule dhe me çizme në këmbim të votës, çka ndodhi për turpin e gjithë botës në 2013-n.
Pikërisht sepse qeveria është sjellë si qeveri e shqiptarëve dhe jo reparti i prapavijës së koalicionit qeverisës, nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë për ambiciet e njerëzve të saj të zakonshëm, qytetarëve të këtij vendi, që meritojnë të zgjedhin lirisht dhe të vendosin me votën e tyre të numëruar ndershmërisht.
Është ky momenti për t’u kërkuar të gjithë numëruesve të votave për këshillat bashkiakë, që të vazhdojnë punën e nisur me të njëjtin dinjitet dhe të njëjtën ndershmëri që numëruan votat e kandidatëve. Historia e zgjedhjeve për këshillat ka treguar që zgjedhja është shumë e larmishme, sepse vota për këshilltarët nuk është vetëm politike, por edhe lokale, nuk është vetëm partiake, por edhe individuale. Kjo karakteristikë e zgjedhjeve vendore duhet të mos cenohet në asnjë tryezë numërimi dhe çdo votë duhet të numërohet ndershmërisht për çdo parti, sado të vogël, që në zgjedhjet vendore merr vota edhe kur askush nuk ia di emrin, pasi ka ditur të gjejë kandidatët e duhur vendorë. Koha kur partive të vogla u merreshin votat në tavolinë nga numëruesit duhet t’i përkasë së shkuarës, që lamë pas në këtë 21 qershor. Kush mendon se mund ta bëjë pa u vënë re, gabimin fatal që ta sjellë në tryezën e tij të numërimit atë kohë. duhet të mos e harrojë se ligji e ndëshkon penalisht.
Lejomëni, po ashtu, që në emrin tuaj, të të gjithë shqiptarëve, të falenderoj me mirënjohje të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë, misionin e OSBE/ODIHR-it dhe posaçërisht, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadoren e Bashkimit Europian, për kontributin e tyre shumë të çmuar në këtë proces kaq të suksesshëm.
Padyshim, ne nuk do të flemë mbi dafinat e këtij suksesi të ri për Shqipërinë, por do të vlerësojmë me shumë vëmendje, çdo gjetje të raportit të vëzhgimit dhe do të adresojmë me vullnet të plotë, çdo rekomandim të raportit përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR-it.
Këto zgjedhje ishin padiskutim më të mirat, po ka vend për përmirësime të tjera dhe ne jemi të vendosur t’i bëjmë.
Zgjedhjet e të dielës që shkoi, do të mbeten historike për dy arsye të mëdha:
Së pari, sepse në 21 qershor me votën e 71% të shqiptarëve, që jetojnë këtu, ka lindur një Shqipëri e re, Shqipëria e Gjeneratës Tjetër me jo më afro 400 njësi të pakuptimta vendore, por me 61 njësi zhvillimi ekonomik, urban e social dhe disa qindra njësi shërbimesh administrative për qytetarët, aty ku deri dje ishin komunat. Kjo është një Shqipëri e re e qytetarëve të barabartë, të cilët organizimi shtetëror nuk i ndan më në qytetarë të kategorisë së parë në qytet dhe njerëz të kategorisë së dytë në fshat.
Së dyti, sepse me votën e 21 qershorit barazia e plotë gjinore në vendimmarrjen vendore është kthyer në një fakt, që krijon premisat e një epoke të re emancipimi për bashkëjetesën komunitare dhe padyshim për vetë politikën shqiptare.
Unë jam krenar që “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i ka bërë të mundura këto dy ndryshime historike, pa u mbushur ende viti i dytë i mandatit tonë në drejtimin e vendit.
Referendumi i kërkuar nga Partia Demokratike kundër reformave të qeverisë ka humbur edhe më thellë sesa ç’mendonim pothuajse të gjithë. Por, mos prisni nga ne t’i biem daulleve të fitores së një referendumi të tillë, pasi për ne këto zgjedhje ishin për familjen, për gratë, për fshatin, në çdo komunitet dhe jo për Parlamentin apo qeverinë e Shqipërisë. E, prandaj, as unë, as Kryetari i Kuvendit dhe bashkëkryetari i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” nuk dolëm në këtë fushatë për referendumin qorr të PD-së, por për ta drejtuar vëmendjen e njerëzve tek arsyet reale të votimit të 21 qershorit. Për më tepër, unë vetë, nuk kam dyshuar asnjë ditë tek mbështetja e fortë e këtij populli për reformat tona. Nuk kam pritur 21 qershorin për ta marrë vesh që shqiptarët duan vazhdimin këmbëngulës të reformave për të bërë më në fund shtetin tonë modern dhe serioz. Por, natyrisht dhe pa asnjë fije dyshimi, 21 qershori është një shtysë e re për t’i thelluar reformat dhe masat që i shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe.
Në këto zgjedhje populli i Shqipërisë e ngarkoi “Aleancën për Shqipërinë Europiane” me një përgjegjësi të re. Shqiptarët e konfirmuan fuqishëm aleancën tonë si drejtimin e duhur. Na kanë kërkuar të qeverisim shifrën më të lartë të njësive vendore, që i kanë ngarkuar ndonjëherë për detyrë një pale politike në zgjedhje të lira dhe të ndershme; 75% të njësive në vlerë aritmetike dhe afro 80% të popullsisë së këtij vendi, që banon në këto njësi.
Lajm shumë i mirë është që në 9 bashki do të qeverisin gra, 8 prej të cilave ishin kandidate të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, të cilave ju uroj ngrohtësisht fitoren e merituar, ashtu siç ia uroj përzemërsisht edhe kandidates së Partisë Demokratike në Shkodër.
Ne e pranojmë këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme, që na u ngarkua me edhe më shumë përulësi se sot e dy vjet më parë, ndaj çdo zgjedhësi e zgjedhëseje, që investoi tek kandidatët një besim kaq të madh. Uroj që Partia Demokratike të na bashkohet në vazhdimin e Reformës Administrative-Territoriale dhe pas gurit të themelit që vuri 21 qershori të vendosim sëbashku me opozitën gurët e tjerë të ngrehinës moderne të pushtetit vendor në Shqipëri. Ky është momenti fantastik i një fillimi të ri për shtetin shqiptar dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta humbasim. Shqipëria s’ka kohë për të humbur. Shqiptarët i mbështesin reformat tona, pikërisht, sepse nuk duan të humbasin më shumë kohë se ç’kanë humbur për vite të tëra në drejtimin e gabuar. Deri në fund të vitit duhet të bëjmë gati të gjithë paketën e modernizimit të bashkive, të cilat duhet të jenë shtëpi të përbashkëta të komunitetit në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo të thotë decentralizim real dhe jo copëtim e bajraktarizim për faqen e zezë të shtetit dhe për kusuret e pafundme të qytetarëve, siç është bërë gjithë këto vite në emër të decentralizimit.
Ne duhet ta bëjmë bashkë me opozitën, rrugën drejt këtij objektivi strategjik për shtetin shqiptar, por pa dyshim do ta bëjmë me patjetër, edhe nëse opozita nuk do të dojë të na bashkohet.
Tani dua t’ju drejtohem të gjithëve ju, si Kryeministër i zgjedhur prej jush fiks dy vjet më parë, në 23 qershor si sot, por edhe si një njeri që prej dy vjetësh ndjen në çdo qelizë peshën e pritshmërisë suaj tejet të lartë.
Konfirmimi që ju i bëtë kësaj pritshmërie në këto zgjedhje, jo thjesht sepse votuat kaq shumë për aleancën tonë, por dhe sepse dolët kaq të shumtë në një palë votime vendore, të cilat, gjithnjë, dy vjet pas votimit të qeverisë, jo vetëm në Shqipëri, po kudo shënojnë pjesëmarrje shumë të ulët, është për mua një mesazh drithërues.
Duhet të më besoni se nuk kam arritur dot t’i gëzohem asnjë çast kësaj fitoreje kaq të madhe, sepse qysh kur u mbyll votimi, unë kuptova çfarë kapitali të madh besimi ju investuat përsëri, pavarësisht sesa e madhe është ende barra e papunësisë, pesha e varfërisë, apo pamundësia e përditshme mbi shumë ndër ju. Nuk arrij dot të gëzohem, sepse nuk mund të harrohem qoftë edhe për pak, pas asaj që për politikanët është një fitore, por për ata që i votojnë është një investim që presin me padurim dhe shpeshherë me ankth që t’u kthehet.
Nuk arrij dot të gëzohem, sepse nuk arrij dot të harroj,- në fakt prej dy vitesh papushim nuk arrij dot të harroj, por dhe më shumë,- qysh prej të dielës pasdite sesa shumë prej jush zgjohen në mëngjes me hijen e varfërisë mbi kokë, apo kthehen në shtëpi me shijen e hidhur të poshtërimit në një zyrë ose sportel, ku u kanë kërkuar ryshfet për një copë letër, apo qajnë edhe një ditë tjetër që iku kot me papunësi, apo i bien kokës me grushte se një gjykatës kriminel u mori pronën, apo vuajnë se nuk kanë ujë për të vaditur dhe ju ikën dëm mundi i një viti, apo zemërohen se fëmija në shkollë ka rënë në dorën e një mësuesi të padenjë, apo dëshpërohen kur shohin sesa kollaj i gjendet puna dikujt dhe sa më vështirë njeriu i duhur i gjendet punës diku.
E di mirë, po më shumë sesa e di, e ndjej të fortë dhimbjen e kujt ndër ju, mund të mos kishte shkuar hiç në zgjedhje, këtë 21 qershor, për të na kujtuar, për të më kujtuar mua personalisht, pse jo dhe pse nuk jam magjistar, sesa shumë gjëra ka akoma pa bërë qysh nga 23 qershori i para dy vjetëve. Por, fakti, që ju shkuat të votoni, përsëri kaq të shumtë në numër, më imponon që t’ju them përulësisht, një faleminderit shumë të madh për këtë mbështetje dhe inkurajim të jashtëzakonshëm, aq më tepër pas reformash edhe operacionesh aq të dhimbshme sa ato që kemi ndërmarrë.
Kjo mbështetje ka një domethënie të madhe për mua, sepse tregon që në këtë përpjekje të mundimshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe nga lëngata jemi shumë, jemi bashkë dhe jemi të vendosur.
Dua që ta dini që është përtej asaj që mund të shprehet me fjalë thellësia e mirënjohjes dhe respektit tim për të gjithë ju. Ashtu si kundër është i plotë dhe mirëkuptimi, nga ana ime, për të gjithë ata njerëz të këtij vendi, të cilët nuk e duan këtë drejtim të vështirë edhe pse të mbështetur kaq gjerësisht, pikërisht sepse është i duhuri.
Të gjithëve sëbashku do t’jua them se, sidoqoftë, ky është drejtimi i duhur për të mirën e vendit tonë, që është mbi të gjitha, vendi i fëmijëve tanë.
Unë do të vazhdoj të bëj gjithçka mundem, me mish e me shpirt, pa ju tradhtuar kurrë dhe për ta afruar sa më shumë ditën kur të gjithë ata që na ridhanë besimin për të ecur më shpejt në drejtimin e duhur të ndjehen krenarë se ishin pjesë e kësaj përpjekjeje të vështirë në historinë tonë të përbashkët, për të rilindur Shqipërinë që meritojnë fëmijët tanë.
Shumë mirënjohje, përulësisht
Faleminderit!
Komentet