Në foto: Iliri i Vilmës në maket
I dashur sovran!
Qorr ose syshqiponjë; miop ose hipermetrop; me gjyslyke apo me lente qofsh!
Jam vërtet i acaruar që shumë qorra nuk e kuptojnë idenë e projektimit të stadiumit.
As Arlind Qori nuk e kupton dot.
Ideja e stadiumit është një koncept origjinal që e ka zanafillën pikërisht atë ditë kur unë vizitova zyrën e Ilir Beqajt pa e njoftuar më parë atë.
Në fillim shkova tek zyra e Beqajt por më tha sekretarja e tij që ai kishte shkuar tek salla e mbledhjeve.
Po ecja në majë të gishtave si Ilir Kerni dhe sa hapa derën e sallës pashë aty një tryezë vezake ku ishin ulur drejtorët e Ilirit të Vilmës; ndërsa në një cep të tryezës vezake qëndronte në këmbë si një zdap i vërtetë, Iliri i Vilmës dora vetë. Shtat-derdhur, azgan, belkëputur, më frymëzoi shumë Beqaj në këtë performancë të veçantë arreduese dhe vendosa ta përdor këtë inspirim frymëzues për të ndërtuar stadiumin e ri.
Dhe ashtu bëra vërtetë, sepse sot siç e shikoni të gjithë, stadiumi është vezak me një kullë të lartë në cep e cila personifikon Ilirin e Vilmës.
A nuk është një mrekulli e vërtetë që Iliri i Vilmës është ngulur aq natyrshëm në cepin e vezores?
Ata që nuk arrijnë ta preceptojnë këtë janë qorra. Dhe unë kur i them dikujt qorr nuk e them kot sepse kam një dell okulisti të fshehur brenda meje.
Nëse nuk e shihni dellin tim të okulistit dhe shtyllën që ngrihet si shtati i Ilirit të Vilmës, normalisht që qorra jeni.
Ky stadium lidhet me ftesën time që ju bëra anglezëve për të parë ndeshje futbolli dhe përgjigjja e tyre pozitive ishte vetëm për shkak se ata e gjetën dhe në Google stadiumin e ri.
Rreth hapësirës vezake supozohet që të ulen mijëra Erjon Braçe. Frymëzimi për Erjonin më erdhi ndërsa po bënim takim në qendrën shëndetësore të Divjakës.
Sa herë që unë harroja diçka gjatë fjalimit me infermieret e spitalit, Erjoni ndërhynte duke folur me duar por nga gjatësia e tij modeste i dukeshin vetëm thonjtë e lyer.
Ndërsa tek pjesa ku ka një hapësirë midis shkallëve mendohet të vendosim ca NikoPelesha që normalisht mund të jenë diku tek 70 ose 80 copë.
Për detajet e tjera më të imtësishme të këtij projekti do ju informoj pasi të përfundoj ciklin e konsultave me Armandin e FSHF-së dhe me Qifin.
I juaji; Okulist-Edvini.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
(HashtagAlbania)
Komentet