Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mbështetur vendimin e Kosovës për të vendosur reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve, raporton Gazeta Express.
Rama përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Kosova tani duhet ta shmang bumerangun e këtij vendimi, që sipas tij mund të jetë ngrirja e konfliktit,
“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë.Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkroi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha dje në Kuvendin e Kosovës se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por imponim nga pala tjetër.
Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi.
“I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, tha Kurti.
Për këto zhvillime, përmes një njoftimi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se në takimin që e pati dje pasdite me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, mes tjerash ka biseduar edhe për situatën e tensionuar që u shkaktua në pikën kufitare në Jarinjë.
“Së shpejti do të informoj publikun për gjithçka që po ndodh në veri”, u tha në njoftimin e presidencës serbe. Ndërsa sot, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë, njësoj siç bëri paraprakisht Bashkimi Evropian.
“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.
“Jemi duke e vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe t’i ulin tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.
Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.
Shumë automjete janë ndalur në pikët kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.
Vendimi për këtë është nënshkruar dje, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.
Mëngjesin e djeshëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Komentet