TIRANE- Ish-truproja i Sali Berishës President, Izet Haxhia, hapi një debat dy ditë më parë kur shkroi në “Facebook” lidhur me një skenar të shefit të tij për të vrarë Aleksandër Meksin në 1992. Sipas tij, Berisha i kishte premtuar Bashkim Koplikut postin e Kryeministrit dhe kjo mund të bëhej vetëm duke eliminuar Meksin, pasi ai kishte fituar në Këshillin Kombëtar garën me zv.kryeministrin e asaj kohe.
Për këtë ishte sajuar rrëzimi i avionit që do të sillte Meksin nga Roma në Tiranë. Në debat u përfshi vetë Meksi dhe djali i tij, të cilët pohuan se skenari ka ekzistuar. Por për Tritan Shehun, ministër i Shëndetësisë në vitin 1992 dhe një nga personat që doli në Rinas për të pritur Kryeministrin, incidenti me avionin erdhi vetëm për shkak të kushteve të këqija teknike të aeroportit. Në një intervistë për “Panorama Online”, ai flet për herë të parë për këtë çështje.
Zoti Shehu, ju keni qenë anëtar i qeverisë në vitin 1992?
Po, ashtu është, kam qenë ministër i Shëndetësisë dhe Mjedisit në atë qeveri me Kryeministër Z.Meksi.
Ju ishit prezent në Rinas për të pritur Z.Meksi në kthim të vizitës së tij të parë si Kryeministër nga Roma?
Është e vërtetë që kam qenë në Rinas për të pritur kthimin e delegacionit tonë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri e me përbërjen e Z.Ruli, Z.Konda e dikujt tjetër, që nuk më kujtohet tani. Ishte një vizitë e shkurtër, e para e qeverisë në Bruksel, më tej në Romë e kthim. Kthimi nga Roma po bëhej me një avion të vogël shtetëror italian.
Pati probleme me avionin në ulje, ju çfarë kujtoni?
Në të vërtetë më kujtohen disa detaje. Së pari, pati një vonesë në ardhjen e avionit në Tiranë, kështu filloi të errej dhe të mos shikohej mirë, gjë që krijonte probleme në ulje. Nga sa u informova, kishte disa kohë që pista nuk ndriçohej natën. Kjo siç na u tha ishte pasojë e dëmtimit të sistemit të ndriçimit nga disa persona, që thoshin se ishin pronarët e tokës aty e kështu bënin presion. Të mos harrojmë se flasim për një periudhë kur në hapësirën brenda aeroportit dhe afër pistës kullotnin edhe lopë. Ishim menjëherë pas krijimit të qeverisë së parë demokratike dhe prej kohësh nuk kishte fluturime natën në atë aeroport. Në këto kushte u kërkua që makinat e ardhura të vendoseshin anës pistës për të bërë të mundur me dritat e tyre, dallimin e saj nga piloti. Dhe kështu u bë. Mbaj mend mirë që më tej avioni u duk e po vinte nga Veriu. Ai filloi uljen nga ajo pjesë e pistës në një muzg të thellë. Mbasi takoi tokën, bëri një kërcim të menjëhershëm disa metra lart e u ul përsëri me zhurmë, duke vazhduar kështu deri nga fundi jugor i pistës, ku ndaloi. Ne vrapuam drejt avionit e kur arritëm aty takova Meksin që kishte zbritur. Avionit i ishte thyer rrota e parë, kështu u tërhoq zvarrë në pistë, fatmirësisht pa krijuar ndonjë fatkeqësi të mundshme.
Izet Haxhia ka hapur një debat në media kur ka thënë se ka pasur një tentativë për të rrëzuar avionin me qëllim vrasjen e Aleksandër Meksit. Ju si mendoni?
Unë jua shpjegova si ndodhi ngjarja. Nuk kam asnjë dyshim që ishte vetëm një aksident si pasojë e një mungese të kushteve teknike prej disa kohësh në aeroport edhe në pistë, e ndriçimit, sigurisë etj. Ashtu ishin ato kohëra atëherë, menjëherë pas 22 marsit. Pak ditë pas këtij aksidenti u morën disa masa të shpejta për ta sjellë në njëfarë normaliteti aeroportin e Rinasit.
Komentet