Prof. Qemal Draçini (6 mars,1922-10 tetor,1947)
“10 tetor 1947. Një ditë vjeshte me shi, kur drita ende nuk kishte zhdavaritë terrin kobzi të natës, dikush pa në gjysmëterr të agimit një trup të vdekur me fanele të kuqe, që tundej në një karro plehu, e tërhequr nga një kalë, andej nga çinaret, matanë vorreve katolike, atje te gropa e përbashkët. Medet! Me sa Katinë është mbushur toka e shqiptarëve!! Tragjikisht e ndoqi fati pse
guxoi, por burrnisht e mbylli jetën me nder, veçse me sa vuejtje. Dhe fjala “vuejtje” është e paktë, nuk e shpreh dot lemerine!!”
“Ishte dritë, kërkonte dritë, prandaj e shuan ata që donin (terrin) errësiren. Kur Volfang Gëte, në “Olimpia e Vajmarit”, po ndahej nga kjo jetë, u ngrit çastin e fundit në shtrat dhe thirri: “Dritë,
Dritë!” I pëlqente Qemal Draçinit ta përsëriste shpesh këtë thirrje perëndishë. Jeta e tij qe aspiratë e mishëruar për liri e dritë dhe për DRITËN ai ra theror. Që fëmijë e karakterizoi energjia e guximi i paskajshëm, afekti i thellë njerzor, pasioni për kulturën dhe artin e kryesisht per letersinë. Përherë në zgrip të greminës, me rrezikun u rrit binjak. Shpirti i tij, Abis i thellë njerëzor, u çmerit nga miraxhi i idealeve fisnike dhe u turr nga majat e ndritshme të një …vegimi të lirë e shoqëror që mendoi dhe synoi të realizonte praktikisht përmes veprimtarisë revolucionare. Kjo shpjegon lidhjen e herëshme me Qemal Stafën që adoleshent, pa i mbushur15 vjetët. Në dhomën e tij bibliotekë, punonte, përkthente, shaptilografonte, shkruante, shkruante, diskutonte me Spasse Trimçevin dhe Emin Durakun. Jeta, kjo mësuese e rreptë, shpejt e burrëroi, por edhe e përpiu në vorbullat e saj: 16 vjeç e gjysëm, ai qëndronte në bankën e të akuzuarve në gjyqin e Tiranës, në krah të Qemal Stafës ( ishte aq i ri sa trupi gjykues u përça në fillim, ta dënonte apo jo?). Por diktatura, e çfaredo ngjyrë qoftë,është pikësëpari dhunë, pastaj dhunë e prap dhunë çnjerëzore.
Kështu që në pranverën e jetës, ky djal i zjarrtë provoi të parat tortura e pastaj të parat pranga të burgut të egër real, të burgut të Mbreshtanit në Berat. Takimi i parë me diktaturën la gjurmë
të dhimbshme në trupin dhe në shpirtin e tij. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, të burgosurit e Mbreshtanit lirohen, ai kthehet pranë familjes dhe ndjek mësimet e ndërprera ne Liceun e
Shkodrës . Është kjo periudhë dyvjeçare e mbushur me një jetë aktive e, papushim, shkruan e boton me pseudonimet Malseni, Imperitus, lexon shumë, përvetëson dhe dashuron. Ai e ka
dashur shumë jetën e tij të shkurtër. Ai, burim i pashtershëm, emanonte afekt të thellë njerëzor, por përpinte dashurinë e të tjerëve. Kur, më 1940, vdiq poeti i madh At Gjergj Fishta, e përcolli
me lule ndër duar e pikëllim në shpirt në banesën e fundit, pse e desht pa hile, por dhe poeti kombëtar, sa qe gjallë, e ngrohu me miqësinë e vet. Kur ia patën prezantuar, poeti i madh kishte shpërthyer në një gaz të çilter: “Po a ti qenke Malseni, â?” Kishte para vetes një çun 16 vjeçar. Kishte njohur ma parë Malsenin, pseudonimin e tij, tash po njihte njeriun.
Në faqen e parë të “Lahutës se Malcisë”, që ia dhuroi, Ati i urtë, duke ia pasur frikën vrullit marramendës të pasionit të tij fisnik për DRITËN, këtë autograf i dedikoi: “P.T. Malsenit! Sa të kesh hapin, mate vrapin! A.Gjergj Fishta, O.F.M.”(Parandjenjë profetike, pse vrapin shpejt do t’ia ndalnin!)” ( Pjesë nga parathanija e librit :”Qemal Draçini-njeriu, intelektuali, martiri. Nga
Enver Draçini, vëllau, dhe Nexhmi Bushati) Shkruan prof. dr. Fatbardha Hoxha: “Një episod për t’u veçuar është miqësia e afërt e Qemalit me Gaspër Palin poetin, prozatorin, kritikun e panjohur më parë nga studjuesit, veprës së të cilit Qemali do t’i kushtojë një shkrim elitar kritik në faqet e revistës “Fryma”, ku ai e quan G. Palin “Poet kerkimtar i dëshpëruem drite. ” Në vitin 1944, realizon një ëndërr të tij të djalërisë; së bashku me avokatin e ri, Myzafer Pipa, krijuan revistën “Fryma”. Aty ai shkruan me emrin e vet, me pseudonimin Genc Valbona, dhe reçensimin e botimeve të reja e nënshkruan me inicialet I-i, Alni Qendra. Ishte vetë redaktor, kryeredaktor dhe korrektor.
Jetoi pak, por pak e jetuan jetën aq intensivisht sa ai. Ia këputen jetën në gonxhe të porsaçelun, pse qe luftëtar për jetën e nuk pranoi qënijen e prishun, shpirtin e molisur siç e donin “jo njerëzit”. Dhe sot, kur njeriu përfytyron në njërën anë këtë personalitet njerëzor dhe në anën tjetër ato kafshë të neveritshme, të vjen të bertasesh. Por fjalët nuk kanë forcë të shprehin atë dallgë e duf të mbrendëshëm që përvëlon, atëherë buzët, dhimbsurisht dhe revoltueshem, peshperisin atë vargun e Poetit: “O Perëndi, a ndjeve?!..
Ai djalosh 16 vjeçar, kur vdiq Migjeni, me pseudonimin “Malseni” nënshkroi artikullin e vet “Në cungim të flatrave të letërsisë sonë”. Por për atë vetë askush “s’arriti të shkruante” : “Një shkëndijë e zjarrtë në qiellin e errët shqiptar i grimcuar dhe xixat me mijra ranë mbi tokë.” Po xixat jetuan xhelozisht të fshehura në zemrat e shumë njerëzve. ( botuar në gazetën “Shkodra”, nr.4, tetor, 1991)
P.s. jam ma se i bindun se menjiherë, zyra e propogandës se “qeverrise”, do të angazhohet si çdo herë, nëpërmjet ministreshes apo zëdhënësve tjerë, të përkujtojnë këtë datë,(ndoshta!) ashtu si edhe të tjera që kena rast për çdo ditë t’i konstatojmë, me të vetmin qëllim: përvetësimin e meritave të kujtesës të viktimave të baballarëve e gjysherve të vet, si nji mënyre përverse kjo për me i kalue në koshin e harresës, ose edhe më keq: për t’i përdorë për propogandë mashtruese e qellimkeqe, këto krime dhe kriminelët, pasardhës të denjë të të cilëve janë dhe që kurr nuk janë distancu, lê mâ t’i kenë dënu!! Bunker-art2, “Shtëpia me gjethe” , dhe tash vonë edhe projekti i rindërtimit të burgut famkeq të Spaçit, që asht lanë të rrënohet, perveç financimit të nji filmi në lidhje me kët “Auschwitz shqiptar”, etj. simbole dhe dokumenta kto të krimit masiv, gjenocidit komunist pra, të krijueme enkas prej birëve dhe pasardhësve të xhelatëve të kuq, janë dëshmi e gjallë e ksaj politike perverse të përvetësimit edhe të vuejtjeve, mbasi kanë pervetsuar çdo gjë që kanë mujtë. Mos sinqeriteti i kësaj qeverie në përballjen me të kaluemen kriminale të prindëve të tyne, në këtë rast, del në pah edhe prej veprimtarisë të saj, që ia çjerr maskën vedit, tuj mos futë në programet mësimore as edhe nji prej autorëve “anmiqt të popullit”, (të vdekun apo të gjallë), siç i ka quejt regjimi terrorist komunist të gjithë ata që i ka eliminuar fizikisht, i ka burgosë, apo internuar, e sidomos autorët “shkodrianë” apo veriorë në përgjithsi!!
Edhe nëpër panairet e librit, sidomos ato jashtë shtetit, shpenzon dhjetra mijëra euro për promovimin e librave dhe autorëve të realizmit socialist dhe pasardhësve të ksaj rrymë letrare mashtruese, ( e në mos-promovimin e autorëve të letërsisë të quejtun me perçmim nga korifejtë e realizmit socialist, “letërsi burgu”!) që aq shumë ndihmoj në mbajtjen gjallë të “inkuizicionit komunist”!!!
Në veprën e saj, “Banaliteti i të keqes”, Hannah Arendt mbasi ndjek gjygjin e kriminelit nazist Adolf Eichmann, të zhvilluem në Jeruzalem, ban një analizë filozofike të të gjitha ktyne figurave që kanë pasë poste të nalta në hjerarkine naziste. Dhe janë pikërisht figura të tilla që edhe pse nuk kanë kryer asnji krim me duert e veta, konsiderohen fajtorë kryesor në krim dhe si të tillë të
dënueshëm njisoj se mos ma randë se vetë xhelatët.
Shumica e tyne me nji “t’ramun të lapsit” vendosshin për jetën apo vdekjen e qindra mijëra njerëzve, dhe në darkë ktheheshin pran familjes si njerëz normal, pa reflektuar aspak për krimin që kishin kry. Kto persona, Hannah Arendt i quejti : banaliteti i të keqes! Por në Shqipni, perveç ktij “banaliteti të së keqes” që karakterizonte përgjithsisht njerëz injoranta, kishte nji kategori
tjetër, shumë ma të keqe se kjo e para, sepse i perkisshin atyne që të paktën dy libra i kishin lexue. Këto individ, ishin të prirur me ba keq jo prej “banalitetit” të boshllëkut shpirtnor, por prej
t’mbushunit të ktij boshllëku me poshtërsi, me mashtrim, me keqdashje, me xhelozi etj. Kjo kategori njerëzish që kontribuoi në zhdukjen, burgosjen, internimin apo persekutimin e qindra e mijëra të pafajshëmve, jo vetëm që nuk u dënue të paktën moralisht prej shoqnisë shqiptare, por përkundrazi edhe sot e kësaj dite vazhdon me gëzue, edhe pse tashmâ gjindet nën dhè një pjesë e mirë e tyne, titujt dhe ofiqet e përfitueme prej regjimit terrorist komunist pikërisht për aktivitetin e tyne te bashkangjitun krimit.
E daja i em, Qemal Draçini, ishte një prej viktimave të këtyne monstrave me tituj!! Eliminimi i tij vjen si rezultat i xhelozisë të sëmurë dhe sindromës së inferioritetit të elementeve që okupojshin postet e nalta të sektorit, të përfitueme vetëm prej besnikërisë pa kushte ndaj regjimit kriminal komunist, pa asnjë të dhanun tjetër aftësije. E natyrisht që këto elementa përbajshin atë që quhet ” ingranazhet e të keqes”!
Në përpilimin e shpifjeve, nuk mungonte pjesa e randsishme: ajo e përvetësimit të punës intelektuale të viktimave dhe “shitjes” së saj me emrin e kriminelit tashmâ si punë e tij, tuj përfitue kësisoj edhe tituj e ofiqet, që si ato që ende jetojnë ashtu edhe ata që s’jetojn mâ, vazhdojn me i mbajt!! Nuk mund të ketë nji paqtim të shqiptarve përderisa nuk do t’vehet në vend drejtsia e mohueme.
Fjalët e Shenjtit Woityla kur në vitin 1993 erdhi për vizitë në Tokën Shqiptare, si i pari Papë në histori, janë emblema e ktij tranzicioni të pafund: “Non c’è pace senza giustizia, non c’è giustizia senza perdono, non ci può essere perdono senza verità.” [Nuk ka paqë pa drejtësi, nuk mund të ketë drejtësi pa kërkue t’falun, nuk mund të ketë falje pa të vërtetën!]
Asht kusht i domosdoshëm “paqja sociale” ndërmjet shqiptarve, në.qoftëse kërkohet me arrijtë nivelin e qytetnimit europian. Por kjo paqë nuk vjen vetvetiu, pa impenjim, pa një reflektim
pikërisht të atyne që ” u ndodhën në anën e drejtë të historisë”, simbas konceptit të qeverriut, por që në realitet ishin në anën e krimit shtetnor, tuj i shërby me zell dhe besnikri t’pakushtzueme, të ndërgjegjshëm deri n’fund!!!
At-here lind pyetja: si ka mundësi që edhe para dokumentave të padiskutueshëm që provojnë se për njëgjysë shekulli u aplikue një terror masiv me vrasje, burgosje, varje, internime, persekutime etj., klasa drejtuese apo shtresa drejtuese e jetës ekonomiko-politike aktuale, vazhdon me mbrojtë me vendosmëri atë periudhë inkuizicioni dhe krimi, si dhe bashkpuntorët e atij regjimi, dhe ajo që asht edhe ma preokupuese asht fakti se “lufta e klasave” apo persekutimi, që baballarët e tyre e aplikonin me metoda staliniste, me terror, birt ,nipat e mbesat e tyne po e aplikojnë me metoda moderne, të pazhurmshe, por shumë efikase? Përgjigja asht sa e thjeshtë aq edhe e logjikëshme: nuk ka një vetndergjegjsim, një analizë reale të ndërgjegjes, një pendim të thellë për krimet e kobshme te kryeme prej baballarëve të tyne! Asnjë prej kontribuesve kryesor në këtë krim, nuk u dënûe! Asnjë prej këtyne nuk u pendû dhe as nuk kërkoi t’falun për veprën kriminale të propogandes më të cilën kryen shperlamjen e trunit masiv!
Shihet qartë që këtij “pendimi” kërkohet t’i shmanget, bile kërkohet, dhe deri tash asht arrijtë, që këto evenimente tragjike, këto krime të kobshme, të pervetsohen prej propogandes qeveritare për ta paraqitë si një prej “veprimeve anti-komuniste ose të gjoja dekomunistizimit” të kësaj qeverie.
Krijimi i një imazhi të fallsifikuem për të pasë edhe përkrahjen ndërkombëtare, nëpërmjet përvetësimit të vuejtjeve dhe krimeve të njerëzve tonë të dashtun, asht politika përverse që ky regjim po përdorë. Prandaj duhet që me çdo kusht t’i çirret maska e këtij Lanus-i përvers, që të mund te shifet e vërteta edhe prej atyne që janë të mashtruar, sidomos të atyne që pretendojnë t’i përkasin shtresës së të persekutuemve politik.
E fatkeqësisht, nuk janë aq pak sa kujtojnë disa!?