Shumica e vjershave e tregimeve,shkruar në moshën adoleshento-rinore, por e ca më vonë, firuan dhe u tretën… Nuk ishin të larushitura me “kromë”, por i rrëmbyen erërat se ishin aguridhe e kokrat jo të lidhura aq mirë pas sythave e degëve…Por, disa prej tyre, nga ato që më pëlqejnë mua tani, them se shpëtuan…
-Pa, hë? Vazhdo…- tha Perëndia e Muzës.
-Janë nja dhjetë a pesëmbëdhjetë vjersha, mbase edhe pesë të tjera, ose, numuri i tyre shkon gjer në sa gishta kam në duar e këmbë.
-Po tregime, – pyeti Perëndesha e Muzës.
-Ca më pak tregime, sa gishta kam në njërën pëllëmbë; paçka se më pëlqejnë mua, pas kaq viteve më duken të pa pjekura… Më vjen keq për to, më vjen edhe të qaj e të qesh e t’i përkëdhel dhe më mirë le të rinë aty ku janë fshehur…
-Edhe goricat e thanat e mollçinat, – më ndërpreu Perëndia e Muzës, – i fshehim e i fusim nëpër kashtëra e barëra dhe, pa dalë dimri, bëhen duca e na shijojnë…
-Kurse mua, – shtoi Perëndesha e Muzës, – më pëlqejnë poeziçkat që ke shkruar dikur për nallemkat, për borziloken, për aguliçen, për manushaqen…
-Oh,- thirri Perëndia e Muzës.- Edhe se jam Perëndi e Muzës, mezi pres të fryjë Juga dhe të shikoj kupat e gjunjëve të Perëndeshës time…
-Ha-ha-hahaaa, -qeshi e mikluar Perëndesha e Muzës. Ma shkeli syrin djallush e më pyeti: – Pa na trego ku e gjete a kujt ia rrëmbeve majanë poetike?
-Nuk e them dot, – u përgjigja e zëri m’u drodh sikur të më kishin zënë në faj. Belbëzova: Me majanë e vjershave që përmende ti, ngjiza e mbusha një shportëz këto dhjetë vitet e fundit. Por edhe dy librat, novela, që kam në proces, janë të pleksura me tregimet që mua tani nuk më pëlqejnë, por edhe me ato që më pëlqejnë…U siguroj se “majanë” poetike e prozaike nuk ua rrëmbeva futuristëve e as modernistëve…Kur unë fillova të shkruaj nuk e dija se ka të tillë…
Mirëpo, Perëndia dhe Perëndesha e Muzës Letrare më shikojnë herë me habi, herë vengër, pastaj më buzëqeshin dhe buzëqeshjet e tyrë m’u dukën i vetmi ngushëllim …
Perëndi janë e nuk dinë ç’të më thonë…
Mars-2017
Komentet