(Dolën nga shtypi edhe dy vepra të autorit, Sejdi Berisha: Libri me ese dhe shkrime të tjera,“Konflikti me vetveten” dhe vepra me vështrime letrare, “Gërshetime krijuese dhe urat letrare”)
“Konflikti me vetveten”…
Këto ditë, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, para opinionit të gjerë dhe lexuesve doli edhe me dy vepra të reja: “Konflikti me vetveten” dhe “Gërshetime krijuese dhe urat letrare”. Ky krijues dhe punëtor i devotshëm i vlerave shpirtërore dhe letrare, në veprën e parë, “Konflikti me vetveten”, ka përfshirë ese dhe shkrime të tjera, të cilat reflektojnë jetën dhe çështjen më sublimë dhe aktuale, me të cilat përballet njeriu nëpër periudha e situata të ndryshme.
Shkrimet e tilla e kanë peshën dhe mesazhin e mendimit jo vetëm filozofik, por edhe të njerëzores, të cilat provokojnë për shprushjen e çështjeve fondamentale të shoqërisë dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve, shumë prej të cilave, shpesh apo gjithnjë, sikur rrinë “fjetur”, pasive…!
Ja se çfarë thekson autori në disa nga esetë në këtë vepër: “…Tërë natën e bëra armik gjumin, duke dashur rrastë ta deshifroj mendimin, të cilin në mëngjes e kishte thënë miku im jo fortë i shtyrë në moshë: “Jam rritur jetim, e me babë”! Kjo ma kujtonte, por edhe ma detyronte deshifrimin e kësaj shprehjeje, duke e përkëdhelur historinë e njeriut dhe rrugëtimin e tij, pa hedhur mendim filozofie, sepse, kjo ka qenë dhe është histori në vete…”.
Ose: “…Sa herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku dhe erë myku”…
Ndërsa, për ta thyer “monotoninë” e të lexuarit, autori në mes libri na sjell një cikël të shkurtër shkrimesh relaksuese, siç janë mendimet e të tjerëve për krijimtarinë e tij, pastaj shkrime kushtuar familjarëve etj.
Kurse, në pjesën e tretë, “Hallkat e tokës”, autori në mënyrë shumë të fuqishme prezanton “copëza” historiografie, disa prej të cilave i ngjajnë edhe reportazhit mbase edhe udhëpërshkrimeve, që zgjojnë kureshtjen për ta kujtuar e mësuar edhe më mirë historinë dhe të kaluarën, të cilave duhet vënë dritë të plotë, sepse, ende ka gjëra të cilat nuk janë sa e si duhet të zbardhura dhe as të njohura.
Ja se çfarë thotë në një prej shkrimeve të tilla: “…Ore, po bëhet si e kapërthurtë ndërgjegjja, vetëdijesimi, përgjegjësia e respekti për ndritjen më të madhe të rrugëtimit të njerëzve që e kanë bërë, që e bëjnë dhe do ta bëjnë e begatojnë rrugëtimin e historisë, e cila, sikur është plot me “puçrra” e infektime që sulmojnë, kaplojnë dhe dergjin atë lëkurën që mbështjell trupin e shëndosh, pa marrë parasysh të njeriut, shtazëve apo edhe të pemës e bimës…”! Ose, “…Tanimë, qyteti i Sarandës për çdo shtator jeton e frymon me letërsinë, me poezinë dhe vargun poetik, i cili prej viti në vit po i forcon hallkat kulturore dhe letrare jo vetëm në mes krijuesve të trojeve shqiptare, pra të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, të Malit të Zi dhe diasporës, por edhe me krijuesit dhe vlerat letrare të vendeve të tjera, si Italia, Spanja, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria etj. Dhe pikërisht kjo formë e tubimit dhe e bashkimit të krijuesve dhe poetëve, ka bërë që të afirmohet edhe më shumë poezia kombëtare dhe ndërkombëtare në vendin tonë, në Sarandën e vlerave shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike…”.
Disa fjalë për krijuesin, Sejdi Berisha
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, është një krijues dhe një zë i veçantë i vlerave shpirtërore dhe kulturore, i peshë krijuese letrare, i cili deri me tash ka botuar tridhjetë e pesë vepra nga fusha të ndryshme (me poezi gjashtëmbëdhjetë, me eseistikë gjashtë, prozë pesë, drama pesë etj.) Ka shkruar Monografinë “Zejtarët e Pejës”-botimi i Parë dhe i Dytë, që është një prej veprave të rralla dhe më me peshë për historiografinë e zejtarisë shqiptare, pastaj Monografinë “Teatri i Pejës”, i cili është teatri më i vjetër në Kosovë dhe Monografinë e Kombinatit të lëkurave dhe këpucëve të Pejës, që dikur ishte një prej shtyllave më të rëndësishme të zhvillimi të ekonomisë pejane por edhe të zhvillimit të ekonomisë dhe industrisë së Kosovës.
Ndërsa, kontributi i tij si gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës por edhe në shumë mjete të tjera të informimit, në kohërat më të vështira ishte i veçantë dhe me rëndësi për informimin e opinionit për rrjedhat e përgjithshme shoqërore, politike dhe kulturore. Është themelues i Radio-Pejës(1981), po ashtu në kohërat më të vështira të viteve të tetëdhjeta të shekullit kaluar. Ndërsa, në vitin 1982 nxori-botoi numrin e parë të gazetës “Peja”.
Ky krijues, ka qenë në disa mandate kryetar i Klubit letrar “Karagaçi” të qytetit të Pejës dhe më vonë edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dega në Pejë. Gjithashtu, ka qenë Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Pejë etj.
Ky krijues, publicist dhe kronist, është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë, Kosovë dhe më gjerë. Ka marrë dhe merr pjesë në shumë manifestime kulturore dhe letrare, të cilat organizohen gjithandej Kosovës, Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare. Është fitues i çmimeve shumta dhe është nderuar edhe me shumë mirënjohje për punën e tij të dalluar dhe të spikatur. Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj 2014). Krijimtaria e tij është e prezantuar edhe në shumë antologji të ndryshme letrare.
Edhe shkrimet e tilla e vënë në spikamë dhe na përkujtojnë historinë e shumë viseve dhe anëve të cilat kërkojnë dritë e zbardhje historiografike. Ndërkaq, me shkrimet për tubimet kulturore me karakter kombëtar e ndërkombëtar, marrin peshë vlerat krijuese, letrare dhe kulturore kombëtare. Andaj, nga të gjitha këto, padyshim se “konflikti” me vetveten është i pashmangshëm, sepse, siç dihet, kombin dhe atdheun, nëpër kohëra e kanë përcjellë shumë përplasje, probleme të natyrave të ndryshme, mbase edhe amullia, ku ka dorë edhe njeriu i ynë!
Dhe, në veprën “Konflikti me vetveten”, po që se çdo gjë lexohet me kujdes, atëherë, secili do të gjejë nga diçka që ia vlen! Nga diçka të mirë, të “keqe” dhe gjëra të tjera të mira e të çuditshme në vetveten e tyre. Andaj, mund edhe të thuhet: si të mos lind “konflikti” brendapërbrenda vetvetes për çdo gjë dhe për gjithçka!
Gjërat e tilla, autori i shtron me peshën e arsyes dhe të mendimit të thellë filozofik, që njeriu gjithnjë të jetë faktor për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, pasi që është ai i cili vetë i bën dhe i “komplikon ato”…
“Gërshetime krijuese dhe urat letrare”…
Kurse, në veprën “Gërshetime krijuese dhe urat letrare”, autori, përmes analizave dhe këndvështrimeve letrare të veprave të njëzetë e katër krijuesve nga të gjitha trojet dhe të të gjitha moshave, përpiqet të ngre cilësinë përmes gërshetimeve krijuese, por edhe përmes përvojave të mirëfillta të forcohen urat krijuese letrare në shtrirje të gjerë në të gjitha trojet. Kjo, me qëllim që të afirmohet njëtrajtshëm krijimtaria letrare, pa marrë parasysh se ku bëhet dhe krijohet ajo; në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Tetovë, Sarandë, Shkodër, Gjirokastër, Ulqin, Tropojë, Podgoricë apo edhe në diasporë…
Në shkrimin me titull “Rrëfimi i ndrydhur apo historia si dhomë e heshtur…!’, në mes tjerash thekson: “Periudhat kohore dhe ato historike kanë dëshmuar se rrugëtimi i njeriut në çfarëdo mënyre qoftë, nuk mund të shkapet nga barra e përplasjeve, e cila atë e bën të vëmendshëm apo edhe të detyrueshëm për ta kapur jetën mirë e rrast, por të cilën, dashtë apo pa dashtë, e vë në shumë binarë, që rrotullimin e ecjeve e shndërrojnë herë në dhembje, herë në krenari, herë-herë në filozofi, e herë në formulë historie, por shpeshherë të papërfunduar atë, apo të pa definuar deri në fund. Sepse, një gjë e tillë është e vështirë por edhe plot kureshtje të çuditshme… Edhe pse burimi i ujit, si jeta, e ka amën prej nga rrjedhë, ka shtratin nëpër të cilin përplaset e gjatë kësaj shkruan nga diçka për ecjen, por edhe heshtë e nuk tregon për diçka që përherë e ka në zemër e shpirt.
Janë këto elemente që pothuaj se kohës ia shtypin kokën për t’u hapur si kurorë, por edhe për të rrëfyer për gjithçka, e këto rrëfime kanë qenë të ndrydhura, apo edhe detyrueshëm janë shndërruar në mendim të ngujuar mendjeje. E, të gjitha këto, kuptohet, herë tkurrën, herë bymehen, e vetëm njëherë shpërthejnë. Këto gjëra mund t’i hasësh tek secili krijues, edhe tek ai që nuk shkruan, që nuk pikturon, që nuk këndon por edhe tek ai që nuk bën as histori”.
Ndërsa, tek shkrimi “Krijimtaria poetike e Malësisë së Gjakovë, dokument me peshë të veçantë për shndërrimin e vlerave krijuese në një gjeografi të mirëfilltë unike letrare kombëtare”, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, në mes tjerash vë në spikamë: “Toka dhe kombi shqiptar, historikisht, prej periudhe në periudhë, prej kohe në kohë, janë përplasur me njërën prej çështjeve në thelbësore të njeriut dhe të popullit, siç është liria, shtypja dhe copëtimi i atdheut dhe pengimi i zhvillimit të vlerave kulturore dhe shpirtërore. Dhe, kështu është penguar edhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i kombit, por edhe afirmimi i të gjitha vlerave, pra edhe i atyre krijuese.
Përkundër kësaj, përherë janë bërë përpjekje që të arrihet tërë ajo ç’është e mundur në të gjitha fushat e kulturës, pra edhe në letërsi, në mënyrë që forcohet trungu dhe vlerat tona intelektuale të marrin përmasa të gjëra dhe të shtresohen në të gjitha poret e jetës, por, edhe të mishërohen ato në vlerat e kulturave të vendeve të tjera të Evropës dhe botës. E gjithë kjo, sikur ka ecur zorshëm, për çfarë edhe letërsia kombëtare ka pësuar, mbase ka edhe tash një larushi vlerash, por edhe një segment shkëputjeje të tyre, që edhe sot e kësaj dite sikur ecën ngadalë apo pengohet afirmimi i njëtrajtshëm, i barabartë dhe cilësor i krijimtarisë në të gjitha viset, krahinat dhe qytetet njësoj. Kjo, është edhe aq më e rëndë por edhe theksuese, kur kemi parasysh se letërsia jonë është krijuar, bërë e afirmuar në kushte dhe rrafshe të ndryshme shoqërore dhe politike. Pra, e cila është kushtëzuar nga rrjedhat politike dhe historike si në vend ashtu edhe në rajon dhe më gjerë. Mu për këtë arsye, edhe krijuesit, por edhe krijimtaria përgjithësisht, sikur ndonjëherë i ka ngjarë diagramit herë poshtë e herë lartë, e ndonjëherë edhe refuzimit cilësor, gjithnjë duke pasur parasysh se në Shqipëri, në shtetin amë, janë krijuar vlera tjera krijuese letrare, të cilat kanë reflektuar edhe rrjedhat e zhvillimit tjetër shoqëror, krahasuar me atë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi por edhe në Luginën e Preshevës”.
Ndërsa në shkrimin analitik për librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” me seli në Suedi, autori i librit, “Gërshetimi krijues dhe urat letrare, Sejdi Berisha, në mes tjerash thekson: “Përherë dhe gjithmonë, kurbeti ka qenë, është dhe mbetët një nga plagët më të rënda të kombit, e cila ka një histori të gjatë e të begatë, por është edhe një rrugëtim me peshën e mallit shpirtëror për vendlindjen dhe për atdheun. E gjithë kjo, është madhështore dhe e ndritshme edhe për kontributin në afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike të kombit gjithandej vendeve të botës. Kjo ecje historike, asnjëherë nuk ka përfunduar, kurse, në disa periudha kohore, ka qenë fondamentale për shumë çështje, të cilat janë bërë madhore dhe janë afirmuar e bërë të pavdekshme pikërisht me angazhimin e njerëzve tanë që jetojnë e veprojnë anekënd botës.
Dua të them, se intelektualët të cilët kanë jetuar e jetojnë në diasporë, nuk kanë pushuar edhe as nuk pushojnë që me krijimtarinë, me shkrimet dhe me veprat e tyre të të gjitha llojeve e deri tek ato historike dhe shkencore, kanë arritur të ndrisin shumë periudha, shumë ngjarje, të zbardhin shumë dilema e paqartësi, të cilat, ndoshta edhe sot e kësaj dite ende na zvetënojnë historinë dhe peshën e rrjedhave të përgjithshme.
Dhe, për këtë gjë, kur mërgimtarët, me mall, me lumturi e krenari ia kanë mësyjnë vendlindjeve të tyre dhe atdheut të dashur, na bashkojnë për të bërë të ditur e për të shënuar të arritura nga shumë të mbërrima të tyre nëpër vite, decenie e shekuj. Pra, këtë madhështi e sjellë edhe një vepër me peshën e zemrës dhe të shpirtit, mendjes dhe të diturisë, e ky është libri i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” me seli në Suedi, që mbanë titullin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, vëllimi apo libri i tretë.
Drama “Obelisku pa adresë” dhe libri me poema “Fjala e gjakut” dy vepra me peshën dhe luftës për liri
Të theksojmë se shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, pos shumë veprave të tjera, ai ka shkruar edhe dramën “Obelisku pa adresë”, në të cilën e vë në spikamë temën shumë aktuale dhe gjithnjë të pa zvetënuar, eshtrat e luftëtarëve jo vetëm të kësaj kohe por edhe të të gjitha periudhave, por edhe të njerëzve që i gllabëron lufta.
Kjo dramë është përgatitur në Teatrin Profesional “Istref Begolli” të Qytetit të Pejës dhe në Teatrin e qytetit të Klinës dhe se një tematikë e tillë në çdo kohë aktuale është mirëpritur në shumë qytete dhe teatro ku është shfaqur edhe në Kosovë dhe jashtë saj. Bile, për realizimin e suksesshëm të “Obelisku pa adresë”, aktori Ismet Krasniqi Lala është shpërblyer disa herë, kurse teksti i dramës në festivalin në Drenas është shpallur teksti më i mirë. Kjo do të thotë se, S. Berisha është shumë aktual dhe krijimtaria me peshë e mesazh të qëndrueshëm. Këtë e dëshmon edhe libri me poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares, “Fjala e gjakut”, ku në formë popullore janë thurur poemat për të gjithë ata që ranë për atdhe në këto tri beteja.
Komentet