Kështu Sllobodan Milosheviqi, që më së shumti i ka kontribuar shkatërrimit të Jugosllavisë dhe zhvillimit të disa luftërave në këto hapësira, i kontestonte kategorikisht ndarjet brenda Jugosllavisë. Ai qysh më 1990-1991 deklaronte se “nuk ekzistojnë rrethanat as kushtet nën të cilat Serbia do të pranonte çfarëdo formule të ndarjes së popullit serb në më shumë shtete sovrane në kundërshtim me vullnetin e tij … sepse kufijtë administrativë nuk janë suaza në të cilat jetojnë popujt e veçantë, ato nuk mund të shpallen thjesht si kufij shtetërorë”, duke aluduar qartë se republikat që shkëputen nuk mund të mbajnë të gjitha “viset që janë gjendur në kufijtë administrativë të republikave ekzistuese.” (Helsinski odbor za ljudska prava u Srbiji, Kovanje antijugoslovenske zavere, knjiga 1 Beograd, 2006, str. 57-58).
Dobrica Qosiq, në shënimet e tij, më 30 janar 1999, fliste për “debolshevizimin e Kosoves” që ka dy përmbajtje qenësore, prej të cilave e para është “mospranimi i kufijve të tashëm të Kosovës.” Sipas Qosiqit “Krahina e Kosovës është de facto shteti i dytë shqiptar, i krijuar në territorin serb dhe jugosllav me Kushtetutën e 1974 dhe me përzënien gjenocidale të popullit serb, me përkrahjen e plotë të kreut politik të Jugosllavisë, koalicionit antiserb në Jugosllavi” (Dobrica Cosic, Kosovo, Novosti, 2004, str. 103; 57).
Ky kontestim ishte intensifikuar sidomos prej momentit kur kanë dështuar përpjekjet për centralizimin e Jugosllavisë nën dominimin serb, përmes “konstituimit të kombit unik jugoslav” (ngjashëm si ai amerikan), pra të krijimit të “kombit shtetëror”, i cili “definohet në bazë të shtetësisë e jo në bazë të etnisë”. Nacionalistët serbë e fajësonin Titon për këto zhvillime, sepse ai e kishte ndërprerë krijimin e kombit jugosllav kur në Kongresin e VIII të LKJ–së më 1964 kishte deklaruar “se nuk mund të jesh jugosllav për nga kombësia dhe se ai vetë është me kombësi kroat”.
Atëherë është paraqitur opsioni i (ri)krijimit të shtetit serb dhe ka filluar të flitej hapur se nëse popujt e Jugosllavisë nuk mund të merren vesh rreth formulës së rregullimit të ardhshëm (federatë e centralizuar ose konfederatë), atëherë do të imponohet domosdoshmërisht parashtrimi i çështjes së kufijve, ngase sipas tyre kufijtë AVNOJ-anë janë kufij administrativë, respektivisht kufij komunistë dhe si të tillë nuk janë legjitim. Sipas këtyre “kufijtë AVNOJ-anë ishin kufij komunistë, të përkohshëm, meqë nuk mbështeteshin (përveç Sllovenisë) në etni, në gjeopolitikë, në ekonomi, në komunikacion”.
Vetë ideologu kryesor i projektit të ripërtrirjes nacionale serbe Dobrica Qosiq “asnjëherë nuk i kishte pranuar kufijtë AVNOJ-anë” me arsyetimin se këta “nuk ishin legjitim as në kuptimin historik, as në kuptimin shtetëror-juridik, këta kufij janë përcaktuar me qëllime politike dhe kritere të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe me kushtetutën brioniane.” Qosiqi avokonte “të drejtën e popujve për vetëvendosje” (serbëve të Serbisë, të Kroacisë, të Bosnjë e Hercegovinës, të Kosovës dhe të Maqedonisë) e jo të njësive federale dhe promovonte idenë për ridefinimin e kufijve. Kjo kishte filluar me përpjekjet e Serbisë (të përkrahur nga Armata Popullore e Jugosllavisë) që të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974. Kjo ishte realizuar me ndryshimin e Kushtetutës republikane me 1989, me çka ishte anuluar pozita e veçantë e Krahinave Autonome, pra edhe e Kosovës. Në prag të fillimit të luftërave kur kishte “rënë regjimi komunist dhe dështuar komunizmi, propagohej se kufijtë AVNOJ-anë kishin humbur çfarëdo baze historike, e nuk kanë asnjë rregullsi ndërkombëtare-juridike”.
Duke u nisur nga kjo, theksohej se nuk mund të rrënohet rendi shoqëror, të cilin e kishte krijuar Partija Komuniste, e të “mos rrënohet edhe përcaktuesi historiko – politik i tyre – kufijtë AVNOJ-anë”. (Helsinski odbor za ljudska prava u Srbiji, Kovanje antijugoslovenske zavere, Knjiga 1, Beograd, 2006 str. 31-36; 44). Në projekt Deklaratën mbi Unitetin Nacional Serb, të miratuar më 8 prill 1991, Qosiq, Millorad Ekmeçiq dhe Matija Beqkoviq kishin shkruar shprehimisht se “kufijtë ekzistues ndërepublikanë nuk mund të konsideroheshin shtetërorë dhe të pandryshueshëm.” Sipas tyre, nëse rirregullohet Jugosllavia, “populli serb, në ato territore jashtë Republikës së Serbisë, ku përbën shumicën, vendos në mënyrë sovrane në cilin dhe çfarë shteti do të jetojë”. (Dobrica C, Beograd 2009, Liçna istorija jednog doba – Knjiga 3 Vreme raspada 1981-1991, str. 265-268.)
Kryetari i Komisionit për Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU), Antonije Isakoviq, në një intervistë të publikuar në “Intervju”, më 1 shtator 1989, e vajtonte fatin e Serbisë dhe Jugosllavisë unitariste, të cilën “lëvizja komuniste kishte qëllim kryesor ta copëtonte”. Ai lavdëronte tri bërthama që kishin kontribuar në transformimin e Serbisë (pas vdekjes së Titos): Francuska 7, Akademia e Shkencave e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Sipas tij Serbia ishte e mbërthyer dhe “nuk mund të lëvizë deri sa ekziston Kushtetuta e vjetër (Kushtetuta e 1974), sepse i kishim krahinat si barrë”.
Prandaj beteja kryesore zhvillohej rreth asaj se a do të jetë Jugosllavia federatë apo konfederatë. Para një perspektive të shndërrimit të Jugosllavisë në konfederatë, ky deklaronte se protagonistët e variantit të dytë “mashtrohen shumë nëse mendojnë se konfederata mund të ekzistojë në kuadër të këtyre kufijve” për të cilët ai (Isakoviq) nuk dinte “kush dhe kur dhe me cilin referendum dhe në cilin kuvend, realisht i ka krijuar” dhe për të cilët pyeteshin “si janë krijuar”. Këto ishin arsyet pse Isakoviqi këto i kualifikonte si “kufij të paligjshëm”. Sipas tij “konfederata nuk mund të ishte në këta kufij si të këtillë, ato duhet të ndryshohen …”(Antonije Isakovic, Govori i razgovori, Gornji Milanovac – Pristina, 1990, str. 340-356).
Për mundësinë e ndarjeve të reja, pra për ridefinim të kufijve në Jugosllavi kishte folur edhe akademiku serb Lubomir Tadiq. Në një shkrim të botuar në librin Kriza dhe “hegjemonizmi serbomadh”, Tadiq kritikonte “juristët perëndimorë nga Haga dhe Brukseli” dhe Bashkimin Evropian se kishin: a) pranuar të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje disa kombeve jugosllave, p.sh. popullit kroat dhe slloven, por jo edhe popullit serb: dhe b) se “arbitrazhi perëndimor” në rastin e Jugosllavisë kishte pranuar parimin e ndryshueshmërisë se kufijve të jashtëm të Jugosllavisë, e shprehimisht pandryshushmërinë e kufijve të brendshëm administrativë në mes të republikave jugosllave, e madje edhe krahinave autonome, të cilët i kishte qepur në mënyrë “arbitrare dhe të papërgjegjshme … oligarkia bolshevike në Jugosllavi” (Ljubomir Tadic, Kriza i “Velikosrpski hegemonizam”, Beograd, 2008, str. 113 – 114.)
Tadiqi kishte shpjeguar diçka që të gjithë e dinë, pos “ekspertëve” të Qeverisë së Kosovës, se për “kufijtë ekzistues pas luftës kishte vendosur kreu politik … Në këtë ka marrë pjesë edhe Milovan Gjilas. Këta kufij ishin arbitrarë. Në rast të ndarjes së Jugosllavisë, të gjitha çështjet duhet të hapen, sepse çështjet e kufijve nuk janë fakt i kryer”. (Ljubomir Tadic, Kriza i “Velikosrpski hegemonizam”, Beograd, 2008, str. 399).
Në një intervistë të botuar në “Politika”, më 16 gusht 1991, Tadiqi kishte thënë se “e drejta për shkëputje është parim bolshevik” në bazë të të cilit “në mbështetje në kushtetutë çdo pjesëz nacionale mund të kërkonte të drejtën për shtet sovran”, që e kishte shfrytëzuar “naciokracija shqiptare” duke kërkuar fillimisht “Kosova Republikë”. Sipas tij “në çdo rend kushtetues jobolshevik kërkesa e tillë do të konsiderohej akt i secesionit dhe menjëherë do t’i nënshtrohej sanksioneve më të ashpra”. (Ljubomir Tadic, op. cit., str. 500).
Edhe prijësi i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, i fajësonte komunistët që e kanë formuar Jugosllavinë “në baza antiserbe, ku Titoja dhe komunistët i kanë krijuar entitetet e brendshme (republikat) dhe kufijtë në dëm të serbëve.” Ai refuzonte kufijtë republikanë dhe betohej se “kur nuk do t’i pranojmë kufijtë që zullumqari dhe krimineli Josip Broz Tito kishte qepur brenda nëpër Jugosllavi.”
Sipas tij “shteti i ripërtrirë, i pavarur dhe i lirë serb në Ballkan do të përfshinte të gjitha tokat serbe, që do me thënë, përveç njësisë së sotme të ngushtuar federale serbe, edhe Maqedoninë serbe, Malin e Zi serb, Bosnjën serbe, Hercegovinen serbe, Dubrovnikun serb, Dalmacinë serbe, Kordunin serb, Likën serbe, Baninë serbe, Sllavoninë serbe dhe Baranjën serbe.” Ai thoshte “dëshirojmë kufirin serb Karlobag, Ogulin, Karlovac, Virovitica, e në anën tjetër janë Italianët.” (dr. Vojislav Seselj, Vatikan glavno satansko gnezdo, Beograd, 2006, str. 338-358).
Komentet