Pse shkon në Kishë, kur ti nuk beson në Zot?
Zoti, nuk voton, por kardinalët po, u përgjigj politikani i njohur italian Andreoti.
Kjo përgjigje ndoshta vlen për pyetjen: çfarë kërkojnë politikanët dhe qeveritarët në iftaret e besimtarëve myslimanë?
Edhe muaji i shenjtë i Ramazanit, një nga pesë shtyllat e besimit islam nuk i shpëtoi spektaklit (të shëmtuar) politik. Këtë vit shfaqja u rëndua për shkak se përkoi me fushatën zgjedhore.
Gjatë këtij muaji të shenjtë, asnjë thërrime bukë dhe asnjë pikë uji nuk kalon në gojën e agjëruesit nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij. Është vendim individual. Askush nuk të mbikëqyr. Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga ushqimi dhe pijet për një muaj të plotë, por ata që besojnë e bëjnë me lehtësi këtë akt devotshmërie dhe sakrifice për t’u afruar më shumë me Zotin. E bëjnë për të festuar dhe kujtuar shpalljen e Kuranit si një dhuratë ndaj njerëzimit.
Privimi nga ushqimi/pijet është një kujtesë për shoqërinë e sotme të konsumit se po konsumojmë më shumë se ç’duhet, është një kujtesë për ata që kanë se çfarë do të thotë të jesh i uritur/etur, është rast për të shprehur mirënjohjen për atë që ke, është një muaj që më shumë se për trupin besimtari kujdeset për “ushqimin” e shpirtit. Agjërimi ndërpritet në mbrëmje me iftarin. Iftari është një ngjarje festive kur ndahet me miq dhe familjarë. Pyetja është çfarë i bën bashkë në një tavolinë njerëzit që besojnë në Zot me ata që për Zot njohin vetëm pushtetin/paranë?
Çfarë kuptimi ka një iftar kur politikania/ministria shkruan në Facebook: “Këtë herë në iftarin e shtruar në respekt të besimtarëve të ZAZ 3, 4, 5,”? Të paktën ky është një deklarim i sinqertë, por më kulmi i hipokrizisë është kur dëgjon fjalime të bukura nga ata që urinë e provojnë vetëm kur është fjala për pushtet?! Dhe në këto raste të kujtohet proverbi: gjuha është për të fshehur mendimet!
Pse nuk lënë rast politikanët për të shkuar në xhami/teqe/kishë? Përgjigjen e jep historia e ri nisë së një intelektuali par excellence:
“Babai im me pyeti një ditë, kur isha mjaft i ri: A e di ti përse shkojnë njerëzit në kishë? Unë iu përgjigja: për të bërë shërbesat fetare.
– Jo, me tha babai, ata shkojnë për me pa dhe me u pa!”
Nuk ka qenë vetëm kjo hipokrizi arsyeja që 7 vite më parë Kisha Katolike ia mbylli derën politikanëve, pushtetarëve dhe ambasadorëve për Krishtlindje. “Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe e atyre që janë në skajet e shoqërisë tonë”.
Është koha që Komuniteti Mysliman, si komuniteti më i madh fetar në Shqipëri, të japë shembullin e tij, duke i mbyllur derën politikanëve/pushtetarëve në rastin e festave fetare. Le të jetë feja dhe politika si uji me vajin, të qëndrojnë bashkë, por pa u përzier me njëri tjetrin! Lë të marrë Çezari atë që i përket Çezarit dhe Zoti gjërat që i takojnë atij…
Nëse liderët e komuniteteve fetare bëhen urë që politikani të mbërrijë te votuesi i varfër, atëherë ata bëhen shkesë të një martesë toksike. Është koha për divorc/distancim sepse përndryshe produkti i kësaj “dashurie” do të jetë një koktejl i hipokrizisë dhe luftës për pushtet.