Bujar Kapexhiu, Artisti i shquar shqiptar multidimensional festoi më 22 mars 2024 – 80 vjetorin e lindjes!
Një jetë e mbushur me Art të bukur shqiptar, karikaturist që me penelin e tij kritikon dhe ironizon kohën ku jetojmë, pra mban qendrim me integritet si artist i shquar, nuk i mbyll sytë përpara asaj që sheh. Arti i tij do të jetojë me shekuj!
Voal.ch i uron Mastros shëndet dhe krijimtari të pandalshme plot dekada të tjera.
Më poshtë po sjellim një biografi të shkurtër të Artistit.
—
Bujar Kapexhiu (lindur më 22 mars 1944 në Tiranë) është regjisor, skenarist, karikaturist dhe aktor i mirënjohur shqiptar.
Kapexhiu studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të “shfaqjeve liberale dhe moderniste” në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Filmi “Zhgarravinat” (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979 ; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor ; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. “Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, 1986, “Tela për violinë”, 1987, “Stolat në park”, 1988, “Edhe ashtu, edhe kështu”, 1989.
Filmografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Dueli i heshtur[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
“Shumë njerëz mendojnë se unë jam ndëshkuar nga vetë personazhi i Bepinit”. Kështu e nis rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu. Nëse i rikthehemi kujtesës dhe ndalojmë në vitin 1967, vit kur Kapexhiu interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit, para syve na del një personazh mjaft interesant, i vërtetë, me “look” perëndimor dhe ide kundrarevolucionare. Një rol shumë impresionues, në kohën kur ishim mësuar të shihnim heronj të realizmit socialist, të fortë, të paepur, me bindje të pastra… Aq mirë është mishëruar ky rol sa të duket që vetë Bujari ka qenë i tillë, njëri prej atyre njerëzve që donin të kapërcenin kufirin.
“Aktorit i takon shpesh të interpretojë vetveten, mendon Bujari. Mesa duket, Bepini kishte një lloj ngjashmërie me mua në atë kohë, kishte rininë, aspiratat, dëshirat e mia. Madje ka edhe diçka interesante që ndodhi pas filmit. “Kur unë u dënova për të vajtur në prodhim, për tendenca moderniste, kryeredaktori i revistës “Hosteni” në atë kohë, Niko Nikolla, më thotë: “Ti Bujar e pësove pikërisht nga filmi. Sepse ata e kanë parë filmin dhe kanë thënë, përderisa luan kaq bukur, edhe ky duhet të jetë i poshtër me siguri, me këto mendime dhe këto tendenca”.
Ky ishte roli i parë i imi, asaj kohe isha student në vitin e katërt të Institutit të Arteve për aktor. Të them të drejtën si aktor, e kam pasur me shumë dëshirë teatrin. Teatrin e adhuroja dhe nuk mendoja se do të luaja në film, ndonëse këmbëngulja e regjisorit Dhimitër Anganosti më mbushi mendjen që unë duhet të interpretoj tek “dueli”. Aty jam munduar të bëj mjeshtri aktori. Ndoshta ky rol qëlloi i suksesshëm, pasi ka edhe një afërsi, ndoshta me moshën, aspiratat, dëshirat dhe kështu, përputhja e atij personazhi me veten time, bëri që Bepini të dukej, ashtu, i besueshëm, i pëlqyeshëm dhe i admirueshëm.
Aq më tepër që në atë periudhë, personazhet negative pëlqeheshin shumë, sepse thonin batuta që ndoshta i mendonin të gjithë, por nuk guxonin t’i shprehnin. Kurse ne si personazhe na lejohej që t’i deklaronim. Përshembull, aty ka batuta kur unë them: “Si është e mundur që doni ta ndërtoni socializmin me kuleçë ?”, ose kur pyes për atë vajzën në fotografi : “E keni dashnore kolektive ?”, ose kur shprehem për komisarin: “Burrë i pashëm kodoshi !”. Janë disa batuta që kanë ngelur edhe sot.
Atëherë punohej me një pasion të jashtëzakonshëm, vijon kujtimet e tij Bujar Kapexhiu, dhe punonim në kushte shumë të vështira. “Mendo, të udhëtosh me anije, që nuk është kollaj. Niseshim nga Durrësi dhe dilnim në det të hapur, sepse duhej që kamera kur të lëvizte, të mos kapte breg.
Të gjithë i zinte deti përveç Rikard Ljarjes dhe nuk e di pse. Mbase ngaqë kishte rol pozitiv”, shton duke qeshur. “Rikardi në atë kohë ishte edhe provokativ me ne, pasi na afrohej me cigare, na hidhte tymin në fytyrë, bënte zhurmën e të vjellës dhe ne të gjithë tmerroheshim nga kjo gjë, pasi na zinte vërtet deti. Por, vërtet që ruaj nostalgji për atë kohë. Për pasionin, për punën e bukur artistike që kemi bërë me regjisorin. Ishte një eksperiencë e re, e para në film dhe shumë interesante”.
Dy herë mat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pak kush e di që filmi komedi “Dy herë mat”, që mban autorësinë e Bujar Kapexhiut, fillimisht ka qenë ideuar për “Tre herë mat”. Ndërsa flet për komeditë që ka realizuar në vite, e gjithë fytyra i merr një pamje hareje. Duket se humori është argument për të cilin pëlqen të flasë pa fund. Që fëmijë thotë së ka pasur një prirje natyrore ndaj humorit, mbase të mbartur nga familja. Babai i tij, një burrë nga Dibra e Madhe me një humor fin dhe elegant, ndërsa e ëma, një korçare me shpirt të pasur artistik. “Nga e kam marrë unë humorin ?, përsërit pyetjen e bërë Kapexhiu… Epo, shpesh e kam thënë, nëse palosim në mes hartën e Shqipërisë, Dibra bie mbi Korçën, dhe unë nuk kisha nga dilja ndryshe…”
“Më pëlqente gjithmonë të bëja humor në shoqëri, familje”, kujton ai. “Interpretimi i filmit “Dy herë mat ka qenë edhe si një vazhdë e punës sime si regjisor në Estradën e Tiranës. Aty u caktova, sapo mbarova shkollën. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marë me humorin, si me shkrimet, ashtu edhe me regjinë. Kështu që kur shkova në Kinostudio, fillimisht shkrova një komedi e cila u pëlqye mjaft.
Atëherë isha piktor dhe skenarist i filmit vizatimor. Mirëpo dëshira ishte që të kaloja në filmin artistik. Ndaj shkrojta skenarin, që në atë kohë titullohej “Tre herë mat”. Por meqë filmi dilte shumë i gjatë, hoqëm një “mat” dhe e bëmë “Dy herë mat”. Por unë nuk e kisha menduar që do ta interpretoja vetë rolin kryesor të këtij filmi, e kisha taksur këtë rol për aktorin Agim Qirjaqi. Atë e kam pasur student në Institutin e Arteve dhe më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, si një student i rrallë dhe më vonë, si një aktor i mrekullueshëm.
Mirëpo kur kërkova Agimin, ai ishte i angazhuar në një film tjetër. Kështu që u vendos që këtë rol ta interpretoja unë. Padyshim nuk është lehtë që edhe të interpretosh, edhe të drejtosh. Gjithmonë duhet të kesh një sy tjetër që të shikon dhe të korrigjon. Por kam bashkëpunuar shumë me operatorin Lionel Konomi, i cili më ka ndihmuar në këtë drejtim dhe ka qenë ai që ka bërë syrin korrigjues gjatë filmit”.
Regji[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Edhe kështu, edhe ashtu (1989)
Stolat në park (1988)
Tela për violinë (1987)
Dy herë mat (1986)
Kallza e grurit (1976) vizatimor
Lisharësi (1976) vizatimor
Majlinda dhe zogu i vogël (1976) vizatimor
Pika e ujit (1976) vizatimor
Skenarë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Edhe kështu, edhe ashtu (1989)
Dy herë mat (1986)
Interpretime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Dy herë mat (1986) Ilo Pinci
I teti në bronz (1970) Spiro
Gjurma (1970)
Duel i heshtur (1967) Bepini