Keith S. Wilson [ ShBA, “Poet Afrilaçian”* ]
(pas poetit D. H. Lawrence)
të ta them, pra, se ekzistojmë?
erdhi përkujdesja e ndritshme,
blu dhe e bardhë.
policia si engjëj të qaravitur
për t’më bërë të hidhur.
dhe kështu, kjo: materia e errët
është hipotetike.
dije që s’mund të shihet
në pluhurin e barotit të lules,
në krimbin tek ngjitet betonit,
në njeriun që shtrëngohet t’mos flasë.
gojëmbyllja, oh gojëqepja.
sepse hija s’mund të frymojë.
hijet s’i privon fryma nga asgjëja.
krenaria
lind në të zezën dhe pastaj vdes në të.
e dëgjoj hijen tonë, dridhjen e ulët
të dorështrëngimit.
materia e errët është e padukshme.
ne vetë e themi: se si drita
lakohet rreth një trupi të zi,
dhe prapë s’do i shihni “aurat” e zeza,
madje dhe këtu, vetë duke jua thënë
qartë se ku ndodhen.
© K. Wilson – Burimi: “Field Notes on Ordinary Love” – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2020
* “Poet Afrilaçian” – (s. guraziu – maj 2020)
Në biografinë e poetit theksohet se K. Wilson është një “Poet Afrilaçian”, term ky i cili do duhej t’i sillte në pah kontributet kulturore, qoftë historike qoftë ato aktuale, të artistëve, poetëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve afro-amerikanë, në rajonin Appalachia të ShBA. Thuhet se termi “Affrilachia” qe krijuar nga poeti Frank X Walker, duke iu referuar rajonit Appalachia (varg-male që shtrihen në 13 shtete përgjatë bregut lindor të ShBA, nga Mississippi e deri në New York). Termi i kalitur nga ai do duhej ta theksonte rëndësinë e pranisë afro-amerikane në Appalachia.
Andaj “Afrilaçia” duhet parë si një peizazh kulturor (ndër-rajonal) për ta bërë të padukshmen të dukshme, peizash kulturor prore në zhvillim e sipër. “Afrilaçia” përfaqëson ndikimin kompleks ndërkulturor të një spektri njerëzish të cilët identifikohen fuqimisht me sfidat, me provat e triumfet e të qënit banor i këtij rajoni.
Sipas fjalëve nga ata vetë, që nga v. 1991 “Poetët Afrilaçianë” shkruajnë dhe veprojnë të organizuar, duke kundërshtuar bashkërisht stereotipin koherentë të një rajoni gjoja të homogjenizuar racialisht. Përmes shkrimeve dhe përmes ekzistencës së enklavës së tyre, “Poetët Afrilaçianë” vazhdojnë t’i zbulojnë marrëdhëniet që lidhin identitetin shoqëror me rrënjët dhe prejardhjen, shtresimin socio-ekonomik dhe ndikimin kulturor, si dhe lidhjen e qenësishme me tokën.