Nga Franco Benanti
Lufta e Dytë Botërore, pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë, në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990, e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh, janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jo komunistë, brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga” i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane, në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).
Mjekët, inxhinierët, gjeometrat, sipërmarrësit industrialë, dentistët, infermierët, farmacistët, agronomët, veterinerët, etj., mobilizoheshin në shërbim të qeverisë, të komandave ushtarake ose Këshillave Nacional-Çlirimtare të prefekturave, për nevojat e rindërtimit prej luftës dhe ndërtimit. Ata që kundërshtonin, konsideroheshin sabotatorë dhe dënoheshin me heqje të licencës, me burg 30 vjet, ose me vdekje.
Ligji i pestë kishte të bënte me rekuizimin e materialeve të ndërtimit (çimento, hekur, gëlqere, gizë), vajra lubrifikantë, produkte farmaceutike, mjete transporti (kuaj, gomarë, biçikleta, motoçikleta, automobila dhe pjesë ndërrimi), ushqime (miell, drithëra, sheqer, yndyrë etj) dhe gjithçka tjetër që mund t’i nevojitej ushtrisë.
Praktikisht rekuizohej gjithçka. Brenda 15 ditësh, pronarët shqiptarë e të huaj, duhej të denonconin pranë organeve të pushtetit atë që dispononin dhe ta dorëzonin vullnetarisht. Me 20 dhjetor 1945, ministri i Ekonomisë, Medar Shtylla, urdhëroi emërimin e komisarëve dhe kontrollorëve shtetërorë, pranë fabrikave industriale.
Ndihmesa e italanëve në rindërtim
Brenda një kohe të shkurtër, të gjitha rrugët kryesore të komunikacionit, u hapën për trafikun, po ashtu urat. Nga 3.200 metra linera ura, 2.500 metra u riparuan, falë duarve dhe mendjes së italianëve. Prandaj, 55 teknikë italianë u dekoruan me Urdhrin “Për Merita të Punës”. Në punë u aktivizuan edhe disa qindra ushtarë italianë, në pritje për t’u riatdhesuar. Bedri Spahiu, duke përuruar një urë pranë Tiranës, deklaroi se; “ne kemi luftuar fashizmin italian dhe jo popullin italian”.
Kosova e pushtuar nga titistët
Pas largimit të gjermanëve, Kosova u pushtua nga ushtria e Titos, që ushtroi një terror të vërtetë atje. Lëvizja irredentiste shqiptare në Kosovë, nën emrin “Besa Kombëtare”, nën udhëheqjen e disa patriotëve, si Ymer Berisha, Ejup Bunjaku, Haki Taha, Muharrem Bajraktari, etj., zhvilloi një rezistencë të fuqishme, por edhe u gjakos nga titistët. Prandaj Haki Taha më 1945, vrau në Prishtinë Miladin Popoviçin, në zyrën e tij.
Shumë nacionalistë u arrestuan, u pushkatuan në vend, ose u përndoqën egërsisht. Në korrik 1945, Muharrem Bajraktari shkruante midis të tjerash: “Në fund të luftës, popujt e tërë botës fituan paqen, ndërsa kombi shqiptar, për fat të keq, po vuan nën një terror të pashembullt, fitoren e komunistëve. Qeveria e Tiranës e emëruar nga Tito, është një shprehje e vullnetit pan-sllavist. Populli shqiptar është i privuar nga të drejtat e veta dhe po u nënshtrohet masakrave”.
Në spitalin e Korçës
Ditët e para të shërbimit në spitalin e Korçës, i kalova duke vizituar ambulatorisht partizanë shqiptarë. Drejtor i spitalit, ishte Koço Lubonja, ish mjek i Brigadës XX-të Sulmuese. Ai zëvendësoi doktor Polenën, që kish fituar shumë respekt në qytet. Shumë infermiere civile, u zëvendësuan me vajza partizane, pa asnjë përvojë në këtë fushë. Në qytet, takoja kolegë italianë. Atë kohë u krijua në Korçë, seksioni i Komitetit “Garibaldi”, që mbronte interesat e italianëve, të cilin e kryesonte ish komisari i Batalionit “Antonio Gramshi”, Alfredo d’Angelo.
Por ky u arrestua disa javë më pas me akuza qesharake. Shkoja edhe në Misionin Katolik të qytetit, që drejtohej nga prifti Ernesto Cassinari. Nëpërmjet një nëpunësi të UNRRA-s që shpërndante ndihma, arrita të çoj më në fund një letër me lajme për veten në shtëpinë time në Itali. Ndërkohë po përkeqësohej gjendja e bashkëkombësve të mi në Shqipëri. Sipas ligjit nr. 38, të 1 shkurtit 1945, u anulua marrëveshja me Bankën Kombëtare të Shqipërisë, që u shndërrua në Bankë të Shtetit Shqiptar dhe që përthithi aktivin dhe pasivin e bankës italiane. Personeli italian, u pushua pothuaj i tëri nga puna.
Në fund të dhjetorit 1944, arrestuan drejtorin administrativ të shoqërisë “Italstrada”, Tommaso Leonardi, të cilin një gjykatë ushtarake, pa i dhënë mundësi të mbrohej, e dënoi me pushkatim. Në çastin e vrasjes, në maj 1945, nuk lejuan as shërbimin e priftit. Disa javë më pas, arrestuan inxhinierët Andrea Tarasconin dhe Mario Catin, që gjithashtu u pushkatuan, një natë më pas gjyqit dhe u varrosën diku afër Beratit. Kriminelët u morën teshat e shtrenjta, madje kufomave, edhe dhëmbët e florinjtë.
Fat të ngjashëm, patën inxhinier Simoncini, drejtues i një kantieri në Shijak, vëllezërit Giuseppe dhe Renato Fassina, Mario Grossi dhe Giovanni Cantelli, pronarë të parqeve të transportit. Kjo situatë nxiti përpjekjet për një zgjidhje, për riatdhesimin e italianëve. Komiteti “Garibaldi”, shpejtoi arritjen e një marrëveshje ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Me 9 mars 1945, erdhi në Tiranë nënsekretari i Luftës, Mario Palermo, që nënshkroi me Enver Hoxhën një marrëveshje për riatdhesimin e italianëve. Midis këtyre të fundit, do ishin edhe 300 punonjës mjekësorë, që hoqën të zitë e ullirit, gjithë atë kohë terrori, përndjekjesh dhe dhune nga autoritetet shqiptare.
Po ashtu 20 mijë ushtarë, që duhej të imbarkoheshin në anije në portet e Durrësit dhe Vlorës. Një grup të sëmurësh, grash dhe fëmijësh, u transportuan me anë të ajrit. Por, rreth 800 italianë, u mbajtën për të shërbyer ende, në rindërtimin e vendit, duke punuar pa marrë frymë, me orë të zgjatura edhe ditët e festave, muaj të tërë.
Reforma Agrare dhe lufta kundër analfabetizmit
Qeveria konfiskoi tokat e bejlerëve të mëdhenj, si; Vërlaci, Biçaku, Vrioni, Vlora dhe Resuli. Këto toka do jua jepte menjëherë fshatarëve të varfër, për t’i shfrytëzuar derisa të bëhej Reforma Agrare. U anuluan marrëveshjet e vjetra ndërmjet pronarëve dhe argatëve, si dhe borxhet e prapambetura. Ligji për reformën, doli me 29 gusht 1945. Por toka e dhënë fshatarëve, mbeti në pronësi të shtetit, pasi fshatari s’kishte të drejta ta shiste, ta blinte, t’ia jepte tjetër kujt, për përdorim.
Ndërkohë qeveria u suall ashpër me kulakët, fshatarët e pasur që tentonin të ngatërronin punët e reformës, duke i quajtur sabotatorë. Dhjetë brigada partizane, u muarën me “qetësimin” e situatës, lexo: asgjësimin fizik të 2.000 kulakëve. Kuptohet me gjithë nxitjet e qeverisë për punë, rendimenti ra në shkallë e tillë, sa pllakosi uria, prandaj qeveria mori drithë nga Jugosllavia, rreth 25.000 tonë.
Problem tjetër ishte analfabetizmi, që përfshinte 80 % të popullsisë. Në gjithë vendin, kishte atë kohë vetëm 643 shkolla fillore dhe 11 të mesme. Më 1946, numri u rrit përkatësisht në 1097. U ndërtuan 512 shkolla të reja, “me kontribut vullnetar” nga populli. U përgatitën mësues me kurse të shpejta dhe me korrespondencë.
Kushtet e mësuesve ishin shumë të këqija. Mbaj mend një mësues në Korçë, që vuante nga zemra, e detyronin të jepte mësim ditën në Korçë, pasdite në Drenovë dhe në mbrëmje në Boboshticë. Ankesave të mësuesve te ministri, ky u kthehej duke i etiketuar si; “parazitë, simulantë, dembelë”. Analfabetizmi u zhduk njëzetë vjet më pas.
Epidemia e tifos ezantemike
Një natë marsi, sollën në spital një partizan të Divizionit V-të, që shërbente në brigjet e liqenit të Ohrit. Kishte ethe të forta dhe reflekse të shuara. Laboratori vërtetoi se ai kishte tifo petekiale. Kjo sëmundje, kishte pas shpërthyer shumë kohë më parë në Mal të Zi, Jugosllavi, ku kishte vepruar edhe Divizioni V-të. Pas rastit të parë, u shfaqën edhe shumë raste të tjera, në partizanët shqiptarë dhe italianë.
Mjeku shqiptar Gaqo Ballauri, që u mor me këta të sëmurë, u infektua vetë dhe vdiq në mes të muajit prill. Epidemia u përhap edhe në popullsinë e Korçës. Qeveria kërkoi ndihmë nga aleatët dhe nga jugosllavët. Këta të fundit, dërguan disa reparte anti- tifo dhe mjetesh dezinfektimi. Disa të rinj shqiptarë, u stërvitën fillimisht për këtë punë.
Këshilltarët jugosllavë, ngritën institucionet në Shqipëri
Jugosllavët ndikonin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, planet e tij operative-taktike dhe sillnin manualët ushtarakë. Një ekip i qeverisjes politike të Ushtrisë Jugosllave, organizoi strukturat partiake, në Ushtrinë Shqiptare. Nëpërmjet Vojo Srzentic, jugosllavët organizuan administratën shtetërore, ministritë e ndryshme, financat dhe ekonominë, si dhe gjithë shërbimet shtetërore, sipas modelit jugosllav.
Një ndihmë ata dhanë edhe në ngritjen e gjyqeve ushtarakë dhe civilë. Majori Tominsek, u mor me këtë çështje, duke sjellë eksperiencën e vet të marrë në gjyqet sovjetike, burgun e Ljubjankës dhe të tjerë moskovitë. Së fundi, jugosllavët ndihmuan në hartimin e kushtetutës dhe përgatitjen e zgjedhjeve. Si rrjedhojë, qeveria e Enver Hoxhës, merrte çdo direktivë, instruksion, plan, program dhe manual, nga qeveria jugosllave.
Isha dëshmitar kur në Korçë, kaloi një kolonë prej 400 “armiqsh të popullit”, që shkonte të punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Ishin midis tyre ish-anëtarë të partive nacionaliste, si ‘Balli Kombëtar’, ‘Legaliteti’, etj., si dhe një grup ushtarësh gjermanë, që nuk mundën të largoheshin dot nga Korça. 6000 vetë të tjerë, ishin dërguar për ndërtimin e rrugës; Kukës-Peshkopi, në veri të vendit. Përveç të dënuarve politikë, në këto lloj punësh, qeveria dërgonte dhe mijëra të rinj, si aksionistë.
Lufta ka mbaruar, por jo për ne!
Natën e 9 majit 1945, dëgjuam për përfundimin e luftës me Gjermaninë. Nga gëzimi, u mblodha me dy miq italianë, Bellodin, Costën dhe Fischionin, në shtëpinë e këtij të fundit. Shpresa për riatdhesim, tani po na dukej më e realizueshme. Por kaloi një muaj dhe asgjë e re.
Unë vijoja punën në spital, pa pushim. Një ditë shkova në zyrën e Dr. Lubonjës dhe iu luta të më jepte ndonjë ditë leje të shkoja në Tiranë, për t’u interesuar, pse nuk shkonin letrat e mia në familje. E pashë se nuk i pëlqeu të më jepte leje. Unë këmbëngula dhe ai më në fund, më dha leje, duke më paralajmëruar, se mund të mos shihesha me sy të mirë. Nga kush? Këtë do ta mësoja shumë shpejt.
Në kryeqytet, takova miq të tjerë italianë, profesor Lozzin, majorin Augi, Riccard Masnatën, Moffën, Eugenio Condorellin, Italo Vitin, Sempronin, Armenio Calirin, Domenico Caruson dhe Vincenzo Castiglionen. Biseduam për hallin tonë të përbashkët; rikthimin në atdhe. Takova disa autoritete, midis të cilëve edhe drejtorin e Shëndetësisë, Dr. Sherif Klosin, që e pata njohur në mars 1944, pranë Komandës së Sheperit dhe kolonel Beqir Ballukun, komandantin e Brigadës së Dytë Sulmuese.
Ky ishte bërë zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe qe mbuluar me yje e dekorata. Me veshjen që mbante, më dukej si portier i një hoteli luksoz në Perëndim. Pyetjeve të mia, të gjithë iu përgjigjeshin në mënyrë të përgjithshme. U ktheva në Korçë, zemër thyer. Për çudi, drejtori më thirri shpejt në zyrë dhe më komunikoi transferimin tim, pranë spitalit të Beratit. Të nesërmen shkova në Berat, ku takova kolegë të tjerë italianë. Me 20 korrik, më kërkuan urgjent në Delvinë, ku kishte rënë një epidemi malaria, me shumë raste vdekje.
Shpresonim që misioni konsullor italian me Turcatin në krye, që erdhi me 28 korrik, do bënte diçka për ne. Marrëveshja e Hoxhës me Palermon, na kishte lënë neve specialistëve në Shqipëri, me punë të detyruar. Të paguar keq, pa mundësi lidhje me familjet, me të cilat ishin ndarë shumë vite më parë, pa mundësi për t’u dërguar ndonjë ndihmë financiare. Sapo erdhi ai, u nisën për Itali, 800 ushtarë italianë, që i patën pezulluar në Vlorë dhe i kishin vënë në punë të detyruar.
Ishte tani radha e civilëve, për t’u riatdhesuar. Por autoritetet nxorën qindra pengesa, siç ishin intervistat e shumta, me përfaqësues të ministrive të ndryshme, me Prokurorinë, drejtorinë e Financës, Policinë, Shtabin Madhor të Ushtrisë, etj. Ndonëse afatet ligjore ishin dhjetë, ose 15 ditë, mjaftonte një gabim në njërën hallkë, që çdo gjë të përsëritej nga e para.
Doli edhe një yçkël tjetër. Për specialistët e nevojshëm, duhet të sillnin nga Italia një specialist me të njëjtin kualifikim, për zëvendësim. Por duke dëgjuar se çfarë po ndodhte në Shqipëri, cili italian vinte të punonte në Shqipëri? Kështu rreth një mijë italianë, duhet të qëndronin ende në Shqipëri.
Sa i takon atyre italianëve që ishin në burg, ose në hetuesi, ishte e vështirë t’i shpëtoje. Avokatët që kërkonin të respektoheshin afatet e gjykimit dhe paraburgimit, kërcënoheshin nga kryetarët e gjykatave, me pasoja të pakëndshme për ta. Shumë avokatë u arrestuan dhe u dënuan. Ndërkohë, vijuan arrestimet e italianëve të tjerë.
Një ligj i ri për tatimet e luftës 1939-1944 (nr. 37 i 13 qershorit 1945), rëndoi fort edhe mbi sipërmarrësit italianë. Taksa ishte 15 % për bizneset më të vogla, ose 100.000 franga dhe 80% për bizneset e mëdha. ose 4.000 000 franga. Caktimi i llojit të biznesit, ishte krejt arbitrar.
P.sh., vëllezërit Gambardella, kishin një agjensi detare. Herën e parë u taksuan me 90.000 franga shqiptare. Njëri vëlla shkoi në Itali, që të mbledhë paratë e kërkuara, ndërsa tjetri, mbeti peng këtu. Shuma iu arkëtua misionit ushtarak shqiptar në Bari. Por këtë likuidim të shpejtë, autoritetet e morën si një mundësi financiare të vëllezërve, prandaj i tatuan sërish me 2.200.000 franga, duke e mbajtur ende peng njërin vëlla. Paratë nuk mund të paguheshin dot dhe vëllai mbeti nën arrest.
Zgjedhjet për asamblenë kushtetuese
Siç thashë, shkova në Delvinë, ku Brigada XV-të ishte në gjendje të mjerueshme, për shkak të malaries. Pranë Delvinës është Saranda, një qytet piktoresk, përballë ishullit të Korfuzit. Kur je atje, ke përshtypjen e lirisë, për shkak të afërsisë së tokës greke.
Më 1945-ën, mijëra shqiptarë e kanë kaluar detin me not, për të ikur në Greqi. Por, kur policia kufitare arrinte t’i kapte ata, gjykata i dënonte jo si shkelës të kufirit, por si agjentë monarko-fashistë grekë. Kjo ishte një mënyrë, për të fshehur motivin e vërtetë të arratisjes.
Në jug të Sarandës, apo në rrafshinën e Palit, ishte një kamp i punës së detyruar, të cilin e pashë me sytë e mi, në fund të tetorit 1945. Duhet të ishin aty rreth tre mijë vetë. Kampi rrethohej me roje me mitraloza. Pas 12 orë pune, njerëzit shtriheshin të flinin mbi ca dërrasa, pa asnjë mbulojë. Shumë të burgosur vuanin nga skorbuti, uria, dizenteria dhe ezaurimenti i përgjithshëm.
Dua të nënvizoj se, që nga viti 1945, kampet e punës së detyruar do bëheshin një institucion shumë i rëndësishëm i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Zbatimi i planeve pesëvjeçare, do realizohej me punë prej skllavi, të kundërshtarëve politikë të vërtetë, ose të shpikur nga regjimi.
Me sakrificat e qytetarëve të panumërt, u thanë këneta dhe u bonifikuan toka, u hapën miniera dhe u ndërtuan shumë vepra industriale e banimi. Ky regjim, para syve tanë, po kryente po ato krime, sikurse dikur në Ausëitz, Buchenvald dhe Mauthausen. E pra këtë regjim, e lavdëronin disa qarqe politike në botë. Memorie.al
Mos ke ngateruar gje hekalin me varibopin?????