Pas vitit 1990 për Konferencën e Bujanit është shkruar dhe folur shumë. Janë mbajtur edhe dy konferenca shkencore mbi këtë konferencë, njëra në vitin 1994 dhe tjetra në vitin 2007. Ata persona që kanë dëshirë të kenë njohuri më tepër për këtë konferencë duhet të lexojnë librin Konferenca e Bujanit, botim i Institutit të Historisë në Prishtinë, botuar atje në vitin 1998.
Për konferencën e Bujanit unë kam shkruar një broshurë të vogël për një seminar që duhej të organizohej nga shoqata “Tropoja” në Tetor të vitit 2006.
Tani që po shkruaj për Beqirin e shoh të arësyeshme të shtoj diçka nga një këndvështrim tjetër sepse vazhdon fushata e shpifjeve dhe e mashtrimeve për gjoja shitjen e Kosovës nga komunistët në luftën e dytë botërore dhe abuzohet duke shkruar se kanë qënë pjesëmarrës ky apo ai person në këtë konferencë vetëm për të marrë merita që në fakt nuk i kanë. Kjo gjë më është dukur e padrejtë gjithmonë sepse përveç të tjerash është edhe një fallsifikim i historisë.
Konferenca e Bujanit u mbajt në shtëpinë e Sali Manit në fshatin Bujan të Krasniqes nga data 31 Dhjetor 1943 deri më datën 2 Janar 1944. Vendimi për mbajtjen e kësaj konference është marrë në mbledhjen e datës 4 deri 6 Nëntor 1943 në malin e Sharrit. Në këtë mbledhje janë caktuar personat të cilët duhet të marrin pjesë në konferencë dhe cilat zona përfaqësonin.
Sot më duket qesharake pretendimi se filani ka marrë pjesë në këtë konferencë mbasi ky filan duhej të përfaqësonte dikënd aty. Nga Nikaj Mërturi përfaqësues ka qënë Beqir Ndou kurse i ftuar, pa mandat delegati ka qënë edhe Pashko Paplekaj. Ky ndoshta u ftue atje si njeri me influencë në atë zonë për të ndihmuar luftën dhe si shok shkolle dhe i njohur nga organizatorët e Konferencës që kishin qënë në shkollën e Krumës dhe në gjimnazin e Shkodrës së bashku.
Të thuash se filani ka marrë pjesë në konferencën e Bujanit sepse ka qënë partizan i bataljonit të Sadik Bekteshit dhe ka bërë roje ose ka qënë guzhinjer i delegatëve kjo më duket marrëzi dhe qesharake.
Vendet për në konferencë kanë qënë të përcaktuara mirë, 63 delegatë. Kanë marrë pjesë 49 dhe janë përfaqësuar me autorizim edhe dy të tjerë, pjesmarrësit kanë firmosur rezolucionin dhe ai është i ruajtur dhe i publikuar. Ai që nuk ka firmosur si mund të ketë pretendime se ka qënë pjesëmarrës i konferencës?
Sipas kujtimeve të pjesëmarrësve këtë aktivitet e ka sponsorizuar Tefik Çanga, afarist nga Shkodra, ish prefekt i Ferizajit. Ai ka sjellë nga Gjakova materjalet e nevojshme për mbajtjen e gjithë atyre delegatëve dhe dhjetëra rojeve dhe veprimtarëve të tjerë për të gjitha ditët që ka zgjatur konferenca.
Sali Mani, i zoti i shtëpisë, ka dhënë shumë më tepër sesa shpenzimet e konferencës sepse ka rrezikuar t’i digjej shtëpia nga pushtuesi dhe t’i vriteshin meshkujt dhe familjarët e tjerë. Por ekonomikisht ai do të rëndohej shumë në qoftë se do të mbulonte edhe shpenzimet ekonomike të konferencës.
Më vonë, Tofik Çanga u var në litar mbasi u torturue në qytetin e Prizrenit. Prof. Fatmir Fehmiu, dëshmitar okular, tregon se e lidhën afër një shatërvani në Gjakovë me fytyrë nga dielli dhe e lanë pa i dhënë ujë për ta torturuar me etje. Në gjoks i kishin vënë një tabelë ku ishte shkruar BANDIT. Kështu përfundoi jeta e njërit nga firmëtarët e rezolucionit të Konferencës së Bujanit.
Beqir Ndou vetëm dy javë para se të vdiste na ka lënë të inçizuar konsideratat për Mbledhjen e Mukjes dhe për Konferencën e Bujanit. Citoj:
“Konferenca e Bujanit, sikurse dihet, u mbajt në fund të vitit 1943 dhe në fillim të 1944, aty morën pjesë nacionalista dhe komunista, por të parët ishin më shumë. Replika, ngatërrësa etj nuk pati sepse të gjithë ishim dakort me luftue kundër okupatorit deri në fund dhe Shqipëria e Kosova me u bashkue bashkë, pra ishim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Mirëpo këtu pati diskutime boll dhe nacionalista Kosovarë nga Plava, nga Gusia nga Gjilani, nga Prishtina, nga të gjithë vendet e Kosovës dhe ranë dokort përsa sipër thashë. Konferencën e Bujanit e organizoi Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste për Kosovën dhe Shtabi i Kosovës ku merrnin pjesë shqiptarë dhe serbo malazezë.
Asnjë kundërshtim nuk pati edhe nga serbo malazezët edhe ata ishin dakort dhe firmosën se Kosova mbas lufte të bashkohej më Shqipërinë. Është e para herë gjatë historisë sonë të vjetër dhe të përgjakur që shqiptarët dhe serbomalazezët bien dakort për çështjen e Kosovës dhe firmosin të gjithë rregullisht që kjo çështje të rregullohej në favor të bashkimit të Shqipërisë.
Këtu kanë marrë pjesë sikurse u tha shqiptarë nga Kosova dhe nga Malësia e Gjakovës si Mehmet Dermani, Veli Nimani, unë etj, dhe është formuar këshilli prej pesëdhjetë e tre vetave emrat e të cilave gjënden të shkruara në këtë dokument.
Po t’i dëgjosh gazetat dhe po t’i dëgjosh partitë sot flasin secili ndryshe për ndryshe. Thuhet se: ”Mukja u prish nga Partia Komuniste sepse nuk donin Jugosllavët”. Kjo nuk është e vërtetë. Mukja nuk e kanë dashur as nuk e kanë pranuar as partizanët më të thjeshtë dhe kundërshtonin duke i thënë si është e mundur se ne të konsideroheshim njësoj me Ballin Kombëtar i cili nuk ka luftue.
Kjo që them unë faktohet se katër muaj më vonë u mbajt Konferenca e Bujanit dhe nuk u fol si në Konferencën e Mukjes larg e larg për Shqipërinë etnike por u tha copë se Kosova të bashkohej me Shqipërinë mbas lufte, e pra Partia Komuniste nuk e ka luftuar Konferencën e Bujanit, dhe Dushani dhe Miladini edhe atëherë kanë qenë në Shqipëri.
Mirëpo Titoja nuk e pranoi Konferencën e Bujanit më vonë dhe ata shokë Jugusllavë që firmosën si sekretari i parë Paloka etj etj mbas çlirimit nuk i patën punët aq mirë. Sipas mendimit tim ngatërresa e Mukjes përveç të tjerave ishte për të mos ndarë pushtetin se partia nuk do me nda pushtetin me asnjë”
Më poshtë duke folur për mundësinë e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe Beqiri vetëm dy javë para vdekjes me 2 dhjetor 1995 ka parashikuar në mënyrë profetike se si do të shkojë puna e Kosovës, cilët janë aleatët dhe cilët ja kanë me hile. Citoj:
“Evropa Shqipërinë nuk e ka dashur kurrë. Edhe në kohën e Skënderbeut që kemi luftuar njëzet e pesë vjet për të mbrojtur Shqipërinë dhe Europën më shumë na kanë dërguar lavdërime dhe bekime sesa ndihma.
Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Evropa copëtoi pjesë të mëdha të Shqipërisë. Shqiptarët formuan Lidhjen Shqiptare në atë qytet dhe i kundërshtuan. Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni i ranë kryq e tërthorë Evropës por nuk e çau kush kokën për ta, as për të drejtat tona.
Më 1913 në Konferencën e Londrës Evropa na qethi fare, mori pjesët më të mira të Shqipërisë dhe mbeti kjo Shqipëri e vogël që është sot. Shkuan në Londër Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini por nuk e dëgjoi njeri zërin e tyre.
Më 1939 Evropa e njohu pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Bile kur e pyetën në Dhomën e Komunave kryeministrin anglez Çamberlenin tha se ne nuk kemi interesa në Shqipëri, domëthënë ja bëri për hajër Italisë pushtimin. Vetëm Rusia me anën e ministrit të jashtëm, Molotovit, e kundërshtoi pushtimin dhe tha se Bashkimi Sovjetik nuk do ta njohë kurrë një gjë të tillë.
Mbas çlirimit ne Evropa na la me lindjen. Kur u bë mbledhja e Jaltës me Stalinin, Ruzveltin dhe Çërçillin Shqipëria pa iu përmendur emri fare është caktuar si zonë e influencës së Bashkimit Sovjetik pra gjithë Europa Juglindore me përjashtim të Greqisë. Greqia u la nën influencën e perëndimit.
Më 1992 prapë në Konferencën e Londrës ne dërguam ministrin e jashtëm dhe aty u fol për Kosovën por asgjë me rëndësi nuk u vendos por u këshilluan serbët që t’u japin më shumë të drejta shqiptarëve, domëthënë vetëm u këshilluan serbët që të sillen më mirë më shqiptarët që e përkthyer në shqip do të thotë “me i rrah më pak”. Prandaj edhe këtë rradhë nuk u krye gjë.
Unë mendoj se pak shpresë për Shqipërinë dhe Kosovën nga Fuqitë e Mëdha duhet ta kemi tek Amerika dhe tek Gjermania sepse Uillsoni ish president i Shteteve të Bashkuara mbas Luftës së Parë Botërore na ka ndihmuar sepse do të copëtoheshim fare. Ai me katërmbëdhjetë pikat e tija e ndaloi Evropën që ta copëtonte Shqipërinë, dhe për këtë populli shqiptar i ka kënduar edhe këngë.
Gjithashtu edhe Gjermania dhe Austro -Hungaria na kanë ndihmuar në vitet 1912- 1913, natyrisht edhe për interesat e tyre sepse ne nuk ishim sllavë dhe shumica myslimanë, pra jo ortodoksë.
Gjermania është shtet i madh në Europë, asaj i ecën fjala dhe qiriun e madh ajo e ndez. Duhet të ketë disa interesa që Shqipëria të rrojë dhe kohët e fundit ka folur fjalë të mira për Kosovën. Po kështu edhe Amerika. Amerikës në qofte se i intereson me patur një vend aleat në Ballkan, mendoj se do ta ndihmojë Shqipërinë edhe Kosovën, pra në qoftë se ka interesa, sepse duhet ditur se në politikë dhe në tregëti nuk ka mëshirë as drejtësi, ka vetëm interesa. Shtetet e tjera të Europës kanë më shumë ë interesa tek sllavët si serbët dhe të tjerë se sa tek ne. Jam i mendimit se me këto dy vende të jemi më afër dhe të shpresojmë”.
Dhe Beqirit i dolën pikë për pikë parashikimet. Së pari Shtetet e Bashkuara dhe së dyti Gjermania ishin mbështetësit më të mëdhej të aspiratave të kosovarëve për çlirim kombëtar. Bombarduan Serbinë për Kosovën dhe po bëjnë shpenzime financiare kolosale për mbajtjen në këmbë të shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës.
Por njëkohësisht njohja e Kosovës shtet i pavarur në vitin 2008 nxorri në pah propogandën e paskrupullt dhe abuzimet marramendëse që u bënë dhe vazhdojnë të bëhen akoma për “shitjen e Kosovës nga komunistët”.
Po radhitim disa argumenta që besoj se do të jenë fort bindës se në vitin 1944 dhe 1945 Kosova nuk mund t’i shkëputej Serbisë dhe t’i bashkangjitej Shqipërisë.
1 – Me anë të forcës, në raport Shqipëri Jugosllavi, pa ndërhyrje ndërkombëtare ne do ta kishim patur të pamundur marrjen e Kosovës. Shqipëria në atë kohë kishte një miljon e dyzet mijë banorë (sipas regjistrimit të vitit 1945) dhe Jugosllavia ishte më shumë se dymbëdhjetë miljon.
Pra raportet njerëzore ishin në disfavor. Ne ishim pa suport as ekonomik as ushtarak për të vazhduar një luftë. Jugosllavët kishin ekonomi dhe industri civile dhe ushtarake të zhvilluar dhe stoqe armësh sa të duesh nga Jugosllavia e paraluftës.
2 – Me ndërkombëtarizim të problemit. Ne nuk kishim asnjë mbështetje ndërkombëtare. Qeveria e Zogut e paraluftës nuk ekzistonte më kurse qeveria e re e shqipërisë nuk kishte njohje ndërkombëtare. Ajo u njoh nga Kombet e Bashkuara vetëm në vitin 1955 me mbështetje të fortë të Rusisë.
Në vitin 1945 Jugosllavia kishte njohje dhe mbështetje ndërkombëtare nga lindja dhe nga perëndimi. Ajo ishte nën influencën ruse por mobilizoi në luftë kundër fuqive të boshtit mbi 300 mijë forca dhe humbi në këtë luftë një miljon e tetqindmijë njerëz duke u radhitur e treta në fuqitë aleate për humbjet në njerëz.
Vetëm disa muaj kishin kaluar nga marrëveshja e fundit e aleatëve ku ishte vendosur të mos njiheshin kufijtë e ndryshuar me dhunë dhe Shqipëria ishte caktuar në zonën ruse të influencës. Në fakt perëndimi ishte i spostuar sipas marrëveshjes kurse Rusia në mes të një Jugosllavie të fortë dhe të një Shqipërie të dobët gati inekzistente do të suportonte Jugosllavinë ashtu siç po e suporton edhe sot e kësaje dite në vitin 2011.
Hyrja e Shqipërisë në një aventurë të tillë do tu jepte klaneve serbe një argument dhe pretekst më tepër për të shfarosur dhe shpërngulur përfundimisht shqiptarët nga Kosova.
3 – Organizatorët e Konferencës së Bujanit përsa i përket varësisë partiake kan veprue si një pol i tretë midis PKJ she PKSH. Pjesëmarrësit në këtë konferencë kryesisht ishin shqiptar, dhe ishin formuar si kuadro dhe si komunistë në shqipëri. Ata që qenë shtetas të Shqipërisë nuk i pyetën organet drejtuese të PKSH se a duhet të mbahet apo jo kjo konferencë dhe çfar duhet të thuhet në të.
Po ashtu, edhe komunistët kosovar me shtetësi Jugosllave nuk u morën leje organeve drejtuese të PKJ se a duhet mbajtur kjo konferencë dhe çfar duhet vendosur aty. Pra për organizimin dhe vendimet që u morën në konferencë pjesëmarrësit kan vepruar si një parlament me përfaqësues të zgjedhur nga zonat veriore të Shqipërisë pa një udhëheqje të qartë partiake ose shtetërore.
Ata vepruan si atdhetar dhe shqiptar të vërtetë. Pse të tjerët e tradhëtuen çeshtjen shqiptare dhe nuk u arritën të përmbusheshin ato vendime që u morën aty, kjo nuk është faji i atyre që organizuan dhe mbajtën konferencën.
4 – Sot, kur të gjithë fuqitë kryesore të botës po njohin dhe po mbështetin Kosovën ka një qëndresë të fuqishme nga forcat e kundërta për të mos e njohur shtetin e ri të Kosovës.
Për shkëputjen e Kosovës nga kthetrat serbe u deshën avionët e NATOS dhe një koalicion i fuqishëm ndërkombëtar dhe një luftë që aleatëve ndërkombëtar u kushtonte 500 miljon dollarë në ditë për aq kohë sa zgjati konflikti i armatosur. Në rast të një sulmi të Shqipërisë kundër Serbisë në atë kohë ku do t’i gjente fondet e nevojshme Shqipëria për vazhdimin e luftës?
Dhe megjithë një angazhim të tillë të forcave ndërkombëtare prap ka rezistencë, prap ka pengesa për shkëputjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Serbia e mbështetur nga Rusia po bën çështë e mundur për të mos njohur shkëputjen e Kosovës nga ana e Kombeve të Bashkuara. Për përballimine këtij presioni janë të angazhuara gjashtë fuqitë e mëdha, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia si edhe shumë shtete të tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Këto fakte besoj se bindin çdo njeri me arësye të shëndoshë se tentativa për shkëputjen e Kosovës nga serbia dhe bashkimi i sajë me shqipërinë mbas luftës së dytë botërore në vitet 1944- 45 do të kishte qënë një aventurë me pasoja shumë të rënda për të gjithë kombin shqiptar. Ata, pjesëmarrësit e konferencës së Bujanit bënë çfar patën mundësi dhe për mendimin tim janë të paqortueshëm për veprimin që kryen në dobi të çeshtjes kombëtare.
Megjithë rëndësinë shumë të madhe që pati kjo konferencë për vendimet që u morën aty dhe për ndikimin në masat e gjera të popullsisë së zonave veriore të Shqipërisë dhe posaçërisht të asaj të Kosovës për rreth dyzet vjet është konsideruar si tabu të flitet për të si nga ana e qeverisë së Shqipërisë ashtu dhe të asaj të ish Jugosllavisë.
Nga materialet që kemi në dorë tani pas rreth shtatëdhjetë vjetësh na rezulton se udhëheqësi jugosllav Tito kur u njoftua zyrtarisht pak kohë pas kësajë konference, kishte thënë se “Është e parakohëshme” kurse në gazetën “Zëri i Popullit” në numrin e datës 7 shkurt 1944 është përshëndetur kjo Konferencë për mbajtjen dhe për vendimet e marra në të. Po në muajin shkurt 1944 u botua edhe një pjesë e rezolutës së Konferencës në gazetën “Bashkimi”, një gazetë e kohës e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Pastaj, haptas nuk është folur më për të deri në vitin 1981 kur populli dhe rinia Kosovare u ngritën në demostrata të fuqishme kundër dhunës serbe. Me këtë rast nga qeveria shqiptare e asajë kohe është përdorur kjo konferencë si një material relike në funksion të propogandës kundër ish Jugosllavisë për ngjarjet që po ndodhnin atje.
Është përmendur në disa artikuj redaksional të gazetës “Zëri i Popullit” në numrat e asajë kohe ku flitej për vrasjet dhe dhunimin e studentëve dhe rinisë Kosovare të ngritur në këmbë për çlirim kombëtar. Por kjo nxjerrje e vonuar nga sirtari i dokumenteve të kësaj konference praktikisht nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe.
Nga dokumentat që kemi mbledhur rezulton që kjo konferencë të jetë marrë në analizë pesë herë nga senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa herë nga parlamentet e Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë.
Kjo nuk ka ndodhur rastësisht por sa herë që janë marrë në analizë nga këto vende problemet e çështjes ballkanike ka dalë edhe problemi shqiptar, posaçërisht ai i Kosovës dhe i Konferencës së Bujanit. Në dhjetor të vitit 1988 Dhoma Federative e Kuvendit të Jugosllavisë, një nga organet më të larta shtetërore të ish Jugosllavisë ka marrë vendimin absurd që pas dyzet e katër vjetësh “të anullohej Rezoluta e Konferencës së Bujanit”.
Kjo tregon se Konferenca e Bujanit kishte akoma mbas dyzet e katër vjetësh vlera të cilat duheshin shkatërruar. Do të mjaftonte ky prezentim i kësaj konference për të treguar rëndësinë e saj.
Tani do të japim një material përmbledhës për të sqaruar tre momente të rëndësishme:
- Rrethanat në të cilat u mbajt Konferenca e Bujanit;
- Roli i saj në masivizimin e luftës në Kosovë;
- Përparësitë dhe mangësitë e saj.
- Rrethanat politike dhe ushtarake dhe situata ndërkombëtare në të cilat u organizua mbajtja e kësaj Konference kanë qenë këto:
– Më 14 Gusht 1941 ishte mbajtur Karta e Atlantikut në Njufaundlend të Argjentinës ku ishin marrë disa vendime të rëndësishme midis të tjerash për kufijtë e pasluftës midis shteteve ndërluftuese.
– Më datat 1 dhe 2 gusht 1943 u nënshkrua Marrëveshja e Mukjes e cila më vonë nuk u njoh nga krerët e PKSH dhe të Luftës Nacionalçlirimtare. Në këtë mbledhje ishte pranuar dhe firmosur nga të gjitha palët bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
– Më datë 5 shtator 1943 përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë Hitleriane Z. Nojbaher me Z. Xhafer Deva në Beograd firmosën një marrëveshje dhe i dhanë sigurimet e shtetit gjerman ndër të tjera edhe për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare me shtetin shqiptar të vitit 1913.
– Më dt. 8 shtator 1943 kapitulloi Italia Fashiste.
– Më 16 shtator 1943 u mbajt Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nën patronatin gjerman që konfirmonte bashkimin kombëtar të Shqipërisë.
– Më 13 tetor 1943 Parlamenti Shqiptar i njohur nga pushtuesit gjerman kishte vendosur “Bashkimin e tokave shqiptare nën ish Jugosllavi me shtetin e ri shqiptar të formuar mbas kapitullimit të Italisë, të deklaruar si të pavarur dhe neutral”.
– Më datën 4, 5 dhe 6 nëntor 1943 në malin Sharr të Kosovës u mbajt mbledhja e Këshillimit të Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit. Në këtë mbledhje ishte marrë vendimi për formimin e Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar.
– Më datë 28- 30 nëntor 1943 u mbajt konferenca e AVNOJ- it
– Më 4 dhjetor 1943, udhëheqësi jugosllav Tito duke folur para gazetarëve anglezë për marrëdhëniet me Frontin Nacionalçlirimtar, në pjesën për Kosovën kishte deklaruar se “ardhmëria e Kosovës do të rregullohet me plebishit dhe kufijtë, nëse është nevoja, do të rregullohen në të mirë të Shqipërisë”.
Në këto rrethana më datën 31 dhjetor 1943 deri më datën 2 janar 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit. Arësyet që kjo konferencë u mbajt në Tropojë dhe pikërisht në fshatin Bujan, janë sepse në territorin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit nuk kishte asnjë zonë të lirë. Këtu kishte një siguri më të madhe se ajo nuk do të ndërpritej nga ndonjë sulm armik gjerman.
Shtëpia e Sali Manit u zgjodh jo rastësisht për të bërë këtë mbledhje por sepse ai ishte bajraktar i Krasniqes dhe me një reputacion shumë të madh në popull. Kjo përforcohej edhe më tepër nga fakti se ai kishte marrë pjesë krahas me Bajram Currin në qendresën kundër regjimit të Zogut dhe kishte ndenjur rreth nëntë vjet si emigrant jashtë atdheut të tij.
Bajram Curri ishte strehuar nga Sali Mani dhe i kishte qëndruar në krah së bashku me meshkujt e tij deri në momentin e vrasjes nga forcat zogiste më 29 mars 1925. Pra, ishte njeriu i besuar në vendin e përshtatshëm. Sipas Fadil Hoxhës në një artikull të botuar në fletushkën partizane “Liria- Sloboda”, kjo konferencë mund të mblidhej vetëm në Malësinë e Gjakovës dhe jo në Kosovë mbasi masat e gjera të popullit vazhdonin ta quanin LÇA si lëvizje joshqiptare. Ishte edhe kjo një arsye më shumë ë që kjo konferencë të mbahej këtu. Në konferenc siç dihet morën pjesë 49 delegatë nga 63 që ishin të ftuar.
Në konferencë ishte i ftuar edhe përfaqësuesi anglez Z. Hendzi (Reginald Hibert, Fitorja e Hidhur, faqe 142) i cili e përshëndeti konferencën dhe deklaroi se shteti i tij do të ishte aleat i LANÇ. Konferencën e përshëndetën Z. Xhevdet Doda delegat i Brigadës Kosovare- Maqedonase, i cili mbajti edhe fjalën e hapjes, pastaj përshëndeti Z. Fadil Hoxha, komandant i Shtabit Kryesor të UNÇ dhe AP për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit.
Përshëndetje për Konferencën bëri Z. Pavle Joviçeviçi në emër të Komitetit Krahinor të PK, Z. Xhafer Vokshi në emër të Rinisë Antifashiste, Znj. Sabrije Vokshi në emër të Frontit Antifashist të Grave dhe në emër të Këshillit Nacionalçlirimtar të Krasniqes Z. Mehmet Bajraktari. Pas përshëndetjeve të rastit nga kryesitë e organizatave të ndryshme pjesëmarrëse u zgjodh Kryesia e Nderit e përbërë nga zotërinjtë Ruzvelt, Çerçill, Stalin dhe Enver Hoxha.
Janë të gjitha këto masa që flasin se me sa seriozitet ishte përgatitur kjo konferencë.
Në rezolucionin e saj kjo konferencë ka prekur shumë probleme të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi por pika kryesore për të cilën ajo është përmendur më së shumti është problemi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Pikërisht përkrahësit e saj e lavdërojnë për firmosjen nga të gjitha palët pjesëmarrëse që ishin më së shumëti nacionalistë dhe më pak komuniste, shqiptarë, serbë, maqedonas dhe malazezë. Ishte hera e parë në histori që të firmosej një dokument i tillë në favor të bashkimit të trojeve shqiptare me një pjesëmarrje kaq të gjerë. Kundërshtarët e kësaj konference e kritikojnë si një tubim komunistësh të drejtuar nga sllavokomunistët që sanksiononte vazhdimin e pushtimit të Kosovës nga Serbia.
Gjatë studimeve të mia jam ndeshur me mendime pro dhe kundër Konferencës së Bujanit, qëndrime që, sipas meje, nganjëherë kanë qenë tendencioze dhe ekstremiste. Pa i mbajtur hatrin dhe pa i ngrënë hakun asnjërës palë do të rreshtoj faktet që sipas mendimit tim vërtetojnë se kjo konferencë pati një rëndësi të madhe për Kosovën dhe për krejt kombin shqiptar.
Përsa i përket bashkimit kombëtar, në pamje të parë të duket se kjo konferencë nuk ishte e nevojshme mbasi ishte marrë një vendim i tillë më datën 16 shtator 1943 në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe në Parlamentin Shiptar më 13 tetor 1943. Në kuvendin e Prizrenit morën pjesë 42 përfaqësues nga Ohri, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Suhareka, Prizreni, Dragashi, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Mitrovica, Prishtina, Pazari i Ri, Sjenica, Rozhaja, Plava, Vuthajt, Gjakova, Malësia e Gjakovës dhe Tirana.
Kjo ngjarje nga regjimi komunist është etiketuar, sipas mendimit tim, në mënyrë të padrejtë si organizate tradhtare dhe pjesëmarrësit në të si tradhëtarë dhe kolaboracionistë. Në të vërtetë po ta shohësh realisht organizatorët dhe pjesëmarrësit e Lidhjës së Dytë të Prizrenit ishin atdhetarë dhe njerëz që e donin kombin dhe atdheun po aq sa pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit. Kështu që, sipas mendimit tim, etiketimi i tyre në historiografinë shqiptare të kohës së komunizmit, ka qenë tendencioz dhe i tepruar.
Por, po t’i analizojmë me gjakftohtësi faktet rezulton se megjithë dëshirën e mirë të organizatorëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe të parlamentit shqiptar të asaj kohe, ata kishin zgjedhur aleatin e gabuar i cili ishte i destinuar të humbiste luftën dhe do ta radhiste Shqipërinë përkrah boshtit nazifashist çka do të ishte një dëm i pallogaritshëm për çështjen kombëtare.
Në Kartën e Atlantikut dhe në takimet e tjera të aleatëve antifashiste ishte shkruar qartë se pas luftës nuk do të njiheshin ndryshimet e kufijve me anë të dhunës. Radhitja e Shqipërisë në anën e Gjermanisë dhe Italisë do t’i jepte pas lufte një argument shumë të fuqishëm shtetit të ardhshëm jugosllav për ta trajtuar Shqipërinë dhe posaçërisht kosovarët si bashkpunëtor të pushtuesit gjerman dhe Drazha Mihajlloviçit dhe do të kryenin një masakër të paparë mbi kosovarët dhe një spastrim etnik si atë që organizoi Millosheviçi në vitin 1998.
Mbas lufte, Jugosllavia llogaritej e treta për kontributin e dhënë në Luftën e Dytë Botërore me një milion e tëtqindmijë të vrarë në luftën kundër fuqive të boshtit, mbas Rusisë me njezët milion dhe Polonisë me gjashtë milion. Por falë Frontit Nacionalçlirimtar që u radhit krahas me aleatët, falë pjesëmarrjes në të të 8 brigadave kosovare me pesëdhjetë e tre mijë luftëtar kosovarë në Luftën Nacionalçlirimtare, falë gjakut të gjashtëmijë e dyqind dëshmorëve të Kosovës, falë faktit që Kosova u çlirua nga brigadat kosovare dhe shqiptare pa pjesëmarrjen e armatës jugosllave, pas luftës qeveria komuniste jugosllave e dalë nga lufta, nuk pati mundësi të bënte atë që në fakt kishte dashur të bënte.
U munduan të shfrytëzonin faktin se disa shqiptarë kishin bashkëpunuar me pushtuesit për t’u çliruar nga serbët, madje për vite të tëra pala jugosllave ka përdorur si argument edhe Lidhjen e Dytë të Prizrenit, si tendencë shqiptaromadhe etj.
Por lufta pa kompromis e shqiptarëve kundër fuqive të boshtit, ishte e njohur nga aleatët dhe ishte e pamundur që Shqipëria dhe kosovarët të trajtoheshin si palë e humbur dhe si kolaboracionistë me pushtuesit. Edhe pala antikomuniste gjatë pesëdhjet vjetëve i ka rënë borive të tradhtisë komuniste, të shitjes së Kosovës Jugosllavise etj. Konferencën e Bujanit e kanë quajtur një mashtrim të madh për shqiptarët.
Ngjarjet dhe faktet kurr nuk i kanë vërtetuar këto etiketime. Në situatën konkrete politike dhe ushtarake që ndodhej vendi ynë në atë kohë, qëndrimi i FNÇ dhe i Konferencës së Bujanit ka qenë i drejtë. Ata janë radhitur me aleatët kundër fuqive të boshtit. Nuk është faji i tyre, që pas lufte qeveria komuniste jugosllave e dalë nga Lufta e Dytë Botërore do të tradhtonte ato ideale që i kishte trumbetuar për njëzet e gjashtë vjet me radhë për bashkim vëllazërim dhe për zgjidhje të drejtë të çështjeve nacionale.
Nuk kishin faj as për faktin që në marrëveshjet e fshehta për interesat e tyre tre fuqite kryesore aleate e kishin caktuar që Shqipëria të ishte në zonën ruse të influencës. Përveç kësaj edhe trajtimi që i bënë aleatët perëndimorë si gjatë luftës dhe pas saj FNÇ dhe qeverisë komuniste shqiptare ishte në përputhje me politikën e tyre zyrtare që ishte antikomunizmi.
Duhet marrë në konsideratë që fuqitë perëndimore nuk e deshën qeverinë shqiptare sepse ajo ishte komuniste kurse qeveria sovjetike mbronte interesa e vëllait të saj të vogël, Serbisë. Vetëm mbas pozicionimit properëndimor të Jugosllavisë në vitin 1948, shteti Sovjetik u kujtua për gabimet që kishte bërë në trajtimin e Shqipërisë në raport me Jugosllavinë.
Shqipëria e pasluftës, në vitin 1945, pa asnjë potencial ushtarak, pa asnjë potencial ekonomik, me një ekonomi të shkatërruar nga lufta, me një popullsi që në atë kohe ishte rreth njëmilion e dyzetmijë banorë, nuk kishte asnjë mundësi ushtarake dhe nuk kishte asnjë mbështetje politike të jashtme që të mund të merrte Kosovën dhe të vinte në vend vendimet e Konferencës së Bujanit.
Zgjidhja që kishte menduar ustai jugosllav për çështjen shqiptare ka qenë që Shqipëria të ishte republikë e shtatë e Jugosllavisë dhe Kosova të ishte e bashkuar me Shqipërinë, por të dyja nën Jugosllavinë. Ngjarjet e ndodhura deri në vitin 1948 në Shqipëri, si vrasjet e tipit mafioz dhe vetvrasjet e ndodhura, zhvillimet politike dhe marrëdhëniet ekonomike me Jugosllavinë, tregojnë se ajo e kishte prapavijën e nevojshme ndërkombëtare dhe mbështetjen politike në vend për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë.
Kjo do të arrihej me një veprim të tipit mafioz si bashkimi i Austrisë dhe krahinës së Sudeteve me Gjermaninë nga Hitleri. Në qoftë se kjo nuk u arrit, nuk ka qenë meritë e qeverisë shqiptare ose e ndonjë personi të veçantë në parti apo në shtetin tonë në atë kohë, por thjeshtë një ngatërrim i llogarive titiste me sovjetikët. Janë të njohura nga të gjithë pazarllëqet e qeverisë sovjetike të Stalinit në dëm të popujve të tjerë si Austri, Çekosllavaki, Poloni, Letoni, Lituani, Estoni, Rumani etj.
Duke u bazuar në sa thamë më sipër, mund të themi me bindje se Konferenca e Bujanit ka qenë një veprim atdhetar i guximshëm dhe i menduar mirë që i ka shërbyer bashkimit të kombit shqiptar dhe shmangies së një masakre edhe më të madhe se ajo që bënë pas lufte serbosllavët mbi popullsinë e Kosovës. Konferenca e Bujanit i zhvilloi punimet dhe mori vendimet e saj të bazuara në Kartën e Atlantikut, vendimet e Konferencës së Moskës dhe Teheranit dhe në platformën dhe strategjinë e aleatëve për vendimet që do të merreshin mbas luftës.
Njëkohësisht firmosja e vendimeve dhe rezolutës nga pjesëmarresit e nacionaliteteve serb dhe malazez si dhe nga sekretari politik i PKJ për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, Pavle Jovanoviqi dhe komandanti i shtabit Kryesor të Aradhës Partizane të LANÇ Z. Fadil Hoxha nuk lenë shteg për manipulim se ajo që u vendos në Bujan ishte një mashtrim ose një qëndrim i njëanshëm shqiptaromadh.
Ky ishte një veprim i guximshëm atdhetar i bazuar në normat ndërkombëtare dhe konjukturat politike të kohës kur u mbajt. Kjo konferencë ja vështirësoi shumë punën qeverisë titiste të pasluftës për ripushtimin e Kosovës. Mbas lufte çetnikët serbë që në vend të stemës mbretërore në kapuçat e tyre kishin vendosur yllin partizan me pesë cepa, vranë dhe masakruan shumë ë kososvarë.
Në atë kohë ata nuk e kishin për gjë të deklaronin se: “kemi urdhër me vra 50% të popullsisë shqiptare”. I ndodhur në këto rrethana të vështira për veprim kundër shqiptarëve, rrethana që ishin krijuar nga lufta pa kompromis e partizanëve kosovarë dhe nga deskreditimi politik nga shkelja e vendimeve të Konferencës së Bujanit të firmosur edhe prej perfaqësuesve të pushtuesit serb, për të penguar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë u detyruan që më datën 8 shkurt 1945 të vendosnin në Kosovë regjimin ushtarak, duke krijuar parakushtet për aneksimin edhe njëherë të Kosovës.
Për t’u justifikuar në opinionin publik ndërkombëtar dhe për të ligjësuar ripushtimin e Kosovës, udhëheqja komuniste jugosllave në bashkëpunim me udhëheqjen ushtarake partiake në Kosovë, tashmë projugosllave (ata që kundërshtuan u spostuan ose u vranë në mënyrë tipike mafioze) organizuan sa për farsë politike më datën 8 deri 10 korrik të vitit 1945 Konferencën e Prizrenit, ku me forcën e armëve u mor vendimi për “bashkimin e Kosovës dhe të Metohisë me Republikën Federative të Serbisë brenda një Jugosllavie Federative demokratike dhe me statutin e Krahinës Autonome.”
Kjo konferencë ishte një hedhje poshtë e vendimeve të Konferencës së Bujanit e cila u miratua me tytat e armëve të drejtuara mbi të gjithë ata që kundërshtonin. Personalisht nuk besoj se asnjë shqiptar i çfarëdo formacioni politik që të ketë qenë në atë kohë të ketë qenë dakort me këtë ripushtim. Jam i predispozuar të besoj se shqiptarët qenë të pafuqishëm të përballonin ekspansionin e ri serb ndaj tokave shqiptare për arsyet që i kam shpjeguar pak më lart.
Sot të abuzosh me mendimin se dikush ka bërë pazar dhe i ka shitur interesat kombëtare Serbisë më duket një arsytim jo i drejtë dhe i pabazuar. Në vitin 1945 asnjë formacion politik ose ushtarak në Shqipëri nuk e kishte forcën, mundësinë as mjetet për të përballuar qeverinë komuniste jugosllave të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo gëzonte reputacion ndërkombëtar dhe mbështetje të dyfishtë si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi, mbështetje kjo që i mungonte Shqipërisë në ato vite.
– Roli i Konferencës së Bujanit në masivizimin e luftës në Kosovë
Rezoluta dhe proklamata që u firmosën në konferencë shumë shpejt u bënë të njohura në shtypin partizan të kohës. Fletushka partizane e Kosovës “Lirija- Sloboda” botoi Rezolutën, Proklamatën dhe telegramet e përshëndetjes në numrin e saj të janarit të vitit 1944 në disa qindra kopje, numër ky shumë më i madh se zakonisht.
Fletushka iu dërgua të gjitha organeve të pushtetit ushtarak të luftës në Kosovë dhe në raportet që dërgonin theksohej se Konferenca kishte patur jehonë të fuqishme si në radhët e përkrahësve dhe simpatizuesve, ashtu edhe në mesin e atyre që ende luhateshin dhe nuk i kishin të qarta qëllimet e Luftës Çlirimtare Antifashiste.
Vendimet e Konferencës patën miratimin e plotë të popullit dhe ndihmuan për mobilizimin e tij dhe zgjerimin dhe thellimin e luftës së armatosur në Kosovë më 1944. Në shtypin antifashist shqiptar, posaçërisht në gazetën “Bashkimi”, në buletinet dhe komunikatat e ndryshme, i bëhej thirrje popullit shqiptar të Kosovës që të hidhej me vendosmëri të madhe në luftën e armatosur përkrah popullit shqiptar dhe të atij të Jugosllavisë, si kusht i domosdoshëm për të fituar lirinë, pavarësinë dhe të drejtën e vetvendosjes. Gazeta “Bashkimi” e datës 5 shkurt 1944 shkruante: “Kosova e vërtetë ka filluar të zgjohet.
Ajo gjendet në luftë të ashpër me okupatorin gjerman dhe këlyshët e tij. Në Konferencën e Bujanit është përfaqësuar forca e gjallë e Kosovës, Kosova e vërtetë me traditat e saj luftarake dhe liridashëse, Kosova e Isa Boletinit, Bajram Currit, Asim Vokshit dhe Emin Durakut”.
Po kështu, më datën 3 qershor 1944, ministri i jashtëm i SHBA- ve Kordell Hull dhe senatori amerikan Peper, mbajtën nga një fjalim ku flisnin me simpati dhe përshëndesnin luftën e partizaneve shqiptar kundër pushtuesve gjerman dhe premtonin ndihma në armë dhe mbështetjen e tyre të plotë për këtë lufte. Edhe Çurçilli në parlamentin britanik më 4 nëntor 1944 duke folur për dëmet që gjermanët i kishin shkaktuar vendit tonë tha: “Neve dëshirojmë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e Boshtit dhe të zonjën prapë në indipendecën e saj”.
Populli i Kosovës, duke u bazuar në vendimet e Konferencës së Bujanit dhe garancitë për mbështetje të aleatëve, dha një ndihmesë të madhe dhe të rëndësishme për luftën antifashiste. Në 8 brigada kosovare dhe në njësitë e tjera ushtarake, u përfshinë 53000 kosovarë nga të cilët rreth 6200 prej tyre ranë dëshmorë.
Pas çlirimit të Kosovës, rreth 35000 partizanë kosovarë morën pjesë në luftimet për çlirimin e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Pas çlirimit të Kosovës nga nazifashistet, forca të mëdha ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase që gjendeshin nën komandën e Titos, duke mos u pajtuar me gjendjen, sidomos për përmbushjen e vendimeve të Konferencës së Bujanit, depërtuan me forcë në trojet shqiptare të Kosovës, duke inskenuar edhe konflikte të armatosura sa për të justifikuar masakrat, terrorin, dhunën dhe gjenocidin e tyre mbi popullsinë shqiptare të saj. Duke parë një tradhti të tillë nga ana e përfaqësuesve serbë dhe malazezë, trimi Shaban Polluzha me brigadën e tij, e cila më 23 janar 1945 numëronte 16 400 luftëtarë shqiptar, vendosi të mos largohej nga Kosova por të vazhdonte një luftë të pabarabartë me forcat serbe të pushtimit.
Shaban Polluzha qe i pari që ngriti krye kundër pushtuesve të rinj sllavokomuniste. Por mbi të ra dora e pamëshirshme e armatës juogosllave, që deri atëherë, të paktën me fjalë kishte qenë aleate.
Nga të gjitha trevat e Kosovës u mblodhën gjoja për ushtarakë mijëra djem e burra të Kosovës dhe të seleksionuar me kujdes nga pushtuesit e rinj u përzgjodhën disa mijëra prej tyre dhe u vranë në mënyrën më çnjerëzore në masakrën e Tivarit 4310 prej tyre, kurse në kazermën e Dubrovnikut u vranë duke i helmuar edhe 1340 të tjerë, pra sipas dëshmitarëve okularë të kohës 5650 persona të identifikuar mirë pa llogaritur edhe mijëra të tjerë që janë zhdukur në mënyrë mafioze, u masakruan dhe u zhdukën.
Pushteti ushtarak i asaj kohe në Shqipëri ka faj që nuk ka shprehur qartë protestën e tij kundër një masakre të tillë të paparë, kundër këtij gjenocidi të pashoq që po ushtrohej kundër popullsisë kosovare. Në librin e Fadil Hoxhës të botuar në vitin 2010 që është përmendur më sipër Masakra e Tivarit përmendet vetëm në faqen 320 dhe vetëm një rresht është shkruar për të. Fadili duhej ta kishte sqaruar më mirë këtë problem mbasi besoj se ka patur mundësi të siguronte njohuritë e nevojshme për ta bërë këtë gjë.
Vrasja e 132 shqiptarëve në Prishtinë në shkurt të vitit 1944 nga gjermanët, ku 104 prej tyre ishin nga trevat shqiptare të kufijve politikë kurse 28 ishin kosovarë, do të dukej një ngjarje e parëndësishme përpara masakrës së Tivarit dhe Dubrovnikut. Kështu po ua shpërblente armata jugosllave 53000 luftëtarëve dhe 6200 dëshmorëve kosovarë kontributin dhe gjakun e derdhur në luftën e përbashkët kundër pushtuesit fashist dhe atij nazist në pesë vjet lufte krah për krah me serbët dhe malazezët.
Ky ishte bashkim vëllazërimi aq i trumbetuar gjatë luftës nga shtabi komunist i armatës jugosllave.
– Përparësitë dhe mangësitë e Konferencës së Bujanit
Një përparësi e padiskutueshme e vendimeve të saj, qe fakti se ajo u radhit në krah të koalicionit botëror antifashist dhe të gjitha vendimet që u morën aty ishin në përputhje të plotë me Kartën e Atlantikut, me vendimet e konferencave të Moskës dhe Teheranit të mbajtura nga udhëheqësit aleat zotërinjtë Çurçill, Rusvelt dhe Stalin.
Po t’i përmbledhim shkurtazi në pika përparësitë dhe karakteristikat e veçanta të vendimeve të kësaj konference kanë qenë këto:
- E drejta e popullit shqiptar në Kosovë për vetvendosje deri në shkëputje, e sanksionuar në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, është shprehje e parimit të Kartës së Atlantikut sipas së cilës kombet e gëzojnë të drejtën e shkëputjes dhe krijimit të shtetit të pavarur.
- Në këto vendime në lidhje me Shqipërinë dhe Jugosllavinë Kosova nënkuptohet si një shtet i ardhshëm.
- Shprehja qartë dhe në mënyrë të prerë e kërkesave të drejta të shqiptarëve për vetvendosje dhe bashkim kombëtar.
- Pjesëmarrja e gjerë e kombësive të tjera dhe e organizatave të PKJ, frontit, gruas, rinisë dhe KNÇ të Shqipërisë.
- Firmosja pa kundërshtime nga të gjithë pjesëmarrësit e nacionaliteteve serbe, malazeze dhe maqedone.
- Kjo mbledhje mund të konsiderohet si parlamenti i parë pluralist i Kosovës dhe zgjedhja e Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit mund të konsiderohet si hapi i parë për një qeveri të pavarur në nivel të qeverisë së Shqipërisë dhe të asaj të Jugosllavisë.
Deri këtu puna e kësaj Konference është e paqortueshme.
Por mangësitë e saj nuk vonuan të shfaqen.
- Kryesia e dalë nga kjo Konferencë nuk qe në gjendje të mblidhej asnjëherë gjatë 18 muajve pasardhës.
- Nuk krijoi lidhje ndërkombëtare për të konfirmuar identitetin e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit si njësi e barabartë me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar Shqiptar dhe me Frontin Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë.
- Kur ajo bëri pas 18 muajve mbledhje e saj të dytë më 8 deri 10 korrik 1945 në Prizren, udhëheqja e kësaj Konfernce (ata që kishin mbetur gjallë) nën dhunën dhe terrorin e egër serbosllav u detyruan të ndryshonin rezolutën e miratuar dhe të formulonin një rezolutë të dytë me përmbajtjen që është cituar me sipër.
- Kryesia e dalë nga kjo Konferencë megjithëse nuk u mblodh për tetëmbëdhjetë muaj nuk qe në gjendje ta ndërkombëtarizonte çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe nuk qe e zonja as të siguronte mbështetjen e PKSH dhe UNÇSH dhe as të siguronte lidhjen dhe mbështetjen e forcave nacionaliste, posaçërisht të Shaban Polluzhës. Qëndrimi kaq i gjatë në pritje u dha mundësinë forcave serbosllave që në Prizren të ndryshonin vendimet e Konferencës së Bujanit duke ju dhënë këtyre ndryshimeve formë ligjore dhe legale paçka se u bënë me dhunë dhe terror.
Tani pas 70 vjetësh duke e parë zhvillimin e ngjarjeve me syrin e analistit është kollaj të nxjerrësh përfundime dhe të bësh kritika por në luftë komandantit i jepet rasti të marrë vendim vetëm një herë kurse analisti i interpreton ngjarjet me qetësi dhe si t’i dojë qejfi.
Atyre që pretendojnë se mund të ishte bërë në atë kohë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë më duhet të ju kujtoj se edhe sot e kësaj dite, në vitin 2011, asnjë faktor politik, parti apo shoqatë, nuk e ka të shpallur publikisht në programin e sajë “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.
Qeveritarët e Tiranës dhe të Prishtinës, bile edhe Albin Kurti i cili shquhet për qëndrim radikal për këtë problem nuk kanë guxuar të deklarohen krejt hapatas, qind për qind, se jemi për këtë bashkim. E pra, të kritikosh luftëtarët e luftës Nac. Çl. të cilët etiketohen si komunista në kuptimin më të keq që i jepet sot kësaj fjale nga kundërshtarët e tyre, pse nuk arritën t’i qëndronin kërkesës për bashkim kombëtar dhe pse nuk e realizuan atë më duket krejt e padrejtë.
Ju, kundërshtarë të komunistëve, pse nuk formoni sot një parti apo grupim politik dhe të kërkoni hapur bashkimin kombëtar dhe të na paraqitni edhe mënyrën se si duhet kryer ky bashkim. Kush ju ndalon sot ta bëni këtë. Sot është demokraci dhe mund të thuash çfarë të duash. Pse nuk e bëni këtë. Mos vallë e patën më kollaj Fadil Hoxha dhe Beqir Ndou me shokët e tyre ta kryenin këtë punë në vitin 1945 se sa e keni ju sot?.
Duke folur me konsideratat dhe respektin më të madh për ata burra që organizuan Konferencën e Bujanit njëkohësisht shpreh edhe keqardhje të madhe për faktin se me gjithë rëndësinë e madhe që pati kjo konferencë, vendimet e saj u zbatuan pjesërisht me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe me njohjen ndërkomëtare të shteteve kryesore të botës në vitin 2011 që ka arritur në 75 shtete.
Them pjesërisht sepse për ata që organizuan Konferencën e Bujanit dhe për të gjithë ne mbetet mangut edhe bashkimi i Kosovës me truallin mëmë, Shqipërinë. Ky është komenti im për këtë vepër madhore të luftës së dytë botërore që u realizua me inteligjencë dhe trimëri të pashoqe nga atdhetarët shqiptar në 31 Dhjetor 1943 deri me 2 Janar 1944 ku njëri nga kontribuesit kryesor dhe firmëtar i vendimeve të sajë ishte edhe Beqir Ndou.
Për t’u informuar më mirë mbi vendimet dhe pjesëmarrësit e kësajë konference lexuesi mund të shfrytëzojë këto botime:
1)Konferenca e Bujanit, Prishtinë 1998 botim i Institutit të Historisë,
2)Konferenca e Bujanit nga Gani Perolli, New York- 2002, 3) E Vërteta mbi Kosovën dhe Shqiptarët në Jugosllavi nga Akademia e Shkencave e RPS të Shipërisë, Tiranë 1990 dhe materjale të tjera. Për ata persona që duan të dinë diçka më tepër për këtë konferencë po shkruajmë emrat e pjesëmarrësve në të, profesionin dhe vendin nga vinte secili delegat.
Disa të dhëna të shkurtëra për Konferencën e Bujanit
Konferenca e mbajt në shtëpinë e Sali Manit në fshatin Bujan të Krasniqes nga data 31.12.1943 deri me datë 02.01.1944.
Ishin të ftuar 63 delegatë. Morën pjesë 49 dhe dy të tjerë, përkatësisht Millan Zeçar nga Retkoceri dhe Ali Shukrija student nga Mitrovica janë përfaqësuar me autorizim në Konferencë. Pra 51 veta konsiderohen pjesëmarrës. Nga këta 31 ishin anëtar të PK dhe 20 ishin patriot të pa organizuar në asnjë parti politike. Kjo konferencë zgjodhi KËSHILLIN NACIONALÇLIRIMTAR PËR KOSOVË DHE METOHI me këtë përbërje:
Kryesija e Këshillit e përbërë nga 9 persona si më poshtë:
1.Mehmet Hoxha, Kryetar, ish prefekt i Prizrenit, Dibrës dhe Elbasanit
2.Rifat Berisha, N/Kryetar, ish oficer i ushtrisë shqiptare dhe nënprefekt në Gjilan.
3.Pavle Joviçoviç, N/Kryetar, punëtor nga Peja
4.Xhevdet Doda, drejtor shkolle nga Prizreni
5.Fadil Hoxha, mësues nga Gjakova
6.Zekerija Rexha, profesor i filozofisë nga Gjakova, ish sekretar i Ministrisë së Arësimit në Tiranë, njëri nga hartuesit e Rezolutës së Konferencës së Bujanit.
7.Ali Shukriu, ish student nga Mitrovica.
8.Millan Zeçar, kolon nga Herzegovina, bujk nga komuna e Ferizajit.
9.Hajdar Dushi, nëpunës banke në Prishtinë.
Anëtarët e Këshillit që janë zgjedhur:
1.Ismail Gjinali, ish oficer i ushtrisë turke nga Prizreni.
2.Tefik Çanga, gjimnazist nga Shkodra, biznesmen, njëri nga sponsorët e konferencës.
3.Qamil Luzha, ish nënprefekt në Istog.
4.Xheladin Hana, mësues nga Gjakova, njëri nga hartuesit e rezolutës.
5.Ismet Shaqiri, mësues nga Peja.
6.Adem Myftari, përfaqësues i Drenicës në konferencë.
7.Halil Haxhija, përfaqësues i Drenicës në konferencë.
8.Xhevat Tahiri, bujk nga Sojeva e Ferizajit.
9.Ymer Pula, gjimnazist nga Gjakova.
10.Ethem Zurunxhiu, rrobaqepës nga Prizreni.
11.Din Bajraktari, ish kapiten i ushtrisë shqiptare, nga Gashi i Tropojës.
- Nexhat Basha, inxhinjer nga Peja
13.Bejto Shahmanoviq, nga Peja
14.Milan Miçkoviqi, nëpunës hekurudhe nga Peja.
15.Zymer Halili, nga Martinajt e Plavës.
16.Mehmet Dermani, nga Vuthajt e Plavës, ish sekretar komune në Bec.
17.Qamil Brovina, gjimnazist nga Gjakova.
18.Gani Çavdarbasha, gjimnazist nga Gjakova.
19.Sulë B. Alaj, bujk nga Drenoci i Deçanit.
20.Shaban Kajtazi, nëpunës nga Ferizaji.
21.Ferid Perolli, nëpunës nga Prizreni.
22.Haxhi Morina, ish kryetar komune në Ponoshec të Gjakovës.
- Ismail Isufi, tregtar nga Prishtina.
- Sabrie Vokshi, aktiviste nga Gjakova.
- Velisha Mickoviqi, kolonist, bujk nga Peja.
- Lubomir Caniq, zejtar nga Prishtina.
- Abdyl Kerim Ibrahimi, ish zëvëndës prokuror nga Prishtina.
- Spira Veliçkoviqi, bujk nga Ferizaji.
- Xhavit Nimani, mësues nga Gjakova.
- Reshat Isa, punëtor nga Prizreni.
- Mehmet Mulosmani, ish kapiten i ushtrisë shqiptare nga Bujani i Krasniqes.
- Veli Nimani, ish oficer i ushtrisë shqiptare nga T’plani i Krasniqes.
- Rasim Cokli, nxënës nga Ferizaji.
- Sadik Bekteshi, gjimnazist nga Vuthajt e Plavës.
- Jaho Sali Mulosmani, nga Bujani i Krasniqes, ish student në Padova Itali, ish kryetar i komunës së Vlashnës në Prizren.
- Shaban Haxhija, ish oficer i ushtrisë shqiptare nga Bytyçi i Tropojës.
- Alush Gashi, gjimnazist nga Prishtina.
- Beqir Ndou, gjimnazist nga Shëngjergji i Merturit i Tropojës.
- Xhafer Vokshi, gjimnazist nga Gjakova.
- Sima Vasileviqi, tregëtar nga Prizreni.
- Enver Dajçi, gjimnazist nga Mitrovica.
- Maxhun Nimani (Doçi), nëpunës nga T’plani i Tropojës.