Ishte me Fiqreten dhe më porositi që…
Nga Dashnor Kaloçi/Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MILTO KOSTAQIT, MJEKUT TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
Proçes-verbal
(Dëshmie)
Tiranë më 29 Dhjetor 1981
Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitarit qytetarin Milto Kostaqi, i biri i Koços, dhe i Erifilisë, i datëlindjes 1934, lindur në Gjirokastër, banues në Tiranë, lagja Nr. 8, rruga “4 Shkurti”, pallati 7, apartamenti 8, me arsim të lartë, mjek në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar partie.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale, që ka në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.
Dëshmitari
Milto Kostaqi
“Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë: Kam punuar si mjek pranë armikut Mehmet Shehu. Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam qëndruar në dhomën e mjekut, pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu, kurse në Komitetin Qendror, atë e ka shoqëruar mjeku tjetër, Llesh Rroku. Këtë ditë Mehmet Shehu, ka qenë në një mbledhje në Komitetin Qendror, nga ku është kthyer rreth orës 14:00.
Mjeku Llesh Rroku, që kur ishte në Komitetin Qendror dhe kur ende nuk kishte përfunduar mbledhja, më ka marrë mua në telefon dhe më ka thënë që Mehmet Shehu, e kishte tensionin shumë të lartë, 16-17, pasi asnjëherë atij nuk i kishte arritur në këtë shifër. Rreth orës 16:00 Mehmet Shehu iku përsëri në mbledhje dhe së bashku me atë ka shkuar përsëri Llesh Rroku, kurse unë kam qëndruar në dhomën e mjekut pranë shtëpisë së tij.
Në darkë, rreth orës 20:30, Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja dhe mbas pak ka thirrur mjekun Llesh Rroku, i cili i kishte matur përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që të kishte ende të lartë. Siç më tha Lleshi, ai e kishte pyetur Mehmet Shehun dy herë, nëse kishte mbaruar mbledhja, por Mehmeti nuk i kishte kthyer përgjigje, kishte kërkuar që të pinte kafe, ndërsa Lleshi i kishte thënë, që të mos pinte kafe, mbasi e kishte tensionin e lartë. Por Mehmet Shehu, nuk e dëgjoi dhe piu kafe.
Lleshi i kishte dhënë edhe disa medikamente, për uljen e tensionit, mbas kësaj, duke parë gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut, unë nuk kam vajtur në shtëpi. Kemi qëndruar deri në orën 24.00 dhe ramë për të fjetur, unë kam fjetur në një dhomë së bashku me oficerin e shërbimit, Dashamir Rrapaj, Lleshi ka fjetur vetëm, tek dhoma e mjekut, Ali Çeno, fjeti tek dhoma e shërbimit të oficerit.
Në datën 18 dhjetor 1981, jam ngritur nga gjumi rreth orës 6.00, në këtë kohë, janë ngritur nga gjumi dhe shokët e tjerë dhe po rrinin në pritje, në dhomën e mjekut, se mos na thërriste Mehmet Shehu, për ndonjë shërbim që mund të kishte nevojë. Rreth orës 8:00, ka thirrur në foni, Vladimit Shehu, i cili me sa më kujtohet, ka kërkuar Jonuz Luton dhe pak më vonë, njoftoi që Ali Çeno, të shkojë urgjent, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Pa kaluar as dhjetë minuta, lajmërohemi me foni, që mjekë të vijnë urgjent brenda. Atëherë unë së bashku me Llesh Rrokun dhe ndihmës mjekun, Nestor Lesko, pasi morëm çantën e urgjencës dhe aparatin e elektrokardiografit dhe defribilatorin, me shpejtësi u ngjitëm në katin e dytë, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Unë dhe Lleshi, u futëm menjëherë brenda në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Tek dera e hyrjes së kësaj dhome, nuk kishte njeri, kurse në dhomën e gjumit dhe punës së Mehmet Shehut, që është ngjitur me dhomën e gjumit të tij, e komunikojnë së bashku, pashë se tek telefonat, ishin Ali Çeno, Vladimir Shehu dhe Jonuz Luto.
Ne u drejtuam për nga zyra, por ata na thane, shikoni nga krevati. Unë me Lleshin, u kthyem nga krevati. Pamë që Mehmet Shehu, ishte i shtrirë në krevat, i zbehtë në fytyrë, i mbuluar deri në afërsi të qafës me çarçaf dhe batanije, me syze me skelet metalik të verdhë dhe me fytyrë, drejt nga tavani.
Duke menduar se mos i kishte rënë të fikët, i kam vënë dorën në ballë dhe pashë që ishte i ftohtë, i hoqa njërin nga jastëkët që kishte nën kokë, duke menduar se mos kishte ndonjë ulje tensioni. I hoqa kuvertën së bashku me çarçafin dhe i kapa dorën për t’i matur pulsin. Pulsi nuk punonte.
Duart i kishte të mbledhura, të ngurosura nën batanije, të vendosura mbi gjoks dhe të përthyera në bërryl. I dallova në anën e majtë të gjoksit, një njollë të kuqe gjaku. Më shkoi menjëherë mendja, se kishte vrarë veten. Pashë mbi krevat një pistoletë.
Kur e pamë, së bashku me Lleshin, që ishte një vetëvrasje me armë zjarri, nuk kam bërë asnjë veprim tjetër, por e kam rregulluar gjithçka që lëviza, ashtu siç e gjeta. Në këto momente, Llesh Rroku, ka gjetur në dysheme afër krevatit, një gëzhojë, të cilën e mori dhe e vendosi mbi komodinën e krahut të majtë të krevatit, të Mehmet Shehut.
Pas kësaj, unë, Llesh Rroku dhe Nestor Lesko, jemi larguar nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë. Kurse Vladimiri, Aliu dhe Jonuzi, ishin ende në dhomën e punës të Mehmet Shehut dhe merrnin në telefon. Pasi kam dalë në korridor, më thanë që Fiqret Shehu, nuk është mirë. Unë kam shkuar në dhomën e gjumit të saj, ku ajo rrinte së bashku me Fatbardhën dhe i dhashë një valium, për ta qetësuar.
Më pas ka ardhur aty Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno, ka hyrë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak aty dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes. Dëgjova që Kadriu i tha Fiqretës; “Mehmeti u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike, por këtë gjë, nuk duhet ta kishte bërë”! Kadriu Hazbiut, i kanë dhënë një letër, që kishte lënë Mehmet Shehu, para se të vriste veten. Pasi ka ikur Kadri Hazbiu, dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, është mbyllur, por unë nuk e di se kush e bëri këtë veprim. Nuk më kujtohet me saktësi, sa kohë ka kaluar, kur ka ardhur grupi hetimor, por unë jam futur së bashku me ata, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Si dëshmitar i pranishëm, ka qenë edhe Ali Çeno.
Së bashku me shokët e grupit hetimor, është përshkruar gjithçka që ishte në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por nuk janë kontrolluar teshat e tij personale, gardëroba, si dhe nuk është bërë këqyrja e dhomës së tij të punës. Gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, Elham Gjika, nuk ka qëndruar gjatë gjithë kohës në dhomën e gjumit, por ka dalë prej saj.
Se ku ka shkuar Elhami, sa kohë ka qëndruar dhe çfarë veprimesh ka kryer, unë nuk e di, pasi jam përqendruar në veprimet e këqyrjes së vendit të ngjarjes në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Pasi ka përfunduar këqyrja e dhomës së gjumit, kemi dalë në korridorin e katit të dytë dhe në këtë kohë, ka filluar që të bëhej kyçja dhe dyllosja e dhomave të Mehmet Shehut, e cila ka vazhduar rreth një çerek ore.
Nga dhoma e gjumit, mbasi ka përfunduar këqyrja, më kujtohet se ka dalë në korridorin e katit të dytë Bashkim Çuberi, Fatos Harito dhe unë. Në korridor, nuk më kujtohet që të kenë dalë së bashku me ne, Elham Gjika, Koço Josifi, Ali Çeno dhe Estref Myftari. Këta, me sa më kujtohet, kanë dalë së bashku, mbasi ka përfunduar dyllosja e dyerve.
Kur kanë përfunduar këto veprime, kemi zbritur në katin e parë të ndërtesës, ku janë pyetur si dëshmitar, unë, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Llesh Rroku dhe më duket dhe Vladimir Shehu. Unë nuk e di, që ndonjë person, të jetë pyetur si dëshmitar, me shkrim, në katin e dytë. Kur janë pyetur dëshmitarët, kanë qenë të tre shokët e Hetuesisë, Elham Gjika, Koço Josifi dhe Dhimitër Beshiri.
Pas disa ditësh, më kanë thirrur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në zyrën e Elham Gjikës, unë kam firmosur proces-verbalin e pyetjes sime, i cili ishte i shtypur me makinë. Unë, nuk kam vënë re, që gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, ndonjë person, që të ketë hyrë në dhomën e punës të Mehmet Shehut, mbasi kam qenë i përqendruar, së bashku me mjekun Bashkim Çuberi e Fatos Harito, në këqyrjen e kufomës së Mehmet Shehut”.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MIMOZA TRESA, PUNONJËSE NË SHTËPINË E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
PROCES-VERBAL
(DESHMIJE)
NE TIRANE, ME 28 DHJETOR 1981
Unë, Koço Josifi, kryetar i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitares, qytetaren Mimoza Tresa, e bija e Hamidit dhe e Xhevrijes, e datëlindjes 1963, lindur dhe banues në Tiranë, Lagjja Nr. 5, “Rruga Konferenca e Pezës”, pallati Nr. 13/2, me arsim tetëvjeçar, me punë në Drejtorinë e Pritjes.
Dëshmitarja u lajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.
Dëshmitarja
Mimoza Tresa
Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:
Kam qysh nga muaji korrik 1981, që punoj si punëtore në shtëpinë e Mehmet Shehut. Në datën 17 dhjetor 1981, rreth orës 13.00, kam filluar punën, së bashku me mua në turn, ishte dhe punëtorja Farie Lila. Gjatë gjithë ditës, unë, Mehmet Shehun nuk e kam parë, por vazhdoja punën poshtë, në kuzhinë. Rreth orës 21.45, iku shoqja ime, Farije Lila, për në shtëpi dhe mua më la vetëm. Edhe darkën atë natë, Mehmet Shehut dhe Fiqirete Shehut, ja u çoj Farija.
Rreth orës 22.10, Mehmet Shehu i ra ziles dhe unë shkova në zyrën e tija, në katin e parë, ishte së bashku me Fiqrete Shehun, kur unë shkova aty, ai më porositi, t’i bëja një kafe për veten e tija. Unë bëra kafen dhe së bashku me një gotë ujë, ia çova lart, po në zyrën e tija, në katin e parë, edhe kur i çova kafen në zyrë, ishin të dy, Mehmeti së bashku me Fiqreten, në një tavolinë që është në zyrë. Pasi lashë kafen, unë shkova përsëri në kuzhinë.
Rreth orës 23.00, unë dola për të parë, nëse Mehmeti me Fiqreten ishin ose jo në zyrën e katit të parë, ku u çova kafen, kur shkova aty, dera e zyrës ishte e hapur, drita e fikur, kuptova që ata ishin larguar nga kjo zyrë. Unë nuk i pashë se ku shkuan, por duke menduar se ata do të ishin ngjitur lart, në katin e dytë, ku kanë edhe dhomat e fjetjes, mora filxhanin dhe gotën e ujit dhe shkova në guzhinė.
Rreth orės 11.15, unë shkova në dhomën e gjumit, që është në katin e parë, nga pjesa e vjetër e ndërtesës dhe rreth orës 23.30, kam rënë për të fjetur. Në dhomë isha vetëm, dhoma ku flija unë, është ngjitur me dhomën e infermjereve, që atë natë ka qenë Valentina Gina. Gjatë gjithë natës, unė kam fjetur normalisht dhe nuk kam dëgjuar asnjė lloj zhurme, nuk më ka zgjuar gjatë natës asnjeri dhe jam zgjuar në orën 5.00, të datës 18 dhjetor 1981.
Mbasi u ngrita, kam shkuar në guzhinë, kam përgatitur ushqimin për djemtë e Mehmet Shehut, Vladimir Shehun dhe Bashkim Shehu, të cilët erdhën, hëngrën bukë dhe u larguan. Në orën 7.30 të datës 18 dhjetor 1981, unë jam larguar nga puna, për në shtëpi, punën e vazhduan shoqet e turnit tjetër, Farija, me të tjerat.
Vetëvrasjen e Mehmet Shehut, unë e kam marrë vesh në orën 20.00, të datës 18.12.1981, kur e dha televizori, isha në shtëpinë time, sepse në orën 12.30, të kësaj date, unë shkova për në punë, por oficeri i shërbimit, nuk më lejoj të hyja dhe më tha të kthehesha në shtëpi, pasi ka dhenë urdhër përgjegjësja, për pushim, kështu unë u ktheva në shtëpinë time.
Procesin pasi e lexova, thëniet janë shkruar drejt, ndonjë gjë tjetër rreth kësaj çështje, nuk di. Memorie.al
Inxhinjer Andrea Xega ishte me shume se artikulli i shkruar bazuar ne kujtimet e nipit te tij. Ka shume pasaktesi per jeten e tij dhe te familjes. Nje nder to eshte “pushkatimi i vellait te tij Koco Xega”. Koco ka jetuar ne Tirane,tani nuk jeton,por jetojne djali dhe vajza e tij.
E kam njohur Ing.Andrea xegen kur isha nxenes ne Politeknikumin ”7 Nendor” ne degen gjeologjike .Ing.Andrea gezonte respektin e nxenseve dhe te pedagogeve. Per here te fundit e kam takuar kur e kam shoqeruar ne minieren e hekur -nikelit te Pishkashit -Librazhd me sa mbaj mend do te bente projektin e shfrytezimit te kasaj miniere !