Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht.
Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, për motive ende të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë. Për rastin Policia tha se viktima ishte therur me thikë. “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, zbulonte raporti.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë?
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Dy të dyshuarit që ndodhen prapa hekurave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).
Faktin se të miturit e goditën me shkop 18-vjeçarin, e konfirmoi edhe video e cila u publikua dje.
Aty shihet se si dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen fillimisht e godasin me makinë dhe më pas e rrahin me shkop të riun nga Podujeva, i cili u varros dje.
“Ju kalltë zemra”, reagimet e familjarëve
Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një sherri me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një makinë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda. “Unë jam xhaxhai tij. Lulzimi si 18-vjeçar ka qenë punëtor, ka qenë jetim. Pa dy prindërit. E e kanë ndjek me makinë, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me shkop bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha xhaxhai i Lulzimit.
Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike. “Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo.bw