“Ish Profit dhe mbet Profit;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”
– Ali Asllani
Më 28 nëntor 1912, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Ismail Qemali në cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, u bëri me dije Fuqive të Mëdha krijimin e shtetit të ri shqiptar me anë të një telegrami. Telegrami i tij është shkruar me një gjuhë të hollë diplomatike dhe ia vlen që të analizohet për vetë rëndësinë që ai pati. Ai u botua më datat 29-30 nëntor 1912, nga disa prej gazetave kryesore evropiane dhe më gjerë, si “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “La Tribuna”, “La Nazione”, “Le Figaro”, “Le Temps”, “Le Petit Niçois”, “The Times” etj. Më poshtë paraqesim tekstin e plotë të telegramit:
“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë prej të gjitha anëve të Shqipërisë, pa dallim feje, të cilët sot janë mbledhur në qytetin Vlorës, kanë shpallur pavarësinë politike të Shqipërisë dhe kanë formuar një Qeveri të Përkohshme, të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar, të rrezikuar nga shfarosja e ushtrive serbe dhe të çlirimit të tokave tona kombëtare, të pushtuara nga forcat e huaja.
Duke u paraqitur këto fakte, duke iu bërë me dijeni të Shkëlqesisë suaj, kam nderin t’i kërkoj, Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike, që ta njohë këtë ndryshim në jetën politike të kombit shqiptar.
Shqiptarët, të cilët kanë hyrë në familjen e popujve të Europës Lindore, nga të cilët, ata mendojnë se janë më të vjetrit, po ndjekin një qëllim të vetëm, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të bëhen kështu një element i ri ekuilibri. Ata janë të bindur se Qeveria e Madhërisë së Tij, si dhe e gjithë bota e civilizuar, do t’u japë shqiptarëve, një mirëpritje dashamirëse, duke i mbrojtur ata, prej të gjitha sulmeve, që rrezikojnë ekzistencën e tyre kombëtare dhe kundër çdo ndarjeje të territorit të tyre.”.
Ky telegram i shkruar mjeshtërisht shpalos zhdërvjelltësinë diplomatike dhe virtuozitetin e udhëheqësisë së Ismail Qemal Vlorës. Ai do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme në ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Ismail Qemali thekson aty që në fillim natyrën laike të qeverisë së tij, duke parandaluar kështu mundësinë e refuzimit nga Fuqitë e Mëdha për arsye që mund të kamufloheshin nën maskën e kujdesit për popullatën e krishterë shqiptare. Njëkohësisht, ai prek shqetësimin e Fuqive të Mëdha lidhur me militarizimin masiv të Ballkanit. Në vijim, ai i referohet konceptit evropian të së drejtës së kombeve dhe kërkon mbrojtje për të drejtat e kombit shqiptar. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ai shkruan për konceptin e ekuilibrit të forcave në Ballkan. Ai i referohet brutalitetit të ushtrisë serbe, për të ngacmuar ankthin e Britanisë së Madhe lidhur me zgjerimin e influencës së Rusisë në rajon. Duke e ditur interesin politik të Britanisë së Madhe, ai e koncepton shtetin e ri shqiptar si një forcë ekuilibruese kundër PanSllavizmit.
I njëjti tekst, duke kërkuar edhe njohjen zyrtare të shtetit të ri shqiptar, iu dërgua ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Evarist Beqiri Portës së Lartë.
Fakti i kryer i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe kërkesa zyrtare e Ismail Qemal Vlorës, drejtuar sekretarit të jashtëm britanik Sir Edward Grey, passolli organizimin e një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë. Konferenca e Paqes në Londër i filloi punimet më 17 dhjetor 1912. Gjatë viteve 1912-1913, u zhvilluan 54 takime, ku u debatua si marrëdhënia administrative e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, ashtu edhe caktimi i kufijve të saj. Më 29 korrik 1913, Shqipëria u njoh formalisht si shtet i pavarur, por afro 50% e territorit dhe 40% e popullsisë shqiptare, mbetën jashtë kufirit të shtetit të ri. Trojet e tyre etnike u ndanë për të kënaqur orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Ndër shkrimet e publikuara nga gazetat evropiane përgjatë atyre ditëve, spikat një përshkrim i datës 30 nëntor 1912, i gazetës së njohur italiane “La Tribuna”, që përshkruan edhe momentin e zbritjes në Durrës të Ismail Qemalit, më 21 nëntor 1912:
”Ismail Qemali zbriti në Durrës ndër të tjera edhe me 10 kuti të ruajtura mirë dhe të vulosura, të cilat ishin shumë të vogla për të mbajtur armë dhe municione, ato mbanin ar…”
Ky ishte thesari i shtetit që ai kishte ardhur të themelonte. Kjo është dëshmia dhe shembulli më domethënës i sakrificave sublime të rilindësve. Mëmëdhetarët tanë dhanë gjithçka që kishin qoftë shpirtërisht, qoftë materialisht për atdheun.
Artikulli vijon më tej duke theksuar se, “pas takimit me parinë e Durrësit dhe sqarimit të arsyeve të zbarkimit të tij, Ismail Qemali shtoi se do të shkonte në Vlorë të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë.” Një mendimtar i shquar francez ka shkruar: “Njerëzit e të gjitha epokave ngjasojnë: historia nuk është e dobishme sepse në të lexojmë të shkuarën, por, sepse aty lexojmë të ardhmen.”
Nëse ka diçka që historia njerëzore na mëson (që nga Magna Carta deri te Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së), është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Forca e popullit shqiptarë i dha jetë Deklaratës së Pavarësisë. Ndërkohë, lidershipi virtuoz i Ismail Qemalit mëshironte më së miri frymën e kombit dhe gatishmërinë e tij për të luftuar për liri. Ai është shembulli më i mirë i lidershipit të kulluar. Në momentin që Ismail Qemali po udhëhiqte shqiptarët në këtë rrugëtim të shenjtë, ai nuk mbante asnjë pozicion zyrtar, duke dëshmuar faktin që lidershipi nuk lidhet me pozicionet dhe titujt, por me aftësinë për të ndikuar njerëzit.
“Gazeta e Korçës” e përshkruante në këtë mënyrë veprën e Ismail Qemalit: “Ky burrë preferoj më mirë një mëmë të vogël e të vobegtë se sa njerkën e madhe e të pasur. Ai mbyllte në kraharor të tij prej kohësh, bashkë me të tjerët shqiptarë fisnikë, fuqinë e pamposhtur të idesë dhe vendimin e patundur, dhe besën e një populli që të fitojë lirinë e tij ose të vdesë duke treguar gjallërinë e patundur të fisit shqiptarë, duke ngritur flamurin e lirisë, duke i çfaqur botës së qytetëruar se Shqipëria deshi të rronte dhe po rron.”.
Ndërsa tensionet gjeopolitike vijojnë të rriten në botë, lidershipi fisnik i Ismail Qemalit na shpjegon pse figurat historike mund të na shërbejnë si frymëzim për të lundruar nëpër labirintet e diplomacisë së sotme. Sakrificat sublime për idealin kombëtar, janë në themelet e udhëheqësisë virtuoze të Ismail Qemalit. Ai është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe dorëheqësi i parë nga pushteti…
******
“E shpallëm Pavarësinë, por mbrojeni kombin shqiptar”
“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë prej të gjitha anëve të Shqipërisë, pa dallim feje, të cilët sot janë mbledhur në qytetin Vlorës, kanë shpallur pavarësinë politike të Shqipërisë dhe kanë formuar një Qeveri të Përkohshme, të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar, të rrezikuar nga shfarosja e ushtrive serbe dhe të çlirimit të tokave tona kombëtare, të pushtuara nga forcat e huaja.
Rilindësit tanë shkrinë gjithçka kishin për Shqipërinë. Ata u larguan nga kjo botë të varfër materialisht, por jashtëzakonisht të pasur shpirtërisht. Presidenti John F. Kennedy shkruante: “Unë jam i sigurtë se mbasi pluhuri i shekujve të ketë mbuluar qytetet tona, ne, gjithashtu, do të kujtohemi jo për fitoret apo humbjet në beteja apo në politikë, por për kontributin tonë në shpirtin njerëzor.”
Njerëzit ashtu si edhe kombet kanë nevoja për pika reference e modele përbashkuese. Pikërisht trashëgimia e tyre e jashtëzakonshme shpirtërore na bën ne shqiptarëve krenar çdo 28 Nëntor. Ndërkohë nga ana tjetër qëndron modeli esadist.
Modeli i atyre që e kanë tradhtuar idealin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Modeli i babëzisë dhe pangopësisë me pushtet dhe pasuri. Modeli i atyre që duke vjedhur e duke u korruptuar e kanë keqqeverisur Shqipërinë, nën hijen e vështrimit fisnik të Ismail Qemalit mbi krye. Modeli i atyre që pushtetin e kthejnë në qëllim në vetvete…
“Nuk ka trashëgimi më të pasur se ndershmëria,” – shkruan Uilliam Shekspir. Shembulli jofisnik i këtyre vdekatarëve të zakonshëm, na turpëron dhe na bën që të reflektojmë çdo 28 Nëntor. Por, në fund, nëse ka diçka tjetër që historia na mëson, është fakti që modeli i tyre i mbrapshtë, do të marr dënimin më të rëndë që ajo njeh: turpin dhe harresën.
Amaneti i fundit i Ismail Qemal Vlorës ishte: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet.”. Trashëgimia e lidershipit të tij është thesari ynë më sublim: shërbimi me devotshmëri dhe përunjësi ndaj mëmëdheut. Andaj, kultivimi i shqiptarizmës, ndjenjës së pastër të përkatësisë kombëtare, sidomos tek të rinjtë është e vetmja garanci për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, por edhe të sistemit të demokracisë liberale. Patriotizmi, lidhja me rrënjët tona nëpërmjet dashurisë për vendin, gjuhën dhe kulturën shqipe, na ndërgjegjëson për vlerat tona dhe njëkohësisht na bën më të hapur për vlerat e të tjerëve.
* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).
/Gazeta Panorama