Nga Lulëzim Mjeku
Për të pasqyruar figurën e Ceno bej Kryeziut, nevojitet një rishikim i rrethanave historike të viteve ’20-të të shekullit të kaluar. Presidenti Zog, emëroi atë ministër të Punëve të Brendshme, pasi Ceno beu, e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet. Opozita e asaj kohe, e akuzonte Mbretin Zog, se ai e kishte urdhëruar ministrin Ceno beg Kryeziu, të organizojë vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit. Sipas Sejfi Vllamasit, aktor politik i kohës, marrëdhëniet mes Presidentit Zog dhe Ceno bej Kryeziut, u përkeqësuan edhe më shumë. Tirana zyrtare filloi ta shikonte Ceno beun me dyshime, kryesisht si njeri që ndiqte politikë në dëm të interesave të Shqipërisë. Ceno beu, caktohet për ambasador të Shqipërisë në Beograd, në kohën kur marrëdhëniet Shqipëri – Jugosllavi, qenë acaruar për shkak të marrëveshjes që Presidenti shqiptar Ahmet Zogu, kishte bërë me Italinë.
Jugosllavia e asaj kohe, e pa veten të rrezikuar nga Marrëveshja e Miqësisë Shqipëri-Itali dhe filloi me presionet diplomatike e ushtarake përgjatë kufirit me Shqipërinë. I gjendur në këtë situatë, Presidentit shqiptar, Ahmet Zogu, iu desh të ndërmerrte aksione në mbrojtje të vendit.
Jugosllavia, pranon Kryeziun për ministër të Shqipërisë në Beograd
Sipas studiuesit Ilir Ushtelenca, Presidenti Zog, përveç masave ushtarake, ai mendoi të shfrytëzonte lidhjet e Ceno bej Kryeziut me personalitetet e Beogradit, në mënyrë që të zbuste armiqësinë e Jugosllavisë. Megjithëse kosovar, Jugosllavia pranoi që ambasador, apo siç thuhej atëbotë; ministër i Shqipërisë në Beograd, të jetë Ceno bej Kryeziu. Sipas Ushtelencës, (“Diplomacia e Mbretit Zogu I-rë”) më 22 mars, Presidenti Zog, i kërkoi Cen beut, të kthehej për “konsultime”, por ai nuk iu përgjigj. Pas tri telegrameve të tjera, Ceno beu, njoftoi se ai; “duhej të qëndronte edhe ca kohë për shkak të krizës ministeriale në Serbi”.
Marrëdhëniet e këtilla, duket se vazhduan me këtë kohë, deri me plasjen e çështjes Gjurashkoviq. Kur autoritetet shqiptare, arrestuan përkthyesin e konsullatës jugosllave në Durrës, Vuk Gjurashkoviq, u kuptua edhe korrespondenca sekrete e Ceno beut nga Beogradi, me elementët pro-jugosllavë në Shqipëri.
Jugosllavia kërkoi lirimin e Gjurashkoviqit, meqë ai punonte në zyrat e saj në Shqipëri, ndërsa autoritetet e Tiranës, u përgjigjën se ai ishte me shtetësi shqiptare, malazez nga Shkodra, dhe se përfaqësitë e Jugosllavisë në Shqipëri, nuk e kishin lajmëruar askund se ai punonte për to. Kur Jugosllavia tërhoqi të dërguarin e saj nga Tirana, presidenti Zog, e urdhëroi Ceno beun, të kthehej menjëherë në Tiranë.
Sipas Ushtelencës, para largimit nga Beogradi, Ceno beu, bëri një deklaratë: “Unë sot po nisem për në Tiranë, që t’ia shpjegoj personalisht, Presidentit të Republikës, se çfarë gabimi i madh është bërë në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, midis Shqipërisë dhe vendit tuaj. Këtë, ia kam sqaruar sa e sa herë në telegrame, por pa sukses. Ndikimet, ishin më të forta nga të gjitha telegramet e mija urgjente”, tha Ceno bej Kryeziu.
Pas një procedure, marrëdhëniet midis dy këtyre dy shteteve u rivendosën, me fitoren diplomatike të Shqipërisë.
Në vend të Ceno bej Kryeziut, ministër i Shqipërisë në Jugosllavi u emërua Tahir Shtylla. Presidenti Zog, i cili sipas autorit Zhivko Avramovski, i kishte kuptuar më 1925-ën, lidhjet e Ceno beut me shërbimin e fshehtë jugosllav, ndonëse e largoi Kryeziun nga Beogradi, e emëroi ministër në Çekosllovaki, por njëkohësisht, e mbajti të akredituar edhe në Jugosllavi.
Kjo sipas studiuesit shqiptar Ilir Ushtelenca, bëhej për t’i treguar opinionit ndërkombëtar, se nuk ishte hakmarrës e inatçi. Po sipas Ushtelencës, kur Ceno bej Kryeziu u kthye në Tiranë, për të fituar besimin e humbur, përgënjeshtroi ato që i kishte deklaruar në gazetën “Politika”, më 16 qershor 1927.
Diplomati shqiptar, Ceno bej Kryeziu, arrin në Pragë!
Ceno beu gjatë rrugës për në Pragë, kaloi nga Beogradi, ku ndejti gjatë gjithë shtatorit dhe ditët e para të tetorit. Kur autoritetet e Tiranës i dërgonin mesazhe, që të nisej e të niste punën e ministrit shqiptar në Pragë, ai qe përgjigjur se; i mungonin të hollat për rrugë. Ceno bej Kryeziu, më në fund arriti në Pragë, por në 14 tetor, e vret studenti Alqiviadh Bebi. Shtypi i kohës për atentatin, e akuzonte herë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE), e herë patriotët shqiptarë në Jugosllavi. Presidenti shqiptar, Ahmet Zogu, lajmin për vrasjen e burrit të motrës, e përjetoi rëndë.
Sipas Ushtelencës, “Zogu pati një atak nervor, kur mori vesh vdekjen e burrit të motrës. Qau ditë të tëra, para elitës që shkonte ta ngushëllonte, si dhe para vëllezërve të Ceno beut, por e vërteta s’doli kurrë në dritë. Së pari, se në fillim, Alqiviadh Bebi, pohoi se; e kish vrarë vetë, pa porosinë e askujt, së dyti sepse; atë e vranë vetë vëllezërit e Ceno beut, në sallën e gjyqit”.
Ky ishte fundi jetës dhe i karrierës diplomatike të Ceno bej Kryeziut, një nga njerëzit që i ndihmoi Ahmet Zogut, të rikthehej në pushtet në dhjetor të vitit 1924. Por, vrasja pati jehonë jo vetëm në Pragë dhe Tiranë, por edhe në gjithë Evropën. Gazetat e kohës, dhe jo vetëm ato çeke e jugosllave, raportuan për ngjarjen.
Gazetat çeke, i kushtuan vëmendje kësaj ngjarjeje, jo vetëm duke e raportuar, por ato u përpoqën të hedhin dritë në prapaskenën e vrasjes, duke këmbëngulur me botimin e artikujve dhe analizave, që pasqyronin implikimet që sillte vrasja e Ceno beut, në marrëdhëniet Tiranë – Beograd, por edhe në Pragë.
“České Slovo”: Vrasja e diplomatit shqiptar në Pragë
Ishte koha e marrëdhënieve të mira ndërmjet Pragës dhe Beogradit, dhe koha e Antantës së Vogël, një mekanizëm rajonal i sigurisë kolektive. Në vitin 1926, Jugosllavia kishte kundërshtuar kërkesën e Shqipërisë, që të pranohej në Antantën e Vogël, sepse në rast të pranimit, Jugosllavia, detyrohej të respektonte pavarësinë, tërësinë tokësore dhe paprekshmërinë e kufijve të Shqipërisë. Gjithë kjo histori, merr fundin e saj të hidhur.
Vrasësi i Ceno beut, Alqiviadh Bebi, po gjykohej në një gjykatë të Pragës, por para se ta dënonte gjykata, atë e dënoi me vdekje, m’u në sallën e gjyqit, Zija Vuçiterni, axhutant i Gani beg Kryeziut. Vuçiterni, shtiu dhe e qëlloi me pistoletë Alqiviadh Bebin dhe me këtë, pos që e vrau atë, e plagosi edhe një gazetar italian. Në gjykimin e vet, Zija Vuçiterna, e pranoi se ai e kreu vrasjen, me fjalët; “Mora hakun e vëllait tim, Ceno Begut”.
Të nesërmen pas vrasjes së Ceno bej Kryeziut, e përditshmja çeke “České Slovo”, e raportonte ngjarjen në faqen tre, me titull “Vrasja e diplomatit shqiptar në Pragë”. Gazeta jepte njoftimin se; vrasësi Bebi, kishte qëlluar me revolver dy herë në kokë Ceno beun. “České Slovo”, njoftonte kështu: “Mbrëmë në ora nëntë e pesëdhjetë minuta, në çastin kur Ceno beu po e linte kafenenë ‘Passage’, një djalosh i ri, doli nga gardëroba dhe e vrau me disa të shtëna të dërguarin shqiptar në Pragë, Ceno beun.
Diplomati shqiptar, pa dyshuar për asgjë, po kërkonte sakonë e vet, kur nga mbrapa, i afrohet një djalosh i ri i panjohur tetëmbëdhjetëvjeçar, nga prapa dhe shtiu dy herë nga kolti i tij, në kokën e viktimës. Pas vrasjes, dorasi u ndalua nga gardërobistja dhe nuk u mundua aspak të ikte. Dorasi është gjithashtu shqiptar, me emrin Alqiviadh Bebi nga Elbasani, i lindur më 1904.
Në tollovinë që u krijua, fillimisht nuk dihej për kë bëhej fjalë dhe a ishte vetëvrasje a atentat. Shokët e porsaardhur të ambasadorit, donin ta linçonin dorasin në vend, po të mos reagonte me vendosmëri personeli i kafenesë dhe ta largonin me kohë kufomën e ambasadorit. Muzika në kafene, vazhdonte të jehonte, kështu që nuk u krijua panik.
Pasi policia e dëgjoi dorasin, kuptoi se ai e ka ndjekur viktimën, për tri ditë të plota dhe mbrëmë ishte ulur në galeri, afër muzikës dhe kohë pas kohe, shkonte në gardërobë për të pare, se kur ambasadori do të kthehej për të marrë rrobat e veta. Kafeneja u mbyll menjëherë dhe nuk iu lejua askujt dalja, deri te ardhja e Policisë. Ambasadori i plagosur rëndë, është dërguar në spital. Menjëherë pas vrasjes, dorasi është ndalur dhe i ka thënë këto fjalë; “Ku je bre burrë, qe gjashtë ditë të kam pritur, të të vras”?!
Arsyet për atentatin, sipas dorasit, janë politike. Në fakt Ceno beu, në kontekstin rreth konfliktit jugosllavo-italian, në marrëveshjen e Tiranës, ai kishte marrë qëndrim kundër sulmit italian mbi Jugosllavinë. Ndihmën e pare, menjëherë pas atentatit mbi fatkeqin, ia dha doktor Shtajni nga Bubence. Ai ka konstatuar se dy të shtënat në kokë, kanë shkaktuar gjakderdhje të madhe. Megjithëse gjakderdhjen e ka ndalur, ambasadori Ceno, gjatë transportit për në spital, ndërroi jetë.
Ceno beu, dëshironte që Ballkani, t‘i takojë popujve ballkanas.
Dorasi i ambasadorit shqiptar, Alqiviadh Bebi, është nga Elbasani, i lindur më 1904, student i klasës së gjashte në liceun në Romë. Ai ka ardhur nga Vjena në Pragë, me 10 tetor. Ditën tjetër me 16 tetor, “České Slovo”, në faqen dy, thotë se; ambasadori i vrarë shqiptar Ceno bej, ka ardhë në Pragë para disa ditësh dhe është vendosur në hotelin ‘Passage’. Ceno bej, qysh gjatë luftës, në vitin 1915, ka qenë në Pragë te nënkoloneli Roter në Smihov, i vendosur në rrugën ‘Smetanova’ numër 15. Kur ka ardhur në Pragë, ai ka vizituar familjen Roter dhe ka qenë mysafir nderi, në shtëpinë e tyre. Ceno beu, ka kuptuar se në Pragë, ekziston një rreth shqiptar dhe ka shprehur interesim, për t‘u njoftuar me pjesëtarët e këtij rrethi.
Z. Fhmel, prodhues i vulave në Pragë, i cili gjatë luftës ishte përkthyes në regjimentin e 28, e ka vizituar të premten pasdite nënkolonelin Roter, për të aranzhuar takimin e ambasadorit me mërgatën shqiptare. Z. Rottel e ka pritur Ceno beun, i cili nuk ka ardhur, për shkak se gjatë rrugës së tij për në Pragë, është sëmurë nga malaria dhe është dashur të qëndrojë i shtrirë në shtrat.
Ceno beu, ka ardhur si ambasador në Pragë, me programe ekonomike dhe ka dashur të afrohet me përfaqësuesit tanë të jetës ekonomike dhe të industrisë. Sipas informacioneve, ai ka pasur qëllim të zhvillojë në Shqipëri, një kolonizim të çekëve kultivues të sheqerit dhe për të ndërtuar atje një fabrikë sheqeri. Ai ka dashur gjithashtu që qarqet tona të eksportuesve t’iu kushtojnë vëmendje më të madhe Shqipërisë e të dërgojnë atje përfaqësuesit e tyre.
Qëllimi tjetër i tij ishte që Shqipëria, në panairin pranveror të Pragës, të paraqes ekspozitën shtetërore dhe importuesve çekë, t‘iu prezantojë lëndët e para, të cilat kishin mundur të importohen nga Shqipëria në Çeki. Përndryshe, një kompani çeke e ka ndërtuar një elektrocentral në Durrës, për 12 milionë kruna, e paguar në monedha ari. 32-vjeçari Ceno beu, ishte plot me ideale për Shqipërinë.
Ceno, beu bënte përpjekje të mëdha për kontakte e marrëdhënie sa më të mira ekonomike me Çekosllovakinë. Duke pasur për lajtmotiv Shqipërinë e pavarur, ai dëshironte që Ballkani, t’i takojë popujve ballkanas. Ceno beu, ishte dhëndër i Presidentit të tashëm, Ahmet Zogu. Planet e tij madhështore, për qëndrimin e Shqipërisë së pavarur dhe për arritjen e kontakteve miqësore e ekonomike, me Republikën e Çekosllovakisë, u ndërprenë me një të shtënë, nga revolja e një fanatiku të ri shqiptar, i informuar keq, për përpjekjet e ambasadorit shqiptar”.
A e ka dhënë Alqiviadh Bebi, emrin e vërtetë?!
“České Slovo”, e të njëjtës ditë, 16 tetor, në faqen e tretë, raporton për zhvillimet e mëtejme rreth vrasjes, me titullin “Policia e merr në pyetje vrasësin e ambasadorit shqiptar”. Vëllai i të vrarit vjen në Pragë. Gjatë dëgjimit të sulmuesit të Ceno beut, që bëhet brenda natës, kur ndodhi atentati, merret vesh se dorasi, është 24-vjeçar e, vjen nga Elbasani dhe është i pa baba. Ai është pranuar në Kolexhin ‘Monte Karlo’, ku është marrë me studime të literaturës filozofike antike e moderne dhe me vepra të ekonomisë.
Librat me përmbajtje të tilla, i janë gjetur gjatë kontrollit të banesës së tij në Pragë, gjë që i vërtetojnë deklaratat e tilla.
Në Pragë, ka ardhur nëpërmjet Vjenës, tri ditë më herët, me paramendim që ta vriste ambasadorin Ceno bej. Mbrëmë, pas orës nëntë, ai ka shkuar në kafenenë ‘Passage’, në Vaclavske Namesti dhe e ka diktuar atje ambasadorin Ceno bej. Kur pak pas orës dhjetë, ambasadori doli nga kafeneja për në gardërobë, menjëherë pas tij del edhe dorasi dhe duke iu afruar shumë, shtien nga mbrapa dy herë.
Sipas fjalëve të dëshmitarit Ajzenshtajn, dorasi ka thënë se, ky akt i tij, nuk do të thotë fund i atentatit. Sipas disa dëshmitarëve, të tjerë lajmëruan në Polici në çastet kritike, Alqiviadhi kishte biseduar me disa të rinj, të cilët menjëherë pas atentatit, e shfrytëzuan tollovinë dhe u larguan.Dëshmitarët thanë se, ata kishin qenë të moshës rreth 25-30-vjeçare. Dorasi ka pranuar se; nga autorët që i ka lexuar me pasion, ka përvetësuar mendime pesimiste ndaj jetës. Revolveri i tipit “Golt”, me të cilin e ka vrarë ambasadorin, e ka blerë tri vjet më herët, kur i ka shkuar mendja për t’i dhënë fund jetës së tij.
Bebi, nuk e ka njohur personalisht Ceno beun. Për këtë, ka blerë revista të ilustruara, në të cilat ka parë fotografitë e diplomatit, dhe në bazë të këtyre fotografive, ai e ka identifikuar Cena beun, në kafenenë ‘Passage’. Dorasi ka pranuar, po ashtu, se ka kërkuar nga ambasadori Ceno bej, një audiencë dhe ai nuk e ka pranuar. Dëgjimi ka zgjatur deri në ora katër në mëngjes dhe dje pasdite, Bebi i është dorëzuar gjykatës penale të vendit.
Sipas informacioneve më të reja, i vrari ishte dhëndër i Ahmet Zogut, President i sotëm i Shqipërisë. Vëllai i të ndjerit, kapiten në Ushtrinë Shqiptare, me emrin Gani bej Kryeziu, është informuar menjëherë pas atentatit, me lajm telegrafik. Për varrimin e të ndjerit, priten propozimet e Gani bej Kryeziut i cili, gjendet në rrugë nga Beogradi për në Pragë. “Ceské Slovo”, në vazhdim të artikullit, ka vënë një pyetje: A e ka dhënë Bebi emrin e vërtetë dhe priten arrestime të reja”?! Vrasësi është i qetë dhe vazhdimisht përsërit se ambasadorin, e ka vrarë nga arsyet politike. Policia mendon se pasaporta e tij është falsifikuar dhe se emri i tij, Alqiviadh Bebi, nuk është i vërtetë dhe se ai ka tjetër emër, gjë që mund të jetë ngjashëm me rastin e Çiçinkovit.
Mirëpo, sulmuesi i refuzon këto pohime të Policisë dhe vendosmërisht thotë se; pasaporta dhe emri i tij, është i vërtetë. Mirëpo, mendohet se sulmuesi ka pasur bashkëpunëtorë të cilët, ose e kanë furnizuar me të holla, apo i kanë dhënë informacione ku banon ambasadori dhe, cili vend do të ishte më i përshtatshmi, për ta kryer atentatin.
Hetimet vazhdojnë me intensitet të madh dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera. Në vazhdim, gazeta njofton se; Ministri i Punëve të Jashtme dr. Eduard Benesh, i ka dërguar Qeverisë shqiptare keqardhje dhe shprehu ngushëllimet e tij të përzemërta. Mbrëmë, ai ka biseduar me konsullin çek në Shqipëri, arkitekt Matushkën, për këtë ngjarje tragjike.
Në Beograd, keqardhje për vrasjen e ambasadorit Ceno bej!
“České Slovo”, boton edhe një lajm të korrespondentit të saj nga Beogradi. Lajmi për vrasjen e ambasadorit shqiptar në Pragë, Ceno bej, si në Pragë ashtu edhe në Beograd, ka shkaktuar keqardhje të thellë, si në opinion, ashtu edhe në shtyp. Ambasadori Ceno bej, në qarqet jugosllave, ka gëzuar simpati të mëdha për qëndrimet e tij të hapura dhe të guximshme, të njohura me parullën; “Ballkani popujve ballkanas”.
Ambasadori Ceno bej, ka arritur të miratojë këtë parim edhe në konfliktin e njohur në kontestin Gjurashkoviq dhe e ka shfrytëzuar gjithë ndikimin e tij në Tiranë, për një përfundim të mirë të këtij konteksti. Gazeta beogradase “Politika”, e 15 tetorit, për këtë atentat, e fajëson Romën dhe thotë se; Roma tani e ka marrë rolin e prishësit të paqes në Ballkan, të cilën më herët, e kishte Vjena.
Njësoj, sikurse dikur Serbia, që i kishte qëndruar Vjenës në rrugën e saj për në Ballkan, ashtu sot Jugosllavia, është pengesë kryesore kundër planeve imperialiste të Romës. Me vrasjen e ambasadorit Ceno bej, nuk do të vritet ideja për Shqipërinë e lirë, dhe lirinë e shteteve ballkanike, të cilën Ceno bej, e ka përfaqësuar. Gazeta “Politika”, shkruan më tutje për koalicionin e vrasësve ndërkombëtarë, të cilët veprojnë pa u dënuar nëpër Evropë. Mirëpo, gjykon se ky koalicion gjakatar, nuk ia arrin qëllimeve të veta dhe se do të përfundojë me katastrofë, ashtu si ka përfunduar dikur Vjena. Mirëpo, si duket, Roma nuk ka marrë kurrfarë mësimi nga përvoja e Vjenës, përfundon “Politika”.
E përditshmja tjetër, “Narodni Listy”, e 16 tetorit 1927, boton artikullin në ballinë, me titull; “Vrasja e ambasadorit shqiptar në Pragë”. “Njeriu i ri, i cili u vra me dy të shtëna, të premten në mbrëmje në gardërobën e një kafeneje të Pragës, ishte i një bir i madh i popullit të vet, të cilin duhej ta përfaqësonte te ne, si ambasador i parë shqiptar në Pragë”, shkruante “Narodni Listy”.
Sipas gazetës, Ceno beu, 32-vjeçar, ishte personalitet i cili, u jepte kahe rrjedhave të jetës politike në Shqipëri. Me prejardhje nga Gjakova, nga një familje bejlerësh shqiptarë, e cila i dha popullit të vet disa personalitete me ndikim. Babai i tij ishte i dërguar i Sulltanit turk, Abdyl Hamitit. Në oborrin e sulltanit edhe vëllai i tij, ka pasur pozicion të lartë. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, babai i tij qëndronte në krye të kryengritjes kundër turqve, krahas me serbët.
Bashkëshortja e të vrarit, Ceno bej, është motra e presidentit të tashëm shqiptar, Ahmet bej Zogut. Kthesa e dhjetorit e vitit 1924, kundër regjimit pro italian të Fan Nolit, e ka futur në karrierë shtetërore edhe Ceno beun, përfaqësues besnik i idesë “Ballkani popujve ballkanas”, ide me të cilën vjen në pushtet miku i tij, presidenti Ahmet Zogu.
Fillimisht e fiton vendin në Qeveri, si udhëheqës suprem i Ushtrisë Shqiptare. Kur Shqipëria nisi t’i riformulojë orientimet në politikën e saj të jashtme, në kuptimin e raporteve me Italinë dhe në nëntor vjen deri tek e ashtuquajtura “Marrëveshja e Tiranës”, Ceno beu, heq dorë nga udhëheqja e Ushtrisë dhe emërohet ambasador në Beograd. Memorie.al