Organizatat evropiane për të drejtat e gazetarëve reaguan të martën ndaj gjestit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta gjatë një konference shtypi, pasi ajo i bëri një pyetje. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias e quajti sjelljen e tij “të pafalshme”.
“Ky incident nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen gazetaret femra në kërkimin e së vërtetës, duke theksuar nevojën urgjente që udhëheqësit të respektojnë median dhe të ruajnë integritetin gazetaresk”, u shpreh kjo qendër në një reagim në platformën X.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez e quajti “të papranueshëm” veprimin e zotit Rama.
Grupi monitorues për shkeljet e lirisë së medias në Evropë, Media Freedom Rapid Response the në një postim se “jemi të tmerruar” nga gjesti i zotit Rama ndaj gazetares.
“Nuk bëhet fjalë për politikë; bëhet fjala për mirësjellje bazë. Udhëheqësit duhet t’i respektojnë punonjësit e medias në vend që të frikësojnë ata që kërkojnë të vërtetën”, tha ky grup.
Ndërsa Grupi Gratë për Lirinë e Shtypit tha se nuk është hera e parë që zoti Rama ka shfaqur përbuzje ndaj shtypit që e kritikon atë.
“Ne qëndrojmë në krah të Metës dhe kërkojmë që Rama të kërkojë falje dhe t’i trajtojë me respekt gazetarët”, tha ky grup në një postim në X.
Vetë zoti Rama i hodhi poshtë kritikat, duke thënë se nuk kishte arsye të kërkonte ndjesë, duke i quajtur pohimet për gjest të papërshtatshëm ndaj gazetares, “një gënjeshtër krejtësisht të neveritshme”, duke shtuar se e hedh poshtë akuzën për përbuzje ndaj shtypit duke thënë se ai “ka shfaqur gatishmëri të plotë ndaj gazetarëve me etikë dhe disa herë edhe pa etikë” për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
“Si një ish-pionier i shtypit të lirë në vendin tim kur për shkak të fjalës së lirë nga ama ime, m’u rrezikua jeta, ndjej se kam plotësisht të drejtë të them se organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit. Përndryshe, do të ketë probleme të vërteta për shoqëritë tona demokratike”, tha ai.