Opinioni i mëposhtëm është botuar më 22 Nëntor 2022
Dje në Bruksel, pas tetë orë bisedimesh dhe takimesh midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq, ndërmjetësi i dialogut, Përfaqësuesi i Lartë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian z.Josep Borrell për gazetarët deklaroi se “Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”.
Në një valë me shefin ka qenë edhe zëdhenësi i z.Borrell, Peter Stano, duke përcjellë në Twitter tone agresive ndaj Kosovës, se ai “do të informojë Shtetet Anëtare të BE, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ.”
Të menjëhershëm kanë qenë reagimet direkt nga Brukseli i kryeministrit Kurti dhe nga Prishtina i Presidentes të Kosovës Vjosa Osmani.
Kyeministri i Kosovës shprehu live përpara kamerave zhgënjimin: “Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po them me keqardhje, sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris, në kuadër të Forumit për Paqe, z. Joseph Borrell tha që propozimi nuk është franko-gjerman, propozimi është i Bashkimit Evropian por i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i Bashkimit Evropian. Mirëpo sot, po them me keqardhje ai hoqi dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa nga ana tjetër, po përmes Twitter, menjëherë z.Kurti bëri me dije se “ai e falënderon Ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Jeffrey M.Hovenier për angazhimin dhe e pranon propozimin e tij për 48 orë shtyrje të shqiptimit të gjobave për targa të paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme.”
Edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga Prishtina theksoi shkelje të procesit nga ndërmjetësi, dmth z.Borrell: “Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria”. Dhe më tutje Presidentja e Kosovës vuri në spikamë se ” ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook..
Pra, si Presidentja ashtu edhe Kryeministri i Kosovës, në sintoni të plotë, shprehin zhgënjim ndaj konkluzionit për palën kosovare të z.Josep Borrell duke e cilësuar “si të njëanshëm” dhe “jashtë caqeve të përcaktuara nga BE”.
Kësisoj mund të thuhet se z.Josep Borrell, duke hequr dorë nga propozimi i BE dhe duke mbajtur anën e njërës palë, de facto e ka braktisur detyrën e institucionit që ai përfaqëson, dmth si Përfaqësuesi i Lartë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian.
Në një situatë dramatike, kur Rusia ka sulmuar Ukrainën, një shtet të lirë e sovran në zemër të Europës dhe Serbia si aleat i ngushtë i Moskës po luan me kartën e brotherhood me Rusinë, z.Borrel me zëdhënësin e tij Peter Stano, po i tregojnë Kosovës kamzhikun, ndërsa Vuçiqit karrotën! Aq më tepër, kur jemi duke folur për mosimplimentim nga ana e Serbisë të një marrëveshje tashmë vite më parë të nënshkruar në letër nga të dy palët gjatë qeverive kur kryeministër i Kosovës ka qenë Hashim Thaçi. Në vend se z.Borrell t’i kërkojë Vuçiqit përmbushjen e detyrimit ndaj një marrëveshje të nënshkruar, ai bashkë me Peter Stano dalin në Twitter me deklarata agresive e të pajustifikuara kundër Kosovës! Pra z.Josep Borell dhe zëdhënësi i tij i hedhin benzinë zjarrit në vend të ujit, në vend se ta tregojnë Serbinë si rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, përkundrazi i servilosen dhe i ndërsehen Kosovës.
Lind pyetja, a nuk është politika e z.Borrell anti interesave të BE-së, pasi për hir të një agresori të madh si Rusia, i lëshon pe një tjetër ish-agresori gjakatar, që e kalli në flakë e zjarr ish Jugosllavinë dhe që nuk heq dorë nga synimet territoriale ndaj Kosovës ?! A nuk ishte Vuçiqi ai që vetëm disa ditë më parë i dekoroi zyrtarët e pakicës serbe që dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës po me urdhër të Vuçiq?
A kemi të drejtë që qendrimet anti BE nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Europian Borrell-it të na kujtojnë spanjollin Josep Borrell, si përfaqësues i Spanjës, një nga pesë shtetet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës?!
Po ashtu Peter Stano, zëdhënësi i tij, sllovak, përfaqësues i Sllovakisë, një shteti tjetër i BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, për të mos harruar Miroslav Lajčák, përfaqësuesin Special të BE për Dialogun Beograd-Serbi dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, edhe ky sllovak, i cili deri në vitin 1990 ishte anëtar i partisë komuniste të Çekosllovakisë!
Një pyetje i bëj zonjës Ursula von der Leyen: kush i ka zgjedhur si me porosi këta diplomatë, të cilët, në vend se të respektojnë politikat e BE, ndjekin politikat e vendeve nga vijnë? Këtu ka konflikt të hapur interesi!
A nuk kemi plotësisht të drejtë të dyshojmë tek këta zyrtarë të lartë të BE-së, po minojnë bisedimet për paqe dhe stabilitet midis Prishtinës dhe Boegradit, sepse vendet nga vijnë, duke mos e njohur Kosovën, dashur pa dashur janë në një unison politik me Serbinë.
Mendoj se në një demokraci të konsoliduar, shtetet e BE brënda institucioneve të BE-së që nuk respektojnë vendimin e shumicës, siç është njohja e Kosovës, nuk mund të kenë përfaqësues për të zgjidhur krizën midis Kosovës e Serbisë, kur ata vetë mbajnë qendrime të njëanëshme që bien në favor të Serbisë.
Prandaj pyetja që drejtoj në titull është retorike, Josep Borrell, Miroslav Lajčák me zëdhënësa nuk janë legjitimë, sepse nuk mbrojnë interesat e BE, por të vendeve nga vinë, pra të Spanjës dhe Sllovakisë, shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
Duket sikur BE, kontinenti plak, e ka harruar konotacionin e vjetër të “fuçisë me barut” dhe se cili është shteti që gjithmonë i ka vënë fitilit zjarrin.
BE duke “zgjedhur” ndërmjetës të njëanshëm si z.Borrell e orienton dialogun në sens të kundërt, në favor të një shteti ish agresor qe nuk ka hequr dorë nga apetitet e vjetra ndaj Kosovës si Serbia dhe në diasfavor të Kosovës dhe atyre 23 shteteve të BE-së që e njohin Kosovën.
Kush është destruktori, veç dora vetë z.Borrell.
Ndërmjetësues të tillë si z.Borrell që në institucionet e BE mbron interesat e vendit që përfaqëson nxjerrin në pah dobësinë e BE.
Dobësitë e BE dëmtojnë Europën dhe Euro-Atlantizmin.
Me qendrime të njëanshëm, z.Borrell udhëheq midis Kosovës e Serbisë një dialog të dështuar. Natyrisht, jo për faj të Kosovës, por të Serbisë që nuk i implementon marrëveshjet e nëshkruara me Kosovën dhe as e njeh shtet të pavarur por edhe prej “të naivitetit” të BE që i zgjedh spanjollin Josep Borrell apo si sllovakun Lajčák, si ndërmjetësa.
Elida Buçpapaj prej 2008 është bashkeditore e platformës informative kulturore https://www.voal.ch – Voice of Albanians. Në vitin 1992, në prag të përmbysjes së diktaturës komuniste ka qenë reporterja e parë nga Tirana e VOA – Zërit të Amerikës. Ajo i takon gjeneratës së parë të gazetarëve pas vendosjes të pluralizmit në Shqipëri. Prej 1998 deri 2008 ka kontribuar si editore tek e përditëshmja Bota Sot, është autore librash me publicistikë dhe poetikë.
Një pyetje znj. Ursula von der Leyen: A kanë legjitimitet z.Borrell & z.Lajčák të kryesojnë dialogun Prishtinë-Beograd?! Nga Elida Buçpapaj