Me 21 mars 2024 Shoqata Intelektualëve “Jakova” në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit “Fehmi Agani” në Gjakovë, organizuan takim me intelektualin dhe shkrimtarin Agim Gjakova, për nder të Ditës Botërore të Poezisë. I gjithë manifestimi dhe takimi me këtë krijues emblematik u cilësua si ”Bisedë me shkas,” për të qenë takimi sa më spontan dhe i përafërt mes krijuesit dhe studentët e këtij Universiteti të Gjakovës.
Në fillim të hapjes së këtij manifestimi, Prof. Dr. Sidorela Doli-Kryeziu, me fjalë të zgjedhura e dashamirësie, i shprehi mirëseardhje në mesin e studentëve shkrimtarit, tani të afirmuar ndërkomtarisht, z. Agim Gjakova. Një përshëndetje të tillë e bëri edhe kryetari i SHI “Jakova” Ruzhdi Sefa, i cili me fjalë të miradie e falënderoj Agim Gjakovën për mundësinë e pjesëmarrjes në këtë manifestim kulturorë, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë.
Amfiteatri i Fakultetit të Edukimit “Fehnmi Agani” dje ishte i mbushur me studentë, të cilët si rrallëherë, treguan shumë interesim për artin letrar, për shkrimtarin Agim Gjakova, për jetën e ndrydhur që në rini të hershme, për veprën e tij madhore e cila na bënë të ndihemi krenarë, jo vetëm si Gjakovë, por mbarë kombin.
Moderimin e këtij aktiviteti e drejtoi për mrekulli e me profesionalizëm, studentja e vitit të parë, Vlera Morina, e cila që nga fillimi, përmes një monitori me fotografi, vuri në pah gjithë biografinë e shkrimtarit Gjakova që nga vitet 1960 e deri në ditët e çlirimit të Kosovës, kur poeti e shkrimtari Gjakova kthehet në vendlindjen e tij të lirë, pas dyzet e sa vitesh jete në Shqipëri. Gjatë shikimit gjithë atë kalvar jete, përmes monitorit, studentët dhe të pranishmit e tjerë, e përcollën me një interesim të jashtëzakonshëm, momente këto që krijonin edhe emocione tek të pranishmit.
Moderatoja, Vlera Morina, gjatë programit, kërkoi nga shkrimtari Gjakova që vet të fliste një pjesë të biografisë dhe krijimtarisë së tij, për kureshtjen e të gjithëve, që të dëgjohej nga goja e shkrimtarit, të cilat rrëfime do mbesin në kujtesën e studentëve për gjithë jetën.
Ishin rrëfime prekëse ato të shkrimtarit Agim Gjakova, të cilat fillonin që nga fëmijëria, shkollimi, fillimi i studimit në Beograd, pastaj fillimi i karrierës së mësuesit në Podujevë deri në fshatrat e Lipjanit, me përjetime të rënda fizike e psikike të kohës, si bir i familjes me “njollë irredentisti”, nga se axha i tij, Haki Taha, kishte vrarë Milladin Popoviqin menjëherë pas luftës së dytë botërore.
Ishte interesant karriera e tij në fshatrat e Lipjanit, (sepse në qendër nuk kishte asnjë shqiptar në vitin 1952), kohë kur Kosova ishte me mbi 90% analfabetë dhe se në klasa të fillores, kishte djem të rritur deri ne 17 vjeç. Gjatë rrëfimit për jetën e mësuesit, shkrimtari Gjakova, ua foli tri gjëra që do kenë rëndësi fondamentale për brezat: së pari, mësuesi nuk guxon të fyhet në asnjë mënyrë, por të respektohet, mësuesi nuk guxon të zemërohet, dhe se, mësuesi nuk guxon të mbajë mëri ndaj nxënësit. Këto porosi nga përvoja e bartur gjatë si edukator në Kosovë e Shqipëri, u priten me duartrokitje nga të pranishmit, pjesa më e madhe studentë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Në vazhdim të këtij manifestimi, interesante ishte edhe leximi nga pjesë e krijimtarisë voluminoze e krijuesit Agim Gjakovës, si në prozë ashtu edhe në poezi. Shumë studente patën nderin që autorit Gjakova t’iu drejtohen me shumë pyetje për krijimtarinë e tij, të cilave, Gjakova iu përgjigj me një përkushtim dhe ëndje të veçantë. Studentët me aktivë në komunikim me shkrimtarin Gjakova ishin, Vlera ,Alisa, Vanesa, Erëza, Erjolla, Anda, Diniada, Agnesa, Arta e shumë të tjera.
Për Universitetin e Edukimit” “Fehmi Agani” në Gjakovë, shkrimtari dhuroi 400 libra nga fondi i bibliotekës së tij personale. Në mbarim të programit festiv për Ditën Botërore të Poezisë, studentja Arta, në emër të Fakultetit të Edukimit, ia dhuroi një pikturë, “Çarshija e Jupave në Gjakovë,” krijuesit Agim Gjakova, tek i cili ngjalli shumë emocione dhe duartrokitje.
Gjakove,21.mars,2024