E nderuar familja Kupi!
I nderuar Imam!
Me dt 23 Shkurt 2016, mbasdite, nga nji telefonatë e shokut tim të fëmijërisë, Sokolit, me të cilin u rritëm në kampin e internimit të Gradishtës, mora lajmin e hidhur që babai i tij Fatbardh Abaz Kupi, ose xhaxh Bardhi, siç i drejtoheshim ne në fëmijëri, kishte ndrruar jetë!
Nuk e di, por për momentin u shtanga, më kapi nji trishtim i kuptueshëm dhe m’u rikujtua ajo skena e tmerrshme e arrestimit të dytë të xhaxh Bardhit. Një skenë që kurrë nuk më del nga mendja; sidomos mënyra e të ecurit me pranga në duar e xhaxh Bardhit ditën e arrestimit! Krejt i qetë, tepër kryenaltë, me një figurë e hapa gjithë dinjitet. Athua po i bënin ndonji nderim apo dekorim, ndërkohë ende pa u bërë gjyqi, dihej se do e dërgonin në burgjet e llahtarshme të komunizmit!
Ky gjest dinjiteti njerëzor, për njerëzit që nuk kanë shumë dijeni se çfarë ka qenë komunizmi, duket si një akt personal, por në fakt nuk ishte thjesht një qendrim personal i një burri trim e krenar. Xhaxh Bardhi kishte nji familje, të cilës fatkeqësisht po i kthente shpinën! Ai po braktiste tashmë 4 fëmijët e tij të parritur, Lisën, Sokolin, Jonën e Buçin si dhe bashkëshorten fisnike, teta Lirien, e cila gjithashtu është larguar para pak kohësh prej kësaj bote! Fati i fëmijëve, grave e familjarëve ishin sprova dhe tortura më e tmerrshme për ata burra, të cilëve u ra pjesa e mundimshme e përballimit të dhunës dhe padrejtësisë së komunizmit! Sepse komunizmi nuk dënonte persona, por dënonte familje, fise, madje edhe krahina të tëra!
Ajo skenë e arrestimit të xhaxh Bardhit, ishte shfaqur bukur shpesh nëpër sektorët e internimeve, në atë kapërcyell të viteve ’70-‘80, me burrat e klasës sonë, të cilët arrestoheshin në seri, me të njëjtën akuzë: – për agjitacion e propagandë. Skenarët e arrestimeve ishin të njejtë dhe synonin terrorizimin e gjithë klasës sonë si dhe ngulitjen e psikozës te të gjithë të rinjtë e asaj kohe, se shpejt do t’u vinte radha edhe atyre. Kemi fakte dhe dëshmi “pa fund” të këtij skenari, që synonte të prodhonte fajtorë të pafajshëm, me qëllim dënimin e viktimës së radhës.
Dhe nën atë torturë psiqike, gjeste të tilla kurajoze si qendrimi i xhaxh Bardhit para xhelatëve të Sigurimit, ishin si një dritë orientuese për sytë, mendjet dhe zemrat tona. Ai qendrim ishte si një mesazh i qartë se komunizmi, sado të mundohej, nuk mund të na nëpërkëmbte dinjitetin si njerëz! Vetëdija për origjinën, krenaria për patriotizmin e të parëve tanë dhe shpërfillja e frikës përballë sadizmit komunist ishin praktikisht një formë e kundërshtimit të regjimit, të cilën ata e ndienin dhe kuptonin fare mirë. Zyrtarët e ndryshëm komunistë përmendnin shpesh herë atë shprehjen: “nuk vjen më koha juaj!” athua se kërkonin të bindnin veten për frikën që u shkaktonte ajo ditë. E pikërisht, qendrimet dinjitoze të prindërve tanë, sfidat si ajo e xhaxh Bardhit që ende i kam para syve, ishin një burim force dhe ngushllimi për mua dhe gjithë të rinjtë e djemtë e brezit tim.
Nga ana tjetër duke kujtuar atë ditë, përtej trishtimit dhe keqardhjes për lajmin e ndarjes përgjithmonë me njeriun tonë të dashur, u ndjeva disi i çliruar e i lehtësuar nga fakti që Bardh Kupi ka qenë dhe do të mbahet mend si një ikonë e qëndresës dhe e dinjitetit përballë dhunës së shkaktuar nga sistemi sllavo-komunist. Pikërisht kjo forcë morale që ai ka demonstruar ndaj veglave qorre të sistemit, na bëjnë krenarë sot e sa të jetë jeta, se pavarësisht vuajtjes gati gjysëm-shekullore, emri i xhaxh Bardhit, do të jetë i shkruar gjithmonë me germa të arta në librin e nderit të këtij kombi. Figura e tij ishte në harmoni të plotë me emrin, i pastër dhe i bardhë si kristal, pavarësisht helmit, llumit e dhunës së pandërprerë me anë burgjesh, internimesh e përndjekjesh të pareshtura.
***
Me këtë rast, më lejoni të përshkruaj fare shkurt, disa momente kulmore në pikëpamjen time, nga jeta e këtij burri, prindi e antikomunisti të pamposhtur!
Së pari, Fatbardh Abas Kupi është “ilustrim manuali” se si nji sistem do të sterroste për 45 vjet, duke e persekutuar në mënyrë konstante dhe të pa mëshirshme, të birin për shkak të të atit! Pa bërë asnjë faj, pa asnjë shkelje ligji, pa asgjë me të cilën mund të dënohej dikush. Thjesht një farë “trashgimi” të dënimit! Paradoksi më i madh qendron në faktin se i ati, ishte arkitekti i rezistencës së parë kombëtare, institucionale të 7 prillit 1939 ndaj pushtimit fashist italian. Pikërisht këtu nis dhe odiseja e vuajtjeve të Bardhit, të cilat fatkeqësisht nuk do t’i ndahen, deri në rënien e Murit të Berlinit. Bardhi, jo vetëm që nuk do ta jepte veten për vuajtjet e tij, të cilat do vazhdonin zinxhir duke filluar me internimin prej fashizmit në Himarë dhe më vonë në Itali e deri tek internimi i fundit në Gradishtë, por nuk kishte as më të voglin pendim.
Se dyti, me instalimin e diktaturës sllavo-komuniste, do të niste edhe kalvari i vuajtjeve të papërshkrueshme të tij, duke provuar burgun e parë, duke vazhduar me internimin në Tepelenë, Berat, Kuç, Porto Palermo, Çorovodë, Savër, Gjazë, Grabian, Gradishtë.!… Më tej me burgun e dytë në Ballsh e Qafë Bari, ku ai do të shprehej: “gjithçka e kam bërë me vetëdije se ia vlen të vuaj për një babë hero!” Dmth ishte nder që po vuante për babën e tij, emri i të cilit i jepte frymëzim, forcë, shpresë, kurajo, vetëbesim për të përballuar gjithçka, pavarësisht vështirësive. Ne fakt, kjo është një nga karakteristikat më të spikatura të Bardhit: – gatishmëria për vetësakrifikim për hir të emrit të të atit, të cilin e kishte idhull!
Së treti, Fatbardhi, përveç personalitetit të papërkulshëm që rrezatonte dhe krenarisë së të qenit bir i Abaz Kupit, nji arsye tjetër qe do të forconte karakterin të tij, ishte edhe betimi që i kishte bërë babës, për t’u kujdesur për nënën dhe motrat e tij e për të mos i lënë kurrë vetëm! Porosi që ai e konsideroi të shenjtë dhe që e kreu përsosmërisht, bash si djalë hallalli! Fati nuk i buzëqeshi ta takonte të atin që t’ia thonte gojarisht: “Babë, porosinë ta kam kry!” dhe ky ishte nji peng për Bardhin sa ishte në këtë botë! Dashtë i madhi Zot dhe i bashkon në atë dynja me njëri-tjetrin…
Së katërti, dëshiroj të kujtoj se kam pasë fatin të takohem e bisedoj shpesh me Bardhin sidomos mbas viteve ’90. Kujtoj se ai ishte i zhgënjyer me rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri, e sidomos me fatin e së djathtës së vërtetë. E kishte brengë faktin që klasa jonë nuk arriti ta gjejë vetveten në këto 25 vite vorbullash politike. Me atë urtësinë dhe qetësinë e tij të jashtëzakonhme dhe me forcën e argumentit, përherë na nxiste ne të rinjve, për të qenë më aktivë në drejtim të forcimit të së djathtës. Gjithashtu jetonte me problemet e Kosovës, dhe në optikën e tij, ajo nuk kishte dallim nga pjesa “zyrtare” e shtetit shqiptar.
Së fundi, Fatbardh Kupi, ishte i pa shok për sa i përket thjeshtësisë. Ai i urrente njerëzit që vuanin prej delirit të madhështisë. Ai ishte nji njeri i përkryer e me zemër të madhe. Atë kurrë nuk e dëgjoje të fliste për veten, apo të ankohej, pavarësisht se kishte kalu vuajtje të tmerrshme. Ai do të mbahet mend si njeriu model për sa i përket, qendresës, urtësisë e bujarisë dhe pa frikë e them që është mishërimi më i plotë i fisnikërisë shqiptare.
Ngushllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashtun e të shtrenjtë!
Ngushllimet më të sinqerta bashkëvuejtësve të burgjeve dhe të internimeve për humbjen e vëllait e mikut të paharrueshëm!
Ngushllimet më të sinqerta Legalistëve për humbjen e nji bashkidealisti të devotshëm!
Ngushllimet më të sinqerta dashamirëve dhe miqve për humbjen e njeriut model!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
* Kryetar i Partise Levizja e Legalitetit, Dega e Amerikes. Ngushellimi i percjelle gjate ceremonise percjellse te Bardh Kupit, ne Shtepine Mortore “Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel” ne Queens.
Komentet