Më 6 maj 1971, në Tiranë, në sallën e leksioneve të Pallatit të madh të kulturës, zhvilloi punimet takimi i parë kombëtar i arkitektëve i organizuar nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në takim merrnin pjesë arkitktë, inxhinierë ndërtimi, skulptorë, piktorë student të degës së arkitekturës së USHT e punonjës të artit e letërsisë. Midis tyre ndodheshin edhe anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Manush Myftiu, Ramiz Alia e Spiro Koleka, anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Dashnor Mamaqi, Fadil Paçrami e Nexhmije Hoxha, ministri i arësimit e kulturës Thoma Deliana, kryetari i komitetit ekzekutiv i k.p të rrethit Myqerem Fuga, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dhimitër Shyteriqi, sekretari i parë i Komitetit Qëndror të BRPSH Agim Mero e të tjerë.
Takimin e hapi ministri i ndërtimit Shenasi Dragoti. Pastaj, Sokrat Mosko, anëtar i komitetit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve mbajti referatin kryesor, shkruan korrespodenti i të përmuajshmes letrare-artistike shoqërore-politike “NËNDORI” . Nr.6 Viti XVIII I BOTIMIT QERSHOR 1971.
Nga fjala e arkitektit të mirnjohur Sokrat Mosko i cili i bën një përmbledhje arritjeve dhe sukseseve dhe problemeve që shfaqeshin në arkitekturën shqiptare në takimin e parë të këtij lloji për krijimtarinë arkitektonike. Natyrisht duhet patur parasysh konteksti kohor dhe fryma e kohës kur është mbajtur ky takim, por ai përbën dhe një dëshmi të kohës se si ka ecur arkitektura e qyteteve tona. Viti 1971 është shndëruar në një epok bumi në ndërtime, si pas S. Moskos Tirana ka sot më shumë banorë nga sa kishin gjithë qytetet e Shqipërisë të marrë së bashku më 1938. Regjimit të Zogut do t’i duheshin jo më pak se 850 vjet për të kryer ndërtimet e këtyre 27 vjetëve të realizuara vetëm nga ndërmarjet shtetërore. Shoqëria na mëson që të mbajmë një qëndrim eksigjent ndaj ndërtimeve, të kemi kërkesa shumë të përparuara ndaj urbanistikës të kërkojmë rrugë të reja dhe pwrherë e më të përsosura për arkitekturën, të dimë të kombinojmë në bazë kriteresh shkencore e artistike cilësitë e ndërtimeve tona të shumta. Mosko përmend disa vepra dinjitoze banesa të bukura në Shkodër, Laç, Durrës, Tiranë, Korçë, Elbasan, Lushnje , Çorovodë, Fier etj…, të projektuara nga Ibrahim Prushi, Miço Pepa, Vlash Goga, Petraq Kolevica, Mauricio Bega, Sami Pashallari, Fatbardha Daja, Kostandin Mona, spitalet në Tiranë dhe Pogradec të Skënder Luarasit dhe Mërgim Çanos, hoteli në Sarandë i Anton Lufit, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore në Tiranë e Koço Mihos, kinemaja dhe hoteli në Elbasan të Valentina Pistolit, Shkolla e Partisë në Tiranë, hotel pensioni në Fier, hotel turizmi në Korçë të Koço Çomit, shtëpia e kulturës në Rrëshen i Bujar Ferës, spitali në Vlorë i Adem Stërmasit, hoteli dhe banesat në Krujë të Haxhi Subashit, stadium i lojrave me dorë në Fier i Kosta Çomorës, hotel turizmi në Shkodër i Niko Titkës e Albert Shanit, Komiteti i Partisë dhe kinemaja e Beratit të Faik Idrizit, komplekset e konvikteve të Universitetit dhe Vorrezat e dëshmorëve në Tiranë të Besim Dajës, Enver Fajës, Vasilika Cickos, Ilia Papanikollës e Robert Kotes, mjaft vepra industriale të projektuara nga Kostaq Sahatçiu e Pandeli Borova, shumë plane rregulluese e studime të Misto Meles, Zija Fterrës, Keti Qanos, Rustem Myteveliut, Faik Alimehmetit e Agim Shehut e shumë e shumë të tjera. Arkitekti Mosko në këtë diskutim përqëndrohet në hartimin e planeve rregulluese dhe e quan sukses të urbanistikës. Por ai vë shpesh në dukje edhe dukuri ne gative ku shumë vepra të ndërtuara pa studime përkatëse urbanistike, shumë plane rregulluese nuk u shoqëruan me studime të thelluara të pjesëshme duke lënë shteg vendosjes spontane, volumeve monotone, pa kërkime të mjaftueshme për organizimin estetik të hapësirës, për arritjen e një fizionomije të qartë për çdo qytet a zonë në përputhje me madhësinë kushteve klimaterike, ambientin natyral dhe relievin. Parashikimet 15 vjeçare për shumë plane rregulluese si ai i Beratit, Tiranës, Vlorës, Elbasanit, janë tejkaluar brenda 5-10 vjetëve. Psh Tirana e tejkaloi që më 1967 numrin e popullatës, që sipas të dhënave të planit rregullues, duhej ta arrinte më 1973. Po të kemi parasysh edhe rritjen e volumit të ndërtimit, s’është e vështirë të kuptohet gjendja e koklavitur e krijuar për çeljen e fronteve të punës, gjëndje që çoi edhe në një sërë të metash e gabimesh. Këto të meta bien në sy , në rradhë të parë në vendosjen e godinave në rresht, pa ide kompozicionale, pa marrë parasysh lidhjen e tyre të përshtatshme me terrenin, pa shfrytëzuar në maksimum trojet e ndëtimit, siç ka ndodhur me psh, me banesat në rrugën Bajram Curri në Tiranë, me banesat në hyrje të Beratit, me banesat dykatëshe në dalje të Fierit për në Vlorë, me banesat njëkatëshe dhe depot në hyrje dalje të Lushnjes, me depot në hyrje të Shkodrës.
Në Laç me vendosjen e furrave të bukës e të lavanterisë në Tiranë me vendosjen e restorant “Vollga”, pranë godinës së hotel “Tiranës”. Gabime të tilla si në Pogradec ku është vendosur autoparku mbrapa varrezave të dëshmorëve, e Komiteti i Partisë në Shkodër. Dobësia e planeve rregulluese dhe studimeve të pjesëshme thekson Mosko qëndron pikërisht në përdorimin e pak skemave kompozicionale, të cilat dendur përsëriten nga një vend në tjetrin duke krijuar monotoni, që forcohet edhe më tepër nga volume monotone të vetë godinave. Duhet përmendur shembujt për mirë duke kaluar nga blloku “50vjetori” te blloku “Partizani” në Tiranë si dhe nga studimet për Cërrikun e Prrenjasin te ato për Laçin, Kuksin, Ballshin, Vlorën etj… shohim qartë përparimet në zgjerimin e ideve kompozicionale.
Këto përparime të krijimtarisë urbanistike janë veçanërisht të dukshme sidomos në studimin e zhvillimit të qytetit të Vlorës, në zonën e skelës dhe të “Ujit të Ftohtë”. Këtu gjejmë një konceptim të pastër modern të kuartallit të banimit, tepër fuksional të orientuar e të ajrosur mirë. Një trajtesë të veçantë ka arkitekti Mosko për monotoninë e lartësisë së banesave. Krahas monotonisë së vendosjes dhe të volumeve, monotonia e lartësive përbën sot për ndërtimet tona një problem që duhet të na tëheq vëmendjen. Ky problem duhet të zgjidhet në mënyrë të larmishme edhe me lartësi të përshtatëshme, mbasi, siç dihet, ai përbën një nga elementët e rëndësishëm të kompozicionit urbanistik dhe arkitektonik. Loja e volumeve dhe e lartësive, aq e nevojshme për të zhdukur sëmundjen e monotonisë, duhet të përdoret më drejt nga urbanistët dhe arkitektët tanë në të gjithë larminë e variacioneve të shumta për të rritur forcën e efektit estetik të ndërtimeve tona. Për këtë është e nevojshme të tërheqim vëmendjen në dy faktorë kryesorw-në atë të përdorimit të lartësisë optimale e të theksimit të volumeve si elemente të rëndësishëm kompozicionalë dhe në atë të shtrirjes së ndërtimeve edhe në zona me pjerrësi, ç’ka është më ekonomike për kursimin e tokës bujqësore, ndërsa nga ana tjeër krijon kushte shumë më të përshtatëshme fuksionale dhe për variacione në kompozimin e volumeve e të lartësive. Pak vjet më parë ne kemi ndërtuar me 2 e 3 kate, më pak me 4 dhe 5 kate.
Ndërtimet 5 katëshe për mungesë të ashensorëve, të hekurit e të çimentos, por edhe si pasojë e qëndrimit, nënvleftësues ndaj mundësive dhe aftësive të ndërtimit, janë bërë limiti i ndërtimeve tona. Por cili do të jetë vallë limiti i lartësive për qytetet tona këtu e mbas dhjetë a pësmbëdhjetë vjetëve? Kjo pyetje e bërë nga arkitekt Mosko në vitin 1971 është thembra e Hakilit edhe sot më 2023. Ja si e vazhdon më tej diskutimin Mosko. ¬- Ndërtimet më të larta do të sjellin një notë të re në tingullin e arkitekturës së qyteteve tona ashtu sikurse e sjellin sot disa godina të veçanta me gjashtë dhe shtatë kate në Tiranë, Korçë, Elbasan, Sarandë, Shkodër. Në shumë qytete, tendencat e zhvillimit të mëtejshëm janë drejtuar përgjithsisht nga fushat. Kështu Tirana po zhvillohet më shumë nga jugë-perëndimi, d.m.th drejt fushës dhe shumë pak ose aspak drejt kodrave të bukura të lindjes, rrëzë Dajtit. Kështu po ndodh në Lushnje me Pogradecin, Beratin e mjaft qytete të tjerë. Durrësi, psh..,është futur e po ndërton në tokat e ish kënetës, me shpenzime shumë të mëdha për themelet duke iu larguar kodrave e pjesëve të tyre të shëndosha e jo të rrëshqitëshme. Edhe rëndësia e përdorimit të ngjyrës si element i rëndësishëm i shprehjes arkitektonike që ndihmon për të përceptuar më mirë të bukurën në arkitekturë, duhet të shikohet me kujdes të veçantë nga arkitekti si pjesë përbërëse e idesë kompozicionale.
Ngjyrat bëhen edhe ato shqetësuese kur nuk përdoren me vend siç ka ndodhur me banesën në P.T.T e në disa banesa të tjera në Korçë dhe në një godinë në Berat, ku ngjyrat e përdorura me shumicë e pa vend dhe në trajta që nuk përputhen me idenë kompozicionale dhe me tektonikën e veprave, nuk i ka ndihmuar, por i kanë dëmtuar pamjet e tyre. Prirja tepër skematike e thatë pa mendim e pa kërkime kompozicionale është shumë e dëmshme në ndërtimin e godinave dhe banesave të ndërtimit.
Kjo në një farë mënyre përcakton fytyrën e qyteteve tona dhe i shkaktojnë një dëm të madh arkitekturës sonë. Secili nga arkitektët tanë projekton në të njëjtën kohë disa vepra, gjë që u le shteg zgjidhjeve skematike të shpejtuara e të pa arritura, e që bëhet pengesë për një punë më të thelluar në secilën prej tyre, për zgjidhje më fuksionale, më ekonomike e të shprehura me forma më të bukura. Nuk janë të rralla rastet kur projektet e zbatuara në një qytet merren e zbatohen edhe në vende të tjera pa asnjë kriter krijues në kushte krejt të ndryshme. Kështu rrethimi i Shkollës së Partisë në Tiranë ka marrë rrugët. Atë e gjejmë edhe në sektorin e Suaukut të fermës “Gjergj Dimitrov” edhe në qytetin e Kavajës dhe në kooperativën e Novoselës. Nga ana tjetër monotonia ushqehet nga tipizimi dhe e standartizimit, i cili, krahas anëve pozitive, bart në vetvete edhe farën e uniformitetit. Kjo kontradiktë e brendëshme e tipizimit duhet të zgjidhet nga arkitektët dhe inxhinierët tanë nëpërmjet një pune të madhe, të vazhdueshme dhe këmbëngulëse. Këtu fjalën e kemi kryesisht te banesat, shkollat, kopshtet e çerdhet e fëmijëve. Dihet që kjo përbën një burim të theksuar të monotonisë. Një vëmendje tjetër arkitekti Mosko i kushton interierit si fuksion estetik edhe pse është pak i lëvruar ose tepër skematik. Një arkitekt duhet të shfrytëzoj në mënyrë të përsosur çdo centimetër jo vetëm i dyshmesë, por edhe i mureve, që ato t’i përgjigjen organizimit më të mirë të proçesit të jetës që zhvillohet në to dhe që nga ana tjetër, të jenë sa më të bukur. Kjo përbën pa dyshim një nga boshllëqet kryesore të arkitekturës sonë. Arikitekt Mosko jep lajmin e rëndësishëm se Universiteti i Tiranës nxjerr këtë vit kontigjentin e parë të arkitektëve.
Kjo është ngjarje e rëndësishme për arkitekturën tonë.( Dihet se shumë fëmijë të nomeklaturës së lartë komuniste janë brezi i parë i studentëve të laureuar, ndaj dhe shumë vepra mbajnë emrin e tyre). Në fund vihet theksi për një harmoni mes arkitekturës dhe arteve figurative të aplikuara. Kënaqësia estetike dhe edukimi i shijes artistike nëpërmjet arkitekturës ka një rëndësi të dorës së parë, por edhe një ndërthurje me artin figurativ do e shtonte vlerën dhe jetëgjatësinë e çdo ndërtimi. Shumë shembuj të praktikës sonë tregojnë qartë se veprat që edhe nga ana estetike nuk i qëndrojnë kohës nuk mund të jenë ekononomike. Nuk duhet të na mbysin me konceptet e qëndrimet e gabuara që kërkesat estetike të arkitekturës i njësojnë me mbishpenzimet. Faktori ekonomik nuk mund dhe s’ka se si të shndërohet në arkitekturë në një qëllim në vetvete. Ai s’ka si të mos shihet në raport të drejtë e logjik me të gjitha anët e arkitekturës dhe jo vetëm për nevojat immediate, por për një kohë sa mëtë largët, sepse i tillë është dhe destinimi i veprave të arkitekturës. Duhet të ndihmonte së tepërmi një kritikë arkitektonike, e cila në fakt nuk ekziston. Pra arkitekt Mosko shtron përpara auditorit një prioritet demokratik për të shpënë përpara mendimin arkitektonik shqiptar e platformën e saj teorike në përshtatje me kushtet e kërkesat e kohës. Këtij qëllimi i shërben edhe takimi i këtij lloji për krijimtarinë në arkitektonikë.
Gazetari Italian Indro Montaneli në librin “SHQIPËRIA NJË DHE NJË MIJË” kur shkruan kapitullin për Tiranën, është një debat i hapur edhe sot, ndaj edhe po e citojmë “Sepse Tirana është një qytet thelbësisht modern, pothuajse i shpikur, si ndonjë qytet amerikan që i ka zëvendësuar rrokaqejt me minaret, koha e saj nuk ka veçse dy masa: të tashmen dhe të ardhmen.
E kaluara nuk egziston. Por gjithë pjesa tjetër e vendit nuk e ndjek pas këtë përpjekje moderniste, ose të paktën, nuk e ndjek me të njëjtin hap. Dhe kërcënon ta lërë të izoluar Tiranën, si një metropol evropian i improvizuar në mes të një shkretëtire rërash afrikane, si një Romë apo Paris që për shkak të një mrekullie qiellore ka rënë në mes të Kinës. Ky është një problem politik që nuk duhet lënë pas dore.
Pas referatit të arkitektit Sokrat Mosko me interes është fjala e arkitekt Petraq Kolevica i cili ndër të tjera thotë : Profesioni ynë na ngarkon me përgjegjësi të madhe ndaj shoqërisë. Guxoj të them, bile, me një përgjegjësi më të madhe se sa mjekët apo petagogët. Jo më kot egjyptasit e vjetër e mbanin profesionin e arkitektit për të shenjtë. U përmend këtu roli i madh edukonjës i arkitekturës. Dhe unë dua të shtoj se s’ka eksagjiruar shumë ai që ka thënë << Mund ta vrasësh një njeri me pamjen e një ndërtese siç mund ta vrasësh me sopatë>>. Po ta mendojmë kështu, kuptojmë se sa përgjegjësi të madhe, kemi ndaj shoqërisë, e cila na ka dhënë në dorë një lapës dhe tok me të dhjetra milionë lekë, na ka lënë në dorë rrugët, ndërtesat, gjelbërimin, qytetet dhe fshatrat. Njohja e historisë së arteve dhe historisë së arkitekturës në veçanti si mjet interpretimi i fenomeneve të sotme mungon. Ato njohuri të pakta që kemi mbeten të vargullta në mes kujtimeve të mjegullta nga shkolla.
Përgjithësisht punohet me përshtypjet e çastit, nga çfletimet e revistave. Pa ndonjë përvetësim kritik të orientuar nga ligjet e përgjithshme të artit dhe shkencave. Gjykimi ynë i bie shkurt: Më pëlqen ; s’më pëlqen! Përveç boshllëqeve të kulturës teknike, ndër ne kultura e përgjithëshme ka mbetur e cekët dhe fragmentare. Duket se kritika e Kolevicës shkon edhe më tej, për çështjen e kulturës së arkitektëve si domosdoshmëri që ata të jenë pjesa më e kulturar e intelektualëve të vendit tonë, të mos kemi asnjë iluzion për ndonjë ndryshim të dukshëm në arkitekturë, shtonë ai. Ndër të tjera kjo arrihet me specializimin, por ndërsa mjekët shkojnë me konvejer jashtë shtetit për specializime në degë të ndryshme me afate optimale, për arkitektët duket sikur është zgjidhur ky problem duke i dërguar me pavilonet e Dhomës së Tregëtisë a ndonjë punë tjetër kësodore. Me këtë rast ata shikojnë rrëmbimthi nja dy aeroporte apo stacione treni, soditin shkarazi rrugë qytetesh e fasada ndërtesash-në rastin më të mirë-marrin disa fotografi dhe vijnë më shpejt seç venë.
Asnjëherë, asnjë arkitekt nuk është dërguar të studjojë për një periudhë të caktuar problemet e ndërtimit të shkollave, të spitaleve, të banesve apo të shohë zgjidhjen e problemeve urbanistike të ndonjë qyteti të huaj.
Një referat tjeër i mbajtur nga arkitekti Enver Faja, përqëndrohet në problematikën e krijimit të byrove të projektimit në disa rrethe të Shqipërisë. Një trajtesë tjetër e Enver Fajës është aspekti kompozicional i qendrave të banimit me të gjithë elementët. Nuk mund të zhvillohet jeta e një lagjeje në qoftë se asaj i mungojnë objektet e domosdoshme shoqërorë. Si mund të jenë të kënaqur banorët e lagjeve kur nuk u ngrenë shkolla 8-vjeçare dhe fëmijët për të shkuar në shkollë duhet të bëjnë 1 km. rrugë. Apo, kur banorët për të blerë artikuj ushqimorë, që i ka si nevojë të përditshme banori detyrohet të shkojë në qytet. A është menduar, për shembull, për një vend ku do të lozin fëmijët? Një tjetër referat me temë arkitekturën e gjelbërimit e referuar nga arkitektja Vasilika Cicko e cila përshtatjen e veprës arkitektonike me ambientin ku vendoset dhe lidhja organike që duhet të krijojë ajo me natyrën. Gjelbërimi si një objekt plastik e gjallëron arkitekturën, i jep asaj jetë, krijon një ambient romantik dhe çlodhejeje.
Referati i skulptorit Kristaq Rama fillon me shembujt më të mirë të trashëgimisë njerëzore në fushën e ndërtimeve, bile siç thotë ai që nga vendbanimet e para, të cilat banori i lashtësisë zbukuronte me figura e dekoracione të ndryshme , e gjer në periudhat më të ndritura të zhvillimit të arkitekturës në epokat e mëdha, dëshmojnë se arkitektura dhe artet figurative kanë tërhequr dhe në shumë raste kanë plotësuar njëri- tjetrin. Vetë fakti që Tirana e sotme prej 200 mijë banorësh ka mbetur me dy sheshe qendrore të trashëguar nga e kaluara, pa mundur të krijojë pika të tjera që t’i përgjigjen intesitetit të zhvillimit social ekonomik e kultural të kryeqytetit, dëshmon në mënyrë të padiskutueshme për probleme ende të pazgjidhura nga urbanistika jonë që, si rrjedhim, përjashton edhe mundësinë e zhvillimit harmonik të gjinive të arteve monumentale dekorative. Por duke mos dhënë Tirana shembullin e saj në këtë drejtim, sepse s’ka suva, apo vetëm tulla silikate, mbetet të pranojmë atë që është e dukshme dhe e metë e ndërtimeve në kryeqytetin tonë, mungesën e kritereve të drejta shkencore në studimin e kuartalave të banimit me tërë komponentët që i duhen njeriut të ditëve tona, e mbyll referatin Kristaq Rama.
Arkitekti Ilir Fico referon për çështjen e mobilimit në banesat , për krijimin e ambienteve të këndëshme. Ai shtron pjesmarrjen e arkitektëve në masë të gjerë në projektimin dhe krijimin e mobiljeve të reja që të jenë ekonomike dhe estetike, në këtë mënyrë do të ekonomizohen më mirë hapësirat e shfrytëzueshme.Banori, si “homus economicus”, përpiqet ta racionojë sa më mirë hapësirën e banesës së vetë. Skematizmi në prodhimin e mobiljeve është dhjetë vjetë mprapa. Bëhet fjalë për shkëputjen nga mobilimi me mindere drejt divaneve e bufeve e dollapëve e kolltuqeve të një modeli.
Piktori Foto Stamo e shquan qartë idenë se artistët arkitekturën e konsiderojmë art, duke përfshirë në gjirin e arteve të tjera. Shpesh në diskutimet tona për probleme të arteve figurative, sidomos të arteve të aplikuara jemi hedhur edhe tek arkitektura, duke e parë atë si një nënë që mban në gjirin e saj edhe gjini të artit figurativ. Mendimi se: “tani nuk është koha të shtrojmë para projektuesve e arkitektëve tanë kërkesa estetike” mendoj se nuk i qëndron kohës.
Shpesh herë dëgjon mendime jo vetëm nga artistët, por edhe nga masat se kur je në Lushnje, të duket sikur je në Fier apo në Shkodër. Arkitekti nuk është një kopjues mekanik, por një artist krijues, që mendon dhe krijon larmi kompozicionale në veprat e projektet e tij. Ne artistët kemi ngritur gjithnjë dhe e kemi konsideruar të domosdoshme çështjen që në projektet arkitekturale duhet të gjejë vend edhe vepra e artit fiurativ, sidomos veprat e arteve të aplikuara. Një aspekt tjetër që prek Foto Stamo është dhe përdorimi i ngjyrave. Vihet re një shqetësim për suvatimin e pallateve dhe për ngjyrosjen. Në qoftë se hedhim një vështrim si në qytetin e Tiranës, ashtu edhe në qytetet e tjera, dominojnë ngjyrat krejtësisht të zbehta, në gama të përafërta, monotone e anemike. Koloriti i qytetit dhe i godinave të reja ashtu edhe për të vjetrat duhet zgjidhur drejt e me kujdes. Arkitekti Niko Titka e fillon referatin kwshtu : arkitekti sot formon kornizat e jetës së brezave të ardhshëm. Duhet pra të dijë jo vetëm nevojat e ditës së sotshme dhe të mundë t’i zgjidhë, por të parashikojë nevojat e së ardhmes dhe mjetet e veprimit, të shikojë me mendje në të ardhmen duke krijuar mundëinë për të ardhmen. Faktorët e rritjes së shpejt të popullsisë dhe akoma më tepër të zhvillimit dhe revolucionit teknik.Sipas Niko Titkës në vitin 2000, në periudhë prej afro 30 vjetësh popullsia e vendit tonë arrin rreth 3-3,5 milion njerëz si.Leonardo da Vinçi, duke vërejtur ngjarjet që pasojnë, rastet dhe zbulimet, ka thënë: “Nganjëherë më duket se nuk ka të tashme. E kaluara bashkohet me të ardhmen. Është vetëm dita e djeshme dhe e nesërme”. Arkitekti Kostaq Sahatçiu është përqëndruar në arkitekturën industriale dhe jep shembuj të zgjidhjeve të shumë problemeve në bashkëpunim me teknologët dhe inxhinierët. Po ashtu edhe arkitekti Koço Miho e nis diskutimin e tij me vlerësimin për arkitektët, por njëkohëisht shpreh dhe vërejtjet.
Nga pikëpamja globale, urbanistike e tërësisë ne kemi akoma mungesa studimesh, mungesa krijimi, monotoni për të cilat na ka kritikuar me kohë Komiteti Qëndror. Natyrisht kundër të bukurës nuk ka se si të dilet hapur, por vihen përpara faktorë ekonomikë, industrializimi etj. Një koncept i tillë është vlerësimi i pakët që u bëhet aspekteve estetike të artitekturës, në raport me faktorët e tjerë.