Draftmarrëveshja e ndarjes së detit midis Greqisë dhe Shqipërisë e kaloi Vitin e Ri në sirtarët e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Si u ndje vallë në këtë braktisje dhe këtë izolim? Ç’përjetoi ajo në duar të tjera? A është ajo një version i vërtetë i së vërtetës së ndarjes së drejtë dhe të ndershme? Apo është një flamur i bardhë në dorëzimin e hapësirës detare? Vetëm pyetje dhe pas tyre një heshtje e vrarë.
Atje, në arkivin e huaj ndodhet edhe marrëveshja e para dhjetë vjetëve, me vijën e tradhtisë dhe të dorëzimit. Greqia, asokohe, proklamoi me zë fitoreje dhe krenarie se kishte realizuar synimet më të larta gjeostrategjike dhe politike. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e hodhi poshtë.
Drafti – cung i marrëveshjes së re, ka gjasa se do të jetë shëmbëllim i kapitullimit diplomatik dhe një pushtimi të ri të hapësirave detare. Ashtu e futur në atë hartë të vizatuar dhe të hartuar nga mendje dhe duar të huaja, të cilat nuk kanë negociuar, por vetëm kanë urdhëruar. Ajo draftmarrëveshje shpreson se do të fitojë detin e humbur në 2009-n nëpërmjet një sajese antiligjore dhe anti-UNCLOS-82, të asaj… VIJËS SË DREJTË BAZORE… një truk dhe një trill grafik i mashtrimit që shmang vijat bazore të Arkipelagut të Korfuzit, prej të cilëve Shqipëria humbte kriterin gjeografik dhe historik si përparësi e brigjeve të dheut tonë kontinental.
Shqiptarët duhet ta kenë të drejtën të pyesin se kush janë kriteret dhe parimet mbi të cilat është hartuar kjo draftmarrëveshje. Ata kanë të drejtë të pyesin dhe të sqarohen, se kush kanë qenë përparësore, kriteret politike, apo kriteret e së vërtetës shkencore të së Drejtës Detare Ndërkombëtare? Atyre iu duhet që të njihen me cilësinë e betejës diplomatike, të grupit negociator, i cili ka hedhur firmat, pa plotësuar suazën tekniko-ligjore të oponencës, as të Akademisë së Shkencave, as të Shtabit të Përgjithshëm të FA… as të universiteteve të Shqipërisë. Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme Bushati, tanimë, është në ikje. A bart në vete, vallë kryediplomati Bushati, ndonjë brerje ndërgjegjeje apo jo? Ndërsa, ministri i pritshëm i ri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Cakaj festoi i habitur ardhjen qiellore të postit të epërm ministror, në përzgjedhje në prag të këtij Viti të Ri!
Ajo draftmarrëveshje është pa dinjitet, një vetvete e shpërfytyruar. Nuk ka entitet dhe as identitet shqiptar! Ajo është dëshmi e shkeljes së integritetit detar të Detit Jon të Shqipërisë.
Ajo nuk iu përngjan veçorive të brigjeve detare dhe tipareve gjeo-historike shqiptare. Kush do të jetë vallë ajo dorë historike që do të marrë nismën për ta tërhequr me urgjencë këtë domethënie kapitullimi të shtetit shqiptar? A e ka festuar vallë Vitin e Ri draftmarrëveshja e paktit detar me Greqinë?
Komentet