Pas fjalës së kreut të PD-së, Lulzim Basha me thirrje për luftë kundër qevrisë dhe zërave se fjalimi mbante dorën e Artur Zhejit, reagon analisti.
Në një shkrim në 360grade.al, Zheji shkruan se në ethet e frikës që po shkakton rritja e figurës së Lulëzim Bashës në politikë, është rritur përpjestueshmërisht edhe sulmi ndaj tij në të gjitha pikat e mundshme.
“Për të qetësuar shpirtrat e sëmurë nga frika ”Basha”, po u jap një thelë mediatike, atyre që merren akoma me vitin 2011, sikur bëjnë ndonjë zbulim. E pra, kam qenë këshilltar i Lulëzim Bashës, në fushatën e vitit 2011, sepse isha i tmerruar, si edhe shumë shqiptarë që kishin sy dhe të paktën mbi 5 gr tru e sipër, nga projekti i frikshëm i kullave shumëkatëshe që paraqiti Rama asokohe. 7 apo 8 kulla gjigande te Liqeni artificial i Tiranës, dhe rreth 10 kulla të tjera në qendër tëTiranës, të cilat i konsideroja vdekje prurëse për kryeqytetin”- shkruan Zheji.
Ai sqaron se ka qenë ideatori i Moratoriumit të ndërtimeve në Tiranë dhe për gëzimin e tij kjo ide u pëlqye dhe u përqafua nga Basha!
“Dhe Basha, Moratoriumin shpëtimtar të kryeqytetit, e mbajti 4 vite dhe pothuajse deri në fund të mandatit si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Jam pra, krenar që kam dhënë një kontribut të vogël, në mosmbytjen e Tiranës nga helmet, që shkaktojnë mbipopullimi dhe ndërtimet përbindëshore të ideuara nga Rama i asaj periudhe”- shkruan ai.
Ai u shton “zbulimeve” edhe sekrete të tjera: “Kam këshilluar Ramën në vitin 2003, në konfliktet me ish kryeministrin Fatos Nano dhe sidomos në fushatën e vështirë të vitit 2007, për kryetar bashkie për herë të tretë në Tiranë. Sepse bëja pjesë ndër ata njerëz që nuk donin që të gjitha pushtetet, e pra edhe Bashkia e Tiranës, të binin në dorën e kryeministrit, në revansh të paparë të asaj kohe Sali Berisha. Rama na premtonte një kryeqytet të jetueshëm, por miliarderët e ndërtimeve ishin më të fortë se ai dhe kryetari fitimtar i vitit 2007, Edi Rama, i shkeli të gjitha marrëveshjet me shoqërinë civile”- shkruan Zheji.
Ai thotë në fund se nuk ka asnjë ftesë nga stafi i liderit të Opozitës, për të qenë pjesë e ndonjë bordi këshillimi si strategjist politik. “Në rastin më të parë, që të vijë një kërkesë e tillë dhe nëse gjykoj se duhet pranuar, do t’ua bëj me dije”- thotë ai.
Komentet