Policia dhe Prokuroria u kanë kërkuar të dhëna mjekëve ligjorë për praninë e ndonjë substance apo kimikati në trupin e vajzës 20- vjeçare që është vetëhedhur nga kati i 11-të.
Po kështu hetuesit u kanë bërë mjekëve ligjorë edhe pyetjen nëse është e mundur të zbulohet nëse në trupin e vajzës ka shenja të ndonjë akti dhune që mund të jetë ushtruar ndaj saj para aktit të vetëflijimit.
Policia e Prokuroria dyshojnë se një situatë ekstreme në momentet e fundit para vetëhedhjes, ka qenë shkak i veprimit të kryer nga 20- vjeçarja. Mësohet se vetëm 30 minuta para vetëhedhjes nga lartësia, studentja Klea Shyti kishte folur në telefon me familjarë të saj të afërm.
Në këtë telefonatë ajo kishte biseduar normalisht pa lënë asnjë dyshim apo shkak për diçka të pazakontë.
Për këtë arsye hetuesit dyshojnë se 20-vjeçarja mund të ketë pasur ndonjë debat apo përplasje të fortë emocionale me persona të tjerë para se të kryente aktin e vetëvrasjes.
NGJARJA
Vajza 20-vjeçare, studente e vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga 11 kate lartësi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 21:00.
Klea Shyti është hedhur nga një pallat në anë të Rrugës së Kavajës, në rrugën që të çon te pallati me shigjeta.
Motiv i ngjarjes dyshohet të jetë një histori dashurie e 20-vjeçares me një bashkëmoshatar të saj. Kjo histori mësohet se ishte mbyllur pa pëlqimin e vajzës, e cila muajt e fundit ka pasur disa kontradikta me partnerin e saj.
Vajza është gjetur përmbys në hapësirën mes shkallëve të pallatit. Pas autopsisë paraprake të kryer në morg dhe këqyrjes së vendngjarjes, si dhe pyetjes së dëshmitarëve, policia ka hedhur poshtë versionin e vrasjes, duke e klasifikuar ngjarjen si vetëvrasje.
Komentet