Dylan Thomas
1914–1953
Dylan Marlais Thomas u lind më 1914, në Uells, Britaninë e Madhe. Babai i tij ishte profesor i letërsisë angleze në një shkollë të mesme dhe i recitonte shpesh atij pjesë nga Shekspiri përpara se poeti i ardhshëm t’i lexonte vetë. Ai i donte tingujt e rimave të çerdhes, që parandjenin dashurinë e tij për baladat ritmike të Gerard Manley Hopkins, W. B. Yeats, dhe Edgar Allan Poe. Megjithëse të dy prindërit e tij, flisnin rrjedhshëm gjuhën Uellsh, Thomas dhe motra e tij më e madhe kurrë nuk e mësuan këtë gjuhë dhe Thomas shkroi vetëm në anglisht.
Thomas ishte një fëmijë neurotik, shëndetlig që ndruhej të shkonte në shkollë dhe preferonte të lexonte më vete. Ai kishte lexuar të githë poezinë e D. H. Lawrence, dhe ishte impresionuar nga përshkrimet e gjalla të natyrës. I mrekulluar nga gjuha, ai shkëlqente në anglisht dhe në lexim por i neglizhonte lëndët e tjera. Ai e braktisi shkollën kur ishte 16 vjeç për t’u bërë reporter i ri për gazetën South Wales Daily Post.
Në dhjetor 1932, ai e la punën në gazetë dhe vendosi të përqendrohej me kohë të plotë në poezinë e tij. Gjatë kësaj kohe, në vitet e fundit të adoleshencës, Thomas shkroi më shumë se gjysmën e poezive të tij të përmbledhura.
Më 1934, kur Thomas ishte njëzet vjeç, ai lëvizi në Londër, fitoi çmimin e librit Poet’s Corner, dhe botoi librin e tij të parë, 18 Poems (18 poezi), që u prit me vlerësime të larta. Libri përfshinte një përmbledhje të fletoreve të poezive të cilat Thomas i kishte shkruar vite më parë siç do të ndodhte me shumë nga librat e tij të njohur. Gjatë kësaj periudhe të suksesit, Thomas-it filloi t’i bëhej zakon abuzimi me alkolin.
Ndryshe nga bashkëkohësit e tij, T. S. Eliot dhe W. H. Auden, Thomas nuk e shihte poezinë të lidhur me temat e shfaqjes së çështjeve intelektuale dhe sociale, dhe të shkruarit e tij me lirizmin intensiv dhe emocionin shumë të ngarkuar ka më shumë gjëra të përbashkëta me traditën romantike.
Thomas e përshkruan teknikën e tij në një letër: “Unë krijoj një imazh—megjithëse “krijoj” nuk është fjala e duhur; unë lë mbase një imazh “të krijohet” emocionalisht në mua dhe pastaj aplikoj forcat intelektuale & kritike që zotëroj— lë të rritet një imazh tjetër, që ky i fundit të jetë në kontradiksion me të parin, krijoj një imazh të tretë nga brumi i dy të parëve, pastaj një imazh të katërt kontradiktor dhe i lë të gjithë këto imazhe të ndeshen brenda limiteve të mia të imponuara formale,.”
Dy vjet pas botimit të 18 poezive, Tomas takoi valltaren Caitlin Macnamara në një pab në Londër. Në atë kohë, ajo ishte menaxhere e piktorit Augustus John. Macnamara dhe Thomas hynë në një lidhje dhe u martuan më 1937. Megjithë letrat e dashurisë pasionante që Thomas do t’i shkruante asaj, martesa e tyre ishte e trazuar, me thashetheme për të dy se kishin lidhje të shumëfishta.
Michael Schmidt shkruan rreth veprës së Thomas: “Ka një lloj autoriteti në magjinë e fjalës së poezive të hershme që në poezitë e tij të famshme dhe të njohura më vonë, kjo magji shpërfaqet plotësisht. Nëse këto poezi kanë një të fshehtë, është ajo që e ndajmë të gjithë, pjesërisht erotike dhe pjesërisht elegjiake. Poezitë e mëvonshme dalin më shumë nga personaliteti i tij.”
Më 1940, Thomas dhe gruaja e tij lëvizën në Londër. Ai kishte shërbyer më parë si artilier antiajror por u refuzua për luftime më aktive për shkak të sëmundjes. Për të shmangur sulmet ajrore, çifti e la Londrën më 1944. Ata u vendosën përfundimisht në Laugharne, në Boat House ku Thomas do të shkruante shumë nga poezitë e tij të mëvonshme.
Pas luftës, Thomas regjistronte radiodramatizime dhe punoi si skenarist për BBC gjithashtu. Ndërmjet viteve 1945 dhe 1949, ai shkroi, rrëfeu apo ndihmoi në mbi njëqind radio transmetime. Në një shfaqje, “Quite Early One Morning,” (Një mëngjes shumë të hershëm), ai eksperimentoi me karakteret dhe idetë që do të dalin në pah më vonë në radiodramën e tij poetike Under Milk Wood (Nën Pyllin e Qumështit), 1953.
Më 1947, Thomas iu dha një bursë Traveling Scholarship nga Society of Authors. Ai e mori me vete familjen në Itali dhe kur ishte në Firence, shkroi “In Country Sleep, And Other Poems” (Në gjumin e fshatit dhe poezi të tjera) (Dent, 1952), e cila përfshin poezinë e tij më të famshme, “Do not go gentle into that good night” (Mos shko pa u ndier në atë natë të mirë). Kur ata u kthyen në Oxfordshire, Thomas filloi të punojë në tre skenare filmash për Gainsborough Films. Kjo kompani falimentoi shpejt dhe skenarët e Thomas, “Me and My Bike,” (Unë dhe biçikleta ime) “Rebecca’s Daughters,” (Vajzat e Rebekas) and “The Beach at Falesa,” (Plazhi në Falesa) u bënë filma.
Në janar 1950, në moshën tridhjetë e pesë vjeç, Thomas vizitoi Amerikën për herë të parë. Turet e tij të leximit në Shtetet e Bashkuara që bënë shumë për ta popullarizuar leximin e poezive si një medium i ri për artin, janë të famshme dhe famëkeqe gjithashtu. Thomas ishte poeti arketipal romantik i imagjinatës popullore amerikane— ai kishte një shkëlqim teatral, ishte një pijanec i madh, përfshihej në zënka të zhurmshme në publik dhe lexonte poezitë e tij me zë të lartë me një thellësi të paparë të ndjenjave dhe një kadencë të kënduari uellsiane.
Thomas bëri katër ture në Amerikë me angazhimin e fundit publik në City College të Nju Jorkut. Disa ditë më pas, ai mbeti pa ndjenja në hotel Chelsea pas një gare të gjatë pijeje në tavernën White Horse. Më 9 nëntor 1953, ai vdiq në spitalin St. Vincent në Nju Jork në moshën tridhjetë e nëntë vjeçare. Ai ishte bërë ndërkohë një figurë legjendare, për të dyja, veprën e tij dhe për jetën e tij të rrëmbyer. U varros në Laugharne, dhe pothuajse pas tridhjetë vjetësh, një pllakë me emrin e Dylan u vendos në Poet’s Corner, Westminster Abbey[1], Londër.
Marrë nga: https://poets.org/poet/dylan-thomas
Përkthyer nga Kujtim Morina
[1] Qoshja e Poetit, pranë kishës së famshme gotike të Shën Pjetrit në Westminster, Londër.
Komentet