AGIM SULAJ
Sot mbushen dy vjet nga ndarja nga jeta e Adem Demaçit, veprimtarit të lirisë së Kosovës të njohur me nofkën “Mandela i Ballkanit”, i cili i kaloi 28 vjet të jetës së tij në burg, shkruan Anadolu Agency (AA).
I lindur në vitin 1936, Adem Demaçi, ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Që nxënës, ai kërkonte që edhe serbët ta mësonin gjuhën shqipe, ashtu siç shqiptarët e mësonin serbishten, shpesh duke shkaktuar kështu edhe “skandale” politike në shkollë.
Fillimi i historisë së arrestimeve të tij nga policia serbe e Jugosllavisë nis në vitin 1958, kur ai ishte vetëm 22 vjeç dhe sapo kishte botuar romanin e tij të parë si shkrimtar i ri, “Gjarpinjtë e gjakut”, vepër e cila sulmonte traditën e gjakmarrjes.
Atij i shkojnë në shtëpinë e tij në Prishtinë, ndërsa edhe pse nuk ishte pjesë e ndonjë organizate ilegale, i kumtojnë se arrestohet “në emër të popullit”. Arsyetimi ishte se “ka vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror dhe shoqëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë ngase është angazhuar për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë”. Në mars të vitit 1959, shpallet fajtor dhe vuan tre vjet burgim.
Më 28 nëntor 1963, Demaçi themelon organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve me qëllim “sigurimin e të drejtave për vetëvendosje, madje deri në pikën e shkëputjes së plotë, për zonat me shumicë shqiptare që ishin brenda Jugosllavisë”.
Anëtarët e kësaj organizate në prill të vitit 1964 valuan flamuj shqiptarë nëpër qytete të ndryshme të të Kosovës e gjithashtu shkruan dhe sloganin “Rroftë Shqipëria, nëna jonë”. Në qershor të po këtij viti, midis arrestimeve të qindra pjesëmarrësve të këtij aksioni, Adem Demaçi, pas një gjyqi të mbajtur në Prishtinë, dënohet për herë të dytë, me dhjetë vjet burgim.
Në shkurt të vitit 1974 ai del nga burgu, për të qëndruar vetëm 15 muaj në liri, ngase Gjykata e Qarkut në Prishtinë e akuzoi atë se pas lirimit ishte takuar me njerëz të tjerë të akuzuar dhe se së bashku kishin planifikuar hartimin e statutit dhe planit të një organizate të paligjshme. Demaçi dënohet për herë të tretë, këtë herë me 15 vjet burg.
Pasi vuajti 28 vjet burgim në ish-Jugosllavi, Demaçi pas kësaj periudhe tha se herën e parë e dënuan për propagandë, të dytën për krijimin e një organizate, duke thënë se i pranon këto akuza, por, për dënimin e tretë e mohonte, duke e quajtur “të kurdisur”.
“Herën e tretë ata më dënuan pa qenë fajtor për asgjë. Ata sollën para gjykatësve njerëz që nuk i kisha parë kurrë dhe nuk i njihja aspak. Gjykimi ishte i turpshëm. Një komedi e vërtetë. Isha viktimë. Por pa viktima, nuk arrihet askund. E pranova këtë rol. Nga ana tjetër, unë jam i lumtur që pushtuesi serb ka zgjedhur të thyejë, sepse unë e di mirë që jam i pathyeshëm. Ata krijuan një dëshmor prej meje”, kishte thënë Demaçi vite më vonë.
“E konsideronte jetën e tij të pafat, vetëm pse nuk e vrau regjimi serb”
Se ai ishte një personalitet i pathyeshëm dhe figurë unike e thotë edhe ish-bashkëpunëtori i tij i pas-luftës në Kosovë, profesori universitar Milazim Krasniqi. Në njërën nga bisedat private të tij me Demaçin, të cilën Krasniqi e shpalosi për AA, tha se Demaçi i kishte thënë që e konsideronte jetën e vet të pafat për shkak se nuk ishte vrarë regjimi serb që e keqtrajtoi, që të kishte një përfundim më të mirë.
“Ka qenë i preokupuar me ndikimin e tij dhe me vdekjen e tij në historinë e shqiptarëve. Kjo e ka bërë padyshim unik. E dyta, vuajtja e tij ka qenë e jashtëzakonshme sepse ka qëndruar në burg 28 vjet dhe nuk i ka parë fëmijët duke u rritur. Në një rast më pati thënë se gëzimin më të madh në burg e ka pasur kur e kishte marrë lajmin që i kishte vdekur nëna. Dhe nga kjo pikëpamje njeriu tmerrohet prej fjalëve që dëgjon. Dhe pastaj ai ma shpjegoi, më tha që ishte gëzuar për vdekjen e nënës ngase nuk do të vuante më, duke ardhur për t’më vizituar me nga tri ditë në trena nga Kosova në Staragradishë pa ngrënë dhe pa pirë. Dhe e treta, pa dyshim, ka pasur një aktivizëm të jashtëzakonshëm kulturor, medial dhe politik”, thotë Krasniqi.
Mediat në Kosovë, por dhe mediat e huaja, me rastin e vdekjes së Demaçit më 26 korrik të vitit 2018 e paraqitën vdekjen e tij me epitetin “Mandela i Ballkanit”, por, për një krahasim të tillë, profesori i universitetit publik të Prishtinës, Krasniqi, thotë se Demaçi e Mandela përputhen vetëm tek idealet për t’u çliruar, ndërsa përpjekja e Demaçit është më unike.
“Kauza për të cilën Demaçi ka luftuar është kauzë e natyrës tjetër prej asaj për të cilën ka luftuar Mandela. Sepse në Afrikën e Jugut ka qenë problem racizmi dhe përpjekja për të krijuar një pozicion më normal të zezakëve. Ndërkaq, te rasti i Demaçit, kauza ka qenë shkëputja e Kosovës nga sundimi jugosllav, bashkimi me Shqipërinë në versionin e parë irredentist dhe më vonë akomodimi i projektit për Kosovën e pavarur”, thotë Krasniqi, i cili shton se Mandela madje ka pasur një trajtim pothuajse të privilegjuar në burg, ndërsa Demaçi ka qenë tërë kohën i terrorizuar edhe gjatë burgut.
“Adem Demaçi si shkrimtar ishte një uragan i ndërprerë”
Muhamet Mavraj, njëri nga liderët kryesorë të protestës studentore të shqiptarëve të vitit 1997, protestë që ishte pasardhëse e shumë të tillave dhe si frymëzim i veprimtarisë së Demaçit për liri e pavarësi, thotë se Demaçi si shkrimtar ishte një “uragan i ndërprerë” nga regjimi i atëhershëm serb, ngase me shkrimet dhe letërsinë e tij, ai filloi të bëhej mjaft i njohur.
Mavraj, i cili e njihte Demaçin pothuajse për aq vite sa ai kishte qëndruar në burg, thotë se ai kurrë nuk urrente ndonjë etni, në këtë rast serbët, por urrente tiranët dhe shtypësit e popujve.
“Gjithkujt më së shumti mbresa i ka lënë qëndresa e tij në burgje, ruajtja e durimit, ruajtja e karakterit njerëzor, e gjykimit, këmbëngulësia në gjykimin e tij politik, mosheqja dorë nga qëllim i tij politik, inspirimi i vazhdueshëm i tjerëve që ta ndjekin qëllimin politik: që në atë kohë ishte bashkimi kombëtar; por, pas burgut, edhe humanizmi i tij, toleranca e tij ndaj feve tjera, ndaj dallimeve tjera politike, toleranca e tij njerëzore ndaj etnive të tjera këtu në Kosovë. Ai kurrë nuk shprehte urrejtje për popujt. Ai shprehte mosdurim dhe refuzim të tiranëve kudo që ata ishin, në rastin tonë konkret ai nuk shprehte për popullin serb, por për regjimet serbe që Kosovën e kanë sunduar dhe me të vërtetë e kanë dobësuar shumë, e kanë persekutuar dhe keqtrajtuar deri në përmasat e spastrimit etnik”, tha Mavraj.
Mavraj, i cili është botues i gazetës kombëtare “Epoka e Re” që nga viti 1999, thotë se për nga shkalla e vuajtjeve, nuk është e tepërt që ish-liderit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandelës, t’i thonin “Demaçi i Afrikës”.
“Në jetën njerëzore unë nuk njoh asnjë njeri më humanist se Demaçi. Ai ishte shumë modest dhe i dashur me të gjithë ata që i njihte. Mendoj se tiparet e tij i takojnë të gjitha feve më të mira të botës. Tiparet e karakterit të tij janë në fakt emblemë e luftës së tij për lirinë e Kosovës përgjatë gjithë jetës”, thotë Mavraj, i cili duke folur për modestinë e tij, shton se nuk e kishte problem edhe në moshë të shtyrë t’i vizitonte të gjithë ish-shokët apo edhe familjarët e ish-të burgosurve, sidomos në raste mortore.
Disa nga funksionet dhe dekorimet e Demaçit ndër vite
Në dhjetor të vitit 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të Alexander Langer, Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkëatdhëtarëve të tij, i akorduan Adem Demaçit çmimin e lartë “Sakharov”. Pas kësaj mirënjohjeje të lartë, Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë, me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore.
Në vitin 1992, ai merr çmimin kundër Racizmit e Ksenofobisë nga “Universidad de Complutense” të Madridit, ndërsa në vitin 1994 nominohet dy herë për Çmimin Nobel: në shkurt të atij viti për Nobelin në Letërsi, ndërsa në shtator për Nobel në Paqe.
Gjatë periudhës 1998/1999, Demaçi ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Nga viti 2005 deri në vitin 2007, Adem Demaçi drejtoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Ai është autor i disa librave, si: Gjarpinjtë e gjakut (1958), Libër për Vet Mohimin (1994), Dashuria Kuantike e Filanit (2007) e të tjera.
Në vitin 2010, ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”, dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Komentet