Nëse tridhjetë viteve më parë do t’i kishim dhënë të drejtë Francis Fukuyamës, kur lajmëroi “fundin e Historisë”, atëherë sot do të duhej të thonim se Historia ka rifilluar. Nuk është kështu, natyrisht, sepse ajo nuk ka përfunduar kurrë. Por ajo që ndodhi dje, 21 shkurt 2023, në trekëndëshin Kiev-Varshavë-Moskë, qëndra e re e fateve evropiane, sigurisht I përket atyre që Stefan Zweig përcaktonte “çaste fatale”. Dy burra, dy fjalime, dy sisteme të papajtueshme ndërmjet tyre.
Për të parën herë që nga rënia e murit të Berlinit, një ndryshim i kundërt e pa hapje fuqizohet plastiçisht ndërmjet dy fushave: asaj të Vëndeve demokratike nën udhëheqjen amerikane, në luftë për mbrojtjen e lirisë e së drejtës për vetëvendosje të çdo populli, dhe asaj të një Rusie rish-perandorake, që autokrati i saj e thërret në një luftë të gjatë të kthyer në qenësore, duke mbyllur çdo kanal të mbetur komunikimi, aq më pak të bashkëbisedimit me jashtë, duke ngritur urat kundër çdo ndikimi të Perëndimit armik e të degjeneruar.
Ndoshta duhet të ngjitemi para vdekjes së Stalinit, më 1953, për të gjetur në Kremlin gjurmët e një modeli të tillë, të zotëruar nga vullneti i thyerjes përfundimtare dhe paranojës strategjike, si ai i përvijëzuar dje nga Vladimir Putini në Gostini Dvor. E vërteta e përmbysur për luftën e shpërthyer nga “Perëndimi i përbashkët” dhe elitat e tij, të vendosur njëherë e përgjithmonë të “likuidojnë Rusinë duke përdorur Ukrainën si kukull”, përbën parakushtin e një ripohimi të një stili të lashtë: “Në çështjen e mbrojtjes së Rusisë duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të mbrojtur të drejtën tonë historike e më të lartën: të drejtën për të qënë të fuqishëm”, ka thënë presidenti rus duke përsëritur Pjotër Stolipinin, kryeministrin e Nikollës së II mbas revolucionit të vitit 2005. Nuk ka hapësirë për dyshime apo mefshtësi, në këtë teoremë putiniane: mbi të gjitha “asnjë keqardhje” për oligarkët, që kanë humbur pasuritë miliardere në bankat ndërkombëtare e që mund të ringjallen vetëm nëse këthehen të investojnë në atdhe.
Goditja teatrale, pezullimi i pjesëmarrjes ruse në Traktatin New Start, që kufizon në 1500 raketat bërthamore të Moskës e të Washingtonit, arriti në fundin e 100 minutave të fjalimit të Putinit. Nuk ndryshon asgjë në gjëndjen aktuale, me kontrollet në arsenalet, në fakt të pezulluar më shumë se dy vite më parë, për shkak të pandemisë më parë e pastaj të padive të ndërsjellta ndërmjet Rusisë e Sh.B.A. për mos respektimin e zotimeve. Por është deri diku treguesi që epoka e kontrollit të armatimeve, e nisur nga koha e Brezhnjevit, është në grahmat e fundit. Është pothuaj e pamundur të mendohet për bisedime për një tjetër traktat, Starti i Ri që mbaron përfundimisht më 2026, në zbrazësirën absolute të komunikimeve e besimit ndërmjet dy Vëndeve.
Në hapësirën e pak orëve, përpara kështjellës së Varshavës, Josef Bideni, ka përvijëzuar një tjetër vështrim të botës, të themeluar mbi mbrojtjen e lirisë e të demokracisë. Duke u kthyer nga Kievi, ka cituar Putinin vetëm një herë, duke mohuar me forcë që Perëndimi po kërkon të sulmojë apo të shkatërrojë Rusinë, duke kujtuar se ka qënë kryetari i Kremlinit që ka zgjedhur luftën. Presidenti amerikan këtë herë nuk e ka përcaktuar kriminel të luftës, por ka thënë qartë se “do të veprojmë kundër atyre që janë përgjegjës për luftën”. Mbi të gjitha Bideni ka dashur të luajë lojën e drejtuesit, duke dhënë përfytyresën e një Zeitgeisti (Shpirti kohës) të Perëndimit, sikur të dojë të sigurojë aleatët perëndimorë, të shqetësuar për qëndrueshmërinë në kohë të mbështetjes ushtarake, ekonomike e politike të Ukrainës, siç doli edhe mbas perdes së Konferencës së Mynihut.
Në të shkuarën e Historisë evropiane, përsëri të shënuar nga një thyerje e thellë e për çastin, e pashërueshme, Lindje-Perëndim, udhëtimi në Kiev e fjalimi në Varshavë të Jozef Bidenit nënvizojnë megjithatë barazpesha të reja gjeostrategjike, në të cilat qëndra e politikës evropiane të Shteteve të Bashkuara tashmë është zhvendosur drejt Lindjes dhe partnerët evropiano lindorë e veriorë të NATo-s kanë fituar një peshë më të madhe se sa kanë në vështrimin e botës së Vëndeve të Evropës karolinge. Nuk është e rastit që dje në kryeqytetin polak Bideni ka takuar drejtuesit e t’ashtuquajturit “Nëntë të Bukureshtit”, pra Bullgarinë, Estoninë, Rumaninë, Lituaninë, Letoninë, Poloninë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Janë këta tani kufiri i ri perëndimor, ashtu siç ishte Gjermania gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërsa Ukraina e lirë në luftën për liri e pavarësi ka tani popullaritetin e Berlinit Perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë.
Në errësirën e mesditës së çerek rrethit evropian përsëri prè e së shkuarës që rikthehet, përveç vendosmërisë dhe lidhjes, Perëndimi nuk duhet të harrojë të ngrejë shikimin mbi belegët e së ardhmes, në të cilët nuk shquhet Rusia e prapambetur dhe e blinduar e Vladimir Putinit por Mbifuqia e re kineze. E të kërkojë barazpeshën e drejtë ndërmjet mbështetjes së domosdoshme për Kievin dhe nevojës për të shmangur që Pekini të njëjtësojë në aleancën me Moskën përparësinë e tij strategjike.
“Corriere della Sera” 22 shkurt 2023 Përktheu Eugjen Merlika