DASHUNIA
Ça zemren teme keshtu sot pesh’ka çuemun?
Pse sot qetsi nuk kan’ kto mendt e mia?
Çmos kurr pse ma e re po m’ ngjan djelmia
E zemra her’ asht n’gzim e herë e hutueshme?
Po e dij mjaft mirë, se jam tue provuemun:
Në zemë teme ndrye asht dashunia,
E n’ mende teme siellet fantazia,
Tue m’lan n’ dyshim e nga nji her’ të gzuemun.
Un’ kaq të flakt’ s’e pata kurr kujtuemun!
E dijshe t’vogel krejt sikur shkëndija,
Që veç nji çast flakron, së shpejti prap m’u shuemun.
Po tash po e ndiej, se po ma njeh fuqia,
qi n’ trupin tem gjithnji vjen tue u ndrruemun,
P’ e dij se ç’ asht ajo: ash ‘bukuria.”
DJALI SHQIPTAR
Unë jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.
Kujdes na la i pari
m’e dashtë e m’e nderue.
Se ne atë e kemi nanë,
prandaj s’do lodhem kurr’ tue thanë:
Un’ jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.
Un’ jam nji bir iliri
e i lirë un’due me mbetë;
për çfardo xhevahiri
Shqipnin’ s’e jap përjetë.
………………………………………….
Un’ kombin kurr s’kam m’e mohue,
gjithmonë, gjithkund ka m’u diftue:
Un’ jam nji bir arbnori,
shqiptar besnik i mirë.
GJUHËS SHQYPE
Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
Je ambla gjuh’ shqyptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,*
T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!
Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.
Gjuh’ sakole**der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjenë!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun;***
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.
Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,
Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,
Që me shkrim t’pat lartësue.
Ty t’kan’ fol’ shum’ kapidana,
Burra t’rrebt si t’ishin zana;
Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!
Gjuh’ e bukur si pranvera,
Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t’rritë.
Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,
Se ma s’dona zhele t’hueja
Veç duem ty me t’pa në dritë.
(Vjenë) 14.I.1907
GUXIM
Ti ke pas’ pa do koh’ edhe ma t’vshtira,
Ti ke pas’ hjek, ma shum’ mjerim,
Prandej qindro burrnisht sikur përpara
E mos u tremb, por ki guxim!
Shum’ dallgë t’rrepta ti i pate hjekun,
Që ty t’u turrshin me rrëmbim,
E pra mbasi der sot trimnisht qindrove,
Ti mos u tremb, por ki guxim!
Sado e rrept’ që mundet t’jet’ duhia,
Mos u frigso, por banu trim!
Do t’bahesh prap i fort sikur përpara,
Por mos u tremb, e ki guxim!
KANGA E TË VORFNIT
Prind nuk kam
I vorfën jam
E rroben kam të vjetër,
Me buk’ e krypë,
Që rri tue lypë,
Kaloj prej ditës m’nji tjetër.
Nuk kam shtëpi,
As se ku rri:
Ndër rruga un’ kam mbetun!
Pothuej gjith’ herë,
Se nën nji derë
Un’ natën shkoj me fjetun.
Gjith’ bota lot
E kush s’ma thot’
Nji fjalë që me m’gushlluemun.
Njerzi pse m’qeshë,
Pa buk’ e veshë,
Që kurr nuk jam i gzuemun?!
KOSOVA NE LUFTE
Ah, Shqypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball.
Ish nji vjet’ ndër ma të vshtira,
Me nji mij nandqind e dhjetë,
Kur Kosov’ mbloj egërsira,
Për me shbi çdo bim’ mbi dhetë.
Ish, por sa e nis njathera
Bota mbar’ për m’u gjallsu
Kur me knaqje vjen prandvera
T’gjith natyren m’e lulzu.
Ah, ehu! Do sheje t’kqia
Jan kah vin’ prej ans mbi Le!
N’vent t’prendvers që pret Shqypnia,
Bje mbi të nj’ e rrebt rrufe.
Prej Azis’ tek jan kah lshohen
Me tërbim të madh barbart,
Për me vra, me pre kta çohen,
Me turpnu për jet Shqyptart.
E n’Prishtin’ atje pik’ s’parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra në tok’ me bi përsri.
LUFTARIT
Atje n’at vend të lamun
Me gjak t’Arbnorit t’dlirë;
Atje nji djalë âsht vramun
Atje mbet nji Ilirë.
Atje n’at vend barbari
E njofti mirë djelmnín;
Atje rrëfei Shqiptari
Sá shtrêjt e blén lirín.
Atje Shqypja luftovi
Trimnisht me zogjt e vet;
Atje nji zâ ushtovi:
“Në zjarm, se nji na mbet!”
Ai vend nuk do t’harrohet
I gjall’ do t’jét për né;
Mbas tashit do t’emnohet:
“Nji çerdhe e Shqypes s’ré”.
MALL
Vend i dashtun , ku un’leva,
Sa sa her’ me mall t’kujtoj!
Kurr si sot dashtni nuk ndjeva,
Shum’ Shqypni, un’ ty t’dishroj!
Shpesh kujtimet m’shkojn’ te shpia,
Ku me mall e shkush fmininë,
Zemrën krejt ma grin dashtnia
E prej mallit mrend po zin.
Ah, at’ votër kur kujtova,
Ku qark saj un’ jam rrethu…
Dy tri pika lot i lshova,
Ktu n’kët vend ku jam mërgu.
Kur ma thell’ jam shty n’mendime
E mjerimin kam kujtu…
Ikne, ikne ç’pata gzime,
Zemra faret m’u coptu!
MALLI IM
Erë e malit fryn ngadalë
Përmbi fushë plot me bar,
Mue malli porsi valë
Ma mbush zemrën plot me zjarm.
Erë e malit fryn e qetë
Si në lindje e perëndim;
Breg, lëndinë shohin jetë,
Zogjtë çmallen me këndim.
Më ha malli për natyrë,
Lisa, plepa në largim,
Malli i nanës si pasqyrë,
Ma zgjat jetën, m’ep gjallnim.
MBRAMJA 1 NANDUER
Pushojti ulërima edhe vaji,
Qi ditën t’vjetrat vorre patën mblue!
N’qetsí t’mjerushme ra tek ka Ermaji
Mbî zall veç ndihet Kiri tue ushtue.
Qe hyjt e hâna m’qiell tek lamparisin
E fushën mbarë e mblojnë m’nji dritë të zbét,
Do drita t’ndezme mbi shum vorre ndrisin…
Mbi tufa lulesh, rrxue me krye për dhét.
Vorrtari, i cili s’njef ç’âsht friga e mnera
Tek shkon mbi vorre dritat tue i shue,
E si mbaron, këthen… po fryn m’turr era,
E gjetht i bân nga nji e nji m’u rrxue…
E kukuvajca mbi qinar, e mjera…
Përpiqet vajin si për m’e mbarue!…
NË DYSHIM
Jam n’dyshim, jo se po vdesim
Pa dit kush a jena gjall’,
Por se dru që n’botë na mbesim
Krejt si peshku që rri n’zall.
Jam n’dyshim se shqyptarizmi
Ma përpara s’ka me shku,
Se po shifet fanatizmi,
Si shqyptart’ i ka qorru.
Jam n’dyshim tuj pa do krena
Kah na bajn’ që mbas t’i shkojmë,
E të tynve qole t’jena,
E për dam t’atdheut t’punojmë.
NGREHU
Thon’ për ty që ke mbarumun
E gjallsi ti ma nuk ke;
Thon’ për ty që je poshtnumun
O atdhe!
Jan kah thon’ se t’vdiq trimnia,
Qysh se t’ra ajo rrufe;
Thon’ se ty t’u prish djelmnia,
O atdhe!
Thon’ se je nji komb i lanun,
Ma i poshtri ti sot je;
E çka s’jan’ për ty tuj thanun,
O atdhe!
Çdo që bota do të flasin,
Mbushu plot shpres’ të re!
Ty asgja nuk do t’humbasin,
O atdhe!
Shkundi t’rrebtat arm’ mizore
E për luft’ thirrna ne!
Botës diftoj’ që s’je me kore,
O atdhe!
Kshtu ndër kombe tjera njehu,
Tunde botën mbar’ në dhe!
N’luft’ me djelmt’ e tu ti ngrehu,
O atdhe!
SHEGES SE KOPSHTIT
Pak vjet, o shegë, qi t’mbolla
E ti je rritë e shkue!…
Em bir me duerët e njoma
M’ndihmoj pleh n’rrâjë tue lshue…
E m’thote: «O atë, kur t’rritet,
As kjo do t’ jét për mue?»
«Po bir—un j’u pergjegja—
për ty jam tue e vu!»
T’shiqoj, o shegë, e ngrihem,
Kah t’shof me fryte plot!
E kah mâ teper rritesh,
Mâ e madhe ti ç’do mot,
Mâ shum për mbrenda digjem
E syt më mbushen m’lot!
Ti helmin t’m’a kuptojshe,
Moj shega e njomë e e ré…
Ti ndofta s’do t’m’shiqojshe
Kaq gaz edhe haré,
Por ftyren do t’a mvrojshe,
Do t’m’kqyrshe shum mâ zbét,
Se aj, qi ty t’plehnojti,
Qi ty aq fort t’gjallnojti,
Moj shegë, sot kalbet m’dhét!
Dashuni në kangë
Kot un’ fjal’ jam tue menduemun
Me e treguem kët’ zjarmin tim!
Ça s’m’ban goja me diftuemun,
Un’ ta çfaqi ty n’këndim.
.
Kanga vetëm e tingllueshme
Dashunin gjith’ ta tregon;
Ca mshefi buza e dishrueshme,
Vetëm lodja! ta difton.
.
Kët’ zjarm e kto dishrime,
Q’un’ në zemër ndryj pa ndà,
M’i kupton veç zemra e ime,
Që në zemër ndrye m’ka.
.
Ti, o kang’ prej zemrës dalun,
Shkon edhe asaj m’i thuej:
Se kët kang’ un’ ja kam falun,
Mallin tim se si ta shuej!
Komentet